Sunday, November 14, 2010

I D I O T

Nuk ka fare rëndësi gjinia jote, sepse ti i prek të dyja, të gjitha gjinitë, të gjitha fushat, sferat, dëshirat, shpresat, tentativat, qëllimet, rezultatet, meritat, vizionet...
Ti je kudo i pranishëm dhe kudo zëri yt kumbon gjithmonë i fortë, i rëndë, i pështirë. Ti di fjalët më të zeza që janë krijuar, përdoren dhe do të përdoren. Gjuha jote është biblioteka ku flenë e arkivohen. Truri yt është pasaporta që hap portat e errësirës.

Ty nuk të vjen turp dhe nuk ofendohesh, kur tregon me krenari, prepotencë dhe plot imponim idiotësinë tënde, por ti ofendohesh kur dikush t'a vë në dukje, kur dikush kupton idiotsinë tënde dhe nuk është dakord me të. Ti je gjithmonë "largpamës" edhe kur flitet për të shkuarën. Gjithçka për të cilën ti nuk ke njohurinë më të vogël është e pavlerë, në mos e gënjeshtërt. Për ty komplimentet janë të gjithë fals, veç atyre që të drejtohen ty.

Ironia jote është më primitive se sa vetë krijesat sfungjer. Hunda jote tallet me Xhomolungën, ashtu si niveli yt intelektual me gropën Marian. Dhimbja jote është plotësisht e mjaftueshme për të justifikuar çdo reagim e kundërpërgjigje tënden.
Kur ti hap gojën, të mbyllen vetvetiu veshët. Ti ke gjithmonë të drejtë, sepse drejtësia për ty është preferencë. E vërteta jote duhet të triumfojë përherë, pavarësisht faktin se ajo ndryshon pozicion edhe më shpesh se akrepat e orës. Ti i krijon bindjet, për të kundërshtuar ato të dikujt tjetër. Ti nuk mund t'a përballosh, që dikush tjetër të jetë në qendër të vëmendjes. Ashtu si disa fëmijë formojnë me rërë në breg të detit një kala të bukur, ti je ai që shkel sipër saj duke buzëqeshur, sepse kjo të bën të rëndësishëm.

Ti ke përherë shokë, madje me ata që njihesh më pak, ndjehesh pranë edhe më shumë. Ti qesh, zakonisht ti qesh. Me anë të qeshjeve e tua, është shumë e lehtë të dallosh çfarë përfshihet me banalitet mbi këtë tokë.
Ti jeton mbi klishe dhe ushqehesh me thashetheme.
Kur dikush toleron, ti e shkel, që ai të bëhet si ty. Njerëzve që të kundrapërgjigjen me kulturë, ti i shumëzon me zero, pavarësisht se shumëzimet nuk i ke mësove dot kurrë.
Ti nuk njeh ideale, sepse ato lindin nga idetë dhe idetë tek ti janë mushkonja që duhen ekzekutuar pas murit. Ti lufton çdo gjë dhe çdoherë. Jo sepse do të fitosh realisht diçka, por se ti ke lindur vetëm për të shkatërruar dhe përhapur mizerjen kolektive. Me ty asgjë nuk është e sigurt dhe e qëndrueshme.

Ti mban mëri më tepër se sa ruan kujtime. Kur dikush të tregon vendin, ti hakmerresh në format më perverse e më të paimagjinueshmet. Nuk di të thuash asnjëherë një fjalë të mirë. Energjia negative që të karakterizon të furnizon njëtrajtësisht me fjalë të liga e të ndyra, të cilat kapen pas gjuhës dhe të bien sa herë hap gojën. Ti nuk pranon kurrë se ke gabuar, ti nuk kërkon kurrë ndjesë. Ti nuk flet kurrë për dashurinë e nëse nuk do kishe dëgjuar rreth saj, me siguri kurrë nuk do kishe dashuruar.

Xhelozia, smira, zilia, është trekëndëshi ku vërtitet e gjithë bota jote shpirtërore.
Për ty mund ti shkruash gjithçka dhe sërish mos të mjaftojë. Ti je kaq shumë JU!

Shkroi: Stop Injorancës http://www.facebook.com/NdalPaditurise2

No comments: