Friday, November 30, 2012

A është vallë rastësi rivarrosja e eshtrave të Zogut më 17 nëntor?



“Pas 19 ditë luftimesh, lufta për çlirimin e Tiranës i kushtoi armikut më tepër se 2000 të vrarë, ndër të cilët 3 kolonelë të identifikuar, veç të plagosurve; më tepër se 300 robër, 25 topa në gjendje të mirë, përmbi 100 mitraloz, 200 automjete, 250 karro me material të ndryshëm, 120 kafshë të gjalla, 300 kafshë të vrara, municion, ushqime, veshmbathje të panumërta si dhe 4 tanke. Veç këtyre shpëtuan pa u prekur centralet e elektrikut, stabilimentet e radios, ura e Farkës dhe e Erzenit si edhe të gjitha ndërtesat e mëdha të Tiranës që ishin të minuara. Në veprimet e spastrimit u arrestuan përmbi 400 kuislingë dhe të dyshimtë për bashkëpunim me okupatorin. Në luftën për çlirimin e qytetit dhe të popullit të Tiranës, ranë dëshmorë 127 partizanë dhe u plagosën 290 të tjerë. Ndër të vrarët ishin dy nënkomandantë batalionesh, dy komisarë kompanie, dy zv/komisarë kompanie, dy komandantë kompanie, dy, zv/komandantë kompanie dhe tre skuadër-komandantë”. Ziqiri Mero

Në të njëjtën ditë kur festohet Çlirimi i Kryeqyteti Shqiptar nga forcat nazifashite, pikërisht në atë ditë të vitit jubilar të 100-vjetorit të Pavarësisë së Shtetit Shqiptar, Qeveria shqiptare zgjedh të rivarrosë eshtrat e Ahmet Zogut.

Do ishte shumë naive të mos nuhasnim prirjen për të eklipsuar 17-nëntorin, festën e Çlirimit të Tiranës.

Mbreti Zog duhet nderuar ashtu siç duhet nderuar çdo figurë që ka bërë pjesë në historinë e shtetit shqiptar, pavarësisht se ai u vetshpall mbret, pavarësisht faktit se erdhi në pushtet me anë të falangave sllave, apo u largua me trasta të arta nga Shqipëria, në ditët e saj më të vështira. Ai mbetet pjesë e historisë shqiptare.

Por nga ana tjetër, të lesh në harresë njerëz që dhanë jetën e tyre, duke përdorur si justifikim një mbret që iku me bishtin ndër shalë, pa shkrepur qoftë edhe një revole të vetme në luftë, kjo është një ironi shumë cinike, e rrezikshme dhe e pa menduar.

Çfarë edukimi, çfarë fryme po i japim brezave të sotëm? Të shkelin mbi gjakun e martirëve, apo të shkelë harresa dhe indiferenca për ta?

A u këndua himni shqiptar në nderim të figurës së Ahmet Zogut, e përkatësisht vargjet:
"Prej lufte veç ai largohet
që është lindur tradhëtor
Kush është burrë, nuk frigohet
Por vdes, por vdes si një dëshmor…"


Kryeministri Berisha deklaron se me këtë akt rivarrimi i japim fund manipulimeve historike të periudhës komuniste.

Personalisht, jam edukuar me librat historikë të shkruara gjatë periudhës komuniste dhe me aq sa mbaj mend, kam lexuar mbi Mbretin Zog të plotë, me dritë-hijet e figurës së tij, me meritat si dhe anët e errëta të sundimit të tij. Ç'kam lexuar më pas nuk ka ndikuar aspak në rivlerësimin e kësaj figure historike.
Kështu nuk mendojnë vetëm qytetarët që nderojnë sot e kësaj dite, Hasan Prishtinën apo dhe Bajram Currin, besoj...

E gjitha kjo urrejtje ndaj komunizmit, sikur të ishte e vërtetë dhe jo një pretekst i ndyrë, do të ishte e pasqyruar sadopak tek e veja e Kryediktatorit Hoxha, e cila u burgos vetëm për shpërdorim të kafesë, apo tek i ndjeri R. Alia, që ditët i ngrysi i qetë dhe pa antiplumb veshur, në mes të kryeqytetit...

Por si mundet të flasë për manipulime historike kryeministri shqiptar, ku vitin, jo të largët, 1997-ë na e ka trajtuar në librat e historisë të programeve mësimore, si rebelim komunist?

Sa mizor dhe i pashpirt duhet të jesh të tentosh të shuash përkujtimin e dëshmorëve shqiptarë, duke përdorur një figurë aq me dritë-hije, sa ç'është figura e Zogut?

Në rivarrosjen e eshtrave të Zogut morën pjesë mbretër të rajonit, Presidentët e dy shteteve shqiptare si dhe krerët e komuniteteve fetare në Shqipëri.
Kujtojmë këtu se Z. Nishani në çdo 3 fjalë, njërën e kishte Perëndia, por i ndjeri mbreti Zog, hoqi me ligj perçen muslimane tek gratë shqiptare, ndaloi kategorikisht faljen me të pasme përpjetë, pasi sipas kodit moral shqiptar ai qëndrim shprehte ç'burrërim, ndërsa sot komunitetet fetare në Shqipëri, nuk kanë filluar të flasin ende shqip.

Mbreti Zog në kohën kur Greqia dhe Turqia në marrëveshje mes tyre po spastronin Çamërinë prej shqiptarëve, kërcënoi Greqinë se do të bënte të njëjtën gjë me ato pak fshatra minoritare në Shqipëri. Kërcënim që përkohësisht, pati rezultat.

E pra, në vend që të ngrini kot në piedestal e të thurni elozhe ndaj figurës së Mbretit shqiptar, mësoni prej tij.

Shkroi: Stop Injorancës !

No comments: