Monday, July 26, 2010

Greqi, 10 mijë shqiptarë kanë marrë nënshtetësinë greke

Eurostat: Për një vit katërfishohet numri i të huajve që kanë marrë nënshtetësi greke

Pak ditë më parë, Eurostat ka publikuar se 10 mijë shqiptarë kanë marrë nënshtetësinë greke, duke mos dhënë të dhëna të sakta se sa janë emigrantë shqiptarë dhe sa me kombësi greke.

Edhe pse janë dhënë me pikatore nga ish-qeveria konservatore e Karamanlis, sot qeveria Papandreu po bën përpjekje për të mbyllur njëherë e mirë këtë proces të tej vonuar, përballë opozitës së djathtë të kryesuar nga Samaras, që kërkon nga emigrantët se duhet të lënë nënshtetësinë e vendit të tyre.S hërbimi Statistikor i Bashkimit Europian ( Eurostat ) ka publikuar se numri i të huajve që kanë marrë nënshtetësinë greke është katërfishuar në krahasim me vitin 2007, ku kishin marrë nënshtetësinë greke 3.920 shtetas.

Statistika për vitin 2008
Për vitin 2008 numri i marrjes së nënshtetësisë është katërfishuar duke shkuar në 16.920, më saktë e ka marrë një në 1000 të huaj. Nga takimet e bëra me përfaqësues të emigrantëve, ministri i Brendshëm i Greqisë z. Ragusis ka theksuar se, të gjitha kërkesat e bëra nga emigrantët shqiptarë futeshin në “frigorifer”, ndërsa sot po bëhet përpjekje për dhënien e nënshtetësisë. Qeverisja e vendit nga partia “Nea Dhimokratia” me ish-kryeministrin Karamanlis bëri që ky vend te ketë numrin më të ulët për sa i përket dhënies së nënshtetësisë emigrantëve të ardhur nga vendet e treta. Faktikisht në 27 vende anëtare të BE-së, për vitin 2007 morën nënshtetësinë e vendit ku jetojnë dhe punojnë 707.110 të huaj, ndërsa për 2008 numri ra në 696.880 .

Statistika për Greqinë
Për 2008, emigrantët shqiptarë që kishin marrë nënshtetësinë greke zinin 59%, ose 9.996 njerëz, ndërsa 7.6% nga Gjeorgjia, dhe 4.9% nga Rusia. Pra, për këto vende bëhet fjalë për shtetas të huaj me kombësi greke edhe pse shërbimi statistikor nuk e sqaron plotësisht këtë, pasi vetkuptohet qartë.

Në vendet e tjera te BE
Vendet e tjera të BE-së ndryshe nga Greqia kanë një politikë më të qartë për integrimin e emigrantëve, duke e lënë Greqinë në vendin e fundit, edhe pse ka 30 vjet që është anëtare e bllokut. Emigrantët për nga numri më i madh që morën nënshtetësinë vinin: Maroku me 64.000 emigrantë, Turqia 50.000, Ekuadori 27.000, Algjeria 23.000 dhe Iraku 20.000. Në Rumani 89 për qind e emigrantëve që morën nënshtetësinë e këtij vendi ishin nga Moldavia, ndërsa në të kundërtën 68 për qind që kanë marrë nënshtetësinë hungareze janë rumunë. Në Bullgari, vendi ku nënshtetësia jepet shumë lehtë, 51 për qind që përfituan nënshtetësinë bullgare vijnë nga vendet e ish-Jugosllavisë, si Maqedonia etj.

Nënshtetësia përçan politikën vendase

Samaras: Emigrantët duhet të lënë nënshtetësinë e vendit të tyre

Nënshtetësia sa vjen dhe po bëhet një mollë sherri duke përçarë politikën vendase. Kryetari i opozitës z. Antonis Samaras i është rikthyer përsëri vendimeve të tija raciste me tonë të ashpra brenda Parlamentit, duke deklaruar edhe platformën e partisë së tij për emigracionin. Ai ka kërkuar që integrimi i emigrantëve të bëhet gradualisht dhe pa u nxituar deri në atë shkallë sa që mund të durojë shoqëria, ndërsa për fëmijët e emigrantëve ka theksuar se, “Jemi të detyruar që këtë ligj të PASOK-ut ta ndryshojmë kur “Demokracia e Re” (Nea Dhimokratia) të marrë pushtetin. Dhe angazhohemi qartë që tani për këtë. Fëmijët e emigrantëve të ligjshëm që lindin këtu do ta marrin të drejtën e nënshtetësisë kur të arrijnë moshën madhore. Mirëpo, që të ushtrojnë këtë të drejtë do të duhet të zgjedhin ndërmjet nënshtetësisë greke dhe nënshtetësisë së vendit të prindërve të tyre, dhe së dyti të kenë kryer arsimin nëntëvjeçar, që është i detyrueshëm edhe për grekët. Nëse fëmijët që do të marrin nënshtetësinë do të zhvillojnë një ndërgjegje komuniteti të ndryshme nga ajo e shoqërisë ku u rritën, këtu ka problem”.

Ministri i Brendshëm z. Ragusis
Vendimi I qeverisë për nënshtetësinë, vendim historik. Me gjithë presionet e opozitës për të rishikuar edhe njëherë vendimet për dhënien e nënshtetësisë, ministri i brendshëm Ragusis nuk bën asnjë hap prapë, duke patur parasysh se ky vendim mund te ketë edhe një kosto politike. Në një kohë kur edhe brenda partisë së tij ka element që ngurojnë të përqafojnë vendime te tilla. Lidhur me këtë kohët e fundit qeveria po bën takime te njëpasnjëshme me përfaqësues te emigranteve për të kërkuar mbështetjen e tyre. Në takimin e fundit me përfaqësues të komuniteteve të emigrantëve , në sallën e partisë së Pasokut, ministri i Brendshëm grek, Ragusis ka deklaruar se: “Qeveria nuk do të bëjë mbrapa në vendimin e vet, me gjithë presionet e opozitës. Nuk kemi për të bërë asnjë cm mbrapa. Besojmë vërtet te kjo që bëmë, besojmë se kjo do të ndihmojë Greqinë, të gjithë neve, do të krijojë një shoqëri të vërtetë, e do të jetë shumë më e mirë se sa kjo që është sot.

Ky regjim i papranueshëm i mungesës së rregullave, mungesës së parimeve, ishte një regjim i papranueshëm izolimi për qindra mijëra emigrantësh.
Por para dhënies së nënshtetësisë me mijëra emigrantë qëndrojnë sot të izoluar nga burokracia shtetërore të dikastereve për rinovimin e dokumenteve”.


SHPËTIM ZINXHIRIA, T. Observer

"Mirënjohje e respekt thinjave e rrudhave të prindërve tanë"

Çfarë mund t'u themi prindërve tanë të mirë?!

Ëndrrat e tyre të vjetra dhe të reja janë dy paralele në udhëkryq. Çfarë mund t'i thuhet një 60-vjeçari që ka punuar mbi 40 vjet dhe sot si shpërblim gjen emrin në një listë varur në murin e ftohtë të ndërmarrjes, pas derës apo xhamit të dritares së shefit të tij?!

Edhe dinjiteti i tyre mbeti në udhëkryq e bashkë me të thinjat e rrudhat e tyre. Puna, dinjiteti dhe ëndrra e thyer e prindërve tanë janë peng i papërgjegjshmërisë, i ndërgjegjes, i arrogancës dhe mungesës së horizontit të njerëzve të politikës.

Eh, demokracia!
E pritën si shkopin magjik që do të mbushte shtëpitë e tyre me orendi e ushqim të mirë për fëmijët. Si qilimin fluturues, i cili do t'i shëtiste të shihnin botën e bukur e të ndaluar për ta.

Por, edhe demokracia vet ishte një ëndërr e bukur që i përplasi keq sapo hapën sytë. Qilimi fluturues i trepsur u gris copë -cope. Fëmijët kanë vite të tëra që bukën e fëmijëve të tyre e nxjerrin larg Shqipërisë. Sa shtrenjtë kushton buka e fëmijëve të tyre në emigrim, aq sa malli i patretur i prindërve dhe gjyshërve në atdhe.

Nëse për ëndrrat do të kishte njësi matëse, jam e bindur se ëndrrat e prindërve tanë do të kishin masë më të madhe se ëndrrat tona e të fëmijëve tanë, sepse në ëndrrat e tyre jemi dhe ne. Në çdo rrudhë dhe thinjë të tyre janë malli, brenga dhe meraku për të ardhmen tonë dhe të fëmijëve tanë.

A duhet ta kthejmë kokën pas e të kujtojmë të kaluarën?
Nëse e bëjmë këtë na akuzojnë si komunistë. Ky është dështimi ynë si komb. Ne mohojmë të kaluarën. Një njeri që mohon të kaluarën e tij sado e hidhur të ketë qenë ajo, nuk mund të ketë të ardhme. E kaluara jonë "komuniste" ka jetën e prindërve tanë dhe fëmijërinë tonë.

Aty mbeti djersa e derdhur në vite, rinia dhe bukuria e tyre. 60 vjetori atë kohë nuk ishte një ditë dhimbjeje pa kufi, por ishte një darkë e ngrohtë me fëmijët dhe nipërit, një tortë e ëmbël dhe urimin e bukur "E gëzofsh pensionin!" 

Këtu prindërit tanë bëhen nostalgjik e psherëtijnë në heshtje për të kaluarën. Mirënjohje dhe respekt thinjave dhe rrudhave të prindërve tanë!

Lindita Qalliaj, Shekulli

SHBA/Kryen marrëdhënie seksuale me qenin, rrezikon burgun

Një ngjarje aspak e zakontë regjistrohet në Majemi të SHBA-së, ku një 64-vjeçar ka kryer marrëdhënie seksuale me qenin e tij dhe tashmë rrezikon deri në 5 vjet burgim. 


Ndodhia e sikletshme për 64-vjeçarin nisi kur ky i fundit në bisedë e sipër me asistentin e mjekut veterinar të qenit të tij pranon se qeni i tij “nuk zbavitej më kur kryenin marrëdhënie seksuale”. Menjëherë pas rrëfimit, analizat e kryera ndaj kafshës treguan gjurmë aktiviteti seksual duke vërtetuar frazën e dhunuesit 64-vjeçar, Armand Paçer. 

Pas nisjes së hetimeve të gjithë dyshonin se mos bëhej fjalë vetëm për një batutë, ashtu sikundër këmbëngulte edhe Paçer, por gjithçka ishte e vërtetë. 64 vjeçari u ankua tek asistenti i veterinerit se qeni i tij, Kristie Brinklei (mban emrin e një modeleje të viteve ’80), “nuk argëtohej më kur kryenin marrëdhënie seksuale. Kjo ndoshta ngaqë në ditët e fundit më ka munguar energjia”, ka vazhduar më tej Armand Paçer. 

Asistenti i veterinerit i habitur nga fraza e të moshuarit vizitoi qenin, ku vërtetohej edhe rrëfimi shokues i 64 vjeçarit, i cili në fillim ka tentuar të mbrohet duke u shprehur se bëhej fjalë vetëm për një batutë, por provave mjekësore nuk ka mundur t’i kundërvihej. 
Tashmë ai do të përballet me drejtësinë, ku rrezikon deri në 5 vjet burg.


Denisa Spahu, Tirana Observer

Kush je ti, kush je?

Kush je ti, Kush je ?

Duke menduar, duke pleksur hije në vetminë e thellë.

Edhe ti je larg, oh, më larg se të gjithë.

Duke menduar, duke çliruar zogj, duke zhdukur imazhe,

duke varrosur drita.




Këmbanore mjegullash, kaq të largëta, atje në lartësi !

Duke mbytur rënkime, duke thërmuar shpresa të errëta,

mullis i heshtur,

Nata bie si kafshatë në këmbët e tua,

larg nga qyteti.

Prania jote më është e huaj, kureshtare si një objekt.


Mendoj, ec gjatë, jeta ime para teje.

Jeta ime para të gjithëve, jeta ime e ashpër.

Britma përballë detit, mes guriçkave,

që vrapon e lirë, e marrë nëpër avullin e detit.

Tërbimi i trishtë, britma, vetmia e detit.

Bleronjëse, e ashpër, nderë drejt qiellit.

Ti, çfarë ishe aty, ç’përthyerje, ç’purtekë

të asaj freskoreje të pamatë? 


Ishe larg si tani.

Zjarr në pyll !

Përvëlon në kryqe kaltëroshe.

Përvëlon, zhurit, përflak, përshkëndit në pemë drite.

Lëshohet, brambullit.

Zjarr, Zjarr.

E shpirti im i plagosur vallëzon prej bujashkave të zjarrta.


Kush thërret?

Ç’qetësi e populluar jehonash?



Çast i mallit, çast i gëzimit, çast i vetmisë,

çast imi mes të gjithave!

Guackë në të cilën era kalon duke kënduar.

Kaq pasion vaji mbërthyer pas trupit tim.

Tronditje e të gjitha rrënjëve,

Sulm i të gjitha dallgëve !

Endej, i gëzuar, i trishtuar, i pambarim, shpirti im.

Duke menduar, duke varrosur dritën në vetminë e thellë.

Kush je ti, kush je?

Pablo Neruda

Xhubleta Shqiptare - Veshja më e vjetër e botës, e mbetur ende gjallë



Xhubleta në UNESCO?





Vetëm një orë në Galerinë Kombëtare të Arteve për veshjen më të vjetër në botë e mbetur gjallë. Në prani të ambasadorit amerikan, ministrit të Kulturës i kërkohet vëmendje për ta anëtarësuar veshjen kombëtare në UNESCO
Shenjat në veshjen e malësores shqiptare, në një veshje tipike siç është xhubleta kanë përcaktuar dhe rrugulluar statusin e saj familjar dhe farefinsor. Si kulturë e tillë tek e cila janë trashëguar dija e shenjave, e mënyrës së të jetuarit dhe të menduarit që nga kohërat më të lashta e deri në vitet 70 të shekullit të XX, një grup njerëzish të ftuar nga poetja koleksioniste, Luljeta Dano, kanë qenë prezentë kur ajo ka kërkuar një shans për “anëtarësimin” në UNESCO të veshjes më të vjetër në botë e mbetur gjallë.
Kjo ndodhi dje, në Galerinë Kombëtare të Arteve ku Dano për një orë ka ekspozuar një pjesë të koleksionit të saj të jashtëzakontë, 12 xhubleta, tallaganë dhe aksesorë të çmuar të veshjes së gruas së veriut, gati 150-vjeçare. Ajo ka botuar së fundi “Perëndesha Athina dhe simbole të tjera kozmogonike” , një studim mbi shenjat e qëndismave mbi veshjet mashkullore dhe sidomos femërore duke i përkufizuar ato si kultura e “shkrimeve të fshehta në ornamentikën mijëravjeçare të Malësisë së Madhe, Dukagjinit, Mirditës e Pukës” si një territor mitesh antike i ruajtur në trashëgiminë etnokulturore.
Në “Expo-Xhubleta” e organizuar nga “Miqtë e Galerisë” ishte i pranishëm dhe ambasadori amerikan në Tiranë John Ëithers i cili ka duartrokitur lutjen e poetes: “Do të lusja ministrin e Kulturës, të kryejë veprimet e duhura që këto dy veshje (xhubleta dhe xhokeja), kudo ku janë shpëtuar nga koleksionistë t shqiptarë dhe të huaj, të merren në mbrojtje nga UNESCO si pasuri botërore.”

Çfarë tipologjish paraqesin 12 xhubletat e koleksionit?
Jam përpjekur të përfshihen gjithë tipologjitë, megjithëse nuk kisha mundësi të vendosja xhubletën që rri në këmbë. Në koleksionin tim prej 100 xhubletash, kam 3 të tilla. Gratë malësore, kur mbaronin ndërtimin e xhubletës, thurjen, bënin gara midis tyre dhe xhubleta që qëndronte në këmbë ishte padiskutim më e mira.
Kjo është një ekspozitë thjesht etnografike apo mitike ku vihen në dukje shenjat e qëndisura mbi veshjet për të cilat ke ndërtuar një alfabet leximi?
Para disa vitesh, kam dëgjuar në Vermosh një legjendë për Macolen e bukur, një nuse e re që ka qenë e fundit që më 1970 ka mbajtur xhubletë dhe nuk e hiqte. Macolja kishte ikur në Amerikë në këto vitet e fundit.
Mendohet që xhubleta, asëll-asëll, ka rreth 70 vjet që nuk prodhohet më, sepse janë përdorur ato që kanë qenë xhubletat e pajave. Gruaja malësore merrte 5-7 xhubleta në pajë. Nuk është prodhuar më, sepse ndërtimi i xhubletës është mjaft i sofistikuar. Gruaja malësore duhet të ketë një “tabelë logaritmesh” në kokën e saj që ta thurë kokërr për kokërr sythi dhe ta montojë në një mënyrë të tillë që të marrë formën e duhur të kambanës dhe të rrijë në këmbë.
Do të thuash që të gjitha figurat janë mirë të menduara?
Çfarë është më e rëndësishmja janë të trashëguara sepse xhubleta bëhej besnikërisht në vijë familjare dhe çdo vajzë mbart statusin familjar, farefisnor etj. Veshja është si veshja e ushtarakëve, përfaqëson gradat e jetës civile.
Në lidhje me këtë ide ti përmende brezin e njërës xhubletë që është realizuar nga dhjetë mijë thumba.
Po, me dhjetë mijë thumba plumbi. Është një brez që bëhej tek zanatçinjtë e pazarit të Shkodrës. Çiraku numëronte 10 mijë thumba plumbi. Ai ka yllin e Davidit, ka simbolin e lashtë të ilirëve, hënën me yll që do ta shohim në stoli të tjera.

Në krye të radhës është xhubleta e bardhë. Nga kush vishej ajo?
Është xhubleta e çikave, në veshje e jashtëzakonshme, mrekullisht e bukur, për cilësitë e punimit dhe të qëndisjes. Dallohet nga simbolet e fertilitetit. Është një nga kopjet më të rralla, sepse xhubletat e bardha janë vërtet të rralla. Vajza e vishte deri në momentin që martohej.
Dhe vijmë tek brezi i rrallë që e vishte jo çdo lloj nuse.
E vishnin nuse që vinin nga familje të para, që ishin familje të pasura dhe me një status të privilegjuar shoqëror. Ishte simbol i forcës, bukurisë dhe pasurisë, tre nocionet e përjetshme.
Gjithçka e universit të xhubletave tregon një alta modë,pra çdo element, që nga çorapja çizme, përparëset e mbivendosura, grykashkat, pa folur për trungun e veshjes që është mrekullia arkaike.

Xhubleta e manekinit me shpinë nga të tjerat, ka ndonjë histori?
Është xhubleta e “thakut të premë”, e gruas së divorcuar. Ajo është xhubletë e Dukagjinit dhe në bajrakët e Mirditës apo të Dukagjinit, ka qenë ligji që kur burri divorconte gruan, i priste thekët ose të xhubletës ose të xhokes së bardhë të Mirditës. Mendohet që është e fillimit të shekullit XX.
Interesant është që krejt fundi i xhubletës është qëndisur me simbolin e gjarpërit siç thua ti.
Cila është domethënia?
Kur gruaja e ka qëndisur atë simbol nuk e mendonte që do të bëhej një grua e divorcuar. Por zakonisht në rreshtin e fundit të këmbanës, të kordonit të bardhë, gjithmonë gjen një rresht të tillë që është o gjarpër, o është shumë i ngjashëm me zinxhirin e ADN-së ose me diçka si fetus, embrion fëmije. Por këto janë çudirat që i përkasin kësaj bote.
Cili është simboli më shumë i hasur në kostume?
Është shqiponja me dy kokë, me tipare dragoi dhe shumë herë e gjejmë me flakën që dragoi nxjerr nga goja.

A mund të varrosej një grua me xhubletë?
Gruaja varrosej me xhubletën që martohej. Xhubleta më e mirë i shërbente asaj në këto dy momente të rëndësishme të ndërrimit të statusit civil të saj, nga vajzë në grua e martuar dhe kalimin në jetën tjetër ku ajo duhej të shkonte me këtë xhubletë që bart për mua kode të vjetra, që dmth ato duhen lexuar, që nuk janë thjesht të bukura, por kanë një rregullsi, një alfabet leximi. Dihet nga studiues shqiptarë dhe të huaj që vijnë nga qytetërimi kreto-mikenas. Xhubleta identifikohet me veshje të gjetura në pallatin e Knosit në Kretë, para 4000 vjetësh. Por kjo s’do të thotë që nuk zbulohet një objekt tjetër i lashtë dhe xhubleta befas nga festa e 4000 mijë vjetorit të saj mund të festojë 10 mijë vjetorin e saj. Sido që të jetë, ngelet veshja më e vjetër të botë ende e gjallë dhe misioni i kësaj ekspozite, mendoj se është tërheqja e opinionit publik dhe institucioneve përkatëse që kjo veshje të merret në mbrojtje nga UNESCO si veshja më e vjetër në botë ende e gjallë.





Vetëm në Shqipëri e ke fjalën?
Xhubleta jeton në Shqipëri, në Malësinë e Madhe, në Rrafshin e Dukagjinit të Kosovës, në Malin e Zi, mendohet dhe në një fshat të Bullgarisë ku janë me origjinë shqiptarë dhe në Norvegji.

Atëherë UNESkO veshjen kombëtare të kujt do të mbrojë?
Do të mbrojë pikërisht këtë tip veshjeje dhe që në Shqipëri ne e kemi simbol të Nënës Shqipëri në artet figurative ose në psiqikën tonë, simbol të Rozafës legjendare.
Ngjyrat duken se janë ngjyra të zhdukura sot në veri, e kuqe gjaku, e gjelbër e thellë.
Mendohet që xhubleta ka qenë e bardhë dhe u bë e zezë. Madje ka pasur një këngë popullore për këtë.





Atje kemi një tingëllimë të kohërave, bluza e kuqe, mëngëza, brezi i qëndisur me rruaza nga të gjitha ngjyrat që udhëtari hungarez i shekullit të 18-të Daniel Kordinez, ka thënë: as palloi, as ylberi nuk kanë aq ngjyra sa xhubleta e shqiptarëve, se kjo veshje ka të gjitha ngjyrat e gëzuara të mëmës natyrë.


Nga Elsa Demo, G. Shekulli

Uji i ndotur shitet në çdo dyqan

Megjithëse firmave prodhuese u është pezulluar aktiviteti gati një javë më parë, bidonat e ujit që ata ambalazhojnë dhe tregtojnë, i gjen në çdo dyqan. Bëhet fjalë për ujin "Tirana", "Shën Mëria", "Selita" dhe "Kristal". Tregtarët shprehen se ata vazhdojnë të furnizohen normalisht dhe nuk e dinë se firmat që kanë ekskluzivitetin e këtyre markave janë ndëshkuar për shkak se nuk plotësojnë kushtet për tregtimin e tyre.


Problemi
Ndonëse u është bllo-kuar aktiviteti, që prej një jave, produktet e tyre i gjen në të gjitha pikat e shitjes së kryeqytetit. Bidonat e mëdhenj 7 litroshë të këtyre markave të ujit të pijshëm, vazhdojnë të tregtohen normalisht, megjithë nga një kontroll i Autoritetit Kombëtar të Ushqimit kanë rezultuar me një mbingarkesë të madhe mikrobike, për shkak se nuk filtrohen si duhet. Tregtarët e pakicës shprehen se ata nuk kanë dijeni që uji të jetë bllokuar dhe vazhdojnë të furnizohen normalisht nga pikat e shumicës. "Ne e marrim te pikat e shumicës ku e kemi marrë gjithmonë dhe nuk na kanë thënë gjë se ka dalë me probleme", - shprehet një pronar dyqani afër Pazarit të Ri.

Pikërisht, duke u nisur nga kjo situatë, Autoriteti Kombëtar për Ushqimin (AKU) ka pezulluar aktivitetin për katër subjekte të prodhimit, ambalazhimit e tregtimit të ujit të pijshëm në Tiranë. Kështu, në bazë të kontrollit të ushtruar ka rezultuar se uji 'Santa Maria', prodhuar nga subjekti 'Altrade' ka mangësi në procesin teknologjik të larjes së ambalazhit, tapos-jes dhe etiketimit. Një tjetër ujë problematik ka rezultuar edhe ai i markës 'Shën Mëria', makineria e prodhimit të të cilit ka pësuar defekt dhe nuk garanton produkt të sigurtë. 

Në listën e zezë të markave, të cilat kanë rezultuar me probleme renditen edhe uji 'Selita' e uji 'Tirana'. Ndërkohë që subjektit 'Ferra', i cili prodhon ujin 'Kristal', Autoriteti i Ushqimit, i ka lënë një sërë detyrash të cilat duhet t'i plotësojë brenda një afati prej dy javësh, në të kundërt edhe për këtë kompani do të merret vendimi për pezullimin e aktivitetit. 

Esmeralda Keta, G. Shqiptare

KRIMET E DEMOKRACISË

Brezat e ardhshëm nuk duhet të mendojnë në asnjë lloj mënyre se ne ishim të gjithë të korruptuar, të gjithë të pavëmendshëm dhe të gjithë të pavlerë. Ndaj, përveç krimeve të diktaturës, duhen renditur edhe krimet e demokracisë. 


Demokracia ka sëmundjet e veta, dhe mbi to ka edhe disa nga teprimet tona, që janë ekskluzivisht tonat, ose thënë ndryshe “thelë mbi bisht”. Do të vijë një ditë, që edhe nëse dikush nuk do të përgjigjet për krimet e demokracisë, të paktën ato do të analizohen. Dhe që gjurmët të mos humbin gjatë 20 viteve të tranzicionit, po japim një përmbledhje të tyre.

Krimet e demokracisë janë të larmishme dhe të shumta: 
vjedhja e votës, shitblerja e votës, korrupsioni me tenderat,korrupsioni i organizmave ndërkombëtarë në kurrizin tonë, falsifikimi i ushqimeve, shitja e ujit me çmim qumështi, prodhimi i rakisë me nitrat, shitja e duhanit radioaktiv, shitja e çimentos radioaktive, ndërtimet me cilësi të dobët, krijimi i mitit të doganierit, kthimi i mjekëve nga humanistë në xhepistë, abuzimi me ilaçet, shkatërrimi i shtratit të lumenjve, shkatërrimi i pyjeve, golemizimi, abuzimet me pronat, kthimi i gjakmarrjes, trafikimi i fëmijëve, trafikimi i femrave, aksidentet rrugore, vdekjet aksidentale, vrasjet, korrupsioni i sistemit të drejtësisë, vonimi i drejtësisë, shumëzimi i sistemit gjyqësor me zero për shkak të mosfunksionimit të përmbarimit, mosqarkullimi i elitave, abuzimi me ndihmën sociale, shkatërrimi i mjediseve kulturore e sportive, shkatërrimi i tokave bujqësore nga erozioni, zënia e tokave me ndërtime, moskthimi i pronës te pronari legjitim, grabitja masive e kursimeve të shqiptarëve nga firmat piramidale, trafiku i makinave, trafiku i armëve, grabitja e municioneve, shkatërrimi i pasurisë ushtarake, zhdukja e transportit hekurudhor, shitja për një copë bukë e aseteve kombëtare, tentativa për shitje të kufijve, vjedhja e naftës dhe aseteve naftënxjerrëse, falsifikimi i diplomave, vjedhja e tullave të shkollave, vjedhja e gurëve të kalave, shitja e zhivës së kuqe, vjedhja e thesarit të shtetit, tentativa për vëllavrasje Veri-Jug, bastardizimi i muzikës popullore shqiptare, vjedhja e ikonave, shitblerja e pushtetit, personalizimi i pushtetit, trafiku i klandestinëve, përzierja e ujërave të bardha me ujërat e zeza, vjedhja e energjisë elektrike, mosndëshkimi për shkak të imuniteteve, dhënia pa kriter e pasaportave diplomatike, trafiku i pasaportave të zakonshme, abuzimi me certifikatat, shtimi i njerëzve të mirë (magjistarët, shëruesit, profetët, fallxhorët), trafiku i drogës, prodhimi dhe përdorimi i drogës, përhapja e SIDA-s përmes transfuzionit të gjakut, diagnostikimet e gabuara të sëmundjeve, vdekjet klinike për shkak të neglizhencës, shtimi i krimit në familje, përhapja e pedofilisë, rrëmbimi i personave-pengmarrja, blerja e diplomave të huaja, privatizimi i konkurrimeve publike, pasurimi i përfaqësuesve të shoqërisë civile, skllavërimi i shoqërisë civile, vjedhja e fondeve të kanaleve ujitëse e kulluese, përmbytja e territoreve nga uji për shkaqe abuzimi, mos-hapja e dosjeve të Sigurimit të Shtetit, kthimi i Shqipërisë në një problem të vazhdueshëm për ndërkombëtarët, trafiku i vizave, shtesat e pallateve, betonizimi i qyteteve, falsifikimi i pijeve, mungesa e parqeve të lodrave për fëmijët, krijimi i mitit të sekserit, vendosja e antenave në monumentet e kulturës, mbulimi i tarracave të pallateve me rezervuarë uji, abuzimi nga kompanitë celulare, shlyerja e borxhit qindra miliona euro të Albtelekomit në një mënyrë që askush nuk e di, abuzimi që bankat bëjnë me kredidhënien për shkak të mungesës së informimit të publikut, shtimi i kredive të këqija pa pritur e papandyer, asfalti elektoral, mosngritja për 20 vjet e Teatrit Kombëtar, shtimi i borxhit të jashtëm të Shqipërisë, degjenerimi i qyteteve-muze, ndotja e ajrit në përmasa biblike, ndotja akustike, kthimi i apartamenteve në pallate në njësi prodhimi dhe tregtimi, shkolla me tre turne, shtimi i diplomave të juristëve me progresion gjeometrik, largimi i trurit, mosthithja e trurit, shitja e dosjeve të komunizmit te agjenturat e huaja, sorollatja e qytetarëve nga sistemi bankar që nuk respekton afatet dhe kontratat, mostrajtimi i minorancave, kioskëzimi, vrasja e shqiptarëve në kufi, mosdënimi i krimeve të komunizmit, liberalizimi i licencave në mënyrë të pakontrolluar (taksitë, ushqimi social, shërbimet), tregtimi i valutës në rrugë, ndërtimi i garazheve në hapësirat publike, masivizimi i vjedhjes, moszbatimi i dhjetëra strategjive të shkruara e të miratuara, mungesa e politikave aktive, politizimi i të gjitha hapësirave të jetës shqiptare, dhuna në futboll, monopolizimi i iniciativave sportive, krijimi i monopoleve ekonomike, vrasja e biznesmenëve, mungesa e sigurisë ushqimore, veshja e shqiptarëve me hedhurina, lënia e shtetësisë shqiptare, përzierja e karburanteve me lëngje të tjera, moszbatimi i ligjeve, obeziteti i popullatës, mungesa totale e veprimtarisë sportive mbarëpopullore, shtimi i duhanpirjes sidomos i femrave, shitja e medias te politika, lidhja me zinxhirë e njerëzve me probleme mendore, shitja e minierave për dy groshë, shitja e librave në rrugë, varfërimi i njerëzve të artit dhe kulturës, politikanë që deklarohen të varfër dhe jetojnë si të pasur, futja e dhunshme e milionerëve në politikë, vrasja e peshkut me dinamit dhe e gjahut me kallash, vjedhja e parave të caktuara për fatkeqësi natyrore, shtimi i pickimeve të vejushës së zezë, mungesa e ujit në rubinet, dritat me orar, rrëshqitja e kodrave me gjithë shtëpi në kurriz, këmbimi i peshkut të freskët me peshk frigoriferi, humbja e shijes së ushqimeve, shkatërrimi i monumenteve natyrore dhe kulturore, balta në dimër dhe pluhuri në verë nuk shqiten nga këpucët, stres i nivelit të shtuar deri në depresion masiv, bërja lëmsh e telave të korrentit, vjedhja e programeve audio-vizuale dhe kompjuterike, shpërdorimi i pronësisë intelektuale, caktimi i festave me ligj, multiplikimi i lokaleve dhe pabeve, mungesë intelektualizmi, e kështu me radhë...

T. Observer, Shkroi Erion Kristo

1 person në 4 familje, me çrregullime mendore

Stresi, lodhja, jeta sedentare por edhe problemet e herëpashershme janë shkaktarët kryesorë të depresionit dhe çrregullimeve mendore.

Por jo vetëm kaq, ndërsa depresioni më i madh shoqërohet në muajt e tjerë të vitit, stina e verës është periudha kur të gjithë kemi luhatje me humorin. Kjo edhe për shkak të temperaturave të larta e problemet që sjellin tre muajt e beharit.

Mjekët e Spitalit të Psikiatrisë pohojnë se gjatë viteve të fundit ka pasur rritje të ndërgjegjësimit të njerëzve për të kuruar sëmundjet me origjinë psikiatrike. Shefja e urgjencës në Spitalin Psikiatrik, Fatime Elezi, pohon se numri i rasteve të pacientëve ndryshon në varësi të stinëve.

“Fluksin më të madh të pacientëve me depresion e kemi në stinën e vjeshtës, dimrit apo në pranverë, apo siç janë tentativat incidare të cilat kanë numrin më të madh gjatë muajve prill apo maj dhe një pik tjetër në nëntor apo dhjetor. Ndërkohë, sëmundjet e tjera, siç është skizofrenia, janë në të njëjtat shifra gjatë gjithë vitit” ka nënvizuar Elezi. Ndërsa në periudhën e verës, sipas mjekës, më shumë hasen rastet e çrregullimit të humorit. “Ajo që dua të them është se nuk ka një ndarje mes gjinive, të dyja sekset preken nga këto sëmundje. Ndërsa depresioni anon më shumë nga gratë”, theksoi shefja e Urgjencës së Psikiatrisë.

Studimi i OBSH-së

Për sa i përket shpeshtësisë së sëmundshmërive të çrregullimeve psikiatrike në mosha madhore apo minore, ka të dhëna nga Organizata Botërore e Shëndetësisë që një person në katër familje mund të ketë gjatë gjithë jetës së tij. Kjo është një e dhënë nga OBSH, për sa i përket vendit tonë nuk ka studime të mirëfillta epidemiologjike, por nuk ka pse të jetë vendi ynë me rezultate ndryshe nga e gjithë bota, pasi të njëjtët faktorë janë ata që ndikojnë në lindjen e sëmundshmërisë.
Shkaktarët kryesorë të këtyre sëmundjeve janë të brendshëm dhe të jashtëm, që do të thotë të trashëguar, por edhe të fituar si stresi, lodhja, jeta sedentare.

“Pagëzimi” i psikiatrisë

Spitali i Psikiatrisë në qendrën spitalore universitare “Nënë Tereza” ka marrë emrin e profesorit të nderuar të kësaj fushe, prof. dr. Xhavit Gjata. Në ceremoni kanë marrë pjesë ministri i Shëndetësisë, Petrit Vasili, shefi i Shërbimit të Psikiatrisë Anastas Suli, si dhe mjekë, kolegë dhe të afërm të mjekut të nderuar.

Prof. dr. Xhavit Gjata ka qenë një nga themeluesit e shërbimit të psikiatrisë në vendin tonë, një mjek i shkolluar në Francë. Me ardhjen në Shqipëri, ai u përpoq të sillte copëza të kësaj kulture në shëndetësinë shqiptare, në spitale, në Fakultetin e Mjekësisë etj. “Spitali i Psikiatrisë, që sot kryen mbi 1150 shtrime në vit dhe 2500 konsulta, është zhvilluar falë punës së bërë nga mjeku prof. dr. Xhavit Gjata.

Kam qenë ndoshta i përkëdheluri i fatit, që isha ministri që firmosa pikërisht këto gjëra dhe do të mbetet një nga kënaqësitë e jashtëzakonshme të së gjithë punës sime si ministër, sepse mendoj që shumë gjëra vijnë e shkojnë, po këto përjetime që kemi këtu, do na shoqërojnë gjatë gjithë jetës sonë”, deklaroi në ceremoninë e vendosjes së emrit të shërbimit të psikiatrisë, ministri i Shëndetësisë, Petrit Vasili.

T. Channel

5 anarkitë

E para: Anarkia fetare:
Katër fe të ndryshme, që nuk kanë zënë rrënjë në zemrën e një populli pagan.

E dyta: Anarkia sociale: Këtu s’ka as klasë bejleresh, as klasë bujqësh, as klasë burzhuazie. Këtu bujku është me bej se beu dhe beu me bujk se bujku.
Kemi një shembull të bukur për partinë popullore, e cila sot mbahet në fuqi prej bejlereve nga oxhakët me te vjeter, kurse anetarët e saj lëvdohen se kanë shpëtuar prej bejlerëve.

E treta: Anarkia morale:
Këtu qeni nuk e njeh të zonë, këtu karakteret dobësohen, qullosen dhe ndërrojne formë e ngjyrë nga dita në dite si në kaleidoskop. Këtu ambicjet janë pa fre e pa kufi, këtu i padituri i di të gjitha dhe i pazoti është i zoti për te gjitha.

E katërta: Anarkia patriotike:
Këtu brenda një dite si për magji tradhëtori bëhet patriot dhe patrioti tradhëtor. Këtu shohim përpara syve tanë të kapërdisen si patriot të mëdhenj ata që kanë luftuar për harfet dhe për flamurin e babës, që kanë djegur Shqiperinë e Mesme ose që janë puthur me andartët e i kanë ndihmuar te shenjterojnë anë e mbanë Toskerinë. Këtu si më thoshte një mik është më mirë qe njëriu të jetë tradhëtar e të shikojë
interesat e tij sepse kështu do te jetë i sigurtë që të nesërmen do të proklamohet patriot i madh.

E pesta: Anarkia e idealeve:
Këtu idealet e shtrembëra, të errëta e të mumifikuara të Fanarit të Buhares përfyten e përleshen për jetë a vdekje me idealet e gjalla, me elegantë e më të ndritshme të Perëndimit. Na mungojnë vetem idealet e antropofageve. Po për të zënë vendin e tyre kemi kolltukofaget, krimba të verdhë me kokë të zezë, që rriten ne plagët e infektuara të Shqiperisë në lengim, këpusha që mund t’i copëtosh, por jo t’i cqitesh nga trupi qe kafshojne dhe thëthijnë. Herodi tregon se në betejën navale te Salaminës, një athinas kapi një anije persiane me dorën e djathtë e s’e lëshonte, gjersa ja prenë e atëherë e kapi me dorën e mëngjër, ja prenë dhe këtë, atëherë e kapi me dhëmbë e s’e lëshoi gjersa i prenë kokën.
Sikur të ngjallej Herodi, përsëri do të shikonte që kolltukofagët tanë janë më të fortë se ky trim legjendar i vjetersisë antike. Qe t’i çqitesh këta tanët nga kolltuku duhet t’i presësh jo vetëm duart e kokën, por edhe këmbët dhe trupin.

Fan Noli

Demokracia në shtëpi

" Atë që e dashuron, lëre të lirë, nëse kthehet, atëherë është e jotja për gjithmonë!" Konfuci

Diskriminimi i gruas shqiptare shumë herë mund të krahasohet me trajtimin e gruas, që i bëjnë emigrantët nga Lindja e Afërt grave të tyre në Gjermani. Gati nuk ka dallime as nga sjellja në shtëpi, as nga ajo në rrugë. Mbi të gjitha nënçmimi, mosmirënjohja dhe përbuzja janë identike. Nuk mungojnë edhe të ashtuquajtura “vrasje nderi!”

Një turk vret motrën në Berlin për dashuri, një shqiptar nga Kosova pret kokën kunatës. Kur të krahasohen këto mendësi, atëherë shtrohet pyetja:

Kush jemi ne? Jemi shqiptarë apo jo? 

- A na bën vetëm gjuha shqiptarë? 
Jo! Gjuhën shqipe mund ta flasë edhe një i huaj.

- A na bën pasaporta shqiptarë? 
Jo! Pasaportë shqiptare mund të ketë edhe një pjesëtar i një pakice kombëtare.

- A na bën emri shqiptarë? 
Jo! Kemi emra të huaj, madje edhe emra shqiptarë, por me bindje të huaja.

- A na bëjnë doket shqiptarë? 
Jo! Zakone tona i paska dikush tjetër, që i konsideron të vetat.

Kush jemi ne?
Nuk e dimë. Kjo “nuk e dimë” duhet të na shërbej si bazë kërkimi, filtrimi dhe rikrijimi.

Kjo ishte në një far mënyre metoda e Sokratit mbi vetënjohjen. Nëse nuk kemi mendësi tonën, atëherë nuk dimë saktë se kush jemi, por nuk mund të mendohet se jemi ata që mendojmë se jemi.

Ne nuk jemi ne, por jemi ata. Bëjmë jetën e huaj, sipas rregullave të huaja. Ky mund të quhet asimilim zakonor. Ne nuk jemi si ishim ne, por u bëmë si deshën ata. Si ata, por me një emërtim tjetër duke u bazuar vetëm në gjuhë. Sa i përket trajtimit të gruas nuk kemi asgjë tonën, por vetëm ndikime. Qëndrim përbuzës gati armiqësor ndaj gjinisë tjetër në familje dhe antidashuri teatrale. Për të ndërtuar një shoqëri të shëndoshë, duhet të kemi burra racional. Perëndimi ka kaluar fazën e homo sapiensit dhe flitet për homo rationalis apo economicus dhe homo sentiens.
Sentiens sepse në krijimin e personaliteti vendosin edhe emocionet, thotë sociologu dhe psikologu social F. Dustdar. Në shoqëri primitive dhe patriarkale emocionaliteti përjashtohet, si edhe empatia ndaj grave, konsiderohen dobësi dhe zëvendësohen me trysninë. Me përjashtimin e emocionalitetit, përjashtohet edhe dashuria dhe ecuria më e mirë për krijimin e familjes.

Imponimi i mendësisë së huaj nuk është çudi, sepse në masë të madhe ajo është marrë pavetëdijshëm nga pushtimi i gjatë. Dhe, pas këtij pushtimi, zhvillimi jonë nuk ka qenë normal dhe nuk kemi pasur mundësi të merremi me vetveten.
Çudia nuk është pse është marrë ky modus vivendi, çmenduria qëndron në ruajtjen e saj me xhelozi, madje shpesh herë aq të ngatërruara, sa gabimisht, konsiderohet i joni. Pushtuesi nuk mund të akuzohet edhe 100 vite pas, radhën e kemi ne.

Këtyre imponimeve u kemi dhënë shtat dhe fuqi me dy fjalë të urta:
“ Gruaja ka futur djallin në shishe apo kuti”
“Gruaja ka mendje të shkurtër dhe flokë të gjata”. 


Këto mendime nuk dihet a janë përkthime apo zhgënjim i gjinisë mashkullore, çka duket shumë pak e besueshme kur njohim gruan shqiptare, mirëpo, kjo nuk është me rëndësi, me rëndësi është se këto mendime jetojnë dhe përmenden shpesh nëpër biseda, kur dëshirohet për ta nënvizuar apo për ta përforcuar bindjen për të keqen sipërore:Gruan!
Nga këto fjalë të urta krijohen edhe besime fikse, sepse ndërtojnë mendësinë në një familje, në një lagje, qytet, rrjedhimisht mendësinë e një kombi me të cilën dallohet nga kombi tjetër dhe ato paracaktojnë sjelljen e burrit ndaj gruas. Aty ku shtypet gruaja, zakonisht skenat politike është kaotike dhe demokracia është shumë e brishtë apo gjithmonë në rrezik. Në kacafytje e sipër me vetveten. Si edhe familja. Aty kanë sukses vetëm diktaturat. Te popujt ku shtypet gruaja, parapëlqehet autokrati në politikë, sepse është më i afërt me patriarkalizmin.

Disa fjalë të urta na orientojnë në jetë, na tregojnë ç’ duhet bërë apo ç’është e moralshme e çka jo. I quajmë “ të urta”, edhe pse disa prej tyre mund të konsiderohen “fjalë të çmendura”, perverse, fjalë të çurta. Burrat duke iu besuar atyre mendimeve, rregullojnë jetën e tyre të brendshme, sepse kjo u pëlqen dhe u garanton dominimin dhe shndërrohen në pronorë të gruas. Pronësia vret dashurinë. Kjo dihet, mirëpo përsëri ato mendime përkufizojnë besimin ndaj gruas, respektivisht dyshimin ndaj moralit të saj.
Ajo që mund të jetë krenari për një popull, është turp i madh te tjetri. Habi dhe rezignacion.

Me ato dy fjalë të urta nuk mund të krenohet asnjë komb, me përjashtim të atyre që linden nga epruveta. Nëse ka të tillë, por jo popujt, që linden nga gruaja. Popujt ndryshojnë aq shumë në mes vete, sa ndryshojnë këto mendime bazë, udhërrëfyese dhe drejtuese. Popujt nuk qytetërohen pse posedojnë shtëpi të reja, orendi të mira, rrugë të bukura, bulevarde, rrokaqiej, e as kur kanë kompjuterë e makina.
Popujt qytetërohen kur respektojnë lirinë dhe të drejtat e individit, pa dallim seksi, ku nuk ka luftë shtëpiake dhe dominim bazuar në gjini. Lufta dhe dominimi në shtëpi, edukon njeriun si të sillet nesër jashtë dhe zakonisht prodhohen prepotentë dhe njerëz të gatshëm për përdorimin e dhunës: Imploziv, eksploziv, xheloz, inferiorë, smirakë, kolerikë dhe me shumë komplekse tjera...

Besimet fikse nuk duhet ngatërruar me idetë apo bindjet fikse, që sipas disa studiuesve, është fjala për ide obsesionuese, që konsiderohen edhe si monomani, domethënë si pengesë e pjesshme”e izoluar” e funksioneve psikike. Disa psikologë i konsiderojnë edhe ide paranoike.
Disa fjalë të urta shqipe mund të quhen paranoike, sepse prodhojnë sëmundje.
Nuk dimë kur janë krijuar dhe kush i foli i pari, por i dinë gati të gjithë dhe janë aktuale apo rrezatojnë një mosbesim të tmerrshëm ndaj gjinisë fisnike, të sinqertë dhe të bukur. Për ta kultivuar edhe më këtë qëndrim përbuzës, zbatuesit e këtyre besimeve fikse veçojnë gruan nga nëna dhe në aspektin semantik, gruaja nënkupton vetëm bashkëshorten dhe herë-herë edhe motrën, por kurrë nënën. Nëna përjashtohet nga djallëzia, por kur flitet për gruan, atëherë edhe nëna duhet futur brenda, edhe pse interlokutori aludon vetëm në gruan në cilësi të bashkëshortes.

Ç'ka janë besimet fikse?
Besimet fikse nuk e kanë fuqinë e ideve obsesionuese, por respektohen si rregulla dhe marrin pjesë në ndërtimin e tërësive morale. Këto, ndoshta, kurrë nuk i përmendim, por i kemi si paterica, që na ndihmojmë të ecim para, të ecim drejt apo të kërrusur, të vendnumërojmë ose të mbetemi te artikuluesi i atij mendimi. Diku në mesjetë.

“Pika pika, mbushet pusi!” na ndihmon të kuptojmë se për të arritur diçka, duhet durim dhe punë. Kjo mund të vlejë përgjithmonë. “Gjarpri, që nuk më kafshon mua, jetoftë njëqind vjet”, është një besim fiks, që gati askush nuk e venë në dyshim dhe kjo thënie prodhon oportunizëm dhe oportunistë në çaste vendimtare për individin, familjen, rrjedhimisht kombin. Ky mendim ka ushtruar ndikim të madh në mendësinë shqiptare. Këtu shpjegohet edhe indiferenca ndaj devijimeve politike dhe shoqërore. Reagimi i njerëzve në kohë krize. Ai besim fiks bën thirrje i afërmi të lihet në rrezik dhe siç kemi mësuar, nga historia, në fund gjithmonë i vjen radha folësit të këtij mendimi. Kjo mund të dëshmohet edhe me ngjarjet në ish Jugosllavi: Një herë ndiqeshin vetëm patriotët e zëshëm, në fund u erdhi radha edhe fëmijëve, grave dhe pleqve. Këtu duhet kërkuar edhe arsyen pse gjendja jonë politike nuk është qëndrueshme dhe pse nuk ka pasoja për rrënuesit e shtetit. Ai që është larg gjarprit, soditë me indiferentizëm. Shtetet tona mund të rrëzohen lehtë, sepse ka shumë idhujtarë të gjarprit.

Parë në mënyrë empirike, mund të shtohet se popujt, që shtypin gratë, nuk kanë stabilitet politik. Gjendja e tyre në politikë është gati si në shtëpi: Ka ofendime, lëndime, përjashtime dhe ushtrohet dhuna fizike e shpirtërore. Mungon debati i barabartë dhe i mirëfilltë, si në shtëpi, ashtu edhe në politikë. Edukata, që merret në shtëpi dhe shoqëri, ndikon në përjashtimin e dialogut si proces për marrëveshje dhe kompromis. Në shtëpi nuk ka kompromis, por dekrete, kjo përjetohet pastaj edhe në politikë. Aty dominon urdhri, kërcënimi, shantazhi dhe dhuna. Ligji i të fortit. I shtazëve. Luani nuk ka nevojë të bëjë debat me prenë e as kompromis, jo. Mirëpo, ai është kafshë e egër. Atij i falet, sepse ai vret vetëm një kafshë dhe vetëm kur ka uri.

Në shoqëritë maskiliste fjalët, që dëgjohen tepër rrallë janë: “Më fal/ni, të/ju lutem dhe faleminderit!” 
Këto nuk dëgjohen sepse zakonisht shoqëritë primitive janë shumë krenare dhe përdorimi i atyre togfjalëshave përjetohet si nënshtrim, zhburrnim dhe mungesë dashurie, respekti ndaj vetes, shkurt e shqip: degradim i sedrës.

Nuk dihet a ka ndonjë komb tjetër në botë i cili gruan, nënën dhe motrën i krahason me më të keqen absolute. Me të keqen ekstreme. Maja e së keqes. Maja e dyshimit. Epiqendra e mashtrimit. E djallëzisë sipërore.

Barasvlerësimi, identifikimi dhe mishërim i gruas me një qenie të mbinatyrshme me thundra, brirë e bisht, është paragjykim satanik. Ndoshta te krijimi i kësaj bindje i ka gishtat brenda edhe Dhiata e Vjetër me mollën e famshme. Kjo, mirëpo, nuk mund të thuhet me siguri. Sido që të jetë, me besimin fiks tonin, në paragjykimet tona, gruaja ka mashtruar djallin dhe e ka mbyllur në shishe. Meqenëse se thuhet në shishe, mund përafërsisht të shenjëzohet edhe shekulli i lindjes së këtij mendimi. Po të rridhte nga ilirët, atëherë nuk do të thuhej “shishe”, por sigurisht qyp apo kanë. Kanë apo shishe do të sillte përfundimin e njëjtë: Gruaja është më e keqe se djalli dhe më e fuqishme se Perëndia, sepse Zoti nuk mundi ta zhdukë qoftëlargun, por ja që gruaja po, dhe, cila grua?
Gruaja shqiptare! Vetëm e jona. Gruaja, që i dhuroi botës një Nënë! Gruaja e mjerë e cila me shekuj as nuk falënderohet, as nuk i kërkohet ndjesë, as mendimi, as nuk i jepet mirënjohje, por urdhra dhe i kërkohet shërbim deri sa të lëvizet, deri në vdekje. Gruaja, që punonte në shtëpi dhe në ara, gjersa burri e vështronte nga hija. Gruaja, që lindjen e vet femërore e konsideronte mallkim dhe fajësi. Ne jemi populli, që kemi merituar romanin “Sikur t’ isha djalë” dhe nuk turpërohemi. As nuk çuditemi. Nëse burri thotë “sikur t’ isha grua”, atëherë plasë përleshja verbale dhe fizike te ne, sepse mbikëqyrësit e hipokrizisë, të moralit të dyfishtë, alarmohen. Edhe pse nuk janë të autorizuar. Ne kemi qindra këngë ku stigmatizohet gruaja, ku i këndohet tradhtisë dhe ku gjithmonë gruaja braktisë njërin dhe dashuron tjetrin. Në jetë këto gati nuk ndodhin, por u shërbejnë meshkujve për ta përforcuar dyshimin e tyre. Dhe, ne i duamë ato këngëtare e këngëtarë, që satanizojnë gruan shqiptare deri në kurvë të papërmirësueshme...Ka mirëpo edhe poetë, që satanizojnë gruan, kur vargëzojnë dashurinë e tyre të humbur...Kjo nuk nderon një letërsi. Shumë poetë tanë, i kushtojnë poezi nënës pas vdekjes, grave të veta, rrallë.

Gruaja shqiptare gjatë çdo krize bartë peshën kryesore të kombit, sepse ne meshkujt i kemi këmbët e shpejta, të gjata dhe ia mbathim para agimit. Gruaja që nga lindja konsiderohet me mëkate dhe i imponohet mania e mëkatit, e fajësisë, prandaj ajo duhet mbikëqyrur sepse mund të mëkatojë. Sapo të dalë jashtë! Djali duke u edukuar gabimisht, krijon bindjen se gruaja është mendjelehtë dhe e lehtë për mëkate.
Si pasojë e këtij besimi, ai sëmuret nga mania e xhelozisë dhe përligj kontrollin dhe shtypjen duke menduar se terrori i shërben të mirës së saj, nderit të familjes, duke shkatërruar dinjitetin e gruas dhe personalitetin e saj. Ai e sheh veten si rojtar të nderit. Pastaj vuan edhe nga mania e lidhjes bashkëshortore dhe kur lexon diçka të pamoralshme në gazetë, mendon se edhe atij mund t’ i ndodhë kjo. Jo rrallë vuajnë edhe nga mania e madhështisë: “Mua më duan të gjitha gratë”. Dhe, në fund, vuan nga mania e dinamikës, që ndikon edhe në gjendjen shpirtërore dhe motorikën e tij; përjeton dhe kultivon në mënyrë aktive manitë e tija të lartpërmendura. Këto në Perëndim konsiderohen sëmundje dhe mund të shërohen nga psikologu, te ne këto sëmundje konsiderohen krenari, virilitet dhe vigjilencë burrërore. Në Perëndim koha e nderit ka ikur, dinjitet mbrohet nga kushtetuta dhe është i pacenueshëm. Nderi ngërthen tërësitë morale të një shoqërie mesjetare primitive...

Gruaja sipas atyre bindjeve maskiliste, është jo vetëm personifikim real i djallit, por qëndron mbi djallin. Kryedjall! Burri viktimë! 
Sipas burrave të tillë, nëse ajo mashtron dreqin, si nuk më mashtron mua, burrin e gjorë, të mjerin, të mirin, të butin, që pati fat të lindet pa mëkate duke pasur një zorrë të vogël jashtë trupit për të urinuar dhe dy vezë të varura për t’ u krenuar! Dhe, sipas tyre, burrëria, morali dhe trimëria, banojnë aty poshtë, mu ndërmjet këmbëve! Nuk është turp nëse fëmijët i mbeten pa ushqim, me rëndësi t’ i ketë organet gjenitale, që sjellin përparësi.
Akoma më keq, edhe pse të gjithë dimë se gratë tona janë të sinqerta e shembullore, përsëri i besojmë atyre fjalëve të urta paranoike dhe ato përsëri trajtohen sikur të ishin të liga, mendjelehta dhe të lehta. Se a janë vërtetë gratë tona të sinqerta, mund të shikohen nënat tona. Kjo ndoshta mund të quhet mënyrë fashiste e trajtimit të gruas apo më qartë për neve, trajtim komunist, ku për disa disident, dënohet krejt populli me humbjen e lirisë. Këtu i afrohemi një proverbi turk i cili thotë : “ Rrahe gruan edhe pa arsye, ajo din se ka ndonjë arsye për të cilën meriton rrahjen”.

Gratë shqiptare kurrë nuk kanë lënë ndonjë shembull çoroditës të përdaljes, siç kanë lënë burrat për shembull në histori. Gratë nuk kanë dëmtuar njerëzimin sa dhe si burrat. Këta të fundit shpesh flasin me pasion për shkrimtarin dhe aventurierin italian Giacomo Casanova dhe, e perceptojnë disi si superfuqi mashkullore me dëshirë të flakët për ta imituar. Kurvë, kaq të madhe, si Casanova nuk ka në historinë shqiptare, as te burrat e as te gratë. Nga historia njohim edhe një grua të përdalë: Poppea, mbretëreshë e kurorëzuar nga Nero, por jo te ne. Edhe pse te ne nuk ka shembuj të tillë, për burrin tonë, kjo nuk është me rëndësi, me rëndësi është se ai posedon bindjen e vet se gruaja ka futur djallin në shishe. Shkurtpamësia e kësaj thënie është trishtuese dhe shkatërron cilësinë e jetës te një çift. Njeriu nuk mund të njihet duke u shtypur, por duke përjetuar lirinë. Shembulli i Casanova-së dhe Poppea-së nuk kanë ndikuar te italianët në përjetimin e dashurisë, paragjykimin e saj, si kanë ndikuar te ne fjalët e urta paranoike.

Nëse qenka e vërtet se gruaja paska aftësi më të madhe se djalli, më të madhe se Zoti, atëherë gruaja qenka Zoti. Nëse jo, atëherë besuesve të këtij aberracioni duhet shtruar një pyetje: kush dreqin na lindi neve dhe bijtë të kujt jemi ne?
Këta njerëz, që shtypin e keqtrajtojnë në shtëpi, zakonisht jashtë shtëpisë janë qengja apo të krisur. “Nuk i kanë të gjithë filxhanët në dollap”, thonë gjermanët në mënyrë tallëse.
Besimi tjetër fiks është “ flokëgjatë dhe mendjeshkurtër”. Edhe kjo fjalë e urtë ka lindur vonë, sepse dikur edhe burrat shqiptarë kishin flokë të gjata, prandaj mund të pohohet se kjo fjalë e urtë ka lindur pas pushtimit. Ky besim bie në kundërshtim me të parën. Nëse në të parën gruaja na shfaqet si kryeshefe e së keqes absolute dhe me mençuri gjeniale, mbidjallëzore, saqë mashtron edhe djallin, te e dyta kemi konstatimin se gruaja është mendërisht inferiore ndaj mashkullit. Shumë inferiore, gati e pa tru dhe prandaj i nevojitet përcjellja permanente.

Sipas burrave të tillë, mençuria e qenies njerëzore kuptohet nga jashtë: Mjafton t’ i shikohet koka dhe t’ i kuptohet IQ-ja. Ato dy fjalë të urta kanë ndikuar apo ndihmuar në keqtrajtimin e gruas sa sot kemi mundësi ta zëmë vendin e parë në Europë edhe në këtë disiplinë mashkullore: Me dhunë fizike dhe dhunë shpirtërore. Thua se na mungon imazhi i keq për kriminalitet, thua se na mungon imazhi keq për keqqeverisje dhe tani duhet të jemi në faqe të parë edhe me trimëri ndaj grave. Në dhjetë vitet e fundit shqiptarët jashtë, nga Shqipëria e Kosova, me vepra i treguan Perëndimit si trajton shqiptari gruan.

Vite më parë, në gazeta që lexohen nga miliona lexues në Gjermani, njëra madje nga 12 milion, u bë e ditur se shqiptari nga Kosova preu kunatës kokën dhe ka ecur me kokë në dorë nëpër qytet. 
Kur ishte kthyer burri i saj, kishte gjetur bijën e vet 16 muajshe para trupit të nënës pa kokë. E therur 35 herë me thikë. Gjykata e pat dënuar me dhjetë vjet burg. Nuk e konsideroi me aftësi të plot përgjegjshmërie, sepse kishte marrë pjesë në luftë dhe se paska humbur mundësinë e vlerësimit në mes të mirës dhe së keqes. Gjyqtari Gerd Nohl në arsyetimin e tij kishte përmendur edhe prapavijën etnokulturore si masë zbutëse të dënimit.

Shqiptari tjetër në Itali, në Teramo, prenë gruan në fyt dhe i telefonon karabinierëve për t’ u dorëzuar, lajmëronte ANSA dhe nuk përjashtohej xhelozia. Vrasësi 45 vjet, shoqja 33. Corriere della Sera: “Shqiptari vret gruan me kazmë, “raptus di follia”. Burri kishte mbetur pa punë raportonte gazeta dhe ishin ndryshuar rolet në familje dhe këtë burri nuk kishte mundur ta durojë. Dy fëmijë bonjak, 11 dhe 15 vjeçar.
Gazeta “La Reppubblica”, shqiptari vrau dy veta në gjykatë. Arsyeja: frikë se nga shkurorëzimi do t’ i merrte fëmijët gruaja. “Messagero Veneto”: Shqiptari masakroi gruan me lopatë, fëmijët qajnë, vrapojnë fqinjët”. Në polici arsyetohet: „Tallej me mua dhe nuk e duroja më“. Këto janë disa shembuj, me motive të ndryshme, jo të gjitha. Këto dëshmojnë se burri shqiptarë ka nevojë për vetëdijesim. Këto vepra kriminale mund të llogariten si britmë për riedukim. Nëse dikush mendon se vrasje të tilla ndodhin edhe te kombet tjera, atëherë pason kjo përgjigje: Të tjerët punojnë me përkushtim kundër këtyre perversioneve.

Zoti apo natyra nuk ka krijuar asnjë lloj gjallese në planetin Tokë, që duhet të jetojnë në kurriz të njëri tjetrit apo ta shndërrojnë në pronë njëri tjetrin.
Dy gjinitë janë krijuar për të plotësuar njëra tjetrën dhe për të mbajtur jetën gjallë. Mashkulli, vetëm te homo sapiensi, jo edhe te kafshët, as te majmuni jo, duke u bazuar në forcën e vet fizike, jo mendore, shndërroi gruan në qenie të dorës së dytë, sepse mundi. Nënnjeri e konsideron! Ndoshta diskriminuesve shtypja u shërben si erzac nga mungesa e virilitetit. As kafshët e egra, as kafshët e buta nuk keqtrajtojnë gjininë femërore dhe nuk e shndërrojnë në pronë. As peshqit, jo. As shpezët. Njeriu lindet i lirë, lindet në të njëjtën mënyrë, pa dallim gjinie, duhet të jetojë i lirë dhe vdesë të njëjtën mënyrë.
Liritë dhe të drejtat e njeriut duhet mësuar në shkollë që nga klasa e parë e deri në fakultet dhe kështu arrijmë ta qytetërojmë njeriun, fundi i fundit kemi dëshirë t’ i bashkëngjitemi këtij qytetërimi, ku gruaja jep kontribut në shoqëri, ekonominë e vendit dhe edukimin e fëmijëve.

Burri jonë ka kuptuar keq emancipimin.
Ai pretendon nga gruaja rrogën dhe punën në shtëpi. Edhe aty ku mendohet se ka emancipim e përparim, edhe aty shihet diskriminimi latent, sepse gruaja me fitimin e së drejtës për të punuar, vetëm sa i ka shtuar vetes punë më tepër. Tani jo vetëm në shtëpi punë, por edhe jashtë! Ne nuk kemi mundësi tani ta ndërtojmë shqiptarin e ri, me doke të reja, por kemi mundësi ta europianizojmë atë, sepse ky është fati dhe shansi jonë! Çka mendojnë të tjerët për neve, lehtë mund të kuptohet kur të kihen parasysh tri të ligat e mëdha: Kriminaliteti, politika dhe raportime për dhunën ndaj grave. Vetëm emancipimi i gruas, është rrugë pa krye, tani ka ardhur koha të emancipohet diskriminuesi i grave: Burri! Mungesa e demokracisë në shtëpi, krijon shtete jo solide demokratike dhe të pa baza: surrogate të demokracisë!
Sa i përket trajtimit të gruas nuk kemi trashëguar asgjë që vlen të ruhet sot, përkundrazi, të harrohet sa më shpejtë dhe të respektohen liritë dhe të drejtat e gruas dhe fëmijës, me një fjalë liritë e individit. Vetëm kjo garanton një shoqëri të ekuilibruar mirë me detyra dhe të drejta të barabarta. Vetëm mendësia europiane ndihmon dhe ruan identitetin shqiptar. Ruajtja me këmbëngulje e mentalitetit të vjetër na bën të veçantë dhe qesharak.

Po e mbyll këtë shkrim me mendimin e mikut tim, Vasil Qesarit, i cili për ta përkujtuar përvjetorin e humbjes së nënës, pranë fotografisë së saj, ndezi një qiri dhe shkroi këtë: “Zoti nuk mund t’ ishte i pranishëm kudo, prandaj krijoi Nënën!”

Naser Aliu