Tuesday, February 2, 2010

Prezenca jote është dhuratë për këtë botë

Një dozë e mirë autostime për këtë fillim jave.

Ti je unik dhe i veçantë.

Jeta jote mund të jetë ajo që ti e dëshiron.

Çdo ditë jetoje si të veçantë.

Numëro arritjet, jo problemet.

Do t’ja dalish mbanë pa marrë parasysh se çfarë problemi të të del para.

Brenda teje ka shumë përgjigje.

Kupto, ki guxim, ji i fort.

Mos vendos limite në veten tënde.

Shumë endërra janë në pritje për tu realizuar.

Vendimet janë shumë të rëndësishme për t’ja lënë rastit.

Arrije qëllimin dhe çmimin, që e meriton.

Asgjë nuk harxhon më tepër energji se sa kur mërzitesh për diçka.

Sa më gjatë që e mban një problem, aq më i madh dhe më i rëndë ai bëhet.

Mos i merr gjërat shumë seriozisht.

Jetoje jetën e kthjellët, e jo me pendime.

Mbaje mend se një dashuri e vogël shkon nëpër rrugë të gjata.

Mbaje mend se dashuria e madhe…shkon në rrugë…të përjetshme.

Mbaje mend se shoqëria është investim i mençur.

Pasuritë e jetës janë njerëzit…sëbashku.

Kuptoje se asnjëherë nuk është vonë.

Bëji gjërat e zakonshme në mënyra të pazakonshme.

Ki shëndet dhe shpresë dhe lumturi.

Ndaj pak kohë për të menduar një dëshirë.

Dhe asnjëherë mos harro…

As edhe një ditë…

Se sa special/e je.


Forumivirtual.com

Vdes pacientja, pezullohen mjekët

Vdekja e një pacienteje 58-vjeçare në QSUT dhe akuzat e familjarëve për neglizhencë nga bluzat e bardha, u bënë dje shkak për pezullimin nga detyra të dy mjekëve. Ngjarja ka ndodhur paraditen e djeshme.

Pas vdekjes se Drita Gixharit, 58 vjeçe, familjarët e saj denoncuar në komisariatin numër 4 mjekët e spitalit për neglizhencë dhe mosdhënien e mjekimit të duhur. Ndërkohë, pritet që autopsia mjeko-ligjore të përcaktojë shkakun e vërtetë të vdekjes së 58-vjeçares Drita Gixhari. Djali i saj, Bashkim Gixhari fajësoi mjekët në një prononcim që dha dje për mediat. Ndërkohë Ministria e Shëndetësisë ka reaguar menjëherë duke pohuar se ministri Petrit Vasili ka kërkuar pezullimin e menjëhershëm të mjekëve që kanë vizituar pacienten. Ministri gjithashtu kërkoi hetimin e plotë të kësaj ngjarjeje dhe zbardhjen e çdo detaji deri në fund.

Denoncimi
Duke akuzuar mjekët rojë si shkaktarët e vdekjes së nënës së tij Bashkim Gixhari tregoi dje ngjarjen duke sqaruar për mediat mënyrën si është ndarë nga jeta nëna e tij. "Në orën 10 të darkës, (e premte) mami kishte shqetësime me barkun dhe me mesin. Rreth orës 11:00 e sollëm në spital, te urgjenca. Mjeku roje na tha që për momentin ta shohim çfarë ka, pastaj pas një çerek ore i bëri dy qetësues. Dhimbjet vazhduan duke u shtuar që nga momenti kur i bënë dy qetësuesit. Unë kërkova që të ishte edhe një mjek më specialist dhe i thashë: "Thirr ndonjë që është më specialist këtu". Ai shkoi t'i thërriste. Ishin dy specialistë të tjerë aty, por nuk erdhi asnjë. Njëri nga ata e kishte emrin Gjergji. Nga revolta dhe dhimbja e nënës shkova unë te zyra e këtyre dhe hapa derën. Mjeku më tha: "Ku e hap derën t'i ashtu? Pse nuk troket?". Dola jashtë dhe trokita, pastaj tha: "E di ç'të bëj? Të thërras atë policin te dera!". Pastaj i dha urdhër një tjetri që ishte aty me të duke i thënë: "Shko shihe, çfarë ka?". Erdhi ky, e pa, dhe tha se nuk kishte gjë për t'u shqetësuar. "Ne do t'i bëjmë edhe një qetësues tjetër përveç atyre që i kishte bërë ai më parë", tha djali i 58-vjeçares. Sipas tij, nga ai moment pacientja u la pa asnjë lloj shërbimi, pasi doktori donte të flinte gjumë. "Pastaj shkuam lart në katin e dytë të Urgjencës dhe kontaktuam me një mjek roje që tha: "Duhet ta shohim dhe t'i bëjmë EKO patjetër. Shkuam i bëmë edhe EKO-n, pas urdhrit të tij, pasi atyre të katit të parë, nuk u ra fare në mend. Bëmë EKO-n dhe na rezultoi që kishte një gur të vogël në veshka por nuk ishte ky problemi. Na thanë që do të japim një recetë. "Merrni ilaçet dhe ikni në shtëpi, pasi nuk ka ndonjë problem!", na thanë mjekët-vazhdon rrëfimin e tij djali i pacientes. Ai thotë se në këtë kohë nëna e tij nuk ngrihej dot nga krevati. Ajo e ndiente që kishte shumë dhimbje. "Do të rri këtu, -tha, do të rri". Djali pohon se kanë qëndruar në spital deri në orën 04:00 të mëngjesit, pa asnjë lloj shërbimi. "Në orën 04:00 u detyruam ta çojmë në shtëpi. Pas 20 minutash i filluan dhimbjet akoma edhe më të mëdha dhe e sollëm te spitali 6-katesh. Aty e panë, i matën tensionin i bënë edhe analiza për zemrën dhe thanë që ne mund të bëjmë një qetësues, për t'i lehtësuar dhimbjet për momentin, por jo kryesoren. Në ato momente asaj filloi t'i fryhej barku. Mjekët e 6-katëshit na thënë që kryesoren e ka atje ku ishit. Ata duhet t'i bëjnë EKO për zorrët dhe për barkun. Kur na pa ai mjeku roje i fillimit na tha: "Prapë ju!?". Kur ia shpjeguam që ishim te 6-katëshi dha "ok", na pranoi. Nuk ka gjë tha. Vazhdonte të pohonte se nuk ka asgjë për t'u shqetësuar. Në ato momente shkuam dhe i bëmë EKO-n për zorrët ndërkohë që barku fillonte duke u fryrë akoma dhe më shumë. Panë që mund të kishte diçka, por akoma nuk e cilësonin nëse kishte një bllokim apo një shtrembërim të zorrëve. Nga ora 07:30-08:00 deri në 10:30 nuk e ka parë njeri fare dhe nuk e ka kapur njeri me dorë. Ne na thoshin që kanë shkuar lart për mbledhje. Ne shkonim që të thërrisnim mjekët, por nuk na linin rojet të hynim", vazhdon djali i pacientes. Sipas tij, në orën 10:30 njëri nga mjekët i cili ka thënë se mund të bëjmë një kartelë tani dhe ta shtrojmë. Nuk ka asgjë për shqetësim të madh. Në momentin që ishim duke plotësuar kartelën unë dhe ai sapo mbaruam kartelën deshëm ta ngrinim për ta çuar te shtrati na thanë: "Shpejt, shpejt në sallë të reanimacionit".
Nga aty shkuam te salla dhe nuk kaluan 3 apo 5 minuta dhe na thanë që nëna ka mbaruar", përfundon rrëfimin Bashkim Gixhari.

FATOS MAHMUTAJ, G. Panorama (Materiali i sugjeruar nga Elton Zaçaj)


A mund të tallesh kështu me jetën e një njeriu dhe të shpëtosh me pezullim të përkohshëm nga puna ? Që kur vrasësit me përparëse të bardhë nuk quhen më vrasës ? (Ndal Paditurisë)

http://stopinjorances.blogspot.com/2009/10/sherbimi-shendetesor-ne-shqiperi.html

Sunday, January 31, 2010

Mes shqiptarëve në Kiev, si e ruajnë pas 200 vjetësh, gjuhën shqipe.

“Kam një jetë që e pres këtë çast. Jam i lumtur që më në fund erdhi”. Këto kanë qenë fjalët e para të mikpritjes së shqiptarit me origjinë shqiptare, Mihal Supure, në Kiev, drejtuar një grupi shqiptarësh të cilët kishin shkuar për vëzhgimin e zgjedhjeve presidenciale në Ukrainë.

Mihali, 60 vjeç, kishte gati një muaj që priste ardhjen e grupit nga Shqipëria në Ukrainë, fakt të cilin e kishte mësuar përmes të bijës 26-vjeçare, Tanjës, e cila e kishte vizituar një vit më parë Shqipërinë dhe ishte njoftuar për shkuarjen tonë në Kiev. Me mbërritjen e grupit në Kiev, Tanja erdhi menjëherë në hotelin ku ishim akomoduar për të na takuar. E para gjë që na tha sapo na takoi, ishte: “Babi po ju pret në shtëpi, duhet ta bëni një vizitë te ai. Ai ka një jetë që mezi pret të takojë shqiptarë nga Shqipëria, nga vendi i origjinës së të parëve të tij”. U nisëm drejt shtëpisë së Supurëve, të cilët prej disa vitesh ishin larguar nga qyteti Ismailaj në Odesë dhe ishin vendosur për të jetuar në Kiev. Sapo mbërrijmë në banesën e Supurëve, kati i dytë i një pallati 6-katësh, derën na e hap vetë i zoti i shtëpisë, Mihali, i cili tepër i emocionuar na thotë se e kishte imagjinuar shpesh një moment të tillë. “Tashmë që momenti erdhi, kam mbetur pa fjalë. Ajo që më bën të ndihem keq, është që e kuptoj disi gjuhën shqipe, por është shumë larg të folurës sonë”, - rrëfen 60-vjeçari, duke shtuar se “ardhja e Tanjës në Shqipëri dy vjet më parë, na ka ndihmuar edhe ne të mësojmë më tepër rreth Shqipërisë, vendit tonë të origjinës.

Tanja na ka sjellë libra shqip dhe muzikë shqiptare. Madje, ajo ka mësuar të flasë shqipen tuaj dhe ne jemi duke u munduar të mësojmë ta flasim shqipen ashtu sikundër flitet tani”. Të gjithë këtë bisedë të zhvilluar në banesën e Mihal Supures e zhvilluam me ndihmesën e Tanjës, e cila vetëm në tre muaj në Shqipëri kishte mësuar të fliste shumë mirë shqip. Të flisje në shqipen e tanishme me Mihalin apo dhe pjesëtarë të tjerë të familjes së tij ishte mjaft e vështirë, pasi shqipja e tyre ishte aq e vjetër, saqë vetëm tek-tuk ndonjë fjalë mund të ngjasonte me këtë të sotmen. Ajo që të binte në sy sapo hyje në banesën e Supurëve, ishte flamuri shqiptar i vendosur në dhomën e pritjes. “Nuk jemi të vetmit, edhe familje të tjera shqiptare e mbajnë flamurin shqiptar në shtëpitë e tyre”, - shprehet i zoti i shtëpisë.

Më tej, Mihali na tregon se edhe në fshatin e tij të lindjes, Kërkut, flitet shqipja e vjetër, por për fat të keq, askush nuk e shkruan këtë gjuhë. “Kemi ruajtur gjuhën tonë, traditat në jetesë dhe martesa, por nuk dimë ta shkruajmë gjuhën që flasim. Të parët tanë nuk dimë ta kenë shkruar gjuhën shqipe, pasi në atë kohë me sa dimë ne nuk ekzistonte gjuha e shkruar”, - tregon Mihali, ndërkohë që vihet në lëvizje së bashku me pjesën tjetër të familjes për të shtruar drekën. Tradita e shqiptarëve e ruajtur edhe pas 200 vitesh jetesë në Ukrainë, mysafiri nuk nxirret pa drekë nga shtëpia. Gjatë bisedës me Mihalin mësojmë se më 28 nëntor, në fshatin e tij të lindjes, por edhe në qytetin Ismailaj, shqiptarët e Ukrainës kanë festuar të gjithë bashkë Festën e Flamurit. Mihali dhe Tanja na tregojnë se festimi i 28 Nëntorit ndodhte për herë të parë për shqiptarët e Ukrainës, ndaj dhe emocioni i përjetuar ka qenë mjaft i madh. “Ishte emocion i papërsëritshëm të festoje Festën e Flamurit shqiptar, ndërkohë që kishim arritur të siguronim një numër të madh flamujsh nga Shqipëria. Flamuri kuqezi është valëvitur më 28 nëntor në Ismailaj dhe tre fshatra shqiptare, ndërkohë që prej dy vitesh nuk është hequr për asnjë moment nga familja jonë, por edhe nga shtëpitë e tjera të shqiptarëve në Odesa”, - rrëfen Tanja, e cila është në njëfarë mënyre edhe shpërndarësja e famujve në familjet e shqiptarëve të Ukrainës, si dhe një ndër organizatoret e Festës së Flamurit. Tanja na rrëfen se prej vitesh shqiptarët kanë ngritur edhe një shoqatë në Ismailaj, e cila quhet “Rilindja” dhe që organizon shpesh veprimtari në kuadër të festave kombëtare shqiptare.

Origjina dhe largimi nga vendi i origjinës

“Jemi shqiptarë. Nuk ka dokument që s’e provon një fakt të tillë. Të gjithë në vendin ku jetojmë e dinë që jemi shqiptarë, askush nuk na quan ukrainas.
Vetëm shtetësinë kemi nga Ukraina, kombësinë e kemi shqiptare. Në gjak jemi shqiptarë, jemi krenarë që ndihemi të tillë”. Kështu shprehet Tanja dhe i ati, Mihali, ose tata siç e thërret e bija. Madje, 26-vjeçarja na rrëfen se të gjithë shqiptarët e Ukrainës i thërrasin babait tate, por nuk kanë shumë fjalë që të ngjasojnë me ato që përdoren në gjuhën shqipe. Tanja na rrëfen se kur ishte në Maqedoni, kishte konstatuar se gjuha e shqiptarëve që jetonin atje kishte mjaft fjalë të ngjashme me gjuhën shqipe që flisnin ata. Sipas Tanjës, krejt ndryshe flasin shqiptarët e Shqipërisë. Më tej, Tanja dhe i ati na rrëfejnë atë çka dinë për ardhjen e të parëve në Ukrainë, vendosjen e tyre në fshatrat e Odesës, ruajtja e kulturës dhe zakoneve shqiptare edhe rreth 200 vjet pas largimit nga Shqipëria. “Nga trashëgimia gojore e të parëve tanë kemi mësuar se origjinën e kemi nga Korça dhe jemi të fesë ortodokse. Edhe nga të dhënat arkivore të gjetura në arkivën e Ismailajt, si dhe të hedhura në një libër të shkruar nga një shqiptar i Ukrainës, kemi zbuluar se të paktën në vitin 1812 kemi qenë të vendosur në Karakurt. Nga Shqipëria kanë mbërritur rreth 315 familje shqiptare, të cilat u vendosën në tre fshatra. Të parët na kanë treguar se janë larguar nga Shqipëria në kohën e pushtimit turk, në kohën e Tanzimatit. Në atë kohë, Turqia deshi të asimilonte fenë dhe të kthente popullin në myslimanë. Ruajtja e identitetit dhe fesë ishin arsyet e migrimit në Rumani përmes Maqedonisë dhe më pas për t’u vendosur në Karakurt të Ukrainës. Në fshatrat ku u vendosëm ne, kishte edhe bullgarë, rumunë dhe kaukazë. Popullsia e vendosur në këto fshatra filluan të merreshin kryesisht me blegtori dhe me kalimin e kohës familjet shqiptare të shtoheshin. Martesat kryheshin mes shqiptarëve”, - rrëfen Tanja, duke ndërprerë këtu të dhënat për origjinën dhe duke na treguar se shqiptarët vazhdojnë të ruajnë edhe sot disa zakone të shqiptarëve të Shqipërisë për martesat, p.sh, nusja që i lan këmbët vjehrrit dhe vjehrrës kur martohet, ritual që ndiqet çdo natë; nusja që u puth dorën prindërve të burrit dhe të moshuarve të tjerë që vizitojnë banesën ku jeton çifti etj. Më tej, Tanja rrëfen se askush prej tyre nuk dinte se çfarë pozicioni gjeografik kishte shteti i tyre i origjinës, E vetmja gjë që dinin me saktësi ishte se ishin shqiptarë. Madje, nuk i thërrisnin shqiptarë në Ukrainë apo mes njëri-tjetrit, por arnautë. Edhe në Ismailaj, një rruge i thoshin “Rruga e Arnautëve”. “Pasi u hapën rrugët dhe informacioni, ne mësuam më tepër rreth Shqipërisë, ku ndodhej. Ndërkohë që një shqiptar i Ukrainës ka botuar një libër ku tregonte me detaje se nga kishin ardhur të parët tanë në Ukrainë, si dhe prej sa vitesh. Ai i kishte grumbulluar të dhënat në arkivën e qytetit Ismailaj”, - rrëfen Tanja.

Vizita e parë e Tanjës në Shqipëri

Eksperienca e parë dhe e vetme e Tanja Supure në Shqipëri ka qenë dy vjet më parë. Pasi kishte mësuar shumë rreth vendit të origjinës, Tanja vendos të vizitojë vendin nga kanë origjinën të parët e saj, por edhe vetë ajo. Për shkak të mungesës së një ambasade apo konsullate në Kiev, ajo niset drejt Polonisë dhe kontakton me ambasadorin shqiptar, i cili e pajis me vizë, ndërkohë që i krijon edhe disa kontakte me shqiptarë që kishin shkuar për të studiuar në Kiev. Fillimisht takohet me një çift shqiptarësh që studionin mjekësi në kryeqytetin ukrainas, fillon të mësojë të flasë shqip dhe më pas niset drejt Shqipërisë. Disa ditë në Ballsh dhe disa në Tiranë do të ishte itinerari i vetëm i vajzës në Shqipëri. Etja për të mësuar shqip, për të folur me persona që flasin shqip, për të mësuar më tepër rreth kulturës shqiptare, bënë që Tanja të njihte shumë njerëz në kryeqytetin shqiptar, të bënte shumë miq, por edhe të ftohej të merrte pjesë në Javën e Modës në Shqipëri. Duke qenë një stiliste në profesion, Tanja pranon të marrë pjesë, duke i dhënë vetes mundësinë të jetonte edhe dy muaj të tjerë në Tiranë. Me gjithë peripecitë e hasura, Tanja rrëfen se ka kaluar ditë shumë të bukura në Tiranë, i pëlqen Shqipëria, madje do të kishte shumë dëshirë që për një vit të studionte më mirë gjuhën shqipe.
“Dua që gjuhën time ta mësoj si lexohet dhe si shkruhet. Dua të lexoj libra shqiptarë, dua të lexoj Kadarenë”, - shprehet Tanja, e cila na rrëfen se i pëlqen të lexojë çdo natë nga tre apo katër rreshta nga libri i Kadaresë, madje shton: “Kaq mundem të lexoj në shqip, me sforco të madhe, pasi nuk di të lexoj shqip. Më ndihmojnë shumë miqtë e mi, ndërkohë që edhe interneti më ka ndihmuar shumë në gjuhën shqipe”.

SONILA MESAREJA, G. Standart

Ndiqni edhe dokumentarin me 3 pjesë në YT, kushtuar shqiptarëve të Ukrainës. http://www.youtube.com/watch?v=mFMq9v3LVgU

Shfarosjet më të mëdha të specieve në Tokë

Më shumë se 90 për qind e të gjithë organizmave që kanë jetuar ndonjëherë në Tokë, janë zhdukur.

Teksa specie të reja nisën të zhvillohen për t’iu përshtatur kushteve të reja ekologjike, speciet e vjetra u zhdukën. Por ritmi i zhdukjes nuk është aspak i vazhdueshëm. Të paktën disa herë gjatë 500 milionë viteve të fundit, 50 deri në 90 për qind e të gjitha specieve në Tokë u zhdukën në një hapje-mbyllje të syve, në kuptimin gjeologjik.

Ndonëse këto shfarosje në masë janë evente vdekjeje, ato hapin rrugën në planet që forma të tjera të jetës të zhvillohen. Dinozaurët u shfaqën pas një prej zhdukjeve masive më të mëdha në planetin tonë, pikërisht gjatë zhdukjes së quajtur Permian-Triasik, që ndodhi 250 milionë vjet më parë.

Zhdukja masive më e studiuar ndonjëherë, ndërmjet periudhave Kretakeus dhe Paleogjene përafërsisht 65 milionë vjet më parë, i vrau të gjithë dinozaurët dhe krijoi hapësirën e nevojshme për gjitarët që të diversifikohen dhe të evoluojnë në mënyrë të shpejtë.

Arsyet

Shkaqet e këtyre zhdukjeve masive përbëjnë në fakt mistere të pazgjidhura të historisë së planetit tonë, megjithëse shpërthimet vullkanike dhe ndikimi i asteroideve apo i kometave të mëdha janë të dyshuarit kryesorë në shumicën e rasteve të shfarosjeve masive të jetë në Tokë.

Të dyja këto evente natyrale mund të hedhin miliona e deri në miliarda tonelata hiri në atmosferën e planetit tonë, duke errësuar në masë të madhe qiejt për të paktën disa muaj e deri në vite të tëra në fund të procesit të tyre. Duke vuajtur për dritën e diellit, bimët dhe kafshët bimëngrënëse zhduken sa hap e mbyll sytë.

Gurët e mëdhenj që vijnë nga qielli dhe vullkanet mund gjithashtu të lëshojnë gazra toksike ose që nxehin atmosferën dhe me vendosjen e pluhurit në mbarë planetin mundësojnë një ngrohje globale shumë të shpejtë, e të papërballueshme për shumicën e kafshëve në një kohë të caktuar.

Një ndikim i tillë jashtëtokësorë është ai që mendohet të jetë shkaktari kryesorë i shkatërrimit dhe shfarosjes së periudhës së Kretakeusit. Një krater gjigand në afërsi të gadishullit Jukatan në Meksikën e sotshme daton përafërsisht 65 milionë vjet më pare, çka përkon me datën e shfarosjes masive.

Por edhe ngrohja globale e ndihmuar së tepërmi nga shpërthimet e njëpasnjëshme vullkanike të ndodhura në atë kohë në malet dhe rrafshnaltat e ndodhura në Indinë e sotme mendohet se e kanë përshpejtuar këtë shfarosje masive. Cilado qoftë arsyeja e saj, dinozaurët, sikurse edhe përafërsisht gjysma e të gjitha specieve që jetonin në planetin Tokë në atë kohë, u zhdukën.

Nga ana tjetër, sasi të paimagjinueshme masive të llavës që shpërthyen në zonën qendrore të Atlantikut, në atë që quhet pjesa magmatike përafërsisht 200 milionë vjet më parë mendohet nga shkencëtarët sot si një argument që mund të sqarojë një shfarosje tjetër masive, të quajturin shfarosja Triasik-Xhurasik.

Thuajse një në pesë ose njëzetë për qind e të gjitha familjeve të kafshëve u zhduk në mënyrë të menjëhershme, ndërkohë që edhe krijesa që i përngjanin një evoluimi të gjitarëve, si edhe shumë amfibë të mëdhenj, së bashku me arkosaurët, që nuk ishin dinozaur u zhdukën. Një ndikim nga një asteroid i përmasave vigane është një tjetër arsye e mundshme e zhdukjes, porse një krater që do e vërtetonte këtë nuk është zbuluar ende.

Vdekja më e madhe...

Zhdukja Permiane-Triastike që përmendëm më lartë dhe që ka ndodhur përafërsisht 250 milionë vite më parë, ishte më vdekjeprurësja nga të gjitha shfarosjet që ka kaluar planeti ynë. Sipas shkencëtarëve që kanë studiuar me detaje këtë shfarosje, thuajse 90 për qind, pra nëntë në dhjetë, specie që jetonin në atë kohë u zhdukën një herë e përgjithmonë nga Toka.

Shumë prej këtyre shkencëtarëve janë të mendimit se një asteroid vigan ose një kometë e madhe e shkaktoi këtë vdekje masive, por sërish ata nuk kanë arritur ende të gjejnë një krater që do ta vendoste hipotezën e tyre mbi baza realiste. Një tjetër arsye që ata vendosin dhe që kësaj here ka më shumë prova në favor të saj është një shpërthim i njëpasnjëshëm i vullkaneve në zonën e Siberisë, në Rusinë e sotme.

Duke nisur nga 360 milionë vjet më parë, një shkatërrim i dalëngadalshëm zhduku 70 për qind të të gjitha specieve në Tokë, në një periudhë prej përafërsisht 20 milionë vitesh. Ndonëse kjo ndodhi në periudha të ndryshme, që zgjasin përafërsisht 100 deri në 300 mijë vite, ato njihen të përbashkuara si një shfarosje masive, shfarosja Devoniane, duke marrë emrin e shkencëtarit që e propozoi për herë të parë këtë teori.

Insektet, bimët dhe protoamfibët e parë që nisën të dilnin në sipërfaqen e tokës për herë të parë gjatë periudhës në fjalë, pësuan zhdukje të rëndësishme, por jo të mjaftueshme për të ndaluar evoluimin e jetës në planetin tonë. Kështu, edhe pse popullsia e tyre u ul gramatikisht dhe shumëllojshmëria u ul në 30 për qind ato arritën të mbijetonin për të rinisur procesin e evoluimit.

Shfarosja tjetër e madhe që njihet nga shkencëtarët e ditëve të sotme, quhet shfarosja Ordoviciane-Siluriane dhe mendohet të ketë ndodhur përafërsisht 440 milionë vite më parë dhe që ishte krejt e kundërta nga arsyet e mëparshme të shfarosjeve. Në këtë periudhë ngrirja që ndodhi në planet dhe që ktheu pjesën më të madhe të ujit në Tokë në akull, shkaktoi ulje masive të nivelit të deteve në të gjitha pjesët e planetit tonë.

Po ndodh sërish?

Sot, shumë shkencëtarë janë të mendimit se të gjitha faktet që kanë në duar po tregojnë se po jetojmë në periudhën e zhdukjes së gjashtë masive, që po ndodh teksa ne po jetojmë në përditshmërinë tonë.

Sipas tyre, faji për këtë shfarosje masive, që ata thonë se mund të jetë më i shpejti në historinë e të gjitha shfarosjeve të mëparshme që ka kaluar planeti i vetëm i gjallë i zbuluar deri më sot, mund të vendoset në masë të madhe mbi supet e njërës prej këtyre specieve dhe jo tek shkaqet natyrore, thjesht mund të jetë njeriu ai që po shkakton shfarosjen më të madhe.

Duke analizuar të dhënat, ata na bëjnë të ditur se deri në vitin 2010, aktivitetet e njeriut, siç janë ndotja e mjedisit, zhdukja e pemëve, pyjeve masive, e akoma edhe xhunglave, e si pasojë edhe e kafshëve që jetojnë në to, si edhe peshkimi pa kriter, mund të ketë bërë që më shumë se gjysma e jetës tokësore dhe detare të jetë zhdukur e parashikimet për të ardhmen janë edhe më të zymta.


Standart

ajiH

Hija rri e më vështron.

Ajo nuk ka mësuar ende të lodhet nga argëtimi që ndjen ndërsa më imiton, gjatë gjithë kohës. Ditën nën Diell, natën nën Hënë. Nuk përpiqet të ndryshojë asgjë, nuk ndjen mëshirë, por as krenari për mua ndërsa më vështron të përleshem tragjikisht me realitetin. Ajo kërkon vetëm të argëtohet duke më markuar hap pas hapi, shpresë pas dyshimi, detaj pas detaji, gënjim pas zhgënjimi !!!

Gjatë përpjekjeve të mia dështake për t'u divorcuar prej saj, e paradoksalisht në një çast malli për të, i përplasur pingul me një hënë plotë, hija e hijes në debulesë grishtëze psherëtin :

"Unë jam fatkeqësia e njerëzve 
ku ti nuk lejon diell, 
unë jam errësira 
që ti botës i sjell. 

Unë jam e do të jem pranë teje. 
Unë hije, Ti çadra ime. U
në nuk e duroj dot dritën, 
por ty të dua, madje shumë… 

Shumë më tepër se ata që të bëjnë ty, HIJE..."

Shkroi : Stop Injorancës http://www.facebook.com/NdalPaditurise2