Wednesday, June 4, 2014

Bashkë

Ai çift që kishin shkëmbyer bashkë qindra mijëra mesazhe, orëve të vona.
Ai çift që puthej pa u shkëputur për orë të tëra dhe që nuk linte rast ti shpëtonte pa i bërë çmendurirat edhe mes natyrës, në banjo shkollash e tavolina lokalesh. Ai çift që nuk humbiste rastin të shfrytëzonte një shtëpi bosh, apo që edhe 2 herë në javë shtrëngonte shpenzimet për të zbardhur netët hoteleve, ku zente gjithmonë dhomën me vaskë.
Ai çift që ecnin gjithmonë përdore dhe dushin e bënin përherë bashkë.
Po, po.
Ky është çifti që nëse nesër do nisin të jetojnë në të njëjtën çati duke ndarë të njëjtin shtrat, s'do të ndajnë më të njëjtat ëndrra.
S'do të zgjohen më duke u puthur dhe puthjet gjithmonë e më shumë do t'ua lënë vendin fjalëve. Do të zihen, shahen e do të mbajnë edhe mëri gjatë.
Mbi dashurinë, që i solli në ngritjen e folesë së përbashkët, do ti kushtohet rëndësi gjendjes së tyre financiare. Se e tillë është jeta me vështirësitë e saj.
Dhe ky është një cikël, që sido dhe sado herë që ta nisësh, do arrish përsëri në të njëjtin rezultat. Se emocionet kanë grafikët e tyre, me një pikënisje, një pikë kulminante dhe duke vazhduar me luhatje në një rënie konstante. Ashtu si edhe ne, kemi grafikët tanë të predispozitës për të provuar këtë lloj emocioni.
Me këdo të jeni në krahë e sado të dashuruar marrëzisht pas njëri-tjetrit të jeni, do të kaloni në të njëjtën rrugë dhe nuk është mjaftueshmërisht e arsyeshme të ndaheni, në çastin kur duhet të ndani përgjegjësitë.
Nëse do jeni me fat, dalëngadalë do të ndjeheni si vëlla e motër. E nëse nuk do arrini ta krijojni atë fat, si dy shokë trazovaçë..
Po ç'rëndësi ka?!
Natyra e ka bërë gjithçka të konsumueshme dhe ne na mbetet të kryejmë një përjashtim; respektin ndaj njëri-tjetrin.
Për respekt të asaj dashurisë së zjarrtë, për respekt të folesë së ngritur dhe sfidave të përballuara. Për respekt të ngritjes së një familjeje si qelizë e shoqërisë dhe edukimin e pjestarëve, si një pjesë integrale e saj.
Njeriu nga natyra është një poligam i lindur dhe implementimi me sukses i një monogamie, me të gjitha kundërshtitë e saj, është patjetër një sukses.
Jeto, rritu e plaku, bashkë!
Shkroi: Stop Injorancës !

No comments: