Sunday, April 8, 2012

Citate mbi Zotin dhe Besimet Fetare nga figura të shquara botërore

S'ka absurditet, sado i madh qoftë, që të mos t'i ngulitet njeriut fort në kokë, nëse fillon t'ia imponosh atë para moshës 5-vjeçare, duke ia përsëritur vazhdimisht, me ton tejet solemn. — Artur Shopenauer Po të them se jemi të dy ateistë. Unë thjesht besoj në një zot më pak se ty. Kur të kuptosh pse ti përjashton tërë zotat e tjerë të mundshëm, atëherë do të kuptosh dhe pse unë përjashtoj tëndin. — Stivën H. Roberts

Ose zoti do ta ndalojë të keqen, por nuk mundet; Ose mundet, por nuk do; Ose as nuk mundet dhe as nuk do. N.q.s. do, por nuk mundet, atëherë është i pazot. N.q.s. mundet, por nuk do, atëherë është dashakeq. Por n.q.s. zoti edhe mundet edhe do ta ndalojë të keqen, atëherë nga vjen e keqja në këtë botë? — EpikuriShumica e njerëzve parapëlqejnë më mirë të vdesin se sa të mendojnë; e në fakt ashtu dhe bëjnë. — Bertrand Rasëll

Zoti është një komedian tek luan para një publiku që ka frikë të qeshë. — Volteri

Nëse do të më duhej të zgjidhja një fe, Dielli dhënësi i jetës do të ishte zoti im. — Napoleon Bonapart



Ti nuk mund të përdorësh Kuranin për të vërtetuar Kuranin - Omar Ibn Bazaar



Mjeranët e shkretë i kanë mbushur mendjen vetes se do të jenë të pavdekshëm dhe do të rrojnë në përjetësi, nëse adhurojnë atë sofistin e kryqëzuar e nëse jetojnë sipas ligjeve të tij... e i marrin këto doktrina goja-gojës pa ndonjë provë të qartë. Kështu kur mashtruesit e sharlatanët hyjnë mes tyre, kaplojnë menjëherë pasuri të mëdha duke sunduar mbi këta leshko. — Lukiani

Kisha thotë se Toka është e rrafshët, por unë e di që është e rrumbullakët, pasi kam parë hijen e saj mbi Hënë e më tepër besim kam tek një hije se sa tek kisha. — Magelani

Një Galileo në dymijë vjet mjafton. — Papë Piu XII

Shiko njëherë parashikimin e motit para se të lutesh të bjerë shi. — Mark Tuein

Njerëzit i krijojnë zotat sipas vetes, jo vetëm për nga pamja, por edhe për nga mënyra e jetesës. — Aristoteli

Besimi është më i thjeshtë se mendimi. Ndaj dhe ka më tepër besimtarë se mendimtarë. — Pa emër

Një njeri i thotë Gjithësisë,"Ja, ekzistoj!""Sidoqoftë", - përgjigjet Gjithësia, -"kjo nuk është se më ngjalli ndonjë ndjenjë detyrimi". — Stivën Krejn Të vërtetosh "Ungjijtë" me provë mrekullinë, është si të vërtetosh një absurditet me provë diçka që është kundër natyrës. — Didëroi



Kur shoh detarë, njerëz të shkencave natyrore e mendimtarë, njeriu është më i urti mes gjallesave. E kur shoh priftërinj, profetë e shpjegues ëndrrash, asgjë s'më vështirohet më keq se njeriu. — Diogjeni



"Katër barnat"



Nuk kemi ç'i frigohemi zotave.Nuk kemi ç'ndiejmë në vdekje.E mira mund të përftohet.E keqja mund të durohet. — Epikuri



Pra, dhe më e liga e të ligave, vdekja vetë, s'është asgjë për ne, sepse kur ne jemi vdekja s'është dhe kur vdekja është ne s'jemi. — Epikuri



Të thuash se "ligji i dytë i termodinamikës do të thotë se evolucioni s'mund të ndodhë", është si të thuash se "ligji i rëndesës do të thotë se zogjtë s'mund të fluturojnë". — Pa emër



Nëse 50 milionë njerëz besojnë një absurditet, prapë absurditet mbetet. — Anatol Frans



Prifti është mishërimi i rrenës. — Xhuzepe Garibaldi



Të dashur miq, -- Njeriu e krijoi zotin, jo zoti njeriun. Juaji përgjithmonë, Garibaldi. — Xhuzepe Garibaldi



Gjithësia nuk u krijua as nga zotat, as nga njeriu, por ka qenë, është e do të jetë prore zjarr i pashuar. — Herakliti



Kristianët ngjajnë me një këshill bretkosash në kënetë, a me një sinod krimbash mbi një kodër bajgash tek kuakin e gërvijnë: "Për ne u krijua kjo Tokë!" — Juliani



Në fillesat e veta kristianizmi ish thjesht një mishërim i bolshevizmit. — Adolf Hitler



Më ngjan se (për mirë a për keq) argumentet e drejtpërdrejta kundër kristianizmit dhe teizmit rrallë japin efekt në popull; Liria e mendimit përparohet me shndritjen e mendjes e kjo shkon dora-dorës me zhvillimin e shkencës. — Çarls Darvin



Sa herë që morali mbështetet mbi teologji, sa herë që drejtësia i mveshet autoritetit hyjnor, mund të përligjen e të kryhen gjërat më imorale, më të padrejta e më famëkeqe. — Ludvig Fojerbah



Secili do të sillet vetë si pagan, me të tjerët të sillen si kristianë. — Alber Kamy



A mund të jetë dikush shenjtor nëse zoti nuk ekziston? Ky është problemi konkret që kam sot. — Alber Kamy



Nëse Krishti vinte sot, njerëzia as nuk do ta kryqëzonin. Do ta ftonin për darkë, do të dëgjonin ç'kish për të thënë e mandej do talleshin me to. — Tomas Karlajl



Në Bibël nuk janë pjesët që nuk kuptoj që më shqetësojnë, por ato që kuptoj. — Mark Tuein



Në gjeometri nuk ka sekte. — Volteri



Sa i përket fesë, tërë njerëzit pranojnë pa pyetur besimin e të jatit, sipas zakoni, të paaftë për të dalluar të vërtetën nga gënjeshtra. — Abdul al Maari



Bota mban dy kategori njerëzish: njerëz inteligjentë pa fe dhe njerëz fetarë pa inteligjencë. — Abdul al Maari



Tërë problemi me botën është se idiotët dhe fanatikët janë aq të sigurt ndaj vetes, ndërsa të mençurit plot me dyshime. — Bertrand Rasëll



Feja është kryevepra e artit të stërvitjes së kafshëve, sepse stërvit njeriun në atë se çfarë duhet të mendojë. — Artur Shopenauer



Kristiani i mirë duhet të ketë kujdes nga matematicienët dhe të gjithë ata që thonë profeci të rreme. Ka rrezik që matematicienët të kenë bërë marrëveshje me Dreqin për errësimin e shpirtit dhe për burgosjen e njeriut në vargonjtë e ferrit. — Shën Agustini



Nuk është dashuria e tyre për njeriun, por pafuqia e dashurisë së tyre që i ndalon kristianët e sotëm të na çojnë drejt e në turrën e druve. — Fridrih Niçe



Nuk ka aq dashuri e mirësi në botë sa të na lejohet ta shpenzojmë drejt qenieve imagjinare. — Fridrih Niçe



Kanoni kishtar 1369:"Të marrë dënimin e merituar ai... që thotë blasfemi, që dëmton rëndë moralin publik, ose që shkakton a nxit urrejtje a përbuzje ndaj fesë ose Kishës". — Kisha



Shpjegimet misticiste konsiderohen si të thella. E vërteta është se nuk janë së paku as sipërfaqësore. — Fridrih Niçe



Lutja e agnostikut: "O zot, nëse ka zot, shpëtoma shpirtin, nëse kam shpirt". — Ernest Renan



Në lidhje me zotat, nuk kam si ta di nëse ekzistojnë a jo e as se si janë a s'janë. — Protagora



Shenjtorët duhen konsideruar gjithnjë fajtorë derisa të provohen të pafajshëm. — Xhorxh Oruell



Arsyeja duhet shkatërruar në gjithë kristianët. — Martin Luteri



Më tepër mundësi ka që t'i mësosh një gomari të lexojë, sesa të verbosh arsyen dhe ta çosh atë ku do ti, sepse arsyeja duhet mashtruar, verbuar e shkatërruar. Besimi duhet ta shkelë nën këmbë krejt arsyen, logjikën, kuptimin dhe çdo gjë tjetër që shikon se duhet zhdukur nga faqja e dheut dhe nuk duhet të dëshirojë asgjë tjetër veç fjalës së zotit. — Martin Luteri



Kushdo që dëshiron të bëhet kristian duhet t'ia çjerrë sytë arsyes së vet. — Martin Luteri



Nëse qétë e kuajt do të kishin duar të vizatonin, qétë do të vizatonin zota që ngjajnë me qé dhe kuajt zota që ngjajnë me kuaj. — Ksenofani



Ndonëse dikush është krejt mosbesues ndaj ekzistencës së zotave, nëse ai ka drejtësi të karakterit, ai e urren të keqen tek njeriu. Ky zët ndaj padrejtësisë nuk e lë atë të bëjë veprime të padrejta, e kështu tek i shmanget së padrejtës i bashkohet së drejtës. — Platoni



Një pjesë e njerëzimit nuk beson fare në ekzistencën e zotave. — Platoni



Njimend e kam të vështirë të kuptoj se si dikush do të donte që kristianizmi të jetë i vërtetë, pasi vetë gjuha e shkrimit thotë se njerëzit që nuk besojnë, gjë që përfshin babanë tim, vëllanë tim dhe pothuaj krejt miqtë e mi të ngushtë, do të dënohen. Kjo është një doktrinë e neveritshme. — Çarls Darvin



Nuk besoj në besimet e predikuara nga kisha hebraike, kisha italike, kisha greke, kisha turke, kisha protestante e çfarëdo kishe tjetër që mund të njoh. Mendja ime është kisha ime. — Tomas Pein



Të arsyetosh me dikë që ka braktisur arsyen, është si t'i japësh mjekim një të vdekuri. — Tomas Pein



Nxehtë dhe ftohtë, janë opinione; atome dhe hapësirë është realiteti. — Demokriti



Krejt çka ekziston në gjithësi, është fryt i rastit dhe domosdoshmërisë. — Demokriti



Gjithçka ka shpjegim natyror. Hëna nuk është perëndi, por shkëmb i madh; dhe dielli një shkëmb i zjarrtë. — Anaksagora



Ka diçka tejet të pashëndetshme në kristianizëm. — Adolf Hitler



Kristianizmi i vërtetë, ai i katakombeve, merret me kthimin e doktrinës kristiane në realitet. Diç që shpie fare thjesht drejt shkatërrimit të njerëzimit. Nuk është gjë tjetër veçse bolshevizëm i përzemërt, nën një lustër metafizike. — Adolf Hitler



Fakti pse bota e lashtë ishte aq e dëlirë, e çelët dhe e paqtë ishte sepse nuk njihte asgjë mbi dy mynxyrat më të mëdha: sifilizin dhe kristianizmin. — Adolf Hitler



Goditja më e rëndë që ka pësuar ndonjëherë njerëzimi ishte ardhja e kristianizmit. Dhe bolshevizmi është fëmija i tij bastard. — Adolf Hitler



Kristianizmi është një rebelim kundër ligjeve të natyrës, një protestë kundër natyrës. Në zbërthimin e vet më të skajshëm, kristianizëm do të thotë kultivim sistematik i dështimit të njeriut. — Adolf Hitler



Nuk flasim për besim nëse themi se dy dhe dy bëjnë katër, as kur themi se toka është e rrumbullakët. Flasim për besim vetëm atëherë kur duam të zëvendësojmë ndjenjat për fakte. — Bertrand Rasëll



Zoti i kristianëve mund të ekzistojë, po njësoj si dhe zotat e Olimpit, a të Egjyptit, a të Babilonisë. Por asnjë nga këto hamendje nuk është më e mundshme se të tjerat, madje ndodhen jashtë zonës së njohshmërisë, e kështu s'ka asnjë arsye se pse duhet të marrim ndonjërën prej tyre në konsideratë. — Bertrand Rasëll



Nuk është si në Bibël se zoti e krijoi njeriun në imazhin e vet. Përkundrazi, njeriu e krijoi zotin në imazhin e vet. — Ludvig Fojerbah



Pastorët thonë se na mësojnë të japim lëmoshë. Kjo është e natyrshme. Ata vetë jetojnë prej lëmoshëve. Tërë lypësit predikojnë se të tjerët duhet të japin. — Robert Ingersoll



Kishat nuk kanë besim tek njëra-tjetra. Pse? Sepse e njohin njëra-tjetrën. — Robert Ingersoll



Kleriku i parë, ishte mashtruesi i parë, që takoi idiotin e parë. — Volteri



Zoti vdiq, zoti mbetet i vdekur dhe ishim ne që e vramë. — Fridrih Niçe



Etiopasit thonë se zotat e tyre janë hundështypur e të zinj, trakasit i kanë të vetët sykaltër e flokëkuq. — Ksenofani



Në parajsë, gjithë njerëzit interesantë mungojnë. — Fridrih Niçe



Një shëtitje e rastit në pavionin e të çmendurve tregon se besimi nuk provon kurrgjë. — Fridrih Niçe



I vetmi tempull që ndriçon është ai në flakë. — Pa emër



Një tekst fetar nuk duhet kurrë t'i kalojë tri faqet. Nëse i kalon atëherë fillon e kundërthotë vetveten. — Pa emër



Ekzistencializmi nuk është aq ateist sa të konsumohet duke provuar se zoti nuk ekzsiton. Përkundrazi, pohon se edhe nëse zoti do të ekzistonte, kjo s'do të ndryshonte kurrfarë gjëje. — Zhan Pol Sartër



Feja është krijuar nga njeriu për të kontrolluar individët mendjedobët, sepse në kohë mizorish dhe dëshpërimi këta e marrin fuqinë në numër. — Benito Musolini



Me sapun pagëzimi është gjë e mirë. — Robert Ingersoll



Besim do të thotë të besosh diçka që e di që s'është ashtu. — Mark Tuein



Në kristianizëm as morali, as feja nuk bien në kontakt me realitetin në asnjë pikë. — Fridrih Niçe



Kur mendoj tërë dëmet që ka shkaktuar Bibla, nuk e di nëse do të mund të shkruaj dot diçka për ta barazpeshuar. — Oskar Uajld



Tërë fetë janë themeluar mbi frikën e të shumtëve dhe zgjuarsinë e të paktëve. — Stendali



Na ka shërbyer më së miri, ky miti i Krishtit. — Papë Leoni i X-të



Falë zotit jam ateist... — Salvador Dali



Besimi nuk të jep përgjigje, thjesht të ndalon të bësh pyetje. — Frater Ravus



Njeriu pa fe është si peshku pa biçikletë. — Pa emër



Feja konsiderohet prej popullit të rëndomtë si e vërtetë, prej të mençurve si e rremë dhe prej sunduesve si e dobishme. — Seneka i Riu



Për njerëzit që nuk iu pëlqen t'iu përqeshen besimet, ndoshta është më mirë të mos mbajnë besime aq qesharake. — Pa emër



Jepi njeriut një peshk dhe do të ushqehet për një ditë. Mësoje të peshkojë dhe do të ushqehet për tërë jetën. Jepi një fe dhe do të vdesë urie duke u lutur për një peshk. — Pa emër



Besimi kristian që prej zanafille është flijim, flijim i krejt lirisë, krejt krenarisë, krejt vetëbesimit të shpirtit; Është në të njëjtën kohë përulje, një vetërrënim dhe vetëgjymtim. — Fridrih Niçe



Për sa kohë që prifti, ky mohues, shpifës dhe helmues profesionist i jetës, mbahet ende si një lloj i epërm qenieje njerëzore, atëherë nuk mund të ketë përgjigje ndaj pyetjes: "Ç'është e vërteta?" — Fridrih Niçe



Besim do të thotë të mos duash të mësosh çka është e vërtetë. — Fridrih Niçe



O njeri i patru, që nuk bën dot një krimb e megjithatë rri e bën zota me tepricë! — Mishel de Montein



Feja është një pasojë e frikës. Për një pjesë të mirë të historisë njerëzore, ndoshta ka qenë një e keqe e nevojshme, por pse vallë ka qenë më tepër e keqe se sa e nevojshme? A nuk është vrasja e njerëzve në emër të zotit një përkufizim tejet i qëlluar i çmendurisë? — Arthër Klark

Kristianizmi është feja më qesharake, më absurde dhe më e përgjakshme që ka infektuar ndonjëherë botën. — Volteri

Tërë fetë janë bërë nga njerëzit. — Napoleon Bonapart



Feja është nga sendet më të mira për të heshtur popullin e rëndomtë. — Napoleon Bonapart



Tërë institucionet kombëtare kishtare, qofshin këto hebraike, kristiane a myslimane, s'më duken asgjë më shumë se krijime njerëzore, të ngritura për terrorizimin dhe skllavërimin e njerëzimit, për monopolizimin e pushtetit dhe të fitimit. — Tomas Pein



N.q.s. zoti foli, përse bota nuk është bindur? — Përsi Bish Sheli



Mund të bëj fare mirë pa zotin si në jetën time ashtu dhe në pikturën time, por ajo pa të cilën nuk mund të bëj dot, kështu tek vuaj, është diçka më e madhe se ç'jam dhe vetë, që është jeta ime, fuqia për të krijuar. — Vinsent Van Gog



Frika i solli zotat në botë. — Petroni



Fakti se një besimtar është më i lumtur se një mendimtar, nuk do të thotë asgjë më shume se fakti që një i dehur është më i lumtur se një njeri i kthjellët. — Xhorxh Bernard Sho



Këndvështrimi im mbi fenë është si ai i Lukrecit. E konsideroj fenë si një sëmundje të lindur prej frike dhe si një burim mjerimi të parrëfyeshëm për njerëzimin. — Bertrand Rasëll



Mos u lut në shkollën time e as unë nuk do të mendoj në kishën a xhaminë tënde. — Pa emër



Klerikët e dinë që unë e di se ata e dinë se nuk dinë. — Robert Ingersoll



Një njeri që sot do të ndiqte mësimet e Dhiatës së Vjetër, do të ishte kriminel. E nëse do të ndiqte rigorozisht mësimet e së Resë, do të ishte i çmendur. — Robert Ingersoll



Duart që ndihmojnë janë fort më mirë se buzët që luten. — Robert Ingersoll



Ky krim i quajtur "blasfemi" u shpik nga priftërinjtë me qëllim mbrojtjen e doktrinave që nuk mund të qëndrojnë në vetvete. — Robert Ingersoll



Me ç'mund të kujtoj, nëpër ungjij nuk ka një fjalë të vetme në lavdërim të inteligjencës. — Bertrand Rasëll



Kretin - m. sin. idiot, nga frëngjishtja "crétin", që në fillimet e saj do të thoshte "kristian". — Pa emër

Kur isha i vogël i lutesha Zotit për një biçikletë, por më pas e kuptova se Zoti nuk vepron në atë mënyrë. Kështu që vodha një biçikletë dhe pastaj iu luta Zotit që të më falte. - Emo Philips

E thënë thjesht: Ju po vrisni njëri-tjetrin vetëm për të vërtetuar se kush ka mikun më të mirë imagjinar... - Richard Jeni

Njeriu e krijoi Zotin sipas shëmbëlltyrës së tij: intolerant, seksist, homofobik dhe të dhunshëm. - Marie Kyrie



ESKIMEZI: Nëse unë nuk di asgjë për Zotin dhe mëkatin, a do të shkoj në ferr?
PREDIKUESI: Jo, jo. nëse nuk e di nuk do dënohesh.
ESKIMEZI: Atëherë ç'm*** pate që më tregove? - NJE ESKIMEZ NE POLIN E VERIUT

I padukshmi dhe mosekzistuesi ngjajnë kaq shumë...

Vrasjet sipas Biblës: 2,270,365 (këtu nuk llogariten të përmbyturit në kohën e Nuhut, Sodoma dhe Gomorra, Murtaja etj, pasi nuk ka shifra.


DJALLI : VETEM 10



Kush është i plotmëshirshmi??? - Pa emër



Të gjithë njerëzit që mendojnë, janë ateistë. - ERNEST HEMINGUEJ

Kur një njeri vuan nga haluçinacionet, quhet çmenduri. Kur shumë njerëz infektohen dhe vuajnë të njëjtin haluçinacion, kjo quhet FE. - Pa emërPastorët thonë se na mësojnë të japim lëmoshë. Kjo është e natyrshme. Ata vetë jetojnë prej lëmoshëve. Tërë lypësit predikojnë se të tjerët duhet të japin. — Robert Ingersoll.



A NUK TE BEZDIS FAKTI QE TI MENDON ME SHUME KUR ZGJEDH MAKINEN TENDE SE SA KUR ZGJEDH BESIMIN TEND?? - A. AJNSHTAJN



ZOTI ME BERI MUA ATEIST. KUSH JE TI QE DISKUTON VULLNETIN E TIJ?? - KADRI FUSHA

Përzgjodhi: Kadri Fusha, Redaktoi: Stop Injorancës

Feja dhe statistikat fetare në Shqipëri

Pjesa më e madhe shqiptarëve sot në Shqipëri i përkasin një konglomerati jo-fetar dhe ateist që kap rreth 75% të popullsisë.


Historiku i shkurtër

Në lashtësi duke filluar që me pellazgët e mes ilirëve deri në krijimin e Bizantit nga Konstandini i Madh, dy kultet kryesore të adhurimit të natyrës kanë qenë Kulti i Gjarprit dhe Kulti i Diellit. Me vendosjen dhunshme të kristianizmit si fe të regjimit arrijmë në mesjetë, vitet 1300-1400, kur gjysma e popullsisë së Arbrit ishte ende pagane, ndërsa gjysma tjetër ndahej, sipas terminologjisë venedikase, mes latinëve (katolikëve) dhe skizmatikëve (ortodoksëve).

Paganizmi burimor dhe kristianizmi i importuar u gjendën atëbotë përballë zëvendësimit të udhëheqjes kristiane armeno-siriane të Bizantit, me udhëheqjen dhe fenë e re myslimane turko-arabe që vinte të zgjaste sundimin e Azisë në Ballkan dhe 500 vjet të tjera. Jo më kot dhe populli e quajti ushtrinë turke si ushtri bizantine, pasi nuk shihej ndonjë dallim mes tyre. Vlen të theksohet dhe se në mesjetë myslimanizmi konsiderohej nga bizantinët si herezi kristiane.

Sundimi fetar bizantino-osman do të përfundojë zyrtarisht për ne në vitin 1912 me shpalljen e pavarësisë duke sjellë në pah një popullsi pagane, kristiane e myslimane në Shqipëri. Këtu fillon dhe puna e shtetit modern shqiptar, që jo rastësisht, duke nisur që me përpjekjet e Rilindjes mishëruar në shprehjen e mirënjohur të Pashko Vasës, që prej 1912 ka punuar për dobësimin e feve dhe shfetarizimin e vendit duke i identifikuar fetë aziatike si importe të padëshiruara kulturore. Qëndrimet e Nolit me jehonën e shumë intelektualëve të tjerë për pavarësimin e institucioneve fetare nga Stambolli, Fanari e Vatikani, me ngritjen e shtetit modern do të bëhen realitet.

Programi i qeverisë së Zogut është ai që për herë të parë mes të tjerash bënte fjalë dhe për "reforma fetare". Por ç'ishin këto reforma?

Në 1923 me drejtimin e qeverisë mblidhet në Tiranë Kongresi i Myslimanëve Shqiptarë ku vendoset asgjë më pak se: shkëputja nga Kalifati, heqja e ferexhesë, kryerja e lutjes në këmbë dhe abrogimi i poligamisë, pra një çmyslimanizim i myslimanizmit, zhveshje nga thelbi i vet ritual. Në vazhdim më 1929 qeveria e shpall Kishën Ortodokse Shqiptare si autoqefale, gjë që ratifikohet nga Patriarkana vetëm pas 8 vjet mallkimesh e anatemash, në vitin 1937. Ndërkohë, po në këtë periudhë, do të kryhet dhe i vetmi census mbi përkatësinë fetare të popullsisë në Shqipëri. Është viti 1930, kur, duke ripohuar "statistikat" e administratës turke, me vetëm tre opsione të mundshme në mënyrë konvencionale popullsia e asaj kohe do të caktohet si 70% myslimane (sunitë dhe bektashinj) dhe 30% kristiane (ortodoksë 20% dhe katolikë 10%), duke kapur një numër 100% besimtarësh! Këto numra janë dhe numrat përgjegjëse për propagandën e sotme fetare. Në shtetin e Zogut do të shënohen dhe përplasjet e para midis dëshirës për pushtet të klerit dhe fuqisë së vetë shtetit që për ballafaqim do të zbatojë kombëtarizimin e tyre.

Rruga e shkelur nga qeveria e Zogut do të arrijë në ekstrem me vendosjen e diktaturës duke dhënë sot një shumicë dërrmuese jo-fetare brenda shtetit shqiptar. Reforma agrare e gushtit 1945, shtetëzon krejt 2'169 kishat, xhamitë e teqetë e vendit duke i kthyer në qendra kulture për rininë. Priftërinjtë dhe hoxhallarët shtrëngohen të braktisin të "kaluarën e tyre parazitare", dhe rreth 200 prej tyre do të burgosen e internohen madje dhjetëra do të vriten. Ateizmi militant i shfytyruar nga totalitarizmi komunist arrin në antiteizmën ekstrem shtetëror për herë të parë në histori. Në vitin 1967 nga radhët e rinisë nis shembja e objekteve të kultit, duke lënë në këmbë vetëm ato me vlerë historike, dhe Shqipëria shpallet zyrtarisht shteti i parë ateist në botë. Që prej atij çasti ushtrimi i fesë do të ndalohet me ligj.

Me zhbërjen e feve semite, kjo diktaturë ndihmoi jo pak dhe në zhdukjen e disa pjesëve të traditës burimore pagane shqiptare, pasi fetë, me përjashtim të sunitëve, në pamundësi për të çrrënjosur paganizmin, kishin trupëzuar mjaft elemente të theksuara pagane në ritet e tyre, si festat, praktikat, apo p.sh. dhe pelegrinazhi drejt vendeve ku më parë zhvillohej Kulti pagan i Diellit, mbi apo në të cilat ishin ndërtuar qëllimisht kisha e teqe. Popullsia vazhdon të këmbëngulë dhe sot në vizitën e këtyre vendeve të stërlashta të kultit diellor, që qoftë nga injoranca, qoftë nga synime të tjera kanë nisur sërish të keqinterpretohen nga neofetarët. Sidoqoftë vlen këtu të përmendet rrethi i Elbasanit për ruajtjen e vendosur të festivalit pagan të Ditës së Verës, më datë 14 mars, që tashmë është shpallur dhe festë kombëtare në Shqipëri.


Gjendja sot

Sot Shqipëria është shtet pa fe zyrtare dhe me liri besimi të garantuar me kushtetutë. Dy besimet semite (myslimanizmi dhe kristianizmi) me katër sektet e tyre (bektashizmin, sunizmin, ortodoksizmin dhe katolicizmin) kanë festa fetare të caktuara si festa kombëtare për shkak të prezencës historike në vend. Arsimi publik është jofetar dhe indoktrinimi fetar në to ndalohet me ligj. Në dallim nga shumë vende të tjera feja në Shqipëri nuk përfshihet si lëndë mësimore.
Sipas të dhënave të Departamentit Amerikan të Shtetit në vend ka 14 shkolla private fetare me 2'600 studentë.
Që prej 1991 shënohet një ardhje e madhe misionarësh kristianë nga SHBA e cila filloi të dobësohej pas trazirave në vend në 1997. Bashkë me ta vijnë dhe misionarë myslimanë nga Arabia Saudite. Në vitin 2002 do të shënohen 31 shoqata kristiane, që përfaqësojnë 45 organizma të ndryshme dhe 17 shoqata e grupe islamike. Qershia në tortën fetare janë dhe 500-600 misionarë të pavarur fesh të ndryshme.

Pas 50 vjet ateizmi formal dhe informal në vitin 1992 të dhënat japin një pamje popullsie me 74% jo-fetarë. Pas vitit 1993 e deri në 2004 sipas sondazheve të të huajve në vend rreth 50-65% e shqiptarëve deklarohen po ashtu jo-fetarë. 3 Në vitet 2005-2006 vlerësimet konkretizohen sërish tek 72%-75% jo-fetarë.

Propaganda fetare

Institucionet fetare në Shqipëri dhe vegla të ndryshme të tyre në instanca shtetërore, gjatë këtyre dy dhjetëvjeçarëve kanë propaganduar majtas e djathtas statistikat e vitit 1930 duke i marrë si të mirëqena me marrëveshje, saqë është kthyer në shabllon deklarimi i rremë se Shqipëria ka 70% myslimanë (qëllimshëm pa caktuar dhe përqindjen në bektashinj dhe sunitë) dhe 30% kristianë (20% ortodoksë, 10% katolikë). Problemi kryesor i karakterit matematik me këto "statistika" është se tregojnë dhe popullsi 100% besimtare, gjë që është të paktën komike. Neomyslimanë të caktuar, në pozicione kyçe shtetërore, pa marrë pëlqimin e popullit, e radhitën Shqipërinë në Konferencën Islamike në vitin 1992, një lajm që ra si bombë atyre ditëve në Shqipëri, por që u hesht e ëmbëlsua me subvencionime të majme arabo-saudite.

Që prej vitit 1993 në Shqipëri veprojnë dy fraksione të rrezikshme asimilimi, fraksioni ortodoks nga Greqia dhe fraksioni islamik nga Arabia Saudite i cili në Kosovë dhe Maqedoni ka marrë dhe variantin ekstrem vehabist. Duke shfrytëzuar varfërinë në zona të ndryshme të vendit janë ndërtuar pa kriter kisha ortodokse dhe xhami sunite në vende ku rëndom nuk ka as besimtarë dhe të cilat as nuk frekuentohen as nuk pasqyrojnë realitetin. Për shkak të këtyre lëvizjeve të njëanshme dhe tendencioze ka patur dhe incidente kundër bektashinjve nga shtetas jo-shqiptarë. Zonat rurale u pushtuan për rreth 6 vjet me program të hollësishëm për larjen e trurit të fëmijve parashkollorë dhe indoktrinimin e tyre në myslimanizëm. Të gjitha këto lejoheshin nga shteti, por fatkeqësisht dhe nga prindërit injorantë të këtyre fëmijëve. Megjithatë për shkaqe të mirënjohura dhe për arsye pragmatizmi numri i ateistëve dhe jofetarëve ndonëse pati një rënie sidomos në vitet e para pas diktaturës është normalizuar sërish pak a shumë në të njëjtat nivele.

Vlerësimet sot janë se rreth 25% e popullsisë janë fetarë prej të cilëve myslimanët dhe kristianët ndajnë afërsisht të njëjtat përqindje, me numër "fetarësh të vërtetë" tek 4-5%, por ku janë më të dukshëm kristianët ortodoksë dhe myslimanët sunitë.

Duhet përmendur fakti se ky realitet i cili mund të konstatohet mjaft lehtë nëse jeton në Shqipëri, luftohet nga dy degëzimet e mësipërme asimiluese po aq fort sa dhe serbët e grekët nëpër shtyp dhe internet. Qëllimi për të dy palët është i një karakteri të ndryshëm propagandistik, por me zbatim të njëjtë. Për përhapjen e mitit ka ndihmuar fuqishëm dhe injoranca dhe papërgjegjësia e gazetarëve vendas dhe atyre të huaj, ku këta të fundit sa herë që përmendin Shqipërinë i bashkëngjisin pa të keq dhe epitetin "myslimane" apo togun "shumicë myslimane". Këto ndodhin kur Ministria e Jashtme dhe përfaqësitë e shtetit shqiptar në dhé të huaj nuk ndërmarrin asnjë veprim për ruajtjen dhe paraqitjen e saktë të imazhit të vendit, saqë gjithsecili mund të thotë ç'të dojë pa asnjë lloj pasoje.

Ilustrim të kësaj dukurie përbën dhe një hollësi me vizitën e presidentit Bush. Dy ditë përpara vizitës Xhorxh Bushi do të shprehet në shtyp për Shqipërinë si "vend mysliman", por gjatë dhe pas vizitës togu në fjalë u zëvendësua shprehimisht me "vend me tolerancë fetare". Gjasat janë që dikush paska ndërmarrë hapa saktësimi, por problemi qëndron se shtypi i huaj e riprodhoi masivisht rastin e parë sidomos për të theksuar idenë se ja "një vend mysliman që e do Perëndimin". Rasti më flagrant syresh i ditëve të fundit ishte dhe ky gazetar që e çon myslimanizmin në Shqipëri në cakun e 95%-it. Vetëm se ka një problem, Shqipëria jo vetëm që nuk është vend mysliman, jo vetëm që nuk ka shumicë myslimane, por nuk është as vend me shumicë fetare!

Kadri Fusha

Wednesday, April 4, 2012

Këshilla një gazetari

I dashur mik - në e bëfsh gazetën me fleta të mëdha; shqiptarët do të thonë që s'fshihet dot lehtë; në e bëfsh me fleta të vogëla, do të thonë se s'është gazetë, por libër. Në e shtypsh me letra të holla, do të thonë se s'këndohen edhe prishin sytë; në e shtypësh me letra të trasha do të thonë se je "hamall" e kërkon të mbushësh vend. Në shkrofsh toskërisht, do të thonë se s'është gazetë për gjithë shqiptarët; në shkrofsh gegnisht prap ashtu, në shkrofsh në gjuhë të përzier me të dyja, gjysëm gegnisht, gjysëm toskërisht, do të thonë se është "çervish".
Në mos shkrofsh për politikë, do të thonë se s'është koha të punojmë për letratyrë, kur vendi ndodhet në rrezik; në shkrofsh për politikë do të thonë se prishë punë duke egërsuar qeverinë. Në folsh butë për Turqinë, je i paguar prej Stambollit; në shkrofsh rreptë kundër Turqisë, kërkon të të jap Sulltani të holla që t'a pushosh gazetën. Në mos gjefsh të holla që ta mbash gazetën, do të thonë se s'je i zoti, me qenë aq njerëz duan zgjimin e kombit shqiptar; në gjefsh të holla je intrigant a i shitur. Në folsh për plot çlirimin e Shqipërisë, do të thotë je djall e kërkon gjëra që duheshin gatitur në qind vjet më parë; në folç për nevojën të përpiqemi t'a shpëtojmë gjuhën dhe kombësinë, duke vënë vendin nën hijen e një Fuqisë së Madhe, s'qënke shqiptarë i vërtetë.
Në folsh mirë për shqiptarët e krishterë, hidhërohen shqiptarët muhamedanë; në folsh mirë për muhamedanët, hidhërohen të krishterët; në folsh mirë për të krishterët e për muhamedanët që janë shqiptarë të mirë, e ligsht për të ligjt, aherë do të hidhërohen të gjithë. Aq për sot, se kam frikë mos të zërë gjumi.

Faik Konica