Friday, December 3, 2010

Vëllai vret motrën për nder. Punonte në lokale nate për të mbijetuar

Halit Vukaj nga Peraj i Hasit ka vrarë motrën e tij Flora Vukaj në një hotel në dalje të qytetit të Pejës. Policia bën të ditur se autori ka përfunduar në pranga. Dyshonte se e motra ushtronte prostitucion.
PEJË - Vëllai ka vrarë motrën për nder.

Halit Vukaj, 21 vjeç, nga fshati Peraj i komunës Golaj në rrethin e Hasit ka vrarë me armë zjarri automatike motrën e tijj, Flora Vukaj, 20 vjeçe. Ngjarja ka ndodhur mesnatën duke u gdhirë e mërkurë në hotel "Adriatiku" në dalje të qytetit të Pejës në rrugën Pejë-Istog në afërsi të fshatit Vitomiricë. Viktima ka qenë në shoqërinë e pesë meshkujve të gjithë shqiptarë nga Peja, Klina e Gjakova kur vëllai i saj, Halit Vukaj, i armatosur me kallashnikov ka hyrë brenda në lokal dhe pa ndonjë paralajmërim ka qëlluar në drejtim të motrës.

Ajo ka mbetur e vdekur pasi ka marrë disa goditje plumbash në pjesët e sipërme të trupit dhe në kokë.

Policia e Pejës ka raportuar për këtë rast se sulmi i armatosur ka qenë i pakontrolluar nga ana e vrasësit, i cili nuk ka kursyer nga plumbat gjithë hapësirën e lokalit, duke frikësuar për vdekje personat që ishin aty. Pesë persona që shoqëronin viktimën dhe që ishin pesë meshkuj janë lënduar nga xhamat e thyer nëpër dritaret ku ata kanë tentuar të dalin sa më parë për t'u shpëtuar breshërive të kallashnikovit. Megjithatë, përveç femrës që ishte objektiv i vrasësit, askush tjetër nga të pranishmit nuk ka pësuar nga plumbat.


"Një person i dyshuar sipas informacioneve të para, ka hyrë në restorantin "Adriatiku" dhe me armën e tij automatike kallashnikov nga dera e hyrjes ka filluar të hapë zjarr në drejtim të viktimës, e cila ishte ulur në një nga tavolinat e restorantit bashkë me pesë meshkuj. Vajza e identifikuar me emrin Flora Vukaj dhe që mbante nofkën "Lola", ishte qëlluar me plumba automatiku pas kokës dhe në pjesët e sipërme te trupit nga vëllai i saj Halit Vukaj duke i shkaktuar vdekjen e menjëhershme, ndërsa shoqëruesit e saj kishin arritur të iknin dritareve të lokalit.

Pesë pesonat që shoqëronin viktimën, ishin të gjithë shqiptarë nga Klina, Peja dhe Gjakova. Policia e Pejës bëri të ditur për këtë rast se pesë personat janë lënduar nga xhamat e thyer nëpër dritaret ku ata kanë tentuar të dalin sa më parë për t'i shpëtuar breshërisë. Pas kryerjes së vrasjes autori është larguar, ndërkohë që policia ka bërë identifikimin e tij. Ai është arrestuar rreth 12 orë pas kryerjes së vrasjes në qendër të qytetit të Deçanit rreth 30 kilometër larg nga vendi i krimit. Një patrullë policie në qytetin e Deçanit ka dyshuar në sjelljen e të dyshuarit për vrasjen e motrës. Ai është shoqëruar në stacionin e policisë në Deçan për mungesë dokumentesh identifikimi.


"Pas marrjes në pyetje nga policia është arritur të zbulohet se i dyshuari kishte vrarë motrën e vet, Florën",- tha zëdhënësi i policisë, duke shtuar se dyshimet ishin përforcuar pas kontakteve me policinë kufitare në Qafë-Prush, ku ishte vërtetuar periudha kur Halit Vukaj kishte hyrë në Kosovë nga Shqipëria. Po punohet për zbardhjen dhe arsyet që çuan në vrasjen makabre. Ndërkohë prokuroria e Pejës ka arrestuar Halit Vukajn nga Hasi. Burimet zyrtare ende nuk kanë dhënë detaje për motivin e kësaj vrasjeje. Sipas të dhënave të para, viktima që ishte nënë e divorcuar nga bashkëshorti, punonte në lokale nate për të mbijetuar. Kjo duket se ka shtyrë 21-vjeçarin të vriste motrën e tij. Ngjarjen e ka konfirmuar edhe policia e Hasit. Shefi i komisariatit të Krumës, Ndriçim Koka, ka bërë të ditur se Halit Vukaj nga Peraj ka vrarë motrën e tij në Pejë dhe më pas i është dorëzuar policisë.

Burime nga komuna Golaj e rrethit të Hasit theksojnë se Flora Vukaj ka qenë e martuar në Kosovë në qytetin e Deçanit, por nuk saktësojnë nëse ajo ka qenë e divorcuar. 

Bashkim Shala, G. Shekulli

No comments: