Tuesday, May 3, 2011

Bukuroshes së bukuroshes sime!

Po te presim...

Dukesh e lumtur!
Ti si një peshk në botën magjike ujore, bën kollotumba në barkun e nënës tënde. Kur të flas e të pyes nëse të pëlqen emri që do të të vemë, ti shkelmon me këmbë apo duartroket me duar , sikur do të më thuash: "Babi, mos u tall me mua..."

Numërojmë ditët e orët që kanë mbetur, orë e çast. Jemi lidhur aq shumë pas teje, saqë çdo bisedë përfundon gjithmonë tek ti. Të kemi ruajtur edhe testin e shtatëzanisë, çdo fotografi ekoje dhe kemi filmuar çdo seancë gjinekologjike, ku duket sikur me doçka na përshëndet. Nuk kisha parë kurrë kaq nëna shtatëzëna e fëmijë në karroca më parë. Gjithçka në televizor e radio duket sikur flet vetëm për fëmijët.

Nuk e përfytyrojmë dot si do të jesh. Cilit do ti marrësh buzët, e cilit syrin.
Të duam pa e ditur si do të jesh, si do të bëhesh. Ti je kurorëzim i dashurisë sonë dhe duhet të na besosh që je ngjizur në një prej netëve më të pasionante që kemi kaluar.

Nëna jote nuk ndërmerr më udhëtime të gjata. Në hidhërime nuk ka shkuar e në gëzime shumë pak ka kërcyer. Në banjë e nëpër shkallë, kalon gjithmonë me kujdes. Gjithë dyqanet e Tiranës kemi kërkuar për qershi në dimër dhe akoma sillemi rrotull për gjithçka nënës tënde i shkon ndërmend.
Ajo nuk po pi më as kafe në ato pasditet tona të përkushtimit ndaj njëri-tjetrit dhe as një cigare për qejf nuk po e ndez. As darkave gotën e verës, që ka ndezur shpeshherë netët tona, nuk po e troket. Pasditeve bën apelin e të gjitha familjeve të pallatit, çfarë ka gatuar njëra e çfarë ka gatuar tjetra.


Ndoshta shumë netë do të na lësh pa gjumë, ndoshta shumë herë zemrën sa majtas-djathtas do të na e rrotullosh, por ajo e qara jote do të jetë sigurisht tingulli më i ëmbël në këtë botë.
Një tingull i ri, fryt i dashurisë sonë.
Je ti në qendër dhe ne të dy që të rrotullohemi si satelitë.

Eh...! Sa do të donte babai yt që të të priste me gjithë të mirat e botës! Të të rregullonte një krevat princesash, në një shtëpi plot diell...

Por ja që jeta është kaq e padrejtë, kaq e vështirë dhe kjo bota jashtë e egër, bukuroshja ime e pafajshme. Aq e egër sa dhe pjesa më e madhe e prindërve nuk mbushen plot gëzim, kur sjellin në jetë vajza, në botën djallëzore të profetëve-meshkuj.

Nuk do të të edukoj për një botë ideale e të përfundosh thjeshtë një viktimë e njerëzve të pakulturuar, ashtu si u edukuam dhe e pësuam ne. Jo, asnjëherë. Ti do të jesh tmerri i hipokritëve, pseudomoralistëve e gjithçkaje të pështirë mban kjo botë gri. ngjyra ime...

Jemi zotuar të bëjmë çmos që edhe ti të rritesh si gjithë fëmijët e tjerë. Nuk e dimë sa të aftë do jemi, por do jemi bashkë të tre.

Ne si të marrosur po të presim, ti vetëm hajde shëndoshë e mirë.
Shkroi : Stop Injorancës http://www.facebook.com/NdalPaditurise2

No comments: