... Lajmëtarët janë mbledhur në një kënd
Ata janë netë të pagjuma
Me petka mendimesh të vjetra
E udhët e shpëtimit
Janë një zhveshje lakmitare
Për te fituar liri të përveçme
E për të mos u kthyer në ngrehinat e ftohta
Që kohë pas kohe
Po i bëjnë qelat e grrucjes edhe më të lëmuara
Lajmësat në një kënd rrinë
E mbledhin lajmësa të tjerë
E të tjerë
E të tjerë,
E duart i kanë bosh
Se lajmi nuk bëhet dashuri
Që t’i shpëtojë
Ose dhe dashuria
Nuk bëhet lajm
Që t’i plasë muret.
Ani çka…
Do vijë e do fryjë një erë e çmendur
E do pështjellë gjithsej prej zgripit të qenies
E ka për t’u dëgjuar
Veç ulërima e thatë dhe e gjatë
E gruas që e zbraz shpirtin
Me shpinë në mur
E duar në faqe.
Lutu sa të duash
në stol të përjashtimores,
rrëfeji me mërmërimë
dëshirat e tua të athëta
të bëra thana mendimesh në ngjërimin tim
të kuqe, të kuqe përndezëse
rrokull vetes…
E ka frymuar kush këtë mëngjes?
Pse vallë e rijetoj çdo të diel
Si të qe një gjallesë duarlidhur
E me sy lutës për t’u hedhur tejanë pragut…
Kujdes derën
Ajo është çelë sapak
Që të mbërrish më tej
në një deriçkë të vërtetash
ku thellësia e ninëzës
ka një lakuriqësi ndjenje në fund
e veç buza jote mund ta lexojë
si një shqisë e pangjashme
që udhëtuar më ka
nëpër shpirt…
e ndër duar më ka lënë
sapak relativitetin
e kohës e të botës
po mshelur ma mban
gjithsej tjetër,
Pse m’i mban mshelur?
Dorështrënguari im
Me rrathë uji
Në fytyrën e shkruar
me vështrime të kithta dëshirimi të bjerrë
në çka unë mund të jem
Bëhem, jam…
Fjalët, fjalët na kanë vrarë
Ka shekuj që hidhen mbi ne
Mbi mua e ty
si një ushtri heshtarësh
me mburojë letre…
Fjalët na kanë ndërsyer
ndaj njëri-tjetrit
të varfrat fjalë
të këqijat mercenare
që nuk dinë të mbrojnë
bukuritë tona të amshuara me shpirtlëkundje
prelud të një tërmeti qeniebërës…
Fshihi, fshihi…
Mbaji, mbaji drynat e qiellit tënd të mshelë
E mos m’u kënaq duke më kundruar teksa vërtitem
Të dal,
Të rrëmbej veten tënde…
Qenie lodërtare
Që më zhbiron me sytë e tu lojcakë
Unë kam dritaret e mia që
S’i mbyll dot kush
E kam krahë përfytyrimi
Që mbërrijnë
Edhe vetë renë
kur i kalon bri kullës tënde me frëngji gjahtarësh
e nënqeshje çarku në prag…

Të krahasueshëm ose jo
I shkërmoqim mendimet njëri-tjetrit
Si misër për urinë e ndjenjave
E ca i ruajmë si gurë të fituar shahu
Sadopak për t’u përballë,
Sadopak për t’u dashur...
Erina Pavle Çoku
Shikoni çfar shkruan një zotri me emrin Agim Hamiti nga Dukati duket ultra spinu sigurimi. 3 orë më parë. MË SË FUNDI ANGLEZËT SHPALLEN ZYRTARISHT PADRONË TË KOLONISË SË TYRE 70 VJEÇARE : FOTO LAJM/ Mbledhja e qeverisë drejtohet nga Tony Blair 3 Tetor, 2013 | Postuar në: Aktualitet,Politika | Shkruar nga: TemA Online “Sot u ul në krye të trye...zës së Këshillit te Ministrave lideri i madh dhe miku i madh i shqiptarëve Tony Blair, që së bashku me Bankën Botërore do të na mbështesë në ngritjen e Njësise Speciale të Prioriteteve të qeverisë. Mbledhja ishte e paharrueshme, biseda mbresëlënëse dhe rruga e punës së përbashkët e hapur më së miri. Thank you TB”, shprehet Rama.
ReplyDeleteZoti Agim Hamiti,eshte nje nga visaret e Kombit Shqipetare,kush te kete fakte te tjera le ti botoj.
ReplyDelete