Monday, February 22, 2010

Skandali i radhës, Kosova nuk figuron në tekstet shkollore

"Maqedonia në pjesën veriore të saj kufizohet vetëm me Serbinë", kështu shkruan në tekstin e lëndës së Shoqërisë për klasën e katërt të shkollës fillore.

Në këtë tekst shkollor të botuar në vitin 2009, Kosova nuk figuron si fqinj i Maqedonisë, edhe pse ajo është pranuar nga Maqedonia si shtet në vitin 2008. Nga Byroja për zhvillim të arsimit, e pranojnë gabimin e bërë, por thonë se faji për këtë është i shërbimit pedagogjik të Ministrisë.

"Nuk jam kompetente për botimin e librave, pasi ato bëhen në shërbimin pedagogjik, që është pranë Ministrisë së Arsimit dhe Shkencës, pra është institucion tjetër që merret me botimin e librave".

"Unë nuk mund ta di nëse është harruar me qëllim ose jo, megjithatë mendoj se duhet të kihet kujdes i veçantë, pasi ne nuk mund ta anashkalojmë Kosovën si shtet fqinj të Maqedonisë", thotë Ajshe Selmani, zëvendësdrejtore e Byrosë për zhvillimin e arsimit.

Por, e pyetur se cilat janë kompetencat e Byrosë në këtë sferë, Selmani pranon se programet e teksteve shkollore përgatiten nga Byroja për zhvillimin e arsimit.

"Byroja për zhvillimin e arsimit përgatit programet dhe në bazë të atyre programeve, botohen librat. Por, sipas të gjitha gjasave, ai libër ka mbetur i pandryshuar, ka mbetur me po atë program para se Kosova të pranohet shtet, pra mund të jetë një lëshim", shprehet zonja Selmani dhe shton se në programet e reja do të evitohen të gjitha lëshimet që janë bërë në tekstet shkollore.

Mirëpo, ky lëshim ka shkaktuar reagime të shumta në opinion. Lidhja e Arsimtarëve Shqiptarë thotë se bëhet fjalë për një gabim të madh, që duhet të përmirësohet patjetër.

"Patjetër duhet të përmirësohen gabimet, apo lëshimet në tekstet shkollore. Dikush do të thotë se ndoshta një lëshim në një faqe, apo dy, është një lëshim i vogël, por ne vlerësojmë se janë lëshime shumë të mëdha dhe patjetër se duhet të përmirësohen".

"Ne, edhe në tribuna kemi kërkuar që të gjitha tekstet shkollore që janë në gjuhën shqipe, të kenë autorë recensentë shqiptarë. T'i kontrollojnë ata dhe pastaj të lejohen për shtyp", vlerëson Nuhi Dardhishta, kryetar i LASH-it.

Profesoresha në Fakultetin Pedagogjik në Shkup, Gjylymsere Kasapi, njëherësh drejtuese e Komisionit për arsim të partisë Demokracia e Re, vlerëson se gabimi është katastrofal.

Sipas saj, ky gabim, jo vetëm që tenton ta fshehë të vërtetën, por edhe krijon huti të panevojshme në mesin e nxënësve. Zonja Kasapi thotë se ky tekst, urgjentisht duhet të tërhiqet nga përdorimi.

"Këtu është bërë një gabim katastrofal. Ai tekst, urgjentisht duhet të tërhiqet, për arsye se është botuar në vitin 2009, kurse Kosova është pranuar nga Maqedonia në vitin 2008".

"Është keq, nuk është e natyrshme, nuk është e arsyeshme që fëmijët, qofshin ata maqedonas, apo shqiptarë, të mos e dinë se një nga shtetet fqinje më të afërta është edhe Republika e Kosovës. Mendoj se kjo është bërë me qëllim, por nëse është bërë ndonjë gabim, libri duhet të tërhiqet menjëherë", thotë Kasapi.

Lëshime në tekstet shkollore nuk janë bërë vetëm në raport me Kosovën, por ka edhe shumë gabime tjera, përfshirë ato me toponimet shqiptare brenda Maqedonisë.
Shekulli

Shesin ar e kafshë për t’u shpërngulur në Evropë!

Fshatarët shesin kafshët shtëpiake, ndërsa nuset floririn, për të grumbulluar paratë e udhës së gjatë e pa kthim.


Në Kumanovë kurrë nuk ka pasur kaq shumë ofrues të arit sa këto ditë, ndërsa pazari i gjësë së gjallë është mbushur përplot me kafshë shtëpiake.
Të gjithë kërkojnë të shesin dhe vetëm shesin, ndërsa me paratë e fituara blejnë bileta për në një drejtim. Shqiptarët po shpërngulen në mënyrë të heshtur, shkollat po boshatisen.

Pronari i argjendarisë “Rexho”, Rexhep Hasani thotë se ka shumë njerëz që ofrojnë ar për të shitur. “Kjo nuk është për mirë, pasi ari blihet për qejf dhe shitet për hall. E shesin se po ikin në kurbet. Në të dy dyqanet e mia vijnë plot njerëz për të shitur ar. Në 90 për qind të rasteve nuk ia marrim, se ato i shesin për zor, gjë që nuk është mirë”, deklaron për gazetën “Lajm” pronari i kësaj argjendarie.
Rexhep Hasani ka 23 vjet që merret me këtë punë dhe nuk mban mend asnjëherë një numër kaq të madh njerëzish të interesuar për të shitur arin. “Kështu s’ka bo vaki asnjëherë, as në luftën e Kosovës, as në luftën e Maqedonisë. Kjo nuk është shenjë e mirë për ne”, thotë ai, duke sqaruar se vetë personat që ofrojnë arin për të shitur ia tregojnë arsyet pse e bëjnë atë.

Ndërsa numri i nxënësve që largohen nga shkollat sa vjen e rritet. Vetëm në shkollën fillore “Bajram Shabani” në Kumanovë, 12 nxënës kanë marrë fletëshpërnguljet, ndërsa disa të tjerë presin që t’i marrin së shpejti.

“Për momentin kemi 12 nxënës të larguar, ndërsa ditëve të ardhshme pritet që të rritet numri i nxënësve që kërkojnë të marrin fletëshpërnguljet”, tha Ylber Limani, drejtor i kësaj shkolle.
Ai sqaron se ata nuk mund t’i vlerësojnë si të larguar nxënësit që nuk kanë marrë fletëshpërngulje. “Veç nxënësve që janë larguar ka dhe plot prindër që interesohen për procedurat”, thotë ai.
Edhe në 11 shkollat e tjera fillore të komunës së Kumanovës dhe Likovës, situata është e ngjashme me atë të shkollës “Bajram Shabani”, ku dhjetëra nxënës kanë marrë fletëshpërnguljet.
Lidhja e Arsimtarëve Shqiptarë (LASH) në Kumanovë e Likovë është e brengosur për situatën. “Numri i nxënësve në këto dy komuna për çdo ditë e më shumë po zvogëlohet, sepse nxënësit me prindërit e tyre po shpërngulen masivisht për në Belgjikë, Francë, etj. për shkak të kushteve të rënda ekonomike, papunësisë, paperspektivës dhe jostabilitetit të vendit tonë, e atje po kërkojnë azil”.

Psikologu Lulëzim Murtezani thotë se kjo është një mënyrë moderne, bashkëkohore e asimilimit të njerëzve. “Tash nuk kemi asimilim me dhunë, asimilim institucional, por kemi një mënyrë tjetër, kemi pasaporta dhe kemi liri për të ikur. Edhe kjo mënyrë e asimilimit është shumë e rrezikshme. Nëse nuk kemi strategji për të bërë punësimin, sidomos të të rinjve, nuk do të mund t’i themi stop kësaj dukurie”, thotë ky psikolog.
Ai sqaron se viktima të këtij asimilimi janë kryesisht familjet që nuk kanë kushte të mira ekonomike. Sipas Murtezanit, problemi do të vazhdojë deri në momentin kur institucionet të marrin masa për ta penguar atë. Kushtet ekzistenciale, të cilat gjenden në majën e piramidës, janë faktori kryesor që i detyron këto familje për të marrë rrugën e shpërnguljes.
“Meqë këto nevoja ekzistenciale nuk plotësohen, ata gjejnë rrugë të ndryshme. Në rastin konkret, qytetarët duke mos pasur perspektivë, marrin rrugën e largët.

Shumë njerëz janë të rrezikuar, janë në gjendje jo të mirë ekonomike dhe vizioni i tyre është që me çdo kusht të shkëpusin rrënjët nga ky ambient dhe normalisht shpëtimin e gjejnë në një ambient tjetër”, thotë ai.


Javëve të fundit dhjetëra autobusë të mbushur kryesisht me shqiptarë nisen drejt Belgjikës, Francës, Austrisë, Gjermanisë e Zvicrës.

Gazeta Koha Ditore

Durimi, shkathtësia e të shpresuarit.

...një mjet që të siguron një të ardhme të lumtur!


Në të vërtet durimi është një mjet mjaft i rëndësishëm dhe mjaft dobiprurës për njeriun. Por thelbi kryesor apo gjëja kryesore që në duhet të kuptojmë, është se çka kuptojmë me durimin.

Ne dimë nga jeta e përditshme se si të vegjël qe kemi kuptuar se çka është zjarri, përkatësisht kemi kuptuar se zjarri është një krijesë e cili ka cilësi djegie dhe në kontakt me të ne do të pësojmë, po ashtu shumë të vegjël kemi kuptuar se po sa që të bëhemi nervoz dikush do te na vijë në ndihmë dhe kështu do te ja arrimë qëllimin. Pra jeta ka qenë ajo që na ka bërë të mësojmë se edhe një element i keq mund të sjell dobi.

Pasi që jemi rritur kemi kuptuar se të bëhesh nervoz nuk është një gjë edhe e mirë, por megjithatë ka situata qe ne patjetër duhet të bëhemi nervoz, madje ka raste që ne duet ndoshta edhe të bërtasim e mos te themi rastet qe bëhemi aq nervoz saqë na u duhet te i sjellim dikujt apo dikush të na sjell ne.Prandaj këtu duhet kuptuar se po qe se ne dimë se çka është durimi dhe po qe se ne duam ta dimë se si mundemi, mese lehti te bëhemi të durueshëm atëherë do te pshtojmë nga situatat qe na sjellin probleme edhe me te mëdha qe nga një problem shumë i vogël ne kokat tona ai problem do te behet aq i madhe qe edhe po deshëm ne me nuk do te mundemi te bëhemi te qetë nga situata qe na ka ndodhur.

Ajo që më së shumti ia vlen të diskutohet është vet nocioni i durimit, edhe pse kemi nocione të shumta nga dijetar dhe shkencëtar të ndryshëm. Në ketë rast kemi zgjedhur një nga shumë ato qe menduam se është me i kuptueshëm dhe me i përafërt më atë që ne në jetën e përditshme kuptojmë me fjalën “DURIM”.

Sipas mendimit që cekëm më lartë durimi është:

“Ta ndalojmë veten tonë nga dëshpërimi dhe paniku, ta ndalojmë gjuhën tonë nga ankimet dhe ti ndalojmë duart tona nga goditja e fytyrës dhe grisja e rrobave në kohë fatkeqësie dhe stresi”.


Llojet e durimit

Durimi mundet me qenë dy llojesh dhe atë mund të jetë me zgjedhje apo pa zgjedhje :

a) durimi fizik

b) psikologjik

Durimi me zgjedhje ka kuptimin e atyre situatave që individi ka mundësi të zgjedh, te bëj durim apo jo. Ndërsa në ato raste kur individi duhet të duroj patjetër së nuk ka zgjedhje tjetër do të thotë durim pa zgjedhje.

a) Sa i përket durimit fizik:

1. më zgjedhje, kuptojmë bërjen e punëve të rënda me dëshirë
2. pa zgjedhje, kuptojmë durimin e sëmundjeve, e rrahjeve, e të ftohtit ose të nxehtit

b) Sa i përket durimit psikologjik:

1. më zgjedhje, kuptojmë frenimin nga ato gjera që logjika e njeriut i përcakton si të gabuara
2. pa zgjedhje, kuptojmë ndarje të ndryshme nga dikush që e donë shumë

Siç e përmendëm edhe me lart se durimi është dy lloje, me zgjedhje dhe pa zgjedhje. Durimi me zgjedhje është i një shkalle më të lartë se sa durimi pa zgjedhje. Por megjithatë qetësja e trupit dhe shpirtit është e njëjtë të te dyja.

Forca e Durimit

Disa njerëz nuk mundën të bëjnë durim pa u përpjekur dhe pa bërë shumë vështirësi që ta arrësin këtë. Të tjerët janë të aftë të bëjnë sabër lehtësisht. Lloj i parë është si ai që ndeshet me një burrë të fortë dhe s’mund ta mundë atë pa përpjekjen më të tejskajshme. Lloji i dytë është si ai person që ndeshet me një njëri të dobët dhe e mund atë më lehtësi. E tillë është lufta ndaj të mirës dhe të keqes. Por siç e dimë se ata te cilët janë ushtar të së mirës gjithherë do te dalin fitimtar.


I duruari, i fituari - Populli. A është virtyt durimi apo dobësi?
Bledikorcari, forumivirtual.com

Njerëzit që nuk kanë durim, jane të padurueshëm... (Stop. Injorancës)

Friday, February 19, 2010

Trondit Elton Xhon: Jezusi ishte gay

Jezusi ishte gej. Kështu thotë i famshmi Elton John.
Këngëtari bëri deklaratën e tij bombastike gjatë një interviste në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. “Unë mendoj se Jezusi ishte një mashkull inteligjent dhe gej i cili kuptonte problemet e njerëzve”. “Ai donte që ne të duhemi. Nuk e di se çfarë i bën njerëzit të kenë të tillë sjellje.

Të tentosh të jesh një grua gej në lindjen e mesme është më mirë të jesh e vdekur”, nënvizoi John.

(Lajmifundit)

Edhe Elvira Dones në gojën e Berishës: 'Ajo ka braktisur fëmijën e vet..'

Ka rënë edhe Elvira Dones në gojën e kreut të ekzekutivit. Autorja e një letre të hapur për Berluskonin në gazetën italiane "La Republica" dhe e një opinioni të dytë reagues dje në "Shekulli", ka pasur radhën për të dëgjuar "historinë e familjes" nga Sali Berisha.

Deklaratat erdhën, pasi S. Berisha u pyet nga moderatori i emisionit Opinion, për reagimin mediatik ndaj batutave banale të Berluskonit dhe shtesave po kaq banale të Berishës ca ditë më vonë. Kur janë përmendur shkrimet e znj. Dones në "La Republica" dhe "Shekulli", Berisha ka thënë se znj. Dones ka braktisur djalin e saj.

"Trishtoi djalin. I tha djalit lamtumirë... Ka qyteti një memorie për këtë, - tha kreu i qeverisë. Ky ishte komenti i tij ndaj atyre që ka shkruar znj. Dones.
Dhe për ta çuar deri në fund banalitetin e radhës, kësaj here me një kontradiktë të fortë brenda pak sekondash në deklarim, Berisha shtoi në mbrojtje të Berluskonit "Nuk mund t'i hysh tjetrit në çështje personale..." (?!).
Disa ditë më parë gjatë konferencës për shtyp Berisha-Berluskoni në Romë, ky i fundit ndërpreu një kumtim të S. Berishës mbi trafikun e klandestinëve në Otranto, duke deklaruar që do bëhej përjashtim vetëm për ata që sjellin vajza të bukura shqiptare.

Batuta që është komentuar si skandaloze nga gjithë mediat e Europës, u gjet me vend nga kryeministri shqiptar që deklaroi një ditë më pas në Tiranë se Berluskoni foli ashtu pasi përpara tij ishin tre gazetare plot hire dhe plot sharm nga Shqipëria(!).

Batuta rreth "vajzave të bukura shqiptare" - si edhe indinjata e mijëra italianëve e shqiptarëve ndaj saj janë përcjellë dje në Britaninë e madhe nga "Daily Telegraph", në Francë nga "Le Figaro", në Gjermani nga "Tagesspiegel" e Berlinit, etj. Një agjenci shtypi zvicerane e konsideroi deklaratën: "për të ardhur për të vjellë" dhe vijoi duke thënë: "Nuk është hera e parë që Kavalieri del me profka shkatërruese e mosrespektuese, por po bëhet, çdo herë që shkon, më i vështirë pranimi i një sjellje të tillë."

Burimi :http://www.shekulli.com.al/2010/02/19/berisha-vizite-dy-ditore-ne-itali-neser-takim-me-berluskonin.html

Rikujtoni edhe njëherë indinjatën e zonjës Elvira Dona, tek Republika. http://www.youtube.com/watch?v=TwlpdjjZTpI