Flasim dhe vetëm flasim. Dhe pastaj fjalët i merr era,
sepse sado të rënda, sado prekëse, sado goditëse, megjithatë ato janë
vetëm fjalë. Atëherë kur fjalët ngelin vetëm fjalë, do të thotë se ato
janë hije e zbehtë e çfarëdo mendimi, synimi apo revolte që i ka nxitur.
Prandaj nuk duhet habitur pse pakkush ato i merr seriozisht, sepse sot
as fëmijët nuk tremben më nga hijet.
Çfarë ndodhë me ata që tërë kohën vetëm flasin për gjërat që i mundojnë? Pas
një kohe, pa asnjë konsideratë dhe shumë troç, akuzohen se tërë kohën
po i përsërisin gjërat e njëjta. Kjo është një mënyrë e butë për t'ju
thënë se janë bërë të mërzitshëm, ndërsa ankesat e tyre janë diçka
bajate. Po aq sa është komike, në të vërtetë, ky zhvillim është diçka
shumë e trishtë. Pavarësisht dhembjes, telasheve, vështirësive dhe të
tjera që ta trazojnë jetën, për ironi dhe pa e vënë re, e gjen veten në
një situatë ku duhet të turpërohesh për atë se vazhdimisht je duke u
shprehur për gjërat që të trazojnë. Kësaj i thonë: Në hall të durosh dhe
në hall të flasësh.
Nuk ia vlen ta bëjmë pyetjen "Pse
ndodhë kështu?", sepse kjo është një nga ato pyetjet përgjigjen e të
cilës e dimë të gjithë. E vërteta është se problemet tona, pavarësisht
fjalëve që përdoren sot, që janë përdorur dje dhe që do të përdoren
nesër, në thelb janë përherë të njëjta. Kjo është arsyeja pse,
pavarësisht elokuencës, tonit, revoltës apo çfarëdo tjetër, në fund, ato
gjithnjë tingëllojnë thuajse përherë po përsëriten. Prandaj, ata që
janë mbi ne, të gjithëpushtetshmit që e shohin veten patricë të kohëve
të reja, shpejt mërziten dhe, ndonjëherë, nuk ngurrojnë edhe ta shprehin
pështirosjen. Nëse ndalesh dhe mendon më thellë është lehtësisht e
kuptueshme se, në të vërtetë, ata po pështirosen nga hallet tona.
Patricët
e kohëve të reja: klasa politike, që për njerëzit kujtohet vetëm para
zgjedhjeve; biznesmenët e pasuruar shpejt, që besojnë se paraja u jep
pushtet edhe mbi dinjitetin dhe jetën e të tjerëve; analistët mediokër,
që veten e shohin elitë, ndërkaq për jetën tonë flasin thuajse ne jemi
jashtëtokësorë; ndihen të sigurt. Siguria e tyre fuqizohet nga bindja se
ata që tërë kohën vetëm flasin, pavarësisht çfarë ndodhë, gjithnjë do
të vazhdojnë vetëm të flasin dhe me kohën do të heshtin. Madje, kjo
ndjenjë e sigurisë, ua jep komoditetin që të kundër-ankohen për ankesat e
vazhdueshme dhe, me fuqinë e injorimit dhe pështirosjes, të na
detyrojnë ta zbehim edhe tonin e ankesës.
Kështu, fjalët e se
djeshmes zëvendësohen me ato të sotshmes, këto të sotshmes do të
zëvendësohen me ato të së nesërmes dhe, pavarësisht sa me kujdes t'i
zgjedhim fjalët, problemet vazhdojnë të jenë të njëjta. Ironia është se
edhe ata, drejt kujt drejtohemi për zgjidhje, vazhdojnë të jenë po të
njëjtit që përherë shtirren thuajse po na dëgjojnë. Në të vërtetë, këta
janë po ata që edhe dje janë mërzitur nga fjalët tona dhe që do të
vazhdojnë të mërziten edhe nesër. Mërzinë e tyre me ne, nuk do të
ngurrojnë të na shprehin kohë pas kohe, ndërkaq, atëherë kur nuk i
shohim, në mes vete, do ta shprehin edhe pështirosjen e tyre. Mos u
habit, sepse në botën e patricëve të kohëve të reja, hallet tona janë
gjëra të shpifura.
Nuk besoj në atë se në shekullin 21 ka ngelur
hapësirë për revolucione, sepse, pavarësisht mllefit që mund ta ndiejmë,
bota nuk mund të rikrijohet vazhdimisht nga fillimi. Revolucionet e
hallexhinjve rrallëherë i kanë zgjidhur problemet e atyre që janë
ngritur në revolucion, por vetëm e kanë krijuar një brez të rinj të
patricëve. Ndonjëherë edhe më mizor se ata para tyre. Por kjo nuk do të
thotë se duhet të dekurajohemi dhe të heqim dorë. Përkundrazi, duhet ta
bëjmë atë që më së shumti i bezdis dhe i mërzit patricët tanë të kohëve
të reja. Nuk duhet të heshtim! Duhet të flasim dhe të vazhdojmë të
flasim për gjërat e njëjta, ato që në realitet edhe na zënë frymën,
derisa t'i shurdhojmë aq shumë saqë do të detyrohen të na marrin
seriozisht.

Ky
shkrim është dedikim për vendosmërinë dhe syçeltësinë e të gjithë atyre
grupeve qytetare që nuk heqin dorë nga qëllimi për t'i vetëdijesuar të
përgjumurit. Një heqje e kapelës për "Thirrjet e nënave", që me
vendosmërinë e tyre në Gjakovë i treguan botës se krimet nuk guxojnë të
harrohen; për të rinjtë nga REAGO dhe të tjerë përreth tyre, që, me
vendosmërinë e tyre, e bashkuan Shqipërinë përtej dallimeve partiake;
për gratë e guximshme nga "Në dobi të gruas shqiptare", që vazhdimisht
na përkujtojnë për qyqarllëkun e disa prej burrave shqiptarë, për
vizionarët e MJAFT dhe shumë të tjerë të ngjashëm, që vazhdimisht i
përsëritin të njëjtat gjëra. Një himn për ta, në mënyrë që mos të heqin
dorë dhe të vazhdojnë të na shurdhojnë.
Fjalët tona nuk guxon t'i merr era.

Nga:
Albatros Rexhaj