Thursday, September 30, 2010

U burgos padrejtësisht, i kërkon 400 mijë euro policisë

LUSHNJE- Familja e një 17 vjeçari të akuzuar padrejtësisht për përdhunimin e një të miture kërkon dëmshpërblim nga institucionet shtetërore, të cilat u kanë nxirë jetën këto muajt e fundit.
Adoleshenti u arrestua tre muaj më parë i akuzuar për përdhunimin e një 9-vjeçareje dhe që nga ajo ditë familja e tij është mbuluar nga turpi. Djali në asnjë rast nuk e ka pranuar akuzën dhe tre muaj më pas policia ka zbuluar se përdhunuesi është një tjetër person. Pas arrestimit të 50-vjeçarit Bardhyl Dervishi, policia dhe prokuroria kanë liruar Hoxhën duke u mjaftuar me një "na fal" të thatë. Për këtë arsye familja sot kërkon 400 mijë euro dëmshpërblim për burgun e padrejtë dhe për dëmin moral që i është shkaktuar.


"Denoncimi im ka qenë me emra konkretë. Unë akuzoj inspektorin e zonës, prokurorin e çështjes dhe oficerin e policisë gjyqësore. Këta persona më kanë futur në burg djalin, i cili ka qëndruar rreth 3 muaj në mënyrë të padrejtë në qelitë e paraburgimit për të mitur në Vlorë",- tha dje babai i 17-vjeçarit, Fitim Hoxha. Pas disa muajsh hetime, ai është deklaruar i pafajshëm nga gjykata. Sipas babait të tij, djali 17-vjeç, është rrahur në polici për të pranuar akuzën e përdhunimit të vajzës 9-vjeçare. Ai tregon se gjatë kësaj kohe kur djali ka qenë në burg, e gjithë familja është detyruar që të jetojë me turp. "Ne si familje kemi qenë nën një trysni psikologjike nga bashkëfshatarët. Unë isha i bindur se djali im nuk e kishte kryer atë krim të turpshëm por prapë nuk mund të dilja në fshat. Rrija në pyll gjithë ditën i fshehur pasi më vinte turp të dilja. Na bënë me turp duke shmangur çdo takim me njerëzit e afërt dhe banorët e fshatit",- tregon babai i 17-vjeçarit.


Ngjarja për të cilën u akuzua Hoxha ka ndodhur në 27 qershor të këtij viti në fshatin Kolonjë të rrethit Lushnjë, ku sipas policisë ishte dhunuar seksualisht një 9-vjeçare. Për këtë ngjarje ka pasur tre të arrestuar por dy prej tyre janë liruar ndërsa i treti, 17 vjeçari Hoxha, është vënë nën masën e sigurisë burg pa afat. Prokuroria e Lushnjes, edhe pse ka firmosur arrestimin e 17- vjecarit të dyshuar dhe ka nisur një hetim tjetër, i cili ka zgjatur rreth tre muaj. Pas përfundimit të këtij hetimi gjykata e ka lënë të lirë 17- vjeçarin nga Ardenica e Lushnjes duke e deklaruar të pafajshëm ndërkohë ka ndaluar si të dyshuar për këtë akuzë shtetasin Bardhyl Dervishi, rreth 50 vjeç, banor i këtij fshati. I arrestuari Dervishi punonte në një klub në manastirin e Ardenicës. Këtij të fundit pas shoqërimit nga policia në mjediset e paraburgimit në Lushnje, i është komunikuar akuza e përdhunimit të vajzës. ___________

Rreth nje jave me pare, policia arrestoi Bardhi Dervishanin, i dyshuari si autor i përdhunimit të vajzës 9- vjeçare në fshatin Ardenicë të Lushnjës, ngjarje e ndodhur në fund të muajt qershor të këtij viti dhe u lirua nga burgu adoleshenti qe mbahet i izoluar per kete akuze. Nga hetimi është arritur të provohet se Bardhi Dervishani, i njohur në fshatin Ardenicë si njeri me probleme morali, është personi që më 26 qershor 2010 abuzoi seksualisht me të miturën 9- vjeçare. Bazuar provat e gjetura nga hetimi,prokurori i çështjes urdhëroi arrestimin e Dervishanit, të cilit dje Gjykata e Vlorës i vendosi masën e sigurisë "arrest me burg" deri në përfundim të hetimeve.

Kristaq Thanasi, G. Shekulli

No comments: