Wednesday, August 18, 2010

Tension në Greqi: Miting dhe parrulla kundër shqiptarëve

Disa ditë pas konfrontimit të shqiptarëve me disa adoleshentë grekë në komunën e Dhiavato të Verias, gjedja vazhdon të jetë e tensionuar.

Pas plagosjes së 4 adoleshentëve grek, një miting i madh në mbështetje të tyre është mbajtur në sheshin "Veria"

Me moton "Jashtë të huajt, nga Greqia", protestuesit janë mbledhur para sheshit të bashkisë ku kanë qëndruar për rreth një orë, duke hedhur parrulla antishqiptare. Në të njëjtën kohë një grup tjetër të rinjsh, prej 300 personash ishin mbledhur në një zonë tjetër të qytetit.

Anëtarët e e grupimit "Agimi i Artë" hynë dhe u larguan nga qyteti të shoqëruar nga një forcë policore e fortë, e cila ishte i pranishëm gjatë gjithë protestës.

Shekulli

Kur emigrantët na thonë: Ju shqiptarët...

Bashkë me vapën vjen edhe nxehtësia e mallit njerëzor.

Me makina, avionë apo tragete, ata vijnë e zbrazin në vendlindje dashurinë e akumuluar. Këtu kanë kujtimet, prindërit, shokët, nostalgjinë. Njerëzore, e bukur dhe e domosdoshme. Rikthimi në vendin e lindjes është veprimi më i mençur që bëjnë emigrantët. U bën mirë edhe psikologjikisht. Bashkë me makinat e shtrenjta, eurot, vathët në vesh, disa prej tyre sjellin me vete edhe humorin. 

Nuk e kanë marrë atje ku jetojnë, sepse nuk e kanë pasur as kur ikën. Por, të bëjnë për të qeshur me psikologjinë e marrë borxh atje ku jetojnë. Edhe ai që ka qenë më karagjozi këtu, nga largësia është transformuar aq, sa i ka ikur edhe ai sharm që ia kemi njohur dikur. Disa prej tyre na bëjnë vërtet për të qeshur. Kur dëgjova nga emigrantët shprehjen, ju shqiptarët nuk dini të jetoni, e mora si një dukuri të veçantë. Por kur e dëgjova edhe nga të tjerë, vura buzën në gaz. Më erdhi keq që largësia dhe jetesa në një vend të huaj e shpërfytyron njeriun deri në atë pikë sa ta mishërosh. Jo vetëm se flasin kodra pas bregut. Disa prej tyre, me makina të shtrenjta, ecin si të shkalluar në udhët e ngushta të atdheut tonë zemërgjerë. Kështu ndodh gjithnjë. Trupi i varfër, për fat, zemrën e ka të madhe. Ata vijnë me makina të shtrenjta, ecin si të marrë, dhe përplasen shqip me vëllezërit e tyre shqiptarë. Makinat i kanë marrë me qira atje. Duke u kapardisur rrugëve, shpresojnë të mburren para bashkëkombësve, që ata i konsiderojnë shqiptarë! Për çfarë mburren dhe ku është leverdia, vetëm mendja e tyre emigrante e di. Krijesa paradoksale që sillen në mënyrë paradoksale në këtë tokë. Atje zbatojnë rregullat e qarkullimit deri në një, dhe rregullat e mirësjelljes deri në dy. Sapo shkelin këtu, ngrenë zërin në rrugë, lokale, shtëpi, si njerëz të jashtëm dhe qenie speciale. Bëhen harbutë dhe përkëdhelin veten në gjirin e kësaj Nëne, për të cilën shumë prej tyre as duan t’ia dinë. Me siguri kështu i ka parë dikur të huajt kjo kategori. Si qenie superiore që mund të bëjnë gjithçka ndaj atyre që janë më të varfër.
Por ata nuk silleshin si harbutë dhe nuk na drejtoheshin, ju shqiptarët…!
Megjithëse kishin të drejtë. Asnjëherë nuk i kemi parë të huajt prej vërteti të sillen me arrogancë në këtë tokë. Ndërsa vjen një prej gjakut tonë dhe na prish qetësinë e varfërisë që kemi këtu! Disa prej tyre duken vërtet si të liruar nga zinxhirët e qytetërimit. Perëndimi ka rregulla, prandaj ka arritur atë standard. Këta tipa, pa tip fare, duke pasur në gen rrumpallën made in Albania, vuajnë sepse u duhet të përshtaten. Atje ka gjoba. Por, sapo fluturojnë për këtu, dalin menjëherë në origjinë.

Pastaj na thonë: ju shqiptarët nuk dini të jetoni!

Një tjetër tip emigranti bën sikur ka harruar fjalët shqip dhe pyet: si i thoni ju shqiptarët atyre të gjatave?... Ah po, makavona. Jo... makarona..., ke të drejtë! Një tjetër, me vathë në të dy veshët, i thotë babait të tij me dy dekorata në gjoks, që e ka pritur me mall: Sa mbrapa ke mbetur ti father!

Dhe humori emigrant nuk ka të sosur.
Çfarë policësh të shëmtuar keni ju në Shqipëri!

Sa mbeturina keni në rrugë, thotë ai që sapo hedh vetë kutinë bosh të cigareve.

My god! Ju nuk keni drita, nuk keni ujë. Si jetoni? Ç’janë këto rrugë, këto pallate të pasuvatuara, njerëz që shesin në trotuare, plaka me rrudha, qen që bëjnë seks në sy të të tjerëve? My god! Jeni të çuditshëm ju shqiptarët!

Kur i thua, eja jeto këtu, se mendja xhevahire e një emigranti na duhet për t’u ndrequr, të përgjigjet me habi: Unë këtu? Nooo! Kurrë. Më mirë vdes, se të jetoj në këtë vend. Dhe ka të drejtë! Një shqiptar me emrin Baftjar, djali i Shemsijes dhe Xhemolit, nuk ka se si të jetojë në një tokë të huaj si Shqipëria, me njerëz të huaj që nuk i njeh fare, dhe kulturë që nuk është e origjinës së tij! Posi, posi! Ky emigrant është po aq i huaj në këtë tokë, sa ç’është danez një afrikan i zi dhe i uritur. Kur trupi emigron 1000 kilometra nga vendlindja, mendja ka emigruar dhjetëfishin e saj.
Misioni i këtyre emigrantëve problemorë, është të shkelin rregullat me makinë, të bërtasin me gjithë fuqinë e zërit, të hedhin plehra në rrugë, e pastaj të na japin këshilla si të jetojmë ne shqiptarët. Disa prej tyre, në vendin ku jetojnë nuk kanë punuar asnjë ditë. Jetojnë prej vitesh me asistencë nga taksapaguesit vendas. Në banesën e vet jetojnë aq pis dhe rrëmujë, sa një miku im në Amerikë, Ardiani, thotë: “Kur futesh në çdo shtëpi, duhet të pastrosh këpucët. Ndërsa në shtëpinë e këtyre, duhet t’i pastrosh kur del jashtë saj!” I sheh tërë ditën duke vjedhur në supermarkete, shtiren si të sëmurë, hyjnë e dalin nëpër burgje, dhe pastaj bëhen lektorët tanë të qytetërimit në këtë tokë. Të shkretët! Falë kësaj toke të çuditshme, atje nuk i konsiderojnë idiotë. Të liq, hajdutë, dembelë, drogmenë dhe vrasës, po.
Atëherë, pse tregohen injorantë kur vijnë këtu?
Edhe pa ata, kemi plot të marrë me dhe pa imunitet. Nuk na duhen të tjerë që sjellin probleme këtu dhe të na japin mend si të jetojmë. Atje, në shtëpinë e tyre të thonë, mbylle dushin se harxhoj shumë! Ndërsa këtu kanë dëshirë të ftohin shalqirin me ujë të rrjedhshëm dhe të lajnë makinën me ujë Selite. Një kuletë e fryrë në xhepin e pasmë, nuk do të thotë mençuri në anën e djathtë të kokës të kujtdo. Qoftë edhe emigrant.Injorancës tonë autoktone i shtohet një herë në vit, si baticat e detit, edhe ajo e disa emigrantëve. Me këtë rast kemi mundësi të ballafaqojmë cilësinë e injorancës tonë me të atyre. Nuk kanë shumë ndryshim. Vetëm se ajo, e emigruara, ka në xhepa më shumë euro, mban aromë të mirë dhe ka pasaportë të huaj.
Pse jemi kështu? Kudo të shkojmë, çfarëdo jete të bëjmë, sado pasuri të veme, në injorancë mbetemi shqiptarë. Ndryshojmë në fasadë, etikë, ndërsa brenda na vlon arroganca. Fakti që shqiptari i larguar i thotë vëllait të tij, ju shqiptarët, tregon më së miri nivelin tonë. Vini re disa prej atyre që janë kthyer për gjithnjë në atdhe.

A u ka mbetur ndonjë sjellje qytetare, perëndimore?
Asnjë! Janë katandisur më keq se ne, vendasit. Sapo u ikën aroma e rrobave e shpenzojnë eurot e fundit, kthehen në origjinë dhe ia nisin borxheve.
Gjithsesi, ardhja e kësaj kategorie emigrantësh është e mirëpritur. Unë për vete gëzohem shumë. Këta tipa na kthejnë buzëqeshjen ne, të humburve në këtë tokë të lashtë me mundime dhe gëzime të çuditshme. Njëherësh, këta na bëjnë më të vëmendshëm ndaj vlerave tona për të zbuluar si katandisemi kur eksportojmë veten tonë, dhe më pas, kur e importojmë atë. Ikën shoku injorancë dhe vjen zoti injorancë. Kur emigron trupi, mendja ka emigruar prej kohësh.

Sikur injoranca të ishte maja, do gatuanim kulaçë për gjithë globin! 
luan.laze@hotmail.com

T. Observer

Arsimi i lartë apo çertifikimi i paaftësisë

Disa përsiatje përtej ligjit të ri që mbeten të pazgjidhura.
Një karakteristikë shumë domethënëse në lidhje me arsimin e lartë në Shqipëri është ajo që një akademik anglez, Ronald Dore, e quan "ethet e diplomës".


Sipas kësaj situate, sistemi shqiptar arsimor, sidomos në arsimin e lartë, nuk është i fokusuar në transmetimin e njohurive, por është i shqetësuar dhe fokusohet vetëm për certifikime dhe dhënie diplomash. Në një situatë të tillë individët synojnë të krahasohen vetëm në bazë të diplomave që zotërojnë dhe jo në bazë të aftësive që ato kanë.

Dhe siç ndodh rëndom në Shqipëri, mbarimi i një niveli të caktuar të shkollimit sjell thuajse automatikisht pranimin në nivelin tjetër më të avancuar. Kjo sidomos nga niveli i shkollës së mesme deri në nivelet e ndryshme të shkollimit universitar.

Matura shtetërore si program kombëtar testimi, synon që të vlerësojë përgatitjen e nxënësve pas gjimnazit, për të avancuar studimet në një nivel më të lartë siç është universiteti. Një provim i tillë bëhet shumë i rëndësishëm duke shkaktuar një cenim të përgatitjes shumë disiplinore që ka shkolla e mesme dhe duke vënë në një krahasim të pabarabartë të gjithë gjimnazet e vendit, ku serioziteti i këtij provimi nuk është askund njësoj.

Një sistem i tillë është pervers, sepse cenon frymën e drejtë dhe të barabartë që duhet të ketë arsimi dhe ka kosto të jashtëzakonshme, si në proces ashtu dhe në rezultatet e shformuara që ofron. Pa diskutim që njëkohësisht është një proces më shumë në centralizimin e aktivitetit të universiteteve.

Si pasojë e liberalizimit akut dhe e përhapjes ekstreme të "etheve të diplomës" në Shqipëri, momentalisht po përjetojmë një papunësi të të arsimuarve.

Ekspansioni i arsimit të lartë na ka sjellë tashmë një komunitet shumë të madh të të arsimuarve me universitet që kërkojnë një punësim sipas formimit të tyre. Përshtatja shumë e ulët e kurrikulave universitare me nevojat e tregut të punës është një tjetër çështje që e rëndon shumë situatën.

Arsimi i lartë prodhon me mijëra ekonomistë, juristë dhe punonjës socialë në një vit, nga universitetet publike në qendër, nga universitetet publike në rrethe dhe ato private sidomos në qendër, por tregu kërkon më shumë aftësi të tjera. Në një situatë të tillë një numër i jashtëzakonshëm i të diplomuarve punojnë jashtë profesionit të tyre.

Dhe po ashtu një numër shumë i madh i të diplomuarve punojnë në vende pune që nuk kërkojnë arsim të kualifikuar. Shitës dhe arkëtarë me diplomë universitare gjen me qindra në njësitë tregtare brenda dhe jashtë Tiranës.

Nga ana tjetër, punëdhënësit duhet të bëjnë trajnime shumë të kushtueshme në vendet e punës për të përputhur aftësitë e punonjësve të rinj me mjeshtëritë që kërkon vendi i punës. Gjithashtu, shumë institucione publike që kërkojnë punonjës me aftësi teknike detyrohen të organizojnë programe të specializuara trajnimi brenda dhe jashtë vendit për punonjësit e tyre të rinj.

Kjo tregon që aftësitë e nevojshme nuk ishin mësuar në sistemin bazë të arsimit të lartë. Kjo tregon edhe që këto njohuri nuk mund të përfitoheshin në mënyrë automatike nga ndarja e eksperiencës me personelin ekzistues, meqenëse dhe akumulimi i njohurive nga personeli ekzistues në sektorin publik është relativisht i ulët.


Rritja e papunësisë në mes të diplomuarve të rinj duhet të shqetësojë fort zyrtarët qeveritarë.

Në Shqipëri individët kanë mungesë të theksuar informacioni për tendencat e profesioneve që vijnë nga arsimi dhe kryesisht të gjithë presin të ardhura të larta nga ato dy-tre drejtime kryesore që mendojnë si më të favorshme në të ardhmen. Këtë situatë e ka agravuar edhe më shumë arsimi privat që thjesht ka kënaqur këtë prirje për një arsim në pak drejtime të mbingopura me të diplomuar.

Strategjitë për profesionet e ardhshme dhe drejtimin e punësimit në Shqipëri janë krejt të papërdorshme.Arsimi i lartë mbetet i rëndësishëm në Shqipëri.


Në këto vite shumë individë dhe shumë para po përfshihen në të, sidomos në sektorin privat. Zyrtarët qeveritarë duhet të mendojnë më shumë për financimin e arsimit publik, për kontrollin e cilësisë në arsimin privat dhe publik dhe për të siguruar një trajtim të drejtë për të gjithë, në mënyrë që diplomat shqiptare të çdo lloj niveli të mos jenë një certifikim i paaftësisë i paguar shumë shtrenjtë në para dhe në një të ardhme të zymtë.


Oltion Rrumbullaku, *Pedagog në Fakultetin e Ekonomisë, UT

Shekulli

Kush gërhet, jeton më gjatë

Londër – Shkencëtarët kanë arritur në përfundimin se personat që gërhasin teksa flenë jetojnë më gjatë.


Shkencëtarët evropianë nga Glasgou dhe nga instituti izraelit ''Technion'' për hulumtimin e gjumit dolën në këtë konkluzion pas studimit të 600 personave gjatë një periudhe katër vjeçare.


Gërhitja mund të ndodhë nga problemet që shkaktohen në sistemin e sipërm të frymëmarrjes dhe shkaktohet kur ajri që thithim nga hunda apo goja ndërpritet gjatë fjetjes.

“Frymëmarrja e ngadalësuar aktivizon zemrën dhe ia bën asaj shprehi kursimin e shpenzimit të oksigjenit. Zemra e personave që gërhasin përherë është e gatshme për situata të paparashikuara'', sqarojnë shkencëtarët.

Shkencëtarët mendojnë se veçanërisht pas moshës 65-vjeçare, gërhitja është shumë e dobishme.


G. Start

Monday, July 26, 2010

Greqi, 10 mijë shqiptarë kanë marrë nënshtetësinë greke

Eurostat: Për një vit katërfishohet numri i të huajve që kanë marrë nënshtetësi greke

Pak ditë më parë, Eurostat ka publikuar se 10 mijë shqiptarë kanë marrë nënshtetësinë greke, duke mos dhënë të dhëna të sakta se sa janë emigrantë shqiptarë dhe sa me kombësi greke.

Edhe pse janë dhënë me pikatore nga ish-qeveria konservatore e Karamanlis, sot qeveria Papandreu po bën përpjekje për të mbyllur njëherë e mirë këtë proces të tej vonuar, përballë opozitës së djathtë të kryesuar nga Samaras, që kërkon nga emigrantët se duhet të lënë nënshtetësinë e vendit të tyre.S hërbimi Statistikor i Bashkimit Europian ( Eurostat ) ka publikuar se numri i të huajve që kanë marrë nënshtetësinë greke është katërfishuar në krahasim me vitin 2007, ku kishin marrë nënshtetësinë greke 3.920 shtetas.

Statistika për vitin 2008
Për vitin 2008 numri i marrjes së nënshtetësisë është katërfishuar duke shkuar në 16.920, më saktë e ka marrë një në 1000 të huaj. Nga takimet e bëra me përfaqësues të emigrantëve, ministri i Brendshëm i Greqisë z. Ragusis ka theksuar se, të gjitha kërkesat e bëra nga emigrantët shqiptarë futeshin në “frigorifer”, ndërsa sot po bëhet përpjekje për dhënien e nënshtetësisë. Qeverisja e vendit nga partia “Nea Dhimokratia” me ish-kryeministrin Karamanlis bëri që ky vend te ketë numrin më të ulët për sa i përket dhënies së nënshtetësisë emigrantëve të ardhur nga vendet e treta. Faktikisht në 27 vende anëtare të BE-së, për vitin 2007 morën nënshtetësinë e vendit ku jetojnë dhe punojnë 707.110 të huaj, ndërsa për 2008 numri ra në 696.880 .

Statistika për Greqinë
Për 2008, emigrantët shqiptarë që kishin marrë nënshtetësinë greke zinin 59%, ose 9.996 njerëz, ndërsa 7.6% nga Gjeorgjia, dhe 4.9% nga Rusia. Pra, për këto vende bëhet fjalë për shtetas të huaj me kombësi greke edhe pse shërbimi statistikor nuk e sqaron plotësisht këtë, pasi vetkuptohet qartë.

Në vendet e tjera te BE
Vendet e tjera të BE-së ndryshe nga Greqia kanë një politikë më të qartë për integrimin e emigrantëve, duke e lënë Greqinë në vendin e fundit, edhe pse ka 30 vjet që është anëtare e bllokut. Emigrantët për nga numri më i madh që morën nënshtetësinë vinin: Maroku me 64.000 emigrantë, Turqia 50.000, Ekuadori 27.000, Algjeria 23.000 dhe Iraku 20.000. Në Rumani 89 për qind e emigrantëve që morën nënshtetësinë e këtij vendi ishin nga Moldavia, ndërsa në të kundërtën 68 për qind që kanë marrë nënshtetësinë hungareze janë rumunë. Në Bullgari, vendi ku nënshtetësia jepet shumë lehtë, 51 për qind që përfituan nënshtetësinë bullgare vijnë nga vendet e ish-Jugosllavisë, si Maqedonia etj.

Nënshtetësia përçan politikën vendase

Samaras: Emigrantët duhet të lënë nënshtetësinë e vendit të tyre

Nënshtetësia sa vjen dhe po bëhet një mollë sherri duke përçarë politikën vendase. Kryetari i opozitës z. Antonis Samaras i është rikthyer përsëri vendimeve të tija raciste me tonë të ashpra brenda Parlamentit, duke deklaruar edhe platformën e partisë së tij për emigracionin. Ai ka kërkuar që integrimi i emigrantëve të bëhet gradualisht dhe pa u nxituar deri në atë shkallë sa që mund të durojë shoqëria, ndërsa për fëmijët e emigrantëve ka theksuar se, “Jemi të detyruar që këtë ligj të PASOK-ut ta ndryshojmë kur “Demokracia e Re” (Nea Dhimokratia) të marrë pushtetin. Dhe angazhohemi qartë që tani për këtë. Fëmijët e emigrantëve të ligjshëm që lindin këtu do ta marrin të drejtën e nënshtetësisë kur të arrijnë moshën madhore. Mirëpo, që të ushtrojnë këtë të drejtë do të duhet të zgjedhin ndërmjet nënshtetësisë greke dhe nënshtetësisë së vendit të prindërve të tyre, dhe së dyti të kenë kryer arsimin nëntëvjeçar, që është i detyrueshëm edhe për grekët. Nëse fëmijët që do të marrin nënshtetësinë do të zhvillojnë një ndërgjegje komuniteti të ndryshme nga ajo e shoqërisë ku u rritën, këtu ka problem”.

Ministri i Brendshëm z. Ragusis
Vendimi I qeverisë për nënshtetësinë, vendim historik. Me gjithë presionet e opozitës për të rishikuar edhe njëherë vendimet për dhënien e nënshtetësisë, ministri i brendshëm Ragusis nuk bën asnjë hap prapë, duke patur parasysh se ky vendim mund te ketë edhe një kosto politike. Në një kohë kur edhe brenda partisë së tij ka element që ngurojnë të përqafojnë vendime te tilla. Lidhur me këtë kohët e fundit qeveria po bën takime te njëpasnjëshme me përfaqësues te emigranteve për të kërkuar mbështetjen e tyre. Në takimin e fundit me përfaqësues të komuniteteve të emigrantëve , në sallën e partisë së Pasokut, ministri i Brendshëm grek, Ragusis ka deklaruar se: “Qeveria nuk do të bëjë mbrapa në vendimin e vet, me gjithë presionet e opozitës. Nuk kemi për të bërë asnjë cm mbrapa. Besojmë vërtet te kjo që bëmë, besojmë se kjo do të ndihmojë Greqinë, të gjithë neve, do të krijojë një shoqëri të vërtetë, e do të jetë shumë më e mirë se sa kjo që është sot.

Ky regjim i papranueshëm i mungesës së rregullave, mungesës së parimeve, ishte një regjim i papranueshëm izolimi për qindra mijëra emigrantësh.
Por para dhënies së nënshtetësisë me mijëra emigrantë qëndrojnë sot të izoluar nga burokracia shtetërore të dikastereve për rinovimin e dokumenteve”.


SHPËTIM ZINXHIRIA, T. Observer