" Atë që e dashuron, lëre të lirë, nëse kthehet, atëherë është e jotja për gjithmonë!" Konfuci
Diskriminimi i gruas shqiptare shumë herë mund të krahasohet me trajtimin e gruas, që i bëjnë emigrantët nga Lindja e Afërt grave të tyre në Gjermani. Gati nuk ka dallime as nga sjellja në shtëpi, as nga ajo në rrugë. Mbi të gjitha nënçmimi, mosmirënjohja dhe përbuzja janë identike. Nuk mungojnë edhe të ashtuquajtura “vrasje nderi!”
Një turk vret motrën në Berlin për dashuri, një shqiptar nga Kosova pret kokën kunatës. Kur të krahasohen këto mendësi, atëherë shtrohet pyetja:
Kush jemi ne? Jemi shqiptarë apo jo?
- A na bën vetëm gjuha shqiptarë?
Jo! Gjuhën shqipe mund ta flasë edhe një i huaj.
- A na bën pasaporta shqiptarë?
Jo! Pasaportë shqiptare mund të ketë edhe një pjesëtar i një pakice kombëtare.
- A na bën emri shqiptarë?
Jo! Kemi emra të huaj, madje edhe emra shqiptarë, por me bindje të huaja.
- A na bëjnë doket shqiptarë?
Jo! Zakone tona i paska dikush tjetër, që i konsideron të vetat.
- Kush jemi ne?
Nuk e dimë. Kjo “nuk e dimë” duhet të na shërbej si bazë kërkimi, filtrimi dhe rikrijimi.
Kjo ishte në një far mënyre metoda e Sokratit mbi vetënjohjen. Nëse nuk kemi mendësi tonën, atëherë nuk dimë saktë se kush jemi, por nuk mund të mendohet se jemi ata që mendojmë se jemi.
Ne nuk jemi ne, por jemi ata. Bëjmë jetën e huaj, sipas rregullave të huaja. Ky mund të quhet asimilim zakonor. Ne nuk jemi si ishim ne, por u bëmë si deshën ata. Si ata, por me një emërtim tjetër duke u bazuar vetëm në gjuhë. Sa i përket trajtimit të gruas nuk kemi asgjë tonën, por vetëm ndikime. Qëndrim përbuzës gati armiqësor ndaj gjinisë tjetër në familje dhe antidashuri teatrale. Për të ndërtuar një shoqëri të shëndoshë, duhet të kemi burra racional. Perëndimi ka kaluar fazën e homo sapiensit dhe flitet për homo rationalis apo economicus dhe homo sentiens.
Sentiens sepse në krijimin e personaliteti vendosin edhe emocionet, thotë sociologu dhe psikologu social F. Dustdar. Në shoqëri primitive dhe patriarkale emocionaliteti përjashtohet, si edhe empatia ndaj grave, konsiderohen dobësi dhe zëvendësohen me trysninë. Me përjashtimin e emocionalitetit, përjashtohet edhe dashuria dhe ecuria më e mirë për krijimin e familjes.
Imponimi i mendësisë së huaj nuk është çudi, sepse në masë të madhe ajo është marrë pavetëdijshëm nga pushtimi i gjatë. Dhe, pas këtij pushtimi, zhvillimi jonë nuk ka qenë normal dhe nuk kemi pasur mundësi të merremi me vetveten.
Çudia nuk është pse është marrë ky modus vivendi, çmenduria qëndron në ruajtjen e saj me xhelozi, madje shpesh herë aq të ngatërruara, sa gabimisht, konsiderohet i joni. Pushtuesi nuk mund të akuzohet edhe 100 vite pas, radhën e kemi ne.
Këtyre imponimeve u kemi dhënë shtat dhe fuqi me dy fjalë të urta:
“ Gruaja ka futur djallin në shishe apo kuti”
“Gruaja ka mendje të shkurtër dhe flokë të gjata”.
Këto mendime nuk dihet a janë përkthime apo zhgënjim i gjinisë mashkullore, çka duket shumë pak e besueshme kur njohim gruan shqiptare, mirëpo, kjo nuk është me rëndësi, me rëndësi është se këto mendime jetojnë dhe përmenden shpesh nëpër biseda, kur dëshirohet për ta nënvizuar apo për ta përforcuar bindjen për të keqen sipërore:Gruan!
Nga këto fjalë të urta krijohen edhe besime fikse, sepse ndërtojnë mendësinë në një familje, në një lagje, qytet, rrjedhimisht mendësinë e një kombi me të cilën dallohet nga kombi tjetër dhe ato paracaktojnë sjelljen e burrit ndaj gruas. Aty ku shtypet gruaja, zakonisht skenat politike është kaotike dhe demokracia është shumë e brishtë apo gjithmonë në rrezik. Në kacafytje e sipër me vetveten. Si edhe familja. Aty kanë sukses vetëm diktaturat. Te popujt ku shtypet gruaja, parapëlqehet autokrati në politikë, sepse është më i afërt me patriarkalizmin.
Disa fjalë të urta na orientojnë në jetë, na tregojnë ç’ duhet bërë apo ç’është e moralshme e çka jo. I quajmë “ të urta”, edhe pse disa prej tyre mund të konsiderohen “fjalë të çmendura”, perverse, fjalë të çurta. Burrat duke iu besuar atyre mendimeve, rregullojnë jetën e tyre të brendshme, sepse kjo u pëlqen dhe u garanton dominimin dhe shndërrohen në pronorë të gruas. Pronësia vret dashurinë. Kjo dihet, mirëpo përsëri ato mendime përkufizojnë besimin ndaj gruas, respektivisht dyshimin ndaj moralit të saj.
Ajo që mund të jetë krenari për një popull, është turp i madh te tjetri. Habi dhe rezignacion.
Me ato dy fjalë të urta nuk mund të krenohet asnjë komb, me përjashtim të atyre që linden nga epruveta. Nëse ka të tillë, por jo popujt, që linden nga gruaja. Popujt ndryshojnë aq shumë në mes vete, sa ndryshojnë këto mendime bazë, udhërrëfyese dhe drejtuese. Popujt nuk qytetërohen pse posedojnë shtëpi të reja, orendi të mira, rrugë të bukura, bulevarde, rrokaqiej, e as kur kanë kompjuterë e makina.
Popujt qytetërohen kur respektojnë lirinë dhe të drejtat e individit, pa dallim seksi, ku nuk ka luftë shtëpiake dhe dominim bazuar në gjini. Lufta dhe dominimi në shtëpi, edukon njeriun si të sillet nesër jashtë dhe zakonisht prodhohen prepotentë dhe njerëz të gatshëm për përdorimin e dhunës: Imploziv, eksploziv, xheloz, inferiorë, smirakë, kolerikë dhe me shumë komplekse tjera...
Besimet fikse nuk duhet ngatërruar me idetë apo bindjet fikse, që sipas disa studiuesve, është fjala për ide obsesionuese, që konsiderohen edhe si monomani, domethënë si pengesë e pjesshme”e izoluar” e funksioneve psikike. Disa psikologë i konsiderojnë edhe ide paranoike.
Disa fjalë të urta shqipe mund të quhen paranoike, sepse prodhojnë sëmundje.
Nuk dimë kur janë krijuar dhe kush i foli i pari, por i dinë gati të gjithë dhe janë aktuale apo rrezatojnë një mosbesim të tmerrshëm ndaj gjinisë fisnike, të sinqertë dhe të bukur. Për ta kultivuar edhe më këtë qëndrim përbuzës, zbatuesit e këtyre besimeve fikse veçojnë gruan nga nëna dhe në aspektin semantik, gruaja nënkupton vetëm bashkëshorten dhe herë-herë edhe motrën, por kurrë nënën. Nëna përjashtohet nga djallëzia, por kur flitet për gruan, atëherë edhe nëna duhet futur brenda, edhe pse interlokutori aludon vetëm në gruan në cilësi të bashkëshortes.
Ç'ka janë besimet fikse?
Besimet fikse nuk e kanë fuqinë e ideve obsesionuese, por respektohen si rregulla dhe marrin pjesë në ndërtimin e tërësive morale. Këto, ndoshta, kurrë nuk i përmendim, por i kemi si paterica, që na ndihmojmë të ecim para, të ecim drejt apo të kërrusur, të vendnumërojmë ose të mbetemi te artikuluesi i atij mendimi. Diku në mesjetë.
“Pika pika, mbushet pusi!” na ndihmon të kuptojmë se për të arritur diçka, duhet durim dhe punë. Kjo mund të vlejë përgjithmonë. “Gjarpri, që nuk më kafshon mua, jetoftë njëqind vjet”, është një besim fiks, që gati askush nuk e venë në dyshim dhe kjo thënie prodhon oportunizëm dhe oportunistë në çaste vendimtare për individin, familjen, rrjedhimisht kombin. Ky mendim ka ushtruar ndikim të madh në mendësinë shqiptare. Këtu shpjegohet edhe indiferenca ndaj devijimeve politike dhe shoqërore. Reagimi i njerëzve në kohë krize. Ai besim fiks bën thirrje i afërmi të lihet në rrezik dhe siç kemi mësuar, nga historia, në fund gjithmonë i vjen radha folësit të këtij mendimi. Kjo mund të dëshmohet edhe me ngjarjet në ish Jugosllavi: Një herë ndiqeshin vetëm patriotët e zëshëm, në fund u erdhi radha edhe fëmijëve, grave dhe pleqve. Këtu duhet kërkuar edhe arsyen pse gjendja jonë politike nuk është qëndrueshme dhe pse nuk ka pasoja për rrënuesit e shtetit. Ai që është larg gjarprit, soditë me indiferentizëm. Shtetet tona mund të rrëzohen lehtë, sepse ka shumë idhujtarë të gjarprit.
Parë në mënyrë empirike, mund të shtohet se popujt, që shtypin gratë, nuk kanë stabilitet politik. Gjendja e tyre në politikë është gati si në shtëpi: Ka ofendime, lëndime, përjashtime dhe ushtrohet dhuna fizike e shpirtërore. Mungon debati i barabartë dhe i mirëfilltë, si në shtëpi, ashtu edhe në politikë. Edukata, që merret në shtëpi dhe shoqëri, ndikon në përjashtimin e dialogut si proces për marrëveshje dhe kompromis. Në shtëpi nuk ka kompromis, por dekrete, kjo përjetohet pastaj edhe në politikë. Aty dominon urdhri, kërcënimi, shantazhi dhe dhuna. Ligji i të fortit. I shtazëve. Luani nuk ka nevojë të bëjë debat me prenë e as kompromis, jo. Mirëpo, ai është kafshë e egër. Atij i falet, sepse ai vret vetëm një kafshë dhe vetëm kur ka uri.
Në shoqëritë maskiliste fjalët, që dëgjohen tepër rrallë janë: “Më fal/ni, të/ju lutem dhe faleminderit!”
Këto nuk dëgjohen sepse zakonisht shoqëritë primitive janë shumë krenare dhe përdorimi i atyre togfjalëshave përjetohet si nënshtrim, zhburrnim dhe mungesë dashurie, respekti ndaj vetes, shkurt e shqip: degradim i sedrës.
Nuk dihet a ka ndonjë komb tjetër në botë i cili gruan, nënën dhe motrën i krahason me më të keqen absolute. Me të keqen ekstreme. Maja e së keqes. Maja e dyshimit. Epiqendra e mashtrimit. E djallëzisë sipërore.
Barasvlerësimi, identifikimi dhe mishërim i gruas me një qenie të mbinatyrshme me thundra, brirë e bisht, është paragjykim satanik. Ndoshta te krijimi i kësaj bindje i ka gishtat brenda edhe Dhiata e Vjetër me mollën e famshme. Kjo, mirëpo, nuk mund të thuhet me siguri. Sido që të jetë, me besimin fiks tonin, në paragjykimet tona, gruaja ka mashtruar djallin dhe e ka mbyllur në shishe. Meqenëse se thuhet në shishe, mund përafërsisht të shenjëzohet edhe shekulli i lindjes së këtij mendimi. Po të rridhte nga ilirët, atëherë nuk do të thuhej “shishe”, por sigurisht qyp apo kanë. Kanë apo shishe do të sillte përfundimin e njëjtë: Gruaja është më e keqe se djalli dhe më e fuqishme se Perëndia, sepse Zoti nuk mundi ta zhdukë qoftëlargun, por ja që gruaja po, dhe, cila grua?
Gruaja shqiptare! Vetëm e jona. Gruaja, që i dhuroi botës një Nënë! Gruaja e mjerë e cila me shekuj as nuk falënderohet, as nuk i kërkohet ndjesë, as mendimi, as nuk i jepet mirënjohje, por urdhra dhe i kërkohet shërbim deri sa të lëvizet, deri në vdekje. Gruaja, që punonte në shtëpi dhe në ara, gjersa burri e vështronte nga hija. Gruaja, që lindjen e vet femërore e konsideronte mallkim dhe fajësi. Ne jemi populli, që kemi merituar romanin “Sikur t’ isha djalë” dhe nuk turpërohemi. As nuk çuditemi. Nëse burri thotë “sikur t’ isha grua”, atëherë plasë përleshja verbale dhe fizike te ne, sepse mbikëqyrësit e hipokrizisë, të moralit të dyfishtë, alarmohen. Edhe pse nuk janë të autorizuar. Ne kemi qindra këngë ku stigmatizohet gruaja, ku i këndohet tradhtisë dhe ku gjithmonë gruaja braktisë njërin dhe dashuron tjetrin. Në jetë këto gati nuk ndodhin, por u shërbejnë meshkujve për ta përforcuar dyshimin e tyre. Dhe, ne i duamë ato këngëtare e këngëtarë, që satanizojnë gruan shqiptare deri në kurvë të papërmirësueshme...Ka mirëpo edhe poetë, që satanizojnë gruan, kur vargëzojnë dashurinë e tyre të humbur...Kjo nuk nderon një letërsi. Shumë poetë tanë, i kushtojnë poezi nënës pas vdekjes, grave të veta, rrallë.
Gruaja shqiptare gjatë çdo krize bartë peshën kryesore të kombit, sepse ne meshkujt i kemi këmbët e shpejta, të gjata dhe ia mbathim para agimit. Gruaja që nga lindja konsiderohet me mëkate dhe i imponohet mania e mëkatit, e fajësisë, prandaj ajo duhet mbikëqyrur sepse mund të mëkatojë. Sapo të dalë jashtë! Djali duke u edukuar gabimisht, krijon bindjen se gruaja është mendjelehtë dhe e lehtë për mëkate.
Si pasojë e këtij besimi, ai sëmuret nga mania e xhelozisë dhe përligj kontrollin dhe shtypjen duke menduar se terrori i shërben të mirës së saj, nderit të familjes, duke shkatërruar dinjitetin e gruas dhe personalitetin e saj. Ai e sheh veten si rojtar të nderit. Pastaj vuan edhe nga mania e lidhjes bashkëshortore dhe kur lexon diçka të pamoralshme në gazetë, mendon se edhe atij mund t’ i ndodhë kjo. Jo rrallë vuajnë edhe nga mania e madhështisë: “Mua më duan të gjitha gratë”. Dhe, në fund, vuan nga mania e dinamikës, që ndikon edhe në gjendjen shpirtërore dhe motorikën e tij; përjeton dhe kultivon në mënyrë aktive manitë e tija të lartpërmendura. Këto në Perëndim konsiderohen sëmundje dhe mund të shërohen nga psikologu, te ne këto sëmundje konsiderohen krenari, virilitet dhe vigjilencë burrërore. Në Perëndim koha e nderit ka ikur, dinjitet mbrohet nga kushtetuta dhe është i pacenueshëm. Nderi ngërthen tërësitë morale të një shoqërie mesjetare primitive...
Gruaja sipas atyre bindjeve maskiliste, është jo vetëm personifikim real i djallit, por qëndron mbi djallin. Kryedjall! Burri viktimë!
Sipas burrave të tillë, nëse ajo mashtron dreqin, si nuk më mashtron mua, burrin e gjorë, të mjerin, të mirin, të butin, që pati fat të lindet pa mëkate duke pasur një zorrë të vogël jashtë trupit për të urinuar dhe dy vezë të varura për t’ u krenuar! Dhe, sipas tyre, burrëria, morali dhe trimëria, banojnë aty poshtë, mu ndërmjet këmbëve! Nuk është turp nëse fëmijët i mbeten pa ushqim, me rëndësi t’ i ketë organet gjenitale, që sjellin përparësi.
Akoma më keq, edhe pse të gjithë dimë se gratë tona janë të sinqerta e shembullore, përsëri i besojmë atyre fjalëve të urta paranoike dhe ato përsëri trajtohen sikur të ishin të liga, mendjelehta dhe të lehta. Se a janë vërtetë gratë tona të sinqerta, mund të shikohen nënat tona. Kjo ndoshta mund të quhet mënyrë fashiste e trajtimit të gruas apo më qartë për neve, trajtim komunist, ku për disa disident, dënohet krejt populli me humbjen e lirisë. Këtu i afrohemi një proverbi turk i cili thotë : “ Rrahe gruan edhe pa arsye, ajo din se ka ndonjë arsye për të cilën meriton rrahjen”.
Gratë shqiptare kurrë nuk kanë lënë ndonjë shembull çoroditës të përdaljes, siç kanë lënë burrat për shembull në histori. Gratë nuk kanë dëmtuar njerëzimin sa dhe si burrat. Këta të fundit shpesh flasin me pasion për shkrimtarin dhe aventurierin italian Giacomo Casanova dhe, e perceptojnë disi si superfuqi mashkullore me dëshirë të flakët për ta imituar. Kurvë, kaq të madhe, si Casanova nuk ka në historinë shqiptare, as te burrat e as te gratë. Nga historia njohim edhe një grua të përdalë: Poppea, mbretëreshë e kurorëzuar nga Nero, por jo te ne. Edhe pse te ne nuk ka shembuj të tillë, për burrin tonë, kjo nuk është me rëndësi, me rëndësi është se ai posedon bindjen e vet se gruaja ka futur djallin në shishe. Shkurtpamësia e kësaj thënie është trishtuese dhe shkatërron cilësinë e jetës te një çift. Njeriu nuk mund të njihet duke u shtypur, por duke përjetuar lirinë. Shembulli i Casanova-së dhe Poppea-së nuk kanë ndikuar te italianët në përjetimin e dashurisë, paragjykimin e saj, si kanë ndikuar te ne fjalët e urta paranoike.
Nëse qenka e vërtet se gruaja paska aftësi më të madhe se djalli, më të madhe se Zoti, atëherë gruaja qenka Zoti. Nëse jo, atëherë besuesve të këtij aberracioni duhet shtruar një pyetje: kush dreqin na lindi neve dhe bijtë të kujt jemi ne?
Këta njerëz, që shtypin e keqtrajtojnë në shtëpi, zakonisht jashtë shtëpisë janë qengja apo të krisur. “Nuk i kanë të gjithë filxhanët në dollap”, thonë gjermanët në mënyrë tallëse.
Besimi tjetër fiks është “ flokëgjatë dhe mendjeshkurtër”. Edhe kjo fjalë e urtë ka lindur vonë, sepse dikur edhe burrat shqiptarë kishin flokë të gjata, prandaj mund të pohohet se kjo fjalë e urtë ka lindur pas pushtimit. Ky besim bie në kundërshtim me të parën. Nëse në të parën gruaja na shfaqet si kryeshefe e së keqes absolute dhe me mençuri gjeniale, mbidjallëzore, saqë mashtron edhe djallin, te e dyta kemi konstatimin se gruaja është mendërisht inferiore ndaj mashkullit. Shumë inferiore, gati e pa tru dhe prandaj i nevojitet përcjellja permanente.
Sipas burrave të tillë, mençuria e qenies njerëzore kuptohet nga jashtë: Mjafton t’ i shikohet koka dhe t’ i kuptohet IQ-ja. Ato dy fjalë të urta kanë ndikuar apo ndihmuar në keqtrajtimin e gruas sa sot kemi mundësi ta zëmë vendin e parë në Europë edhe në këtë disiplinë mashkullore: Me dhunë fizike dhe dhunë shpirtërore. Thua se na mungon imazhi i keq për kriminalitet, thua se na mungon imazhi keq për keqqeverisje dhe tani duhet të jemi në faqe të parë edhe me trimëri ndaj grave. Në dhjetë vitet e fundit shqiptarët jashtë, nga Shqipëria e Kosova, me vepra i treguan Perëndimit si trajton shqiptari gruan.
Vite më parë, në gazeta që lexohen nga miliona lexues në Gjermani, njëra madje nga 12 milion, u bë e ditur se shqiptari nga Kosova preu kunatës kokën dhe ka ecur me kokë në dorë nëpër qytet.
Kur ishte kthyer burri i saj, kishte gjetur bijën e vet 16 muajshe para trupit të nënës pa kokë. E therur 35 herë me thikë. Gjykata e pat dënuar me dhjetë vjet burg. Nuk e konsideroi me aftësi të plot përgjegjshmërie, sepse kishte marrë pjesë në luftë dhe se paska humbur mundësinë e vlerësimit në mes të mirës dhe së keqes. Gjyqtari Gerd Nohl në arsyetimin e tij kishte përmendur edhe prapavijën etnokulturore si masë zbutëse të dënimit.
Shqiptari tjetër në Itali, në Teramo, prenë gruan në fyt dhe i telefonon karabinierëve për t’ u dorëzuar, lajmëronte ANSA dhe nuk përjashtohej xhelozia. Vrasësi 45 vjet, shoqja 33. Corriere della Sera: “Shqiptari vret gruan me kazmë, “raptus di follia”. Burri kishte mbetur pa punë raportonte gazeta dhe ishin ndryshuar rolet në familje dhe këtë burri nuk kishte mundur ta durojë. Dy fëmijë bonjak, 11 dhe 15 vjeçar.
Gazeta “La Reppubblica”, shqiptari vrau dy veta në gjykatë. Arsyeja: frikë se nga shkurorëzimi do t’ i merrte fëmijët gruaja. “Messagero Veneto”: Shqiptari masakroi gruan me lopatë, fëmijët qajnë, vrapojnë fqinjët”. Në polici arsyetohet: „Tallej me mua dhe nuk e duroja më“. Këto janë disa shembuj, me motive të ndryshme, jo të gjitha. Këto dëshmojnë se burri shqiptarë ka nevojë për vetëdijesim. Këto vepra kriminale mund të llogariten si britmë për riedukim. Nëse dikush mendon se vrasje të tilla ndodhin edhe te kombet tjera, atëherë pason kjo përgjigje: Të tjerët punojnë me përkushtim kundër këtyre perversioneve.
Zoti apo natyra nuk ka krijuar asnjë lloj gjallese në planetin Tokë, që duhet të jetojnë në kurriz të njëri tjetrit apo ta shndërrojnë në pronë njëri tjetrin.
Dy gjinitë janë krijuar për të plotësuar njëra tjetrën dhe për të mbajtur jetën gjallë. Mashkulli, vetëm te homo sapiensi, jo edhe te kafshët, as te majmuni jo, duke u bazuar në forcën e vet fizike, jo mendore, shndërroi gruan në qenie të dorës së dytë, sepse mundi. Nënnjeri e konsideron! Ndoshta diskriminuesve shtypja u shërben si erzac nga mungesa e virilitetit. As kafshët e egra, as kafshët e buta nuk keqtrajtojnë gjininë femërore dhe nuk e shndërrojnë në pronë. As peshqit, jo. As shpezët. Njeriu lindet i lirë, lindet në të njëjtën mënyrë, pa dallim gjinie, duhet të jetojë i lirë dhe vdesë të njëjtën mënyrë.
Liritë dhe të drejtat e njeriut duhet mësuar në shkollë që nga klasa e parë e deri në fakultet dhe kështu arrijmë ta qytetërojmë njeriun, fundi i fundit kemi dëshirë t’ i bashkëngjitemi këtij qytetërimi, ku gruaja jep kontribut në shoqëri, ekonominë e vendit dhe edukimin e fëmijëve.
Burri jonë ka kuptuar keq emancipimin.
Ai pretendon nga gruaja rrogën dhe punën në shtëpi. Edhe aty ku mendohet se ka emancipim e përparim, edhe aty shihet diskriminimi latent, sepse gruaja me fitimin e së drejtës për të punuar, vetëm sa i ka shtuar vetes punë më tepër. Tani jo vetëm në shtëpi punë, por edhe jashtë! Ne nuk kemi mundësi tani ta ndërtojmë shqiptarin e ri, me doke të reja, por kemi mundësi ta europianizojmë atë, sepse ky është fati dhe shansi jonë! Çka mendojnë të tjerët për neve, lehtë mund të kuptohet kur të kihen parasysh tri të ligat e mëdha: Kriminaliteti, politika dhe raportime për dhunën ndaj grave. Vetëm emancipimi i gruas, është rrugë pa krye, tani ka ardhur koha të emancipohet diskriminuesi i grave: Burri! Mungesa e demokracisë në shtëpi, krijon shtete jo solide demokratike dhe të pa baza: surrogate të demokracisë!
Sa i përket trajtimit të gruas nuk kemi trashëguar asgjë që vlen të ruhet sot, përkundrazi, të harrohet sa më shpejtë dhe të respektohen liritë dhe të drejtat e gruas dhe fëmijës, me një fjalë liritë e individit. Vetëm kjo garanton një shoqëri të ekuilibruar mirë me detyra dhe të drejta të barabarta. Vetëm mendësia europiane ndihmon dhe ruan identitetin shqiptar. Ruajtja me këmbëngulje e mentalitetit të vjetër na bën të veçantë dhe qesharak.
Po e mbyll këtë shkrim me mendimin e mikut tim, Vasil Qesarit, i cili për ta përkujtuar përvjetorin e humbjes së nënës, pranë fotografisë së saj, ndezi një qiri dhe shkroi këtë: “Zoti nuk mund t’ ishte i pranishëm kudo, prandaj krijoi Nënën!”
Naser Aliu
No comments:
Post a Comment