Më kanë rrahur për orë të tëra, më kanë lidhur me zinxhirë këmbë e
duar dhe më linin varur sa më iknin ndjenjat. Më përmendnin me ujë të
ftohtë, më kanë goditur edhe në organet gjenitale, aq sa më vjen turp
t’i tregoj”. Kështu
e ka nisur rrëfimin e tij Ilir Kupa, i cili u arrestua pak ditë më parë
në Tiranë. Në një intervistë të gjatë dhënë dje për “Gazeta Shqiptare”,
27-vjeçari, i arratisur nga burgjet greke, deklaron se vetëm i vdekur
mund të kthehet sërish atje. Në këtë intervistë, Kupa rrëfen planin e
arratisjes nga burgu bashkë me shokët e tij, vrasjen e shokëve, fjalët e
fundit të Marian Kolës, fshehjen në malet greke, i mbuluar me gjethe të
thata, mënyrën si i fut në kufirin shqiptar, ditët e tij të lirisë,
momentin e arrestimit nga policia, si dhe apelin që ka për shtetin
shqiptar.
Për çfarë akuzoheni në shtetin grek dhe sa ju kanë dënuar atje? Unë
në Greqi akuzohem për grabitje. Në mënyrë të paligjshme jam dënuar me
57 vjet+10 vjet, kur për këtë vepër penale, në bazë të ligjit grek,
është 5-6 vjet maksimumi.
Si ju lindi ideja për t’u
arratisur, pse vendosët që të rrezikonit jetën duke u arratisur? Sa kohë
kishit që e përgatisnit planin e arratisjes? Ideja për t’u
arratisur më lindi mua, së bashku me shokët e mi, pasi pamë që na u bë
një padrejtësi shumë e madhe ligjore dhe njerëzore. Marian Kola, unë dhe
shokët e mi, kishim të paktën dy muaj që flinim me këtë ëndërr, për të
shijuar lirinë pranë familjeve tona në Shqipëri. Gjithashtu, ne u
arratisëm, sepse mua personalisht gjatë kohës që kam qenë në burg,
policia greke padrejtësisht më futi edhe babain në burg, meqenëse babai
im ishte gjysmë i paralizuar dhe shumë i sëmurë (mund ta verifikoni, se
tashmë ndodhet në Shqipëri). Pas katër muajsh, kur ai mori pafajësinë,
me një laps alla të Asfalisë greke, u tha: “Kemi ngatërruar emrin tënd
me emrin e babait”. Në mënyrë të padrejtë dhe pasi fitoi pafajësinë, e
kthyen në Shqipëri me impuls, ku për 5 vjet të mos shkelë në zonën
Shengen. Pasi babai im doli nga burgu, menjëherë në mënyrë krejtësisht
të padrejtë futën edhe vëllanë tim të vogël në burg, i quajtur Zyber
Kupa. Ai sot pret të dalë në gjyq (Apel) për të marrë pafajësinë, pasi
akuzohet për një vepër penale që ai nuk e ka kryer, pasi Zyberi në
momentin e ngjarjes, për të cilën akuzohet, ndodhej në vendin e punës me
dokumente të rregullta dhe 200 km larg ngjarjes, gjë për të cilën
dëshmoi ligjërisht edhe pronari i tij përpara organeve kompetente. Për
këtë akuzë të vëllait tim është i njëjti akuzues i vetëm që më akuzoi
edhe mua, “policia greke”, Asfalia (i njëjti person, polic grek), i të
njëjtit rajon për të tre ne familjarisht. Kjo verifikohet fare lehtë nga
drejtësia shqiptare. Pra, është e kuptueshme fare lehtë që ne ishim
piketuar për t’u dënuar dhe dëbuar me një plan të mirëkurdisur nga
qarqet më ekstremiste antishqiptare që, edhe në këtë moment që po flas,
vetëm për shqiptarët kryejnë gjueti shtrigash, duke i vrarë dhe
përdhunuar pa iu dridhur dora.
Shteti grek ju akuzon për një
grabitje të bujshme në atë vend, si dhe për akuzën e vrasjes. Ju keni
marrë pjesë në grabitje dhe si do iu përgjigjeshit këtyre akuzave? Pikë
së pari, për akuzën e vrasjes nuk jam unë autori, gjë e cila vërtetohet
edhe nga ekspertiza greke. Ndërsa për akuzën e grabitjes, gjithçka
është e lidhur me mbijetesën, pasi forca të shumta speciale
(ekzekutore), helikopterë, deri edhe forca të Ushtrisë, na ndiqnin ditë e
natë për të na vrarë dhe jo për të na arrestuar dhe fakt për këtë është
që shokun tim Marian Kola, qeveria greke e kishte shpallur “armik
publik”, domethënë ai njeri që ekzekutonte këtë njeri, merrte shpërblim
nga shteti grek. Dhe sa herë që ai është arrestuar, policia greke ka
pasur qëllim për ta ekzekutuar, siç ka ndodhur edhe në Virona-Atikis,
kur e arrestuan. Policia greke ka vrarë edhe një shqiptar tjetër në këtë
operacion, i cili punonte hidraulik, babai i një fëmije, krejtësisht i
pafajshëm, pasi e ngatërruan me Marian Kolën. Dhe asnjë polic grek nuk u
akuzua për këtë krim, përkundrazi, polici grek që kreu këtë vrasje
thërriste në greqisht “To e faga enan”, që do të thotë “E hëngra njërin,
e hëngra njërin”, dhe kjo është e regjistruar në kamerat greke
(shikohen edhe në internet).
Pas arratisjes u vranë tre nga
shokët tuaj, mes të cilëve edhe Marian Kola. Mund të më përshkruani
momentin e ekzekutimeve të tyre dhe veçanërisht të Marianit, i cili
thuhet se është vrarë në duart tuaja? Pas arratisjes, në
datën 2 korrik të vitit 2013, u ekzekutuan dhe masakruan me mbi 300
plumba në trup (sipas ekspertizës) nga forcat speciale greke dhe
Ushtria, shoku im Flamur Sinani, me 300 plumba në trup dhe veçanërisht
në kokë, si dhe shoku im tjetër dhe nipi i Flamurit, Ermir Sinani, 27
vjeç. Edhe ky i masakruar nga të njëjtat forca me mbi 300 plumba në trup
(sipas ekspertizës). Vrasja e tyre ka ndodhur pa asnjë lloj
paralajmërimi. Masakër kjo që as nazistët gjermanë nuk kanë kryer në
Luftën e Dytë Botërore. Skena ishte e lemerishme dhe e paimagjinueshme,
me këtë lloj kasaphane, që asnjë regjisor i filmave të Hollivudit nuk
mund të krijojë e mendojë. Në datën 21 korrik, unë dhe Marian Kola,
teksa po tentonim të kalonim në kufirin shqiptar, pikërisht në afërsi të
lumit Kalamas, në fshatin Vrasina, në orën 04.10 të mëngjesit kemi rënë
në pritë nga forcat komando “E.K.M”. Kemi qenë të rrethuar nga të
gjitha anët dhe pa asnjë lloj paralajmërimi. Mbrapa shpine është hapur
zjarr nga dhjetëra gryka zjarri në drejtim të shpinave tona. Në këtë
moment, fjala e fundit që dëgjova nga shoku im, Marian Kola, ishte:
“Ilir, ec se na vranë”. Kemi ecur duke vrapuar afërsisht 10 metra mes
breshërisë së plumbave të dhjetëra automatikëve. Në një moment unë jam
rrëzuar, me sekonda jam ngritur duke ecur mbas shokut tim Marianit, i
cili është rrëzuar më pas nga një plumb që ka marrë pas shpine. Është
ngritur përsëri, e kam thirrur katër herë Marianin, i jam afruar një
metër dhe të shtënat e qindra plumbave nuk kishin pushim. Në atë moment e
pashë që shoku im më shikonte me sytë gjysmë të përlotur, sikur donte
të më thoshte diçka, dhe i gjithë trupi i lëshohet duke dhënë shpirt në
duart e mia, me plumbin e marrë në krah të majtë, pas shpine, afër
zemrës (sipas ekspertizës).
Si arritët t’u shpëtonit plumbave të policisë greke, duke qenë se ju ishit në të njëjtin vend me Marianin? Ku u fshehët? Edhe
sot e kësaj dite, nuk e di se si jam gjallë nga e gjithë ajo breshëri
plumbash. Një Zot i madh e di se si kam shpëtuar; edhe Mariani, nga
gjithë ata plumba ka marrë vetëm një pas shpine. Në momentin e ngjarjes,
pasi shoku im ndërroi jetë, jam zhytur në lumë, kam ecur 300-400 metra
drejt lumit dhe më pas kam ndaluar, pasi isha i terrorizuar nga humbja e
shokut tim. Kam hequr çantën nga trupi, antiplumbin që u kishim marrë
policëve grekë, kam qëndruar rreth pesë minuta për të ardhur në vete dhe
më pas kam vënë re se forcat speciale po afroheshin drejt meje duke
qëlluar. Atëherë kam marrë drejtimin e maleve, nga ora 04.20 deri në
orën 06:00 të mëngjesit, kur zbardhi drita. Në këtë kohë u ngritën 3-4
helikopterë të forcave speciale, ku nga këta dallohej një helikopter që
ishte vetëm me snajpera. Gjatë gjithë këtij operacioni, gjatë ditës deri
në orën 22:00 kam qenë i mbuluar me degë të prera e gjethe të thara,
sepse në terren u shtuan dhe dhjetëra forca policore këmbësore, të
shoqëruar edhe me shumë qen. Kur u errësua, në orën 22:00, kam filluar
të lëviz me shumë kujdes, pasi isha në ndjekje edhe nga shumë forca
speciale me kamera termike. Kështu kam arritur të fshihem ditën e parë.
Sa kohë ke qëndruar në male para se të futeshe në Shqipëri? Pas
vrasjes së shokut tim Marian Kola, unë kam qëndruar në tokën greke në
pritje për të ardhur në Shqipëri, deri më datë 27 korrik 2013, ndërsa më
datë 28 korrik të vitit 2013, në mëngjes, unë kam hyrë në tokën
shqiptare në Sarandë.
Shteti grek të konsideron si një nga
kriminelët më të rrezikshëm. Por, në fakt kush është Ilir Kupa? Mund të
na tregosh shkurtimisht për jetën tënde? Ilir Kupa është
një shqiptar si gjithë të tjerët, që së bashku me familjen e tij që në
moshën 12-vjeçare emigroi në shtetin fqinj Greqi, për një jetë më të
mirë, pas gjithë diktaturës që kaloi shteti shqiptar. Nga mosha 12 vjeç
deri në moshën 15-vjeçare, duke parë se familja ime kishte nevojë për të
ardhura, se në fund të fundit ne për ato lekë shkuam në Greqi, sepse
edhe mundësitë e shkollimit, jo vetëm për mua, po për gjithë shqiptarët
nuk ishin të tilla që ne të mund të kishim mundësi shkollimi (jo se na
mungonte angazhimi dhe përkujdesja e familjes).Prandaj, u detyrova që në
këtë moshë të bëja punë nga më të vështirat, si në ndërtim, ose punë të
ndryshme krahu. Punën unë dhe familja ime nuk e quanim turp, por nder.
Ndërsa, për atë që Greqia mua më quan kriminel, dua të theksoj që njeriu
asnjëherë nuk lind kriminel, por ai rritet dhe edukohet në familje, në
rrethin e tij shoqëror. Unë deri në momentet që shkova dhe jetova në
Greqi kam punuar me nder dhe respekt, edhe për vetë faktin se prejardhja
ime familjare përbëhej nga njerëz shumë punëtorë, të ndershëm dhe të
respektuar, mbi të gjitha. As unë e as shumë shqiptarë të tjerë që qarqe
të caktuara në Greqi na quajnë kriminelë, nuk jemi të tillë. Gabime
edhe kemi bërë, por vlera e një shoqërie të civilizuar është që këta
njerëz të rehabilitohen e të bëhen të vlefshëm për shoqërinë, aq më
shumë në një vend demokratik, me një kulturë demokratike mbi
2000-vjeçare. Unë jam martuar që në moshën 20-vjeçare. Kam pasur një
ëndërr për boksin, e cila ishte një ëndërr shumë e madhe, të cilën e
ndoqa mbi 3-4 vjet radhazi me shumë pasion, pasi ëndërroja që të bëhesha
një kampion i suksesshëm. Kam qenë në Kategorinë A, ku kam arritur
rezultate shumë të mira për moshën që unë përfaqësoja, gjë që e vërteton
edhe marrja e shumë diplomave dhe kupave për këtë lloj aktiviteti, si
dhe shumë medalje. Në një moment, nevoja për më shumë të ardhura në
familja bëri që unë në vitin 2006, ta braktis sportin. Jeta ime nuk ka
qenë shumë e lehtë. Unë larg familjes kam qëndruar me të vetmen ëndërr
dhe dëshirë, që, shumë shpejt të bashkohesha me ta dhe të filloja një
jetë të re, normale, si çdo familje tjetër, dhe akoma shpresoj dhe e
pres me padurim që të ndodhë kjo gjë. Pasi ëndrra ime është që fëmijët e
mi të shkollohen dhe të edukohen me vlerat e një shoqërie të civilizuar
demokratike, si e vetmja mënyrë që edhe atyre, kur të rriten, të mos iu
ndodhin gjëra të paparashikuara në jetë, por t’i bëjnë ballë jetës me
kulturë dhe dinjitet njerëzor dhe shoqëror.
Ilir, të vjen
keq që nuk ke arritur të qëndrosh pranë fëmijëve teksa ata rriten? Cila
është periudha më e gjatë që ke qëndruar larg familjes tënde? Po,
më vjen keq, madje shumë. Detyra e një prindi është që ai të rrisë dhe
të shijojë kohën me fëmijët e tij, aq më shumë që unë gjithë jetën kam
ëndërruar që të kem një grua, një nënë të mirë, që të më rrisë dhe të më
edukojë fëmijët, për të cilët të krenohem. Aq më shumë unë, që nuk kam
arritur t’i shijoj këta fëmijë në një moshë që ata kishin nevojë më
shumë për përkujdesjen atërore. Po të mos ishte krijimi i familjes që
unë me sa më shumë dinjitet t’i shërbeja shoqërisë, unë sot në mundësinë
më të madhe do të isha i vrarë si shokët e mi, Flamur dhe Ermir Sinani,
dhe Marian Kola. Periudha më e gjatë që kam qëndruar më larg familjes
sime, ka qenë 3-4 vjet.
Të kthehemi tek dita kur hyre në Shqipëri; si munde të futeshe pa të vënë re askush? Përkujdesja
ime maksimale ka bërë që unë t’i shpëtoja ruajtjes së kufirit nga
forcat speciale greke, të pajisura me mjetet më të sofistikuara të
zbulimit.
Natën e arrestimit, me kë ishe në makinë? Është e
vërtetë se ke qenë me dy persona të tjerë, njëri prej të cilëve është
konsideruar edhe si person i rrezikshëm? Unë Ilir Kupa,
deklaroj nën përgjegjësinë time se njëri prej personave që ishte në
makinë atë natë, ishte njeri shumë i rregullt me ligjet e shtetit
shqiptar, aspak i rrezikshëm. Ndërsa me personin tjetër nuk kam njohje
të madhe që të them shkallën e rrezikshmërisë së tij; unë nuk e besoj,
se nuk kam dijeni.
A është e vërtetë se ke deklaruar që ke marrë pjesë në grabitjen e një qendre tregtare? Ke qenë apo jo babagjysh? Edhe
njëherë deklaroj në mënyrë publike, si dhe nën përgjegjësinë time
ligjore, se nuk kam deklaruar ose nënshkruar në asnjë dokument, i cili
të më akuzojë për këtë lloj akuze. Unë jam shumë i indinjuar për këtë,
pasi në Shqipëri nuk kam asnjë vepër penale përveç dy armëmbajtje pa
leje, një armë që ia kam marrë policit grek dhe një tjetër “Beretë”, të
cilën ma ka dhënë shoku im, për të vetmen arsye që të vetëmbrohesha nga
Interpoli grek, sepse isha shumë i sigurt se do më qëllonin në mënyrë të
pabesë si shokët e mi. Për këtë ka edhe fakte, se ato armë asnjëherë
nuk janë përdorur në Shqipëri gjatë kohës që unë kam qëndruar për një
periudhë 6-mujore, as edhe në momentin gjatë arrestimit nga policia
shqiptare. Nuk kam qenë asnjëherë babagjysh i vjedhjes së qendrës
tregtare.
Të kthehemi tek policia greke; mund të më tregosh se si i torturon ajo shqiptarët? Fillimisht
dua të them se Greqia, si një shtet europian, me kulturë 2000-vjeçare,
qëndron larg standardeve evropiane dhe konventave ndërkombëtare për
mbrojtjen e të drejtave të njeriut, sipas Komitetit të Helsinkit,
nënshkruese në të cilin ajo është nga të parat. Aktualisht në atë shtet
mbizotëron, gati për të gjithë emigrantët dhe sidomos në mënyrë të
veçantë për emigrantët shqiptarë. Ka trajtime, përndjekje, poshtërime,
masakrime jashtë çdo imagjinate njerëzore. Këto, unë dhe shumë shqiptarë
të tjerë i kemi parë dhe i kemi vuajtur në kurriz për gati 23 vjet.
Konkretisht, po flas vetëm për një rast që e kam jetuar personalisht. Në
moshën 13-vjeçare, në vitin 1999, gjatë një aksioni, si në qytetin e
skllevërve të shek.18-19, të ndërmarrë nga policia greke kundër
shqiptarëve, mua personalisht, pasi më vendosën prangat, filluan të më
godasin nga më të ndryshmet, në të gjitha pjesët e trupit, me shkopinj
gome, shpulla, shkelma, sharje nga nënat, deri edhe sharjen e shtetit
shqiptar. E gjitha kjo, vetëm se nuk kisha dokumentet e mjaftueshme. Kjo
është diçka e vogël, që besoj se e ka jetuar çdo shqiptar në Greqi që
ka qenë dhe është emigrant.
Mund të më tregosh disa nga torturat që policia greke të ka bërë gjatë kohës që ke qenë në burg? Mua
personalisht, Ilir Kupës, policia greke më ka bërë tortura nga më
çnjerëzoret, sa edhe imagjinata njerëzore nuk mund t’i imagjinojë.
Fillimisht po tregoj një rast të thjeshtë. Në rajonin
Tmima-Vopio-Anatoliku-Atikis në Nea-Ionias, mua personalisht më kanë
vendosur prangat mbrapa. Forcat speciale më kanë tërhequr zvarrë. Më
pas, në një dhomë më kanë lidhur njërën dorë në hekura varur. Nuk kisha
mundësi të ulesha; goditesha, barbarisht në të gjitha pjesët e trupit me
shkopinj gome dhe shkop druri, shkelma, grushte, pështyma, sharje nga
atdheu, familja ime. Kam qëndruar mbi 7 ditë i lidhur me pranga në
këmbë, pa u shtrirë ose ulur. Mbas 20-30 orëve i lidhur, trupi im
këputej dhe varej dhe në këtë moment, policët grekë më hidhnin ujë të
ftohtë. Kjo ka vazhduar 7 ditë rresht. Në çdo ndërrim turni, policët
grekë kishin urdhër që ne të rriheshim barbarisht. Më pas vazhdonte
sharja edhe me shokët e mi; duke na zhveshur lakuriq dhe duke na goditur
në organet gjenitale, na hidhnin përsëri ujë të ftohtë. Kjo ishte një
torturë shumë e thjeshtë, se kishte tortura shumë të rënda, të cilat më
vjen frikë dhe turp që t’i zë në gojë. Torturat në qelitë greke për mua
dhe shokët e tjerë ishin të njëjta si ato të Guantanamos, në mos edhe më
të rënda. Ndërsa, për disa shqiptarë të tjerë ka edhe tortura më të
forta, deri edhe tek përdorimi i rrymës elektrike. Pas arratisjes së 22
marsit të vitit 2013, në të gjitha burgjet greke, policia dhe forca të
trajnuara për tortura të specifikuara, fillonin me masakrimin dhe
thyerjen e kyçeve të këmbës, duarve, klavikulës, gishtërinjve të duarve
dhe këmbëve. Kjo është më shumë e theksuar në burguan e Trikalasë (ata
që nuk u arratisën). Por, shqiptarët keqtrajtohen mbi të gjitha edhe për
faktin se janë myslimanë. Kur na rrihnin, na thoshin dhe thonë akoma,
“Do t’ju bëjmë mish për derra”.
Cila është e vërteta e arrestimit të vëllait tuaj? E
vërteta e vëllait tim të quajtur Zyber Kupa, pikë për pikë është
kështu: Në vitin 2009, muaji tetor, në vendin e quajtur Kalkidha, ka
ndodhur një vepër penale. Në vitin 2011, pas dy vitesh, policia greke më
arrestoi vëllain, sepse policia greke e të njëjtit rajon që më kishte
arrestuar edhe mua, thoshin, pas dy vitesh që kishte ndodhur ngjarja, se
i kishin dhënë foton e vëllait tim të dëmtuarit dhe ai kishte
pretenduar se autori i ngjante me vëllain tim. Deklaratat e tij në
fillim ishin krejtësisht të kundërta, gjë që mund të vërtetohet nëse
shihen deklaratat e tij. Pas 6 muajsh burg, vëllai im doli në gjykatë në
vitin 2012, pasi ishte lënë i lirë për një periudhë njëvjeçare. Në
gjykatë u paraqitën shumë dokumente, deklarata dhe fakte që vërtetuan
pafajësinë e tij, siç ishin edhe vetë deklaratat e pronarit të tij. Edhe
prokurori ishte i të njëjtit mendim, se vëllai im ishte i pafajshëm.
Kur të gjithë ne prisnim lirimin e tij të menjëhershëm, një gjykatës
hidhet dhe thotë: “Çështjen tënde shumë shpejt do e zgjidhim në Apel,
prandaj mos u mërzit”. Vëllai im, theksoj se është dënuar padrejtësisht,
me të vetmen arsye se ishte vëllai i Ilir Kupës. Ai nuk ka bërë
asnjëherë asnjë gabim, por ka qenë shumë korrekt me ligjet e shtetit
grek. Kërkojmë nga drejtësia shqiptare që ta verifikojë këtë çështje. Si
rasti i vëllait tim të dënuar padrejtësisht në burgjet greke mund të
jenë të dënuar mbi 60 për qind e të burgosurve shqiptarë.
Pasi u fute në Shqipëri, sa kohë kishe që jetoje në Tiranë? Gjatë kësaj kohe, nuk mendove që të largoheshe jashtë Shqipërisë? Unë
në Tiranë kam qëndruar për një periudhë shumë të gjatë, rreth 2-3 muaj.
Por, asnjëherë nuk më ka shkuar ndër mend që të shkoja në një vend
tjetër, pasi të gjitha sakrificat e emigrimit tim në shtetin grek ishin
me të vetmin synim dhe qëllim, që unë të krijoja një shumë minimale
financash që të krijoja familje, ashtu siç e krijova, dhe më pas të vija
dhe të punoja në vendin tim, Shqipërinë, pasi unë këtu kam lindur dhe
këtu do vdes. Unë kam qenë gjithmonë një njeri që nuk kam pasur frikë që
të gjykohem nga drejtësia, e aq më shumë nga drejtësia greke, e cila
punon me dy standarde, duke i paragjykuar shqiptarët dhe jo sikur të
ishin njerëz që bëjnë pjesë në Evropën demokratike, por sikur të ishin
kafshë. Unë dua të gjykohem nga një drejtësi me parime dhe qëllime të
drejta, sidomos nga ajo shqiptare.
Ilir, si ishin ditët e tua të lirisë? A kishe frikë ditët që jetove në Tiranë, apo ishe i lumtur që ishe pranë familjes tënde? Ditët
e lirisë nuk ishin ditë lirie për mua, pasi me vete mbaja në kurriz një
barrë shumë të rëndë, akuza të padrejta, nga një shtet që shqiptarët e
mua personalisht na shikonin si njerëz që vetëm duhen vrarë dhe jo duhen
gjykuar e dënuar mbi bazën e ligjeve. Unë nuk kisha ditë lirie në
Shqipëri, pasi në ndërgjegjen time si shqiptar më ka lënë gjurmë në
memorie një përgjegjësi: si nuk bëra më shumë, që të shpëtoja shokët e
mi të vrarë, të masakruar e të hequr zvarrë barbarisht nga policia
greke, për t’i kthyer ata në Shqipëri, për të shkuar pranë familjeve të
tyre, dëshirë dhe fjalë që ua prenë në buzë të automatikëve dhe qindra
mijë fishekë të derdhur mbi trupat e tyre mbrapa shpine. Unë i lirë
ndihesha në Shqipëri vetëm me të vetmen bindje, se, sido që të vinte
puna për gabimet e mia, do dënohesha nga njerëzit e një gjaku. Unë i
lirë ndihesha në Shqipëri, se në fund të fundit thithja ajrin e vendit
tim, që më lindi dhe më rriti, dhe nuk thithja ajrin e një shteti, i
cili më shumë ka tymin e grykave të zjarrit, sesa oksigjen për të jetuar
njeriu.
Ilir, cili është apeli që ke për shtetin shqiptar? Apeli
im për shtetin shqiptar, por jo vetëm i imi, por edhe i qindra-mijëra
shqiptarëve të tjerë që jetojnë dhe punojnë në shtetin grek, është që të
interesohet shumë më shumë për të drejtat dhe liritë e bashkëkombësve
të vet të cilët jetojnë në Greqi, e jo të bëjë pazar në kurriz të tyre,
siç është edhe rasti im aktualisht, ku jashtë çdo ligji dhe norme e
konvente ndërkombëtare për ekstradimin me Greqinë, disa qeveritarë të
lartë, po bëjnë pazare për të më ekstraduar në Greqi, në kundërshtim me
ligjet (nuk dihet shuma, se do i paguajë Greqia). Unë Ilir Kupa, i them
“Stop” kësaj masakrade të kurdisur me kujdes në zyrat më antishqiptare
në Athinë e në pritje për t’u zbatuar nga disa punonjës të Ministrisë së
Brendshme, që çdo gjë mund të jenë, vetëm shqiptarë nuk janë, të cilët,
në qoftë se ndërmarrin një veprim të tillë, shumë shpejt do përballen
me ligjin. Dhe apeli im më kryesor për shtetin shqiptar është që, në
mënyrë të menjëhershme, Ministria e Drejtësisë, Ministria e Brendshme
dhe veçanërisht Prokurori i Përgjithshëm, Adriatik Llalla, të ngrenë një
grup ekspertësh dhe të studiojnë me themel çështjen time dhe shokëve të
mi, të vrarë e masakruar pabesisht nga bandat e posaçme të policisë
greke, që janë ngritur posaçërisht, me të vetmin synim, që të eliminojnë
shqiptarët fizikisht. Ky grup pune duhet të hapë të gjitha dosjet që
ndodhen në Greqi dhe Shqipëri dhe të më bëhet një hetim i drejtë dhe i
pavarur, për gabimet dhe fajet që unë kam bërë, dhe mbi bazën e tyre të
më bëhet një rigjykim i drejtë, sipas ligjeve dhe konventave kombëtare
dhe ndërkombëtare për të drejtat e njeriut. Theksoj dhe e kërkoj këtë
gjë, sepse nuk është vetëm rast i imi dhe i shokëve të mi të vrarë, por
edhe problemi se policia greke vitet e fundit ka vrarë dhe masakruar
shumë shqiptarë pa arsye, ashtu siç ishte edhe në fund vrasja e 2
vëllezërve shqiptarë, pa arsye, nga zona e Korçës. Shteti shqiptar, ka
ardhur koha që me një politikë dhe strategji të mirëmenduar duhet t’i
thotë “Ndal” njëherë e mirë kësaj masakrade të grekëve ndaj shqiptarëve
të pafajshëm, që punojnë dhe jetojnë me nder dhe dinjitet në Greqi, por
se vriten se janë shqiptarë. Unë i vdekur shkoj në Greqi! Më mirë vdes
këtu në Shqipëri, se të shkoj dhe të masakrohem në Greqi! Apel u bëj të
reagojnë, edhe trupit diplomatik të akredituar në Shqipëri, Avokatit të
Popullit, Komitetit Shqiptar për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive të
Njeriut dhe, veçanërisht, Ambasadës Amerikane në Tiranë.
Balkanweb