Tuesday, October 26, 2010

Shqiptari që modifikoi avionin e Obamës

Njeriu që ka kthyer një “Boeing” çfarëdo në një aeroplan presidencial, avionin e kandidatit për president të SHBA-ve Barak Obama, është një shqiptar.




Iso Nezaj, 53 vjeç, drejtor ekzekutiv i “Commercial Jet GM”, është njeriu që ka kthyer avionin e thjeshtë “Boeing 575”, 200 vendesh, në një aeroplan komod të denjë për një kandidat për President dhe ndoshta ndër shqiptarët e paktë që ka takuar nga afër dhe ka biseduar jo pak me favoritin për të qenë President i Shteteve të Bashkuara të Amerikës.


Nezaj tregoi për “Standard” se si kompania që ai drejton kishte modifikuar avionin, të cilit në vend të radhëve të thjeshta me karrige i është shtuar një dhomë mbledhjesh në formën e një salle ovale, një dhomë gjumi, një vend për stafin e ngushtë, një për median dhe një për përkrahësit. Të gjitha të ndara në kategori të ndryshme.


 Takimi me Obamën

Në fakt nuk është hera e parë që Nezaj është takuar me një nga kandidatët për presidentë. Më parë, ai ka bërë të njëjtën gjë për avionin e kandidatit tjetër demokrat, Xhon Kerry. 53-vjeçari tregon se Obamën e kishte takuar aty nga mesi i shtatorit, kur ky i fundit vizitoi Floridën, ku ndodhen edhe zyrat e kompanisë që ai drejton dhe me këtë rast ka bërë edhe një foto, e cila do të përkujtojë këtë moment.

Avioni me të cilin fluturon Obama, ka të shkruar adresën e faqes së internetit dhe fjalën “ndryshim” në anglisht si moto të fushatës së kandidatit të parë me ngjyrë për zgjedhje në SHBA, por Nezaj nuk është marrë me ngjyrosjen e tij. “Puna që ne bëjmë është modifikimi i avionit dhe përshtatja e tij sipas kërkesës së klientit”, - thotë Nezaj.

Për avionin e Obamës ata kanë ndryshuar mënyrën se si ai ishte ndërtuar së brendshmi. Kështu “Boeing”-u me të cilin fluturon Obama, ka tashmë dhomë gjumi për ata që fluturojnë në udhëtime të gjata pa pasur kohë për të pushuar. Një sallë të posaçme mbledhjesh, ku mund të ulet stafi që ndihmon kandidatin për President në fushatë dhe gjithashtu ndarje në klasa të ndryshme për njerëzit që udhëtojnë me të. Nezaj tregon se ka biseduar me Obamën për pak kohë, por të mjaftueshme mes një qytetari të suksesshëm të Amerikës e ndoshta Presidentit të vendit të tij pas pak ditësh. Ai e ka pritur njeriun më të famshëm të botës këto ditë para zyrave të kompanisë, ndër më të suksesshmet në SHBA. Obama i ka thënë se është i sigurt në fitore dhe ka komplimentuar avionin e përgatitur nga “Comercial Jet”, që drejtohet nga Iso. Ai nuk është habitur aspak se avioni i tij i ishte besuar një shqiptari, përkundrazi e ka mësuar me kënaqësi dhe pa supersticion se edhe avionin e Kerrit e kishte marrë në përkujdesje i njëjti staf, drejtuar nga Nezaj katër vjet më parë.

Personazhi Iso Nezaj është me origjinë nga Shipshani i Tropojës, por ai vetë nuk ka lindur aty.
Nezaj në fakt nuk ka lindur në Shqipëri, familja e tij është arratisur në 1953 nga Shipshani i Tropojës drejt Kosovës, ku edhe ka lindur 2 vjet më vonë Iso Nezaj. Kur ky i fundit ka qenë 3 vjeç, familja ka udhëtuar për në SHBA dhe është vendosur atje. Që mjaft i ri Nezaj ka filluar punën në aeroport dhe është marrë me avionët.


Thuajse gjithçka gjatë jetës së tij ia ka kushtuar punës me avionë të ndryshëm, duke punuar në poste kyçe të kompanive të rëndësishme. Në vitin 2000 ka marrë postin e drejtorit ekzekutiv të “Commercial Jet GM” dhe prej asaj kohe drejton këtë kompani me qendër në Florida. Nezaj është sot një ndër shqiptarët më të suksesshëm përtej oqeanit. Në 1992 është kthyer në Shqipëri për të hapur në bashkëpunim një kompani aviacioni, që u pagëzua “Arbëria Airlines”, e cila kryente fluturime Tiranë-Nju Jork, por që në vitin 1993 hoqi dorë nga aksionet që kishte në kompani, për t’u kthyer në SHBA, ku vazhdoi të merrej me projekte të tjera, por kurdoherë brenda pasionit të tij.

Ai nga viti 2000 jeton në Florida, por më parë qyteti i tij ka qenë Nju Jorku. Për shumë vite ai ka qenë anëtar i këshillit bashkiak të minibashkisë së Jorkerit, ku edhe jetonte.

Kompania

“Commercial Jet Inc” është një kompani e inxhinierisë aeronautike, e cila kryesisht ndërmerr mirëmbajtjen ose modifikimin e avionëve të pasagjerëve, me qendër në Aeroportin Ndërkombëtar të Majamit në Florida. Në faqen e saj zyrtare kompania thotë se merret me modifikimin dhe mirëmbajtjen apo riparimin e pjesëve të rënda të avionëve. Modifikimi i avionëve të mëdhenj dhe përshtatja e tyre në avionë personalë është një nga punët e veçanta të kompanisë. Sipas një faqeje që merret me njoftimet financiare mbi aeronautikën, më shumë se 20 mijë avionë modifikohen çdo vit për t’u përshtatur sipas kërkesave të pronarëve të tyre.



 Sigurisht që bëhet fjalë për një punë mjaft të veçantë që u jepet vetëm kompanive mjaft mirë të përzgjedhura, të cilat mund të ndryshojnë dhe përshtatin avionët, me të cilët fluturojnë, njerëz që mund të jenë presidentë të SHBA-ve, por edhe personat e afërt të tyre, apo të paktën njëri nga stafet që do të drejtojë shumë shpejt SHBA-të.

(Aleksandër Çupi) http://www.facebook.com/shqipehorizont

VLADIMIR KARAJ, Standart

No comments: