Sunday, January 31, 2010

ajiH

Hija rri e më vështron.

Ajo nuk ka mësuar ende të lodhet nga argëtimi që ndjen ndërsa më imiton, gjatë gjithë kohës. Ditën nën Diell, natën nën Hënë. Nuk përpiqet të ndryshojë asgjë, nuk ndjen mëshirë, por as krenari për mua ndërsa më vështron të përleshem tragjikisht me realitetin. Ajo kërkon vetëm të argëtohet duke më markuar hap pas hapi, shpresë pas dyshimi, detaj pas detaji, gënjim pas zhgënjimi !!!

Gjatë përpjekjeve të mia dështake për t'u divorcuar prej saj, e paradoksalisht në një çast malli për të, i përplasur pingul me një hënë plotë, hija e hijes në debulesë grishtëze psherëtin :

"Unë jam fatkeqësia e njerëzve 
ku ti nuk lejon diell, 
unë jam errësira 
që ti botës i sjell. 

Unë jam e do të jem pranë teje. 
Unë hije, Ti çadra ime. U
në nuk e duroj dot dritën, 
por ty të dua, madje shumë… 

Shumë më tepër se ata që të bëjnë ty, HIJE..."

Shkroi : Stop Injorancës http://www.facebook.com/NdalPaditurise2

Friday, January 29, 2010

Si u bënë shqiptarët kamikazë ?

Mos u habisni fare për këtë! Ndodhin transformime të mëdha brenda shpirtit të një populli dhe “kamikazllëku” është një ndër to dhe brenda nesh. A nuk i quajmë me këtë emër, përditë dhe disa herë në ditë, bashkëqytetarët tanë që mund të bëjnë gjithçka, po vetëm një gjë s’kanë mësuar ende: si të ngasin makinat.

Dhe kjo nuk do shumë mund për t’u shpjeguar. Problemi nuk qëndron te sjellja jonë që ja bën muuu, por te ndryshimi i saj. Ndërkohë që jemi në bisedime për të barazuar patentat shqiptare me patentat evropiane, nuk mund të mos bjerë në sy që ngarësit e makinave tek ne, vetëmse evropianë nuk mund të quhen. Ndoshta duhet vënë në dijeni qytetari italian që po barazohet me qytetarin shqiptar, se të paktën për ne shkon ajo thënia e tmerrshme: “Arma më vdekjeprurëse në botë është njeriu”.

Nëse do të bëjmë një tipologji të thjeshtë të ngarësit shqiptar, do të bindemi katërçipërisht se në vend që të japim patenta, duhet të heqim patenta; në vend që t’i barazojmë duhet t’i margjinalizojmë. Gjithçka tek ne ka pamjen e fasadës, dhe sado që pamja e patentave tona është e mrekullishme, asaj nuk i bashkëngjitet një përvojë rrugore po aq e mrekullishme. U desh përmbytja e rrugëve me gjak, që disa njerëzve të rëndësishëm të medias t’u hapeshin sytë për rrezikun potencial dhe real të makinizmit në Shqipëri. Dhe nuk bëhet fjalë për shoferët, se ata ende kanë ndonjë ndjesi për rrugën dhe njerëzit në rrugë, por për ngarësit e zakonshëm të makinave. Ndërkohë që targat e makinave kanë mbaruar edhe numri i viktimave është shtuar. Mjafton të kujtojmë se gjatë diktaturës u vranë në 40 vjet rreth 5000 vetë, ndërsa në 20 vjetët e tranzicionit vetëm në rrugë kanë humbur jetën rreth 7000 vetë, për të vënë alarmin jo tek ne, se ne nuk kemi veshë, po te të huajt, sidomos tek ata të huaj që po tregohen dashamirës me ne për punë patentash. Ndërkohë që duhet të thonë stop, ata vetë po shtojnë rrezikshmërinë për qytetarët e tyre, duke lejuar një masë njerëzish që vetëm të marrë mund të quhen, të ngasin auto-bombat e tyre në territore evropiane, ndërkohë që duhen izoluar njëlloj siç bëhej dikur me të sëmurët me murtajë.

Le t’i kthehemi tipologjisë ngarëse, se ajo edhe pse në terma letrarë e deskriptivë, përsëri mund të shpjegojë shumëçka. A nuk jemi ne që ndalojmë makinën në mes të rrugëve tona të projektuara vetëm për mushka, për të bërë një dorë muhabet me baxhanakun e dajës, sepse na ka marrë shumë malli për të, ndërsa radha e makinave prapa bëhet e pamasë. Dhe nëse dikush i bie borisë i nervozuar, ata që kanë ndaluar dalin si bllok nga makina në mënyrë kërcënuese, sa ta ngrijnë buzëqeshjen në buzë. A nuk na ndodh në rrugët tona, që sapo parakalon dikë me shpejtësi normale, ky të riparakalon me shpejtësi anormale, për të ndaluar vetëm pak sekonda pas parakalimit gjithë tym në një kthesë aty pranë, dhe pikërisht përpara syve tuaj të terrorizuar që nuk e kuptojnë dot përsenë e gjithë këtij raptus-i.
A mund të shpjegojë dikush përse tek ne dhe vetëm tek ne makinat janë të gjitha homoseksuale. Ato të ngjeshen në prapanicë edhe kur je me 1 km në orë dhe kur je me 100 në orë. Ndërsa duhej të rrinin larg teje 1 metër për çdo kilometër shpejtësi. Nëse të takon të kthehesh apo të bësh ndonjë manovër, mundësia nuk ekziston se ndërkohë je ngushtuar kaq shumë dhe të tjerët pas teje janë ngushtuar edhe më shumë, sa e vetmja rrugëzgjidhje është të bësh atë çka duan të ndërkryerit dhe jo ti që ke hallin. Si shpjegohet që kur një mori makinash janë në radhë, një mori tjetër makinash i bie anash teje me shpejtësi marramendëse, dhe mbi të gjitha si shpjegohet që këta ikin në punë të vet duke kaluar nga krahu i kundërt, ndërsa ti pret edhe më shumë në radhë. Kush është në gjendje ta shpjegojë se përse në çdo orë të ditës dhe të natës poshtë pallatit tënd dhe brenda veshit tënd, mijëra njerëz u bien njëkohësisht mijëra borive, madje dhe kur është polici në semafor, a thua se njerëzit janë elefantë që merren vesh me njëri-tjetrin me bori? A thua se mjafton akti kërcënues i borisë për të zgjidhur problemin rrugor? Vetëm ideja që njerëzit i bien borisë në zona të banuara, duhet të mjaftonte për këdo që ne nuk kemi asnjë të drejtë të quhemi evropianë. Po ky është diskutim i gjatë dhe në këtë pikë patriotizmi fals mund të fitojë debatin, ndaj le të shkojmë më tutje.

Nëse jemi katilë me veten, përse duhet të jemi katilë me fëmijët, që i mbajmë tërëplotësisht në sedilen e parë dhe të palidhur me rrip. Nëse do të numërohen kokat e fëmijëve që shihen jashtë dritares së makinës, do të duhej të kishte me dhjetëra dorëheqje të krerëve më të lartë të Policisë Rrugore. Por këta s’mund të bëhen me faj. Gjithë ditën e lume u rrinë para-prapa pushtetarëve, duke u hapur rrugën; detyrë që e kryejnë me zell të madh dhe me saktësi të habitshme. Dhe gjithashtu janë tatimorët më të çuditshëm në botë, sidomos kur shpallin fushatën e gjobëvënies, kur shqetësohen më shumë për rripin e pavënë, kur janë të dypunësuar si taksistë të paliçensuar, dhe të trepunësuar kur i shërbejnë mafies së karroatrecëve. Ka muaj kur numri i gjobave e tejkalon atë të muajit pararendës, ndërkohë që në sjelljen tonë rrugore nuk ka ndryshuar asgjë.

Ndërsa dasmorët shqiptarë janë dasmorët më ekstremistë në botë. Ata përgjithësisht bllokojnë rrugët tona dhe trupat e tyre përgjithësisht gjenden jashtë dritareve. Janë të gjithë të gëzuar që po atë natë, dikush mund të humbë ligjërisht virgjërinë. Dhe me këtë rast, na bëjnë të gjithëve pjesë të të njëjtit gëzim. Vetëm se ne nuk dalim nga dritarja për shkak se këtë punë mund ta kemi kryer kohë më parë. Por jo se nuk jemi të gëzuar.

Sa herë ju ka rënë rasti të prisni me minuta të tëra derisa një femër të parkojë makinën në një vend ku mund të parkohet edhe një kamion?

Nëse nuk ju ka rënë rasti, si duket nuk jetoni në kërthizë të Shqipërisë. Por do keni rast ta shuani kuriozitetin tuaj. Cili është ai institucion që lëshon patenta për detonatorë të tillë? Hajde merre vesh. Dhe mbi të gjitha, përse kur dikush është në vështirësi në rrugë, ndihma jonë e përnjëhershme është shtypja deri në dërrasë e borisë. Psikologët thonë që kjo e ndihmon njeriun të kthjellohet. Edhe kinezët e thonë: “turbullohu se kthjellohesh”. Përse njerëzit mësojnë në autoshkolla gjithë ato gjëra që në jetën tonë as janë parë as janë dëgjuar, si p.sh. tabela e kafshëve të egra ose ca të tjera edhe më të çuditshme. Pjesa më e madhe e njerëzve që ecin në rrugë kundratabelë janë nevrikë patologjikë. Këshilla e përgjithshme është të mos kundërshtohen atypëraty. Mund të shkaktojnë dëme të pamatshme. Shajini pasi të jenë larguar të paktën 25 kilometra. Në këtë pikë është e sigurt që nuk ju dëgjojnë. Ti që je në rrugën tënde nuk arrin të inatosesh dot aq shpejt dhe aq fort sa ata që të kanë zënë rrugën dhe të detyrojnë ty të ecësh mbrapsht si zgjidhja më efikase dhe më evropiane.

Është një fakt i pamohueshëm që qytetari këmbësor të falënderon kur i hap rrugën. Ai i shkreti preket nga ky gjest kalorësiak prej Mesjete. Por ja që Mesjeta nuk ka qenë krejt e keqe.

Po ç’ndodh në rrugët tona kur bie shi?
Jo nuk bëhet fjalë për përmbytjen, por për çmendjen e makinave, jo të njerëzve kuptohet. Sa herë që bie shi, bie çmenduri. Makinat ecin me shpejtësi edhe më të madhe. Ka edhe më shumë makina në rrugë, se askush nuk do të laget. Po kjo dihet. Ajo që nuk dihet është se përse ngarësit e makinave shkruajnë mesazhe në celular. A nuk mund të mjaftoheshim vetëm me të folmen e paligjshme telefonike? Jo, pa tjetër duhet kthyer përgjigje në celular, madje me humor. Ndërsa në orët e vona të natës, të gjithë të pasionuarit pas Formula 1, mund të kënaqen me spektaklin e ofruar. Semaforët nuk respektohen, dhe kjo është e keqja më e vogël. Shpejtësia e ofruar është mbresëlënëse.

Veturat që shkaktojnë më shumë kaos në rrugët tona janë ato me targa CD. Ato nuk pyesin për asnjë lloj rregulli, sidomos kur i ngasin jo të huajt. Pastaj në vendin e dytë janë furgonët e shpërndarjes së mallrave. Ata janë pronarët e vërtetë të rrugës. Ata mund të ndalojnë kudo dhe kurdo. Dikur ishte një fjalë, “i plotfuqishëm i lagjes”. Mund të përdorim rishtas për këtë kategori, që për më tepër nuk i ka as makinat personale. Pastaj vijnë motorinot e picave dhe ata motorët që bëjnë zhurmë më shumë se sa tankset e komunizmit. Këta janë si elektronet e lirë brenda atomit. Në radhë vijnë taksistët që kanë një marifet të jashtëzakonshëm. Ata i fitojnë gjithmonë betejat rrugore, me këdo. Hunda e makinës së tyre është më e shpejta në botë. Fuoristradat prepotente nuk do t’i përmendim. Me ato nuk ja vlen të kruhesh. As policët nuk e bëjnë. Pastaj, në radhë menjëherë vijnë të gjithë këmbësorët. A duhen patentuar këmbësorët? Po! Të gjithë! Këmbësorët janë shkaku kryesor i trafikut qytetës. Ata ecin vend e pa vend. Ata nuk e duan jetën. Ata janë më të rrezikshëm se sa makinistët. Ata janë kandidatë për vetvrasës. Dhe pikërisht këtu ndodh, që fillon kundërshtimi me idenë. Por nuk duhet kundërshtuar ideja, duhet kundërshtuar realiteti. Ai është i hidhur, jo ideja.

Pra, rreziku nuk janë ata të shkretë që tashmë e kanë kryer gjakderdhjen, por ajo masë qindra mijëshe që janë në listë pritjeje. Kjo masë eksplozive duhet ndaluar. Në mos nga ne, nga ata që hanë paret e Evropës dhe këndojnë këngën tonë. Nuk mund të pajtohemi me mendësinë e një vendi ku një njeri kushton më pak se sa një tabelë. Zgjidhjet janë shumë të lehta e të shpejta. Mjafton të bëhet pyetja si i bëhet hallit. Kryesorja është të kujdesemi të gjithë, këto ditë, për makinat me targa të huaja. Ata që i ngasin janë në rrezik. Edhe ne të tjerët.


Erion Kristo
http://saktivista.blogspot.com/

Alo !

Dal nga shtëpia me nxitim. Si zakonisht, i zgjuar me vonesë për në punë. Më duhet një justifikim i ri, e mendja pjellore nuk tradhëton. Xhinset vesh vetëtimthi, por nuk po më rrinë ngushtë, ashtu si rrobat e lara e kanë zakon.

Pasi kam përshkruar një pjesë fort të mirë të rrugës, kontrolloj xhepat dhe vë re mungesën e portofolit. Duke llogaritur trafikun, jam tmerrësisht vonë dhe nuk kam kohë të kthehem për të ngjitur edhe shkallët e gjata të pallatit, ku ashensori si lapidar qëndron. Gjithsesi nuk ka problem, kafen ma ofron kompania, ndërsa tek ngrënia e mëngjesit ia lejoj vetes ta bëj një ditë pushim. Kërkoj telefonin për të parë orën, por këtu shtangem..."KAM HARRUAR TELEFONIN" !

Pa telefonin jam i mbaruar. Pa telefonin nuk mund të komunikoj. Pa telefonin askush nuk më gjen dot. Pa telefonin nuk mund të pyes prindërit për shëndetin e tyre. Pa telefonin, të duket vetja si i humbur në mes të rrëmujës së një metropoli.

Po si dreqin ai arriti telefoni të bëhet kaq i domosdoshëm për jetën time.!


Oksigjen, azot, telefon... E çuditshme sepse edhe më parë kur telefoni celular nënkuptonte ndonjë sheik arab, apo ndonjë biznesmen me maune doganash, ne sërish jetonin, madje jo keq.
Rrufeshëm nisem për në shtëpi për të marrë telefonin dhe duke ngjitur shkallët e veshura me thërrmija buke të shkundura nga gratë nikoqire, mendoj : 
                                                           "Si do të ishin vallë 100 ditë pa telefon"?

- Besoj se njerëzit do fillonin tu gëzoheshin rastësive. Jeta do niste tu dhuronte më tepër surpriza, si nga ato të kripurat, por edhe nga ato pa kripë. Askush nuk do detyrohej të hynte në tualetet e bareve për të gënjyer. Njerëzit do fillonin ti riktheheshin zbatimit me korrektësi të orareve dhe gjatë takimeve do nisnin ti përkushtoheshin njëri-tjetrit. Do të shmangej vëmendja nga mundësitë joshëse të telefonave, lojëra, bluetooth, mp3, radio etj.
Nuk do të uleshim përballë njëri-tjetrit, prej kushedi prej sa kohësh pa u parë, veçse për të ndarë bashkë një tavolinë e duke e shpenzuar kohën për të dhënë shpjegime profesioni, shefit në telefon. Askush nuk do të vuante mankthin e rënies së baterisë. Rrjedhimisht askush nuk do dyshonte se fakti që nuk ke bateri në telefon, nënkupton domosdoshmërisht që je duke kryer një tradhëti, apo duke refuzuar një komunikim.

Meshkujt do të rigjenin guximin për të folur sy ndër sy me femrat, për tu lidhur apo ndarë. Femrat e të gjithë bashkë do të shpëtonin nga telefonat anonime të njerëzve lepuj. Të dashuruarit do rinisnin të fishkëllenin melodi nga më fisniket, poshtë ballkoneve, apo dritareve ku një perde gjithmonë valëvitet.
Fjalia, "Do të të marr në telefon" do ti kthente fronin fjalës hidhërisht të bukur, fjalës "Lamtumirë".
Do të ishte më e lehtë për të kuptuar se kush është ai që flet me veten dhe kush flet me kufje. Do të shpëtonin nga marketingu i dhunshëm nëpër media i kompanive telefonike, gjithashtu nga ofertat e tyre qesharake. Për festa e përvjetore njerëzit do denjonin të zhgarravisnin kartolina, duke humbur luksin e dërgimit të një mesazhi formal.

Ndoshta njerëzit do të dukeshin më shumë njerëz, ndoshta.

E kështu pas 100 ditësh pa telefon dore, me paratë e kursyera çdokush mundet ti bëj një dhuratë, cilitdo që ia do zemra... Por, mos harroni, Kompania e fuqishme e kërkimit në internet ka hedhur në treg telefonin më të ri, G-Phone.

Hap derën, rrëmbej telefonin dhe shoh tre telefonatat e humbura nga numri i zyrës. Mirëmëngjes dhe një ditë të mbarë të rutinës së përditshme.


Shkroi dhe përgatiti: Stop Injorancës http://www.facebook.com/NdalPaditurise2

“Green Albania”

Ndotja ambientale është tashmë një problem global. Vështirë që të gjesh një vend të botës, i cili të mos jetë prekur nga kjo dukuri. Sigurisht, më të prekura janë vendet që kanë një ekonomi industriale të zhvilluar apo ekspansion të dukshëm, por njëkohësisht dhe ato që kanë një mungesë të theksuar të politikave serioze në fushën e mbrojtjes ambientale.

India dhe Kina janë dy nga shtetet kryesore me qendrat më të ndotura urbane në botë. Gjithashtu, Pekini dhe Nju Delhi kanë qenë për shumë kohë dy nga qytetet më të ndotura në botë. Por është fakt se ato kanë marra masa drastike për uljen e ndotjes, që vazhdon të jetë e madhe. Nju Delhi ka të paktën 10 vjet që lufton në këtë drejtim, kurse Pekini i detyruar dhe nga zhvillimi i olimpiadës filloi të merrte masa serioze këto dy vitet e fundit dhe duket se ka gjasa për ta vazhduar këtë nismë dhe në të ardhmen. Po në të njëjtën rrugë kanë ecur dikur dhe qytete si Tokio e Los Anxhelosi, të cilat në atë kohë ishin ndër më të ndoturat dhe që tani, falë politikave të drejta, janë kthyer në qytete me standarde të larta për sa u përket masave ndaj ndotjes.

Solla si shembull qytete që janë apo ishin vërtetë të ndotura, por që njëkohësisht si alibi të tyre mund të paraqisnin faktin se ishin dhe ndër më të industrializuarat.

Kurse në Shqipëri kjo alibi nuk mund të mbajë, të paktën në rastet e gjykimit me standardet morale e profesionale të një gjykate evropiane, sepse ne sado që po përpiqemi, ende nuk mund të themi se jemi një vend i industrializuar në kuptimin klasik të fjalës (dhe kjo nuk është domosdoshmërisht një gjë e keqe).

Kjo do të thotë se nuk mund të shfajësohemi dot, pasi është shumë e vështirë që një vend jo i industrializuar të ketë ndotje të madhe ambientale. Shqipëria duket se përbën një përjashtim, me një “Guiness” të saj të ri për një çështje jo të re. Nëse do të ekzistonte një libër “Guiness” për rekorde shtetesh, me siguri që “Shqipja” do të mbante vendin e parë me një distancë shumë të madhe nga shteti i dytë.

Në rastet e problemit të ndotjes përgjegjësia është jo vetëm e njerëzve, qytetarë apo fshatarë të një vendi, por kryesisht faji bie te organet e pushtetit qendror, por dhe të atij lokal (komunat, bashkitë).

Duke folur për këtë të fundit, ndoshta dikujt mund t’i duket e çuditshme lidhja që ekziston mes drejtimit të një bashkie dhe nivelit të ndotjes në një qytet.

Kjo, meqë sipas shumë njerëzve, ndotja shkaktohet kryesisht nga makinat.

Por ky fakt nuk ka pse të duket krejtësisht i saktë, sepse i tillë nuk është.


Për të ulur nivelin e ndotjes në një qytet nuk duhen marrë masa vetëm në fushën e mjeteve motorike dhe në fushën e industrisë, por dhe në të tjera që prekin pushtetin vendor si p.sh. ndërtimi i objekteve të banimit.

Ndotja nga automjetet

Është folur gjatë për masat që duhen marrë në fushën e mjeteve motorike, për të bërë të mundur uljen e ndotjes. Ka pasur nisma si: ndalimi i importit të makinave të amortizuara, rritja e doganës për makinat e vjetra etj. Edhe në këtë fushë mbetet ende shumë për t’u bërë. Për të sjellë një shembull konkret mund të përmendim të famshmit “Dum-Dum” kinezë, të cilët nuk plotësojnë normat më minimale të standardeve ekologjike evropiane dhe që “kanë për borxh” ta obskurojnë të gjithë zonën ku kalojnë me tymin e zi që del nga marmitat e tyre kineze. Ato “monstra me rrota” nuk krijojnë më pak ndotje vizive, akustike dhe ambientale se oxhaqet e fabrikave me qymyr të shekullit të 19-të. Këto “gargalloma” veç Shqipërisë mund t’i gjesh vetëm në disa vende të Afrikës dhe Azisë.

Të tilla “makineri vrasëse” nuk lejohet të qarkullojnë në asnjë shtet të Evropës.

E njëjta masë duhet marrë dhe nga shteti ynë, për të mos u etiketuar gjithmonë ne si “delja e zezë” që qëndron në çdo rast e situatë jashtë vathës. Po të njëjtat “cene” kanë dhe shumë autobusë e kamionë në vendin tonë. Të gjitha këto mjete duhet të vendosin filtra të posaçëm, të certifikuar nga BE-ja. Kjo duhet të bëhet vetëm në rastet kur gjykohet se vendosja e filtrave në këto mjete do ta eliminonte problemin, në të kundërt duhen marrë masa të tjera. Edhe pse dikush mund të dëmtohet ekonomikisht nga këto nisma, në dukje të rënda, përfitimi që do të arrihej do të ishte shumë më i madh sesa humbja.

Do të përfitonin shumica e njerëzve, të cilët aktualisht janë vuajtës pasivë për shkak të gjendjes së degraduar në të cilën ndodhen këto lloj mjetesh të lëvizshme.

Do të uleshin dukshëm sëmundjet e zemrës, tumoret, ato të rrugëve të frymëmarrjes, shpenzimet nëpër spitale e klinika shtetërore apo private.

Njerëzit do të gëzonin shëndet më të mirë, do të ishin më aktivë, do të ulej stresi (sepse ndotja ndikon drejtpërdrejt në krijimin e tij) dhe ata do të ishin më të lumtur e më optimistë për jetën. Do të kishim qytete më të jetueshme nga ana ambientale, gjë që do të çonte në rritjen e standardeve të jetesës. Qytetet tona do të ishin më të frekuentuara nga turistët, sepse dihet që sa më i ndotur të jetë një qytet, aq më e vogël është dëshira për ta vizituar.

Ndotja industriale

Gjithashtu, në fushën industriale, problemet që mund të sjellë ndotja janë të mëdha.

Në Shqipëri janë ndërtuar e po ndërtohen objekte industriale më vlerë të konsiderueshme dhe me një fuqi prodhimi relativisht të madhe.

Por vallë a janë marrë masat e duhura nga këto kompani për të pasur parametra evropianë në fushën e sigurisë ambientale, gjë që do t’i bënte këto biznese të mos konsideroheshin si “armike” të ambientit dhe njerëzve.

Në të vërtetë, është fakt se shumë kompani, si në fushën e prodhimit të tullës, gëlqeres, çimentos, çelikut, nxjerrjes së gurëve, kromit, bakrit etj. nuk i respektojnë si duhet normat e sigurisë ambientale dhe, mbi të gjitha, as nuk kanë infrastrukturën e nevojshme për ta bërë këtë gjë.

Gjithashtu, ndotja industriale ka ndikuar dhe në ndotjen e tokës bujqësore, pasi mbetjet që depozitohen në tokë si mungesë e atyre “Landfill” të posaçëm për këto lloj mbetjesh kanë sjellë dhe dëmtimin e madh të tokave, dhe jo vetëm tokat kanë pësuar dëmtim por edhe ujërat.

Sikur këto kompani të ushtronin veprimtarinë e tyre në një shtet çfarëdo të Bashkimit Evropian, duke parë gjendjen në të cilën ato ndodhen, do të ishin mbyllur e gjobitur menjëherë, si moszbatuese të ligjeve për mbrojtjen e ambientit dhe si rrezikuese të jetës së njerëzve, kafshëve e bimëve.

Kam dëgjuar për raste të largimit të punonjësve nga këto lloj fabrikash për shkak të komplikacioneve shëndetësore që po hasnin. Këta njerëz që kishin moshë relativisht të re, para këtyre komplikacioneve gëzonin një shëndet shumë të mirë, gjë që na lë të kuptojmë se situata në këto zona industriale është me të vërtetë e rëndë.

Dhe pse nuk ka lidhje me këtë pikë, gjejmë rastin t’u bëjmë thirrje shtetasve që të mos presin pemët pa leje, pasi ato janë një pasuri e madhe që nuk kthehet lehtë prapa nëse e ke humbur një herë. Edhe përmbytjet e ndodhura këto kohë kanë në njëfarë mënyre lidhje me prerjen e pemëve, pasi ato thithin ujëra nën dhe mbitokësore, duke ulur rrezikun e përmbytjeve. Ato gjithashtu parandalojnë erozionin dhe më kryesorja, ato kontribuojnë ndjeshëm në uljen e ndotjes. U bëjmë thirrje strukturave shtetërore që të rrisin ritmet e zbatimit të planit për mbjelljen e pemëve të reja dhe për rritjen e kontrolleve për ruajtjen e pyjeve dhe realizimin e masave shtrënguese ndaj shkelësve.

Ndotja akustike

Një nga llojet e ndotjeve më shqetësuese, por dhe më të pavlerësuara deri tani është ndotja akustike. Në vendin tonë ndotja akustike është në nivele të mëdha. Ajo, përveç kësaj, paraqitet në forma të ndryshme, jo vetëm si pasojë e zhurmave që vijnë nga lokalet, si pub-e e disko, por dhe si pasojë e veprimit të papërgjegjshëm të individëve të caktuar.

Nuk është e rrallë të dëgjosh një “buçimë borie makine” në pikun e drekës ose në mesin e natës poshtë pallateve dhe kjo “muzikë e ëmbël” mund të zgjasë me orë të tëra.

Më kanë treguar për një rast në Athinë, ku një individ ishte ndaluar dhe shoqëruar në një komisariat policie, sepse i binte borisë së makinës në mënyrë të pandërprerë për faktin se i kishin zënë rrugën. Edhe pse në parim ai kishte të drejtë, kjo e drejtë e tij mbaroi që nga momenti kur shkeli atë të një shumice.

Ndotja e zonave turistike dhe bregdetit

Që nga Velipoja deri në Sarandë edhe ndotja e ndotja e zonave bregdetare, ashtu si në çdo zonë të vendit, është një problem kronik këto 20 vitet e fundit. Për hir të së vërtetës, kontrolli para viteve ‘90 ka qenë shumë më i madh nga ana e strukturave dhe ndoshta dhe ndërgjegjësimi i shtetasve po i tillë.

Çudi, sa shpejt kemi ndryshuar ne, duke qenë se po ata shtetas që në ato vite kishin kujdes ku të hidhnin mbeturinat, janë sot shkelësit më të flaktë të normave të pastërtisë ambientale. Rëndom shikon njerëz duke hedhur nga makina qese, letra, mbetje ushqimore etj. Kjo nuk ndodh vetëm në zonat bregdetare ose në udhëtim e sipër, por dhe brenda qyteteve.

Ne jemi, sipas statistikave, ndër vendet me ndotjen më të madhe bregdetare në Evropë.

Ende nuk kemi kolektorë të ujërave të zeza dhe në qytete bregdetare ato hidhen në det. Shenjë e mirë ishte ndërtimi i një kolektori në një zonë turistike dhe pse jo bregdetare, bëhet fjalë për Pogradecin. Urojmë që sa më shpejt qeveria dhe pushteti vendor në bashkëpunim të realizojnë ndërtimin e tyre në gjithë zonat bregdetare dhe turistike në përgjithësi.

Problem i madh është dhe mungesa e kazanëve të plehrave në disa zona turistike si dhe strukturave që do rë merreshin me pastrimin e tyre. Konkretisht, nga Orikumi deri në Llogora e poshtë në Palasë nuk ka kosha plehrash dhe njerëzit i hedhin plehrat nëpër gryka malesh, humnera, nëpër hone, gropa etj. Duket shaka, por është e vërtetë. Unë këtë e kam konstatuar personalisht pasi i frekuentoj ato zona gjatë të gjitha stinëve të vitit. Deri këtë verë, anës rrugës që të çon te plazhi i “Rrugëve të Bardha” afër Palasës kishte një “kodër” me plehra, të cilat lëshonin një kundërmim të tmerrshëm nën efektin e vapës së gushtit. Dhe meqenëse ai plazh është shumë i frekuentuar dhe nga turistë të huaj, merreni me mend çfarë kartoline mirëseardhjeje u rezervohet.

Më e keqja është se në shumë raste, në pamundësi për të gjetur gropa a humnera, banorët e zonave përreth i djegin, duke krijuar re tymi të zeza që pushtojnë horizontin.

U lutem strukturave përkatëse që të marrin masa urgjente për ndryshimin e gjendjes në këto zona që kanë një bukuri aq të veçantë sa me të do të krenohej çdo shtet i botës.

Duket se ne nuk dimë ta vlerësojmë të bukurën ose thjesht nuk e kuptojmë si koncept.

Ndotja ndërtimore

Jo më pak problematike është dhe situata në fushën e ndërtesave të banimit dhe ndërtimit në përgjithësi. Kjo, sepse për të ndërtuar një objekt (në Tiranë p.sh. ka një boom të jashtëzakonshëm ndërtimesh) nevojiten materiale ndërtimi, të cilat transportohen nëpër qytet dhe që mund të shkaktojnë ndotje të rrugëve e ajrit, nëse nuk merren masat e duhura. Po të dalësh në këmbë nëpër Tiranë, do të konstatosh se rrugët janë të mbushura me pluhur dheu. Kjo do të thotë se shkaku i ndotjes së këtyre rrugëve është derdhja e mbetjeve inerte dhe materialeve të ndërtimit, ose maksimumi transportimi i pluhurit dhe baltës nga rrugët që kanë ngelë ende të pashtruara në Tiranë.

Në një intervistë para disa kohësh, një nga përfaqësuesit e Bashkisë së Tiranës pati deklaruar se do të merreshin të gjitha masat e nevojshme për të parandaluar ndotjen e ambientit nga mjetet që përdoreshin për transportin e materialeve ndërtimore. Sipas tij, mjetet do të kontrolloheshin nëse i kishin pastruar gomat kur kishin dalë nga objekti ose kishin marrë masat për mosrrjedhjen e materialeve të ndërtimit dhe mbetjeve inerte jashtë kamionit në kohën që i transportonin nëpër rrugët e kryeqytetit. Gjithashtu, do të kontrollohej dhe zbatimi i parametrave ambientalë nga ana e ndërtuesve.

Sipas Bashkisë së Tiranës, këto masa dhe shumë të tjera që do të ndërmerreshin, do të çonin në uljen e nivelit të ndotjes për shkak të veprimtarisë ndërtimore në qytet.

Ka kaluar më se një vit nga këto deklarata dhe asgjë nuk është bërë në këtë drejtim.

Është fakt se nuk ka një kontroll të transportimit të materialeve të ndërtimit ose mbetjeve inerte dhe e zbatimit të kushteve në objektet e ndërtimit për të parandaluar ndotjen ambjentale. Kjo është një kompetencë direkte e strukturave të Bashkisë së Tiranës, e cila nuk po e ushtron. Dihet mirë rëndësia që ka kontrolli që duhet të ushtrojë bashkia në fushën e ndërtimeve, e cila është më e zhvilluara nga gjitha bizneset në kryeqytet.

Duke qenë, pra, dega më e zhvilluar, probabiliteti që ky lloj biznesi të sjellë pasoja për ambientin dhe si rrjedhojë dhe për njerëzit, është real dhe i madh, nëse nuk merren masat e nevojshme për t’i shmangur. Kjo kërkon një seriozitet dhe kompetencë maksimale nga ana e strukturave të Bashkisë së Tiranës, për të parandaluar dëmtimin e shëndetit të banorëve. Për sa kohë këto ide do të ngelin vetëm në letër ose në eter dhe nuk do të përkthehen në veprime e masa konkrete, ato do të kenë vetëm emrat që meritojnë:

Demagogji! Papërgjegjshmëri! Inkopetencë!


NGA ENEA SHERIFI, G. Standart

"60% e të dhunuarve kur rriten, kthehen në agresorë

Pedofilia është një fenomen i përhapur edhe në vendin tonë. Por, ajo që i jep më tepër rëndësi është kujdesi për këta fëmijë me të cilët abuzohet. Nëse ata nuk trajtohen si duhet, arrijnë të bëhen vetëm individë të shoqërisë por jo persona të saj sepse do jenë përherë problematikë.

"Ne jemi vend pedofil, pedofilia është kudo, por në Shqipëri është më e pafajshme pasi ne jemi të pavetëdijshëm, është instiktive në krahasim me Perëndimin, ku pedofilia është e vetëdijshme. Për këtë çështje është folur që në lashtësi, i pari ka qenë filozofi i Greqisë së vjetër, Sokrati, por më pas edhe Platoni", - ka sqaruar psikologia Gjika. Sipas saj, pedofilia para viteve '90 nuk është parë si një marrëdhënie që kishte të bënte me seksin, por me çështje pushteti. Ndërsa në vitet e tanishme ka penetrim tek fëmijët. Ajo ka sqaruar se "mbas '90-ës ka penetrim tek fëmija, edhe tek foshnjat tremuajshe, e shqyejnë fëmijën dhe kënaqen me faktin se ata vuajnë, kënaqen me dhimbjen dhe ulërimat e tyre. Në Shqipëri jemi në stadet instiktive, nuk ka shumë raste abuzimi tek fëmijët e vegjël dhe në këto mosha nuk ka penetrim, por mund të jenë raste që i lyejnë me spermë. Ndërsa tek fëmijët që janë më të rritur, ka dhe raste penetrimi. Them i kemi instiktive, duke u nisur prej faktit se ne i puthim shumë fëmijët, ose dhe i kafshojmë. Ka raste që nëna thotë: "Të hëngsha rrushin", janë shprehje që tregojnë eksitim të pakontrolluar duke i mohuar fytyrën fëmijës. E fikson në organ të parriturin, jo në fytyrë e kjo ka të bëjë me gjininë, por jo me qenien. Sipas saj, 60 % e fëmijëve kalojnë eksperienca në mosha te brishta. Numri i abuzimeve me fëmijët është shumë i madh sepse në vendin tonë mungojnë statistikat.
Por në Shqipëri, Gjika sqaron se nuk hyn si objektin e tyre për të kënaqur perversitetet dhe nevojat e tyre seksuale. "Pedofilia në vetvete nuk është një marrëdhënie seksuale edhe pse kryhet marrëdhënia e aktit seksual, por është marrëdhënie pushteti, është dominimi i një objekti, edhe fizikisht dhe emocionalisht. Sepse një pedofil, fëmijën e konsideron objekt dhe do ta pushtojë. Këta janë persona të paaftë që duan vetëm të marrin, e dinë edhe vetë që kjo është e keqe dhe nuk e pranojnë, por e mohojnë.

Këta persona nuk kanë shenja dalluese, janë qytetarë të zakonshëm, mund dhe të jenë zotërinj të nderuar.

Por ata duan vetëm të marrin nga tjetri, kërkojnë të përfitojnë nga këto mënyra të frikshme eksitimi, janë persona pa identitet, ngelen në identitete bazike, kanë probleme psiko-emocionale". Ndërsa për sa i përket pasojave që kanë viktimat, ajo thekson se fëmijët me të cilët është abuzuar, do kenë përherë probleme nëse ata nuk do trajtohen për një kohë të gjatë nga specialistë. "Një fëmijë me të cilin është abuzuar, ngelet problematik. Kryesisht mundohen ta harrojnë, ta heqin nga memoria, por sërish në psikikën e tyre mbeten kujtime. Kur të rriten, këta fëmijë do krijojnë lidhje problematike, nuk do arrijnë të bëhen persona, mund të bëhen individë, por nuk janë të përgjegjshëm, gjë që nuk i bën persona. Thelbësore është respekti i njeriut me njeriun, nuk duhet t'i shohim këta fëmijë si viktima, por ne duhet t'i mbrojmë e të kujdesemi për ta në mënyrë që ta kapërcejnë traumën. Specialistët duhet t'i ndihmojnë dhe nevojitet një trajtim specifik tepër i gjatë", - ka specifikuar psikologia Elira Gjika.

Sipas saj, nga një studim amerikan tregohet se 60 për qind e fëmijëve që dhunohen, kthehen në dhunues nëse nuk bëhet trajtimi i duhur i tyre. "Në një studim të Anna Salter, 'Predatorët', botuar në 2003-in, thuhet se 60 për qind e fëmijëve me të cilët është abuzuar, do kthehen në dhunues", - ka sqaruar Gjika. ka raste të shumta të abuzimeve me foshnja apo fëmijët e vegjël 1-5 vjeç, abuzimet më të mëdha janë në moshat mbi 10 vjeç, kur ka pjekje seksuale, por që fëmija nuk është i vetëdijshëm për seksualitetin e tij. Ajo sqaron se pedofili e kthen fëmijën në objekt të dëshirave dhe eksitimeve të të rriturve, objekt seksual i të rriturit.

Pedofilia, në pesë vite, 222 abuzues seksualë me të mitur.
Ermelinda Hoxhaj, G. Shqiptare