Tuesday, June 17, 2014

“Hakmarrja", tani janë italianët ata që kërkojnë punë në Shqipëri

Kanë kaluar më shumë se 20 vite nga zbarkimi i emigrantëve prej Shqipërisë. Kriza ka shkaktuar ndërrimin e brigjeve, në një atmosferë si në Italinë e viteve gjashtëdhjetë.

Kanë kaluar pak më shumë se 20 vite, por duken si ngjarje të një shekulli më parë. Ishte vera e vitit 1991 kur anija “Vlora”, e mbushur me shqiptarë të dëshpëruar, u ankorua në Portin e Barit. Sot nuk vijnë më ngarkesa të tilla nga bregu tjetër i Adriatikut, emigrantët shqiptarë ndjekin rrugë të rregullta. Dhe janë pothuajse gjysmë milionë në Itali. Megjithatë, si kompensim, tani ndodh gjithnjë e më shpesh që edhe italianët kalojnë Adriatikun në drejtimin e kundërt, në kërkim të një pune dhe një jete të re. Nuk e bëjnë me anije të dëmtuara, por me avion, një orë fluturim. Italianët tani shkojnë në Shqipëri në kërkim të fatit.
Të dhënat zyrtare të qeverisë shqiptare thonë se janë 19 mijë italianë që kanë një lejë qëndrimi për të punuar apo për studime. Një shifër domethënëse në një vend më pak më shumë se 3 milionë banorë.
Nga universitetet tek call center-at, restoranet, sipërmarrjet e vogla, italianët janë shumëfishuar. “Eshtë një bum i vërtetë”, komenton Rando Devole, sociolog shqiptar dhe bashkëpunëtor i Observatori i Ballkanit, “që flet shumë për krizën italiane, por edhe për rritjen e Shqipërisë përmes imigrantëve të saj. Kushedi se sa shqiptarë që punojnë në Itali, ndoshta në një piceri, kanë bërë ndërmjetësin dhe kanë bindur sipërmarrësin e vogël italian që të hapë një biznes edhe në anën tjetër të Adriatikut”. Në Tiranë pothuajse të gjithë flasin italisht, dhe në televizion mund të gjesh edhe një ish fytyrë shumë të njohur të Mediasetit, Alessio Vincin, që sot është yll i talk show-ve në Shqipëri.
Pensionistë dhe studentë
Janë afro 500-600 kompani italiane që janë krijuar përtej Adriatikut. “Ka një lëvizje të madhe mes dy vendeve”, thotë Luigi Nidito, zëvendës president i Dhomës Italiane të Tregtisë në Shqipëri, “restorantet janë gjithmonë të mbushur me italianë. Shumë prej tyre vijnë të shohin për kuriozitet, por janë edhe të mbushur me paragjykime. Por, me të mbërritur këtu, mbeten të befasuar pozitivisht. Dhe po fillojnë të vijnë edhe pensionistë, sepse kostoja e jetesës është e ulët”.
Pastaj janë studentët e Mjekësisë, ata që nuk kanë arritur të marrin provimin e vitit të parë dhe që nuk duan të humbasin kohë: rregjistrohen në Universitetin Zonja e Këshillit të Mirë në Tiranë, i lidhur me universitete italianë (mes të cilëve Tor Vergata në Romë) dhe ku shumica e profesorëve janë italianë.
Vite ‘60
Por ka edhe shumë punëtorë italianë, që ndodhen në Shqipëri për arsye nga më të ndryshmet: për faj të krizës, prej dashurisë (shumë prej tyre kanë një bashkëshorte apo bashkëshort shqiptar), për shkak të simpatisë ndaj një vendi që, sipas shumëkujt i ngjan Italisë së viteve gjashtëdhjetë. “Shqiptarët në këtë moment janë më optimistë se sa italianët – thotë ambasadori shqiptar në Romë, Neritan Ceka – pikërisht ashtu si ishit ju në vitet gjashtëdhjetë. Sigurisht, ka probleme, por nuk ka krizë psikologjike. Dhe GDP është me rritje”.
Për vitin 2014, Fondi Monetar Ndërkombëtar sheh vështirësi në tregun e brendshëm, por vlerëson që rritja ekonomike do të jetë më shumë se 2%. “Dhe nuk ka burokraci”, shton ambasadori, “mund të hapësh një biznes brenda një dite pa kufizime”. Veç kësaj, Shqipëria dëshiron të hyjë në BE, dhe pikërisht dje ka festuar PO-në e parë nga Brukseli. Një klimë shumë e ndryshme nga ajo e kryeqyteteve të Bashkimit Europian. (Bota.al)
Lidhja e artikullit: http://www.ilmessaggero.it/primopiano/cronaca/albania_italiani_lavoro_rivincita/notizie/728230.shtml

No comments: