Wednesday, October 6, 2010

11 ministrat “mëkatarë” të qeverisë “Berisha”

Nga 3 shtatori 2005 e deri në shtator 2010, arsyet pse janë sulmuar nga opozita.
Ndoshta është numri më i madh i ministrave të akuzuar ndonjëherë në një qeveri. Arsyet janë të ndryshme, duke u nisur nga më e përditshmja për korrupsion, abuzim me detyrën e deri tek ngacmimet seksuale.
Qeveria “Berisha” ka plot 11 ministra të cilët janë vënë përballë sulmeve të opozitës që nga mandati i parë i qeverisjes në 2005 e deri tani. Ndërkohë që misioni opozitar ende nuk ka përfunduar, pasi janë paralajmëruar të tjera sulme kundrejt qeverisjes aktuale.  

Mandati I
Pas krijimit të qeverisë në vitin 2005, e kryesuar nga Partia Demokratike, i pari që u bë “kokë turku” ishte ish-ministri i Transporteve, dhe ministri i Brendshëm aktual, Lulzim Basha. Basha akuzohej për shpërdorim të fondeve që u akorduan për ndërtimin e rrugës Durrës-Kukës. Më tej Basha është akuzuar edhe për lidhjet e kunatit të tij me biznesmenin serb, Damir Fazlliç. Pas tij, ishte radha e ish-ministrit të Drejtësisë, Ilir Rusmajli, i cili u akuzua se vëllai i tij tentoi të përfitonte tender në mënyrë të paligjshme, nëpërmjet drejtorit të Burgjeve. Më tej, pakica e bëri ish-ministrin e Mbrojtjes, Fatmir Mediu, përgjegjësin kryesor për tragjedinë e Gërdecit më 15 mars të 2008-ës. Për këtë tragjedi është akuzuar edhe ish-ministri i Drejtësisë në atë kohë, Aldo Bumçi, i cili, i ka dërguar një faks djalit të kryeministrit për fabrikën e demontimit. Ndërkohë, hetimi për këtë tragjedi ende nuk ka përfunduar.  Ish- ministri i Kulturës Ylli Pango ka qenë i fundit që ka mbyllur kapitullin akuzat për mandatin e parë të qeverisjes “Berisha”. Pango është akuzuar për shpërdorim detyre dhe ngacmime seksuale.

Mandati II
Në mandatin e dytë të qeverisjes, ministri i Transporteve, Sokol Olldashi, pas prishjes së tunelit në Kalimash, është akuzuar për ndërtimin jo cilësor të kësaj rruge. Pas tij, opozita ndërmori një sulm të përditshëm kundrejt ish-ministrit të Ekonomisë, Dritan Priftit, i cili për një vit si ministër e kishte shtuar pasurinë me 1.8 milion euro. Prifti u akuzua për përfitim koncesionesh. Pas Priftit, ish-ministri i Ekonomisë, Genc Ruli është akuzuar se ka bërë korrupsion në mënyrën e privatizimit të trojeve ku sot ndodhet ish-ekspozita “Shqipëria Sot”.  Një tjetër ministër që është detyruar t’i japë shpjegime socialistëve është ministri i Financave, Ridvan Bode, i cili akuzohet se po abuzon me çmimin e kasave fiskale. Po ashtu, ministri i Ekonomisë, Ilir Meta është akuzuar nga aleati i tij Dritan Prifti se ka fshehur pasuri, në Skrapar, vila luksoze në bregdet, etj. E fundit në listën e të akuzuarve është ministrja e Integrimit, Majlinda Bregu. Sipas PS-së, motra dhe kunati Bregut kanë lidhje biznesi me mafiozin e arrestuar pak ditë më parë në Vlorë. 

Lulzim Basha, Ministër i Brendshëm 
Partia Socialiste ka akuzuar Lulzim Bashën se ka vjedhur miliona euro nga rruga Durrës-Kukës në kohën kur ka qenë ministër i Transporteve. PS ka paditur këtë të fundit në Prokurori, dhe Parlamenti i ka hequr imunitetin duke i lënë rrugë të lirë hetimeve. Basha është akuzuar gjithashtu edhe për lidhjet e kunatit të tij, Erjon Isufi,  me biznesmenin serb Damir Fazlliç. Sipas fakteve të publikuara nga PS, Isufi ishte ishte pronar i ambienteve ku kishin zyrat e Fazlliçit.

Ilir Rusmajli, Ish-Ministër Drejtësie 
 Telefonatat e vëllait të ish-ministrit të Drejtësisë me drejtorin e Burgjeve për përfitimin e një tenderi, e vunë Ilir Rusmajlin përballë akuzave të herëpashershme të opozitës. I ndjerë në faj për shkak të veprimeve të të vëllait, Rusmajli dha dorëheqjen e parevokueshme nga Ministria e Drejtësisë. Ndërkohë që opozita vazhdoi për një kohë të gjatë akuzat deri sa kjo çështje u harrua.

Fatmir Mediu, Ministër Mjedisi 
Akuza më e rëndë krahasuar me ministrat e tjerë, ka qenë për ish-ministrin e Mbrojtjes, Fatmir Mediu. Ai u akuzua nga pakica si shkaktari kryesor për tragjedinë e ndodhur në Gërdec, ku vdiqën 26 vetë dhe u plagosën dhjetëra të tjerë. Pas tragjedisë, opozita ka deklaruar se Mediu ka qenë në dijeni se ekzistonte një fabrikë për demontimin e armëve dhe nuk ka vepruar. Mediut iu hoq imuniteti dhe u hetua nga Prokuroria, por ai vetë deklaroi se nuk kishte dijeni për asgjë.

Aldo Bumçi, ish-Ministër Drejtësie 
Opozita ka publikuar një faks që implikonte ish-ministrin e Drejtësisë në lidhje të drejtpërdrejtë me tragjedinë e Gërdecit. Përmbajtja e faksit i adresohej djalit të kryeministrit Berisha  ku i kërkohej të koordinonte punën për hartimin e vendimit të Këshillit të Ministrave “Për procedurën e trajtimit të armëve, teknikës dhe pajisjeve të Forcave të Armatosura, të hequra nga armatimi dhe përdorimi”. Pakica deklaroi se vula për këtë fabrikë është vendosur nga ish-ministri i Drejtësisë, Aldo Bumçi. 

Ylli Pango, ish-Ministër i Kulturës
 Mbërtheckat kanë futur në kurth ish- ministrin e Kulturës, Ylli Pango. Ndryshe nga të gjithë ministrat e tjerë që janë akuzuar për korrupsion dhe abuzime me detyrën, Pango është akuzuar se ka shfrytëzuar postin për ngacmime seksuale. Ish-ministrit iu publikua një video, ku tregohej një bisedë me një kandidate për punë, por që nuk zhvillohej në një zyrë, por në shtëpinë e këtij të fundit. Në lidhje më këtë histori, Pango ka dalë i pafajshëm nga Gjykata e Tiranës.

Sokol Olldashi, Ministër Transportesh
 Shembja e tunelit të Kalimashit ka qenë një tjetër arsye që ka ndezur akuzat e PS-së. Po këtë radhë, sulmet e socialistëve nuk janë drejtuar ndaj ish-ministri i Transporteve, Lulzim Basha, por ndaj ministrit aktual Sokol Olldashi. PS ka deklaruar se janë harxhuar miliarda lekë për ndërtimin e rrugës së kombit dhe sipas tyre, për shkak të korrupsionit dhe cilësisë së dobët të punimeve, tuneli është shembur. Sipas PS, rikonstruksioni do t’i kushtojë sërish buxhetit të shtetit.

Dritan Prifti, ish-Ministër Ekonomie 
Një deklaratë pasurie ku thuhej se ish-ministri i Ekonomisë kishte shtuar gjatë një viti një shumë prej 1.8 milion eurosh, ka qenë shkëndija që socialistët të mos i ndalnin asnjë ditë të vetme sulmet ndaj Dritan Priftit. Ky i fundit ka deklaruar se nuk ka bërë asnjë korrupsion, por opozita ditë pas dite ka zbuluar dokumente të cilat përfshinin ish-ministrin. Prifti u shkarkua nga kjo detyrë nga Kryesia e LSI-së.

Genc Ruli, Ministër Bujqësie
Ministri i Bujqësisë është përballur me akuzat e Partia Socialiste, e cila ka faktuar se në kohën kur Ruli ishte ministër Ekonomie ka shitur me një çmim qesharak truallin ku sot ndodhet ish-ekspozita “Shqipëria Sot”. Deputetët e PS kanë kërkuar llogari nga Ruli se për çfarë arsye kjo pronë është shitur tre herë më lirë se vlera e tokës pak metra më tutje. Ndërsa ministri ka sqaruar se prona u është kthyer pronarëve. 

Ilir Meta, ministër Ekonomie
Kur Ilir Meta vendosi të largojë nga qeveria ministrin e Ekonomisë, Dritan Priftin, për të zënë vendin e tij,  reagimi i këtij të fundit nuk ishte aspak miqësor. Ai akuzoi Metën si të korruptuar dhe se do të vendoste për të ardhmen e tij. Prifti deklaroi se do të publikonte të gjitha pasuritë e fshehura të Ilir Metës duke filluar nga guroret në Skrapar, pallatet në  Tiranë, galeritë luksoze në bllok apo tokat e vilat në bregdet.  

Ridvan Bode, Ministër Financash 
Çmimi i lartë i kasave fiskale të cilat janë bërë të detyrueshme për bizneset shqiptare e kanë vënë ministrin e Financave, Ridvan Bode përballë akuzave të njëpasnjëshme të opozitës. Socialistët shprehen se janë vetëm dy kompani që kanë të drejtë të shesin kasat dhe ato janë përzgjedhur në mënyrë abuzive. Ndërkohë, Bode ka sqaruar se procesi i pajisjes së biznese me kasa është tërësisht transparent dhe se tregtarët që i kanë blerë, do të rimbursohen.

Majlinda Bregu, Ministre Integrimi
Pakica ka kërkuar largimin e ministres së Integrimit, Majlinda Bregu, nga ky post për shkak të lidhjeve të familjarëve të saj me mafiozin e arrestuar pak ditë më parë në Vlorë, Albino Prudentino. PS ka nxjerrë fakte se motra e Bregut ka marrëdhënie biznesi me mafiozin në fjalë. Ndërsa vetë ministrja Bregu ka deklaruar dy ditë më parë se nuk mban përgjegjësi për veprimet e familjarëve të saj.

Elisabeta Dosku, T. Observer

No comments: