Kush je ti, Kush je ?
Duke menduar, duke pleksur hije në vetminë e thellë.
Edhe ti je larg, oh, më larg se të gjithë.
Duke menduar, duke çliruar zogj, duke zhdukur imazhe,
duke varrosur drita.
Këmbanore mjegullash, kaq të largëta, atje në lartësi !
Duke mbytur rënkime, duke thërmuar shpresa të errëta,
mullis i heshtur,
Nata bie si kafshatë në këmbët e tua,
larg nga qyteti.
Prania jote më është e huaj, kureshtare si një objekt.
Mendoj, ec gjatë, jeta ime para teje.
Jeta ime para të gjithëve, jeta ime e ashpër.
Britma përballë detit, mes guriçkave,
që vrapon e lirë, e marrë nëpër avullin e detit.
Tërbimi i trishtë, britma, vetmia e detit.
Bleronjëse, e ashpër, nderë drejt qiellit.
Ti, çfarë ishe aty, ç’përthyerje, ç’purtekë
të asaj freskoreje të pamatë?
Ishe larg si tani.
Zjarr në pyll !
Përvëlon në kryqe kaltëroshe.
Përvëlon, zhurit, përflak, përshkëndit në pemë drite.
Lëshohet, brambullit.
Zjarr, Zjarr.
E shpirti im i plagosur vallëzon prej bujashkave të zjarrta.
Kush thërret?
Ç’qetësi e populluar jehonash?
Çast i mallit, çast i gëzimit, çast i vetmisë,
çast imi mes të gjithave!
Guackë në të cilën era kalon duke kënduar.
Kaq pasion vaji mbërthyer pas trupit tim.
Tronditje e të gjitha rrënjëve,
Sulm i të gjitha dallgëve !
Endej, i gëzuar, i trishtuar, i pambarim, shpirti im.
Duke menduar, duke varrosur dritën në vetminë e thellë.
Kush je ti, kush je?
No comments:
Post a Comment