Sunday, October 10, 2010

MAMA, a do të jetosh...?

Të shoh të dergjur në këtë dhomë të mykur të Sanatoriumit, ku lufta e dytë botërore duket sikur ende është  në kulmin e saj.


Vështroj sytë e tu të trishtë e të vrarë, djersën në ballë, bishtin e fshesës së shkatërruar, ku varet serumi yt, që nuk të la damar pa të djegur. Dëgjoj rënkimin tënd të ethshëm, zhurmën monotone të oksigjenit ndër hundë dhe të buzëqesh.

Unë buzëqesh nëna ime se dua që ti të shpresosh, të jesh e fortë dhe të besosh që po shërohesh. Ti akoma duke u sforcuar më pyet nëse kam ngrënë, nëse e kam veshur kanatieren, nëse shkova në punë në orar ...

E unë që jam gati të ushqehem me gjithçka, të vesh çfarëdo rrecke dhe madje edhe të fle në punë, vetëm ty të të jepja qetësi. Por nuk po mundem o nënë ta përballoj këtë dhimbje që prej javësh gjumin më ka marrë, oreksin, korrektësinë, qetësinë, arsyen për t'u zgjuar.
Ti merakosesh për mua dhe vetëm ti nuk e di që indet e tua vrrullshëm dita-ditës, shkatërrohen. Gjaku të është helmuar dhe kjo sëmundje shekullore po ti gllabëron organet, një e nga një. Dhe ne që të gjithë jemi të vrarë në shpirt, pa fjalë, të shtangur dhe që nuk përshtatemi dot me idenë e sëmundjes tënde, pranë teje shndërrohemi në komikët më të mëdhenj. Vetëm që ti të buzëqeshësh nëna ime.

Vetëm që ti të mendosh për ditët e bukura që do të vijnë, për planet që në të ardhmen kemi planifikuar.
Dyer e dritare përplasen papushim në këtë koridor ku sëmundje të ndryshme vallëzojnë bashkë. Pas dere dëgjohet zëri i tregtares që me këmbëngulje kërkon t'u shesë pacientëve kostume gjumi, duke shpresuar të na marrë edhe ato pak lekë, që biznesmenët e veshur me të bardha, na kanë lënë nëpër xhepa.

Dhe unë nuk arrij ta kuptoj se si në këtë botë të ndyrë mbushur përplot me hipokritë. mediokër, ziliqarë, kriminelë, të droguar, të alkoolizuar, duhanpirës, maniakë perversë, vrasës serialë, hajdutë të pangopur, klane, përbindësha, mashtrues, prostituta, të degjeneruar, të degraduar moralisht, sëmundja fatale të zgjodhi pikërisht TY.
Ty, që kurrë nuk ke abuzuar me shëndetin tënd. Ty që kurrë nuk i solle një njeriu dhimbje apo vuajtje. Ty, që kurrë askënd nuk bezdise. Ty, që për të ndihmuar këdo, ishe përherë e gatshme.

Dhjetra diktatorë, kriminelë janë plakur e kanë vdekur në pleqëri.
Përse ty, përse nënën time?
Përse nuk prite o sëmundje e mallkuar sa të shihte nëna djemtë e saj dhëndurë ?
Përse nuk prite sa të ngrinte njëherë "hopa" mbesat e nipçet?

Si do mundem ta përballoj këtë dhimbje? Si do mundem të jetoj këtë mungesë?

Sekondë pas sekonde ndjej të më shkëputet zemra kraharorit dhe të puth duart me gjithë dashurinë e shpirtit. Ato duar që më kanë rritur, që më kanë përkëdhelur flokët, që më kanë gatur mëngjesin, që më kanë mbuluar shpatullat çdo natë.

Dhe ti do që të jetosh mama. Ti e do jetën dhe i trembesh vdekjes, por je e fortë. Kurrë nuk ke treguar shenja dobësie para nesh dhe pse shumë herë në vetmi, të kam përgjuar tek qan.
Më thoni që kjo është një ëndërr e shëmtuar, të cilën zilja e mëngjesit do ta shkatërrojë. Nuk e di si do mundesha të humbisja jo një ngjyrë, por gjithë ylberin e jetës time.

Si mundet mama të të ngushëlloj? Të të tregoj se sa e ndyrë kjo botë është treguar me ty dhe të të pyes, nëse do ende të jetosh...!
http://www.youtube.com/watch?v=HFkY1o9sP9I&feature=related%EF%BB%BF
Shkroi: Stop Injorancës http://www.facebook.com/NdalPaditurise2

No comments: