Tuesday, June 17, 2014

Biblioteka e qytetit tim

Në atë qytet të vogël, ku çdokush njihte çdokënd, kishte jetë. Kishte sport, art, e kishte kulturë plot.
Pasditeve qyteti shndërrohej në një shëtitore të ngrohtë ku mund të shkëmbeheshe 20 herë në xhiro me të njëjtat fytyra miqësore dhe çdo herë të përshëndeteshe formalisht, pa ndjerë bezdi. Kishte qetësi, kishte siguri e mirësi. 


Dyert e hyrjeve rrinin hapur në çdo pallat. Gratë ishin bashkë, fëmijët e pleqtë po ashtu. Tregoheshin e ndaheshin shumë kujtime e histori, ato më të bukurat mbrëmjeve zakonisht.
Nuk kishte konflikte sepse përplasja më e parë amortizohej në çast. Dikë e kishe kushëri, dikë shok, shok të shokut të ngushtë, me dikë të lidhte shoqëria e prindërve, etj, etj zinxhirë.
Ishte një qytet, ku çdo i huaj ditor o sezonal, do ndjehej në qendër të vëmendjes duke marrë respekt e bujari. Një qytet ku jetonte një familje e madhe, me njerëz që ëndërronin e dashuronin.
Dhe pikërisht këtu qëndronte e njolla e madhe, e të voglit qytetit tim. Të dashuruarit mund të shkëmbenin shikime, letra, mund të shkëmbenin telefonata, por ishte shumë e vështirë për ta, të takoheshin në ndonjë vend intim. Eksursione nuk organizoheshin më tepër se dy në vit...
Edhe ato 2-3 vende intime të qytetit, kamufluara mirë prej gjelbërimit, njiheshin me rrënjë e dhëmballë nga të gjithë dhe çdo ditë aty nguliteshin sy kuriozë, fëmijësh çapkënë.
Kështu, biblioteka mbetej vendi më intim i qytetit tim. Atje ku me një libër të hapur në dorë, pa bërë zhurmë, dy të rinj putheshin, për orë e orë.

Po sot shumë gjëra kanë ndryshuar në qytetin tim, që tashmë me qindra banesa pa formë e plan, e kanë çuar në një zgjerim malinj.
Në lumin ku laheshin çdo verë nuk lundrojnë më peshq, por tonelata plehrash. Stadiumit i doli pronari. Edhe pse popullsia është 2-3 fishuar Spitali po rresht së funksionuari. Fabrikat u mbyllën të gjitha një e nga një, por u mbinë, bingot, kazinotë e lojërat e fatit e parukeritë. Muzeu u bastis. Shtëpia e Kulturës është nën privatizim. Çerdhet e Kopshtet po përgatisin dramën e rradhës dhe tek Këndi i Lojërave një ngrehinë fetare bën hije tani.
Ndërsa biblioteka, ajo biblioteka ime nuk është më intime, por një ambjent i ngrohtë mbushur sot me të rinj plot e përplot.
Makiato njëri, bëji birra tjetri thotë ...

Shkroi: Stop Injorancës

No comments: