Thursday, September 2, 2010

Të shëmtuarat, si ndihen dhe e përjetojnë këtë fakt

Edhe pse është shumë e vështirë për t’u pranuar, ky është fati i trishtuar i femrave të shëmtuara: të mos trajtohen asnjëherë si të tjerat

A e keni menduar ndonjëherë se cili është sekreti i bukurisë? Një fytyrë simetrike dhe sasia e duhur e hormoneve. Ky është një rregull që vlen si për meshkujt ashtu edhe për femrat, e madje jo vetëm për qeniet njerëzore, por edhe për majmunët. Por cili është në të vërtetë qëllimi i bukurisë? Sigurisht që nuk është joshja, por riprodhimi. Këtë e ka konfirmuar edhe një studim britanik i zhvilluar në një nga universitetet e Anglisë. Përfundimi? Vërtet bukuria është cilësuar një nga elementet më të rëndësishme të njeriut, prej së cilës lind shpesh stresi dhe tërheqja, por gjithmonë ka një qëllim: ngjizje dhe riprodhim, me ose pa dëshirën tonë.


Studimi ka analizuar disa fotografi të tri grupeve të ndryshme individësh: europianët, disa persona me etni Hadza (Tanzani) dhe majmunët. Me ndihmën e kompjuterit studiuesit bënë disa ndërhyrje për t’i bërë të gjitha fytyrat simetrike, duke zvogëluar distancën mes syve, pasi është edhe një nga faktorët më të rëndësishëm të simetrisë së fytyrës. Kështu, pas operacioneve të rimodelimit, studiuesit ua treguan fotografitë europianëve, të cilët kryenin funksionin e jurisë. Grupi në fjalë përbëhej nga 15 meshkuj dhe 15 femra. Jurisë iu kërkua të vlerësonte se cilat fytyra dukeshin më tërheqëse. Femrat me moshë nga 18-25 vjeçe (numri total i të cilave ishte 59) i ishin nënshtruar gjithashtu analizës, ku përcaktohej niveli i estrogjenit që qarkullonte në gjakun e tyre. Pas rregullimeve, fotografitë e të njëjtave femra të treguara më pas, konsideroheshin më tërheqëse dhe shfaqnin karaktere tipike femërore: sy të mëdhenj, buzë me tul, nofulla dhe hundë të vogël. Këto ishin disa nga vajzat që iu nënshtruan profilit hormonal.

Studiuesit, pasi i rregulluan fotografitë me “software”-in e një kompjuteri, ua treguan ato anëtarëve të jurisë: rezultatet ishin homogjene. Kjo do të konfirmonte se karakteret e pëlqyera te një fytyrë femërore janë karaktere seksuale, që shkaktojnë fertilitet dhe si pasojë janë tërheqëse nën profilin biologjiko-evolutiv. Preferencat e shprehura nga grupi europian të marra në konsideratë nga shkencëtarët nuk lidhen me eksperiencat vizive, por me mbijetesën e farës.

Gjithsesi, nëse karakteristikat e fytyrës mund të japin informacion mbi cilësitë biologjike, atëherë është logjike të mendosh se mund të
ekzistojnë mekanizma të ngjashme që e nxisin.

Për shembull, disa gjene mund të tregojnë një sistem imunitar të mjaftueshëm, ose një aparat të mirë metabolik, pavarësisht se e lejojnë një organizëm të rritet në mënyrë simetrike.

“Shpesh femrat e shëmtuara janë aq të zgjuara, saqë i bëjnë njerëzit ta harrojnë këtë fakt”, thoshte Balzaku, i cili i kuptonte shumë mirë gratë dhe mënyrat se si ato joshnin.

Për pamjen e jashtme të femrave të shëmtuara janë shkruar mjaft libra. Një prej tyre është edhe “Jeta seksuale e gruas së shëmtuar”. “Gruaja e shëmtuar nuk është vetëm një deformim estetik. Mbi të gjitha ajo ka një shpirt si çdo qenie njerëzore”, është shprehur një studiues. Libri në fjalë zbulon misterin dhe konfirmon teorinë: çdo njeri është i bukur aq sa ndihet.

Protagonistja e romanit e përshkruan situatën e saj si atë të një gruaje të shëmtuar, por që për sytë e saj duket mjaft tërheqëse. Ajo është një grua e shëmtuar, natyrisht jo aq e tmerrshme, sepse ajo lloj femre, sipas disa studiuesve, ka një bukuri të veçantë që nuk mund të shihet nga të gjithë, e cila ose kalon pa u vënë re, njësoj sikur të ishte e padukshme, ose në momentin që i vihet në dukje fakti që nuk është e bukur, nuk mund të bëjë gjë tjetër veçse të vuajë.

Edhe pse është shumë e hidhur për t’u pranuar, ky është fati i trishtuar i femrave të shëmtuara: të mos trajtohen asnjëherë si të tjerat. Ajo mësohet me këtë gjë që në vogëli dhe e përdor “trashëgiminë” e saj për të krijuar një portret, i cili i pëlqen dhe e bën të ndihet më mirë. Realisht, edhe pse i trishtueshëm dhe argëtues deri në qesharak në të njëjtën kohë, libri “Jeta seksuale e gruas së shëmtuar” është një edukim sentimental gjithnjë e në rritje. Një romancë e jashtëzakonshme, por edhe një libër edukativ, i cili mund t’u shërbejë meshkujve dhe femrave për të parë në një tjetër këndvështrim jo vetëm vetveten, por edhe botën njerëzore që i rrethon. Fatkeqësitë e personazhit kryesor do të bëhen fatkeqësitë e të gjithëve, një pasqyrë në të cilën kushdo, edhe më i bukuri, mund të shihet.

Gazeta  Shqip

No comments: