Legal

Sunday, May 9, 2010

Quhen thesare, po përse flasin

Pak orë para hapjes së Ekspozitës së Dorëshkrimeve Bizantine dhe Pasbizantine, organizatorët dolën para medias për sqarime të rastit dhe duke i dhënë rëndësinë që meriton paraqitja e kësaj trashëgimie arkivore që vjen nga shekujt.


Drejtoresha e Drejtorisë së Përgjithshme të Arkivave Nevila Nika tha që në fillim se s'është hera e parë që prezantohen kodikët, por kësaj radhe veç imazheve dhe riprodhimeve, vizitorët kanë mundësinë të shohin nga afër origjinalët e tyre.


Prurja e vërtetë e ekspozitës konsiderohen deshifrimet e një pjesë të dorëshkrimeve prej paleografëve.


Iniciator i kësaj pune është Agamemnon Celikas, Drejtor i Arkivit Historik dhe Paleografik i Fondacionit Kulturor të Bankës Kombëtare të Greqisë. Celikas, i cilësuar nga Nika një nga paleografët më në zë të sotëm, i pranishëm dje në Arkiv, ndihmoi procesin deshifrimit dhe udhëhoqi dy paleografët e rinj shqiptarë Sokol Çunga dhe Andi Rembeci.


"I kemi quajtur thesare por nuk e dinim se ç'përmbanin", tha Nika duke tërhequr vëmendjen me këtë lajm mbi kodikët. "Dimë që ata zënë një vend qendror në kulturën shpirtërore të vendit tonë, janë një copë e historisë së Shqipërisë dhe e popujve të Ballkanit.


Vijnë që nga shek. VI dhe tani jemi në mijëvjeçarin e tretë. I kemi ruajtur dhe mbajtur mbyllur këtu për gjashtë dekada dhe tani kemi mundësinë t'i nxjerrim nga izolimi dhe t'i shohim të gjithë". Ajo përmendi ekspozimin e dy kodikëve të Beratit që janë shpallur nga UNESCO pasuri shpirtërore e njerëzimit, ashtu si vetë qyteti është prej tri vitesh në mbrojtjen e UNESCO-s.


Ekspozita e dorëshkrimeve do të shkojë në fakt në Berat. Për kushte sigurie nuk do të lëvizin kodikët origjinalë, por riprodhimet e tyre.


Paleografi Celikas sqaroi se brenda dorëshkrimeve bizantine dhe pasbizantine të shekujve VI-XIX, duke marra parasysh përmbajtjen e tyre dhe shënimet kronikale që janë shkruar mbi to në kohë të ndryshme, është fiksuar pamja e jetës së vendit dhe e gjithë zonës ku gjuha greke ishte gjuhë e njohur.


"Këto dorëshkrime tregojnë pjesëmarrjen e Shqipërisë në botën bizantine, praninë e saj të gjallë brenda kësaj kulture dhe konkretisht tregon mënyrën se si funksiononte shoqëria e atëhershme në lidhje me kishën".


Celikas pohoi se ndërtimi i ekspozitës është ngritur së pari duke respektuar kriterin kronologjik, atë estetik dhe së fundi kriterin filologjik. Është marrë parasysh edhe kriteri paleografik.


Çdokush që është i interesuar ka rastin të ndjekë edhe zhvillimin e shkrimit grek në këtë hark kohor. "Me deshifrimin e një sërë shkrimesh kuptojmë se cili ishte mentaliteti i çdo periudhe. Shumë nga kodikët janë unikë në botë. Janë thesare që i kapërcejnë kufijtë e Shqipërisë", shtoi paleografi grek.


Jorgos Jakumis, drejtor i Fondacionit Grek të Kulturës në Tiranë mendon se suksesi i ekspozitës duhet matur me vizitueshmërinë e saj. Diskutimi mbi kodikët hyn tek temat e niveleve shkencore, por ç'kuptim do të kishte që komunikimi me një trashëgimi si kjo të mbetej privilegj i një grupi, i një elite.


Prandaj Jakumis shpreson me shërbimin që i është bërë ekspozitës me katalogë, broshura dhe materiale të tjera edukative të ndërtuar me gjuhë të thjeshtuar, të tërhiqen rreth 600 nxënës.


"E ç'vlerë kanë thesaret nëse i mban të kyçura?" Kjo është një nga fjalitë e deshifruara së fundi në një prej kodikët e të cilën drejtoresha Nika e përmend si për të reflektuar për statusin e arkivave vërtet të hapura.


Arsyet pse, kush dhe për cilët janë porositur, shkruar këta kodikë i gjen brenda tyre. Nika i referohet një historie gjeneze, lindjes së një kodiku prej një murgu. "Ishte i dënuar dhe për të shlyer fajin ndjente nevojën të shkruante një libër si këta që do të shihni në ekspozitë." Ajo kujtoi kohën kur i kundronin kodikët si memecë, i shikonin për bukurinë e tyre dhe pyesnin kush qenë ata që i kishin mbajtur për kaq shekuj.


Ajo shpreson që në një të ardhme do të vijnë njerëzit e duhur, paleografë shqiptarë të shkrimeve bizantine për t'u marrë me deshifrimin e tyre, në fund të fundit me deshifrimin e kontributit që shqiptarët kanë patur në perandoritë e mëdha. Dhe aty bëri një premtim: pas ekspozitës së shkrimeve otomane, bizantine dhe pasbizantine, do të vijë shumë shpejt radha e një ekspozite me shkrimet e vjetra shqipe.


Në Arkivin e Shtetit ruhen 119 kodikë të plotë dhe fragmente kodikësh, por në fondet e tjera të arkivit ka të tjerë dhe në total numri i tyre shkon në afro 300.
Me rastin e ekspozitës sot mbahet në Arkiv një konferencë shkencore.


No comments:

Post a Comment

Komenti juaj do të kontrollohet nga një mirëmbajtës dhe më pas do të publikohet. Ju faleminderit!