Tuesday, March 20, 2012

Shpirti si sinonim i mendjes

Shpirti, rëndomtë trajtohet prej njerëzve si një koncept i ndarë prej mendjes, apo edhe si koncept që shpeshherë edhe bie ndesh me të.
Thonë që në momentin kur lind njeriu, në momentin kur ai vjen në jetë është i pajisur me shpirtin e tij. Shpirt që sipas disa dogmave kryesisht teologjike, nuk vdes kurrë, madje as me vdekjen tonë fizike.

Po le të marrim një shembull për të analizuar të ashtëquajturin shpirt dhe mendjen, lidhjen, ndërvarësinë e tyre. Janë sinonime të të njëjtit koncept, apo realisht identifikojnë 2 koncepte të ndara prej njëra-tjetrës.

Si shembull marrim rastin e fëmijës me prindin.
Të gjithë jemi të njohur me faktin se kujtesa njerëzore zakonisht nuk nis para moshës 2-vjeçare e madje edhe më vonë tek njeriu.
Pra, kujtesa, mendimi, riprodhimi e arsyetimi mendor, lind pas moshës 2-vjeç dhe nëse marrim të mirëqenë faktin se njeriu lind me shpirt, atëherë rrjedhimisht shpirti lind para mendjes njerëzore.
Po nëse një fëmijë të rritur për 2-vjet tek prindërit e tij, lidhje kjo që për analizë po e quajmë "lidhje shpirtërore", e ndajmë nga prindërit dhe e dërgojmë të rritet në një familje tjetër, me prindër biologjikë apo jo, kur ky fëmijë të rritet, do të dojë me shpirt, apo me mendje prindërit e tij?

Pra, ky fëmijë do të dojë prindërit e tij që e rritën 2-vitet e tij të para (vite të cilat nuk i ka fiksuar në kujtesë), apo prindërit me të cilët bashkëjeton dhe i do në bazë të një arsyetimi logjik, në bazë të një marrëdhënieje të vazhdueshme?

Cilët prindër do të dojë ky fëmijë dhe do të ndjejë më afër ky fëmijë?
Ata të lidhjes shpirtërore, apo ata të lidhjes mendore?


Nëse supozojmë se çdokush ka një shpirt, a janë këta shpirtra të barabartë? Apo shpirti i çdokujt prej nesh është i barazvlefshëm me aktivitetin mendor të secilit prej nesh?

A pasurohet shpirti gjatë jetës? Po mendja jonë në raport me të?

Çdokush mund ti përgjigjet në heshtje pyetjeve të mësipërme, por jo të gjithë do të arrijnë të kuptojnë që ajo që quhet shpirt, nuk është asgjë tjetër veçse një krijim letrar, një sinonim i aktivitetit mendor të njeriut.

Shkroi: Stop Injorancës

No comments: