Monday, September 13, 2010

Agresivë

Nga të katër cepat e hapësirës territoriale, shpirtërore dhe psiqike shqiptare ndeshesh me njerëz agresivë. Në vorbullën me re të dendura që kanë prejardhje historike, kur në shekullin e 21-të pretendohet për një funksionim normal, të vjen keq që teje shikon qenie të etura për të jetuar në neutralitet. Fatkeqësia më e madhe është se askush nuk merr guximin të japë shembullin për të qetësuar metafizikën tonë të stërmunduar. Një realitet që e shijon vërtet kur bie me këmbë në tokë dhe e kupton sa milje larg je asaj që të mungon. Si për t’iu përngjitur mirazhit fizik që përçon varfëria dhe perandoria e saj, ndeshesh me po këta njerëz që nën kthetrat e mjerimit ndihen të fyer, të dëmtuar personalisht dhe në grup.

Në rrugë shikon kaq shumë njerëz të flasin me vete, ose i dëgjon në biseda të tjera të atypëratyshme të marrin flakë menjëherë. E kupton rrjedhimisht se kjo gjendje nuk është e rastësishme ose e lindur, por e injektuar dhe e imponuar. Gjendja e agresivitetit tonë shfaqet në formën më të keqe të mundshme përmes prirjes për të sulmuar ose për tu bërë dëm njerëzve të tjerë fizikisht ose me fjalë. Kjo lidhet ngushtësisht me të kaluarën, duke qenë se pak e kemi jetuar dhe siç duhet lirinë.

Të ndodhur nën frustracion të vazhdueshëm, kjo sjellje është bërë çështje gjenetike dhe po trashëgohet brez pas brezi. Por nuk ka qenë vetëm pushtuesi i huaj që na ka lënë këto pasoja. Siç e vërtetojnë edhe sot të dhënat më të reja shkencore, sjellja agresive e shoqëron të përditshmen pa ndërprerje. Studiuesja Margaret Mid ndodhej në fisin Arapesh, tek të cilët dominon qëndrimi i butë dhe miqësor që nga vegjëlia. Në këtë kontekst, vlen të japim një shembull të freskët nga një zonë jugore e vendit tonë. Dy fëmijë nga e njëjta familje, të cilët ende nuk kishin mbushur tre vjeç, po ziheshin keqaz me njëri-tjetrin. Ata ishin që të dy agresivë, por njëri u tregua më i shkathët dhe e hodhi përtokë tjetrin. Ky i fundit nisi të qante, ndërsa e ëma e tyre në vend të qetësonte situatën dhe të ndëshkonte më agresorin, përkundrazi e lavdëroi atë. Ajo shkoi të fëmija i saj më i dëmtuar nga kjo zënkë dhe i tha që duhet të jesh edhe ti si vëllai. Sigurisht, kjo është një histori e rëndomtë që nuk ndodh kudo, por një ilustrim i qartë i faktit që reagimet e njerëzve me sjellje agresive mësohen qysh në fëmijërinë e hershme. Për të vazhduar idenë e mësipërme se agresioni fitohet gjatë jetës, ky fakt kërkon analizë të thelluar, sepse problematikat e jetës sonë politike, ekonomike, social-kulturore kanë rrënjë të thella të kësaj natyre.

Sjellja e dhunshme dhe zgjidhja e problemeve me forcë është një qëllim paraprak dhe i mbarsur që po kthehet në “modus vivendi”. Njësoj si në shoqëritë primitive, kur i forti “kafshonte” të dobëtin, sot pronari ose më saktë skllavopronari po sillet agresivisht me punëmarrësin ose “skllavin” e tij. Nuk e kam fjalën thjesht për pronarin e një ndërmarrjeje, por për atë që ka pushtet të sundojë dhe të ketë në dorë fatin jetik të të tjerëve. Në këtë aspekt, ne kemi mbetur ende në mentalitetin e tribuve gjë që reflektohet edhe në kulturën tonë të të konceptuarit ose të të parit të të tjerëve. Zakonisht ne shqiptarët reagojmë me sjellje agresive jo vetëm ndaj shkeljeve të të drejtave dhe lirive tona njerëzore, duke mos tentuar që me butësi t'i zgjidhim konfliktet e ndryshme, sepse edhe këtë veprim antisocial e kemi njohur si zgjidhje. Ky hap ekstrem merret me arsyen, sepse shpërfillemi kur e kemi “thikën në kockë” dhe e gjithë kjo vjen si rezultat sepse nuk funksionojnë normat, por kultura e fshatarizmit të fetishizuar.

Veç kësaj, ne shqiptarët jetojmë në një trafik të dendur psikologjik dhe stresues edhe nga faktorë të tjerë të jashtëm që krijojnë zhurmë në psiqikën tonë, duke i'u kthyer me të njëjtën monedhë, e kjo, për fat të keq, merr me vete shumë të këqija siç janë vrasjet, krimet brenda familjes, e shumë probleme tjera serioze.Arsyeja më pragmatiste pse jemi kaq shumë agresivë është sepse shoqëria jonë manipulohet dhe kontrollohet sistematik. Nga kush dhe për çfarë bëhet ky manipulim e kontroll? Nga disa biznese, politika, lobe dhe qëllimi i tyre kryesor është ta pajtojë individin me mënyrën e jetesës të cilën ia imponon fitimi i tyre. Për shkak të shkallës së lartë të shtypjes që përmban ky pajtim, kuptohet që është e nevojshme të arrihet një marrëveshje e fshehtë midis tyre që individi duhet të blejë shërbimet e tyre dhe t’i konsumojë ato pandërprerë. Me fjalë të tjera, kjo ka sjellë edhe agresivitetin tonë instinktual që tashmë është standardizuar. Janë këto kushte pse individi shqiptar nuk është ende i shëndetshëm dhe normal, është një individ i pajisur me të gjitha cilësitë që e aftësojnë të shkojë keq me të tjerët në shoqëri, dhe pikërisht këto cilësi dëshmojnë represionin, dëshmojnë një qenie të gjymtuar që bashkëpunon me shtypjen e vet. Kjo situatë nuk mund të zgjidhet me metoda thjesht psikologjike apo mbushamendëse. Beteja zhvillohet vetëm në nivel politik: në betejën pro çlirimit të një shoqërie të mbyllur në kuti shkrepëseje.


t.observer

No comments: