Showing posts with label Figura Shqiptare. Show all posts
Showing posts with label Figura Shqiptare. Show all posts

Friday, January 24, 2014

Arqile Boti dhe Konspiracioni rreth vdekjes së tij

Të gjithë e keni dëgjuar emrin e doktorit më të famshëm popullor, Arqile Boti, por në të vërtetë Arqile Boti nuk ishte një mjek popullor autodidakt. Ai ishte diplomuar rreth viteve '60 për mjekësi të përgjithshme, në Universitetin e Tiranës. Ishte bindja e tij, ajo që e shtynte atë ti besonte më tepër mjeksisë alternative përmes kurimit me anën e bimëve mjekësore, sesa ilaçeve. 

Kudo ky mjek ka punuar dhe ndryshe nga gjithë të tjerët, kërkonte vendet më të izoluara, e kanë ndjekur gjithmonë nga pas pacientët, të cilët zinin rradhë për t'u kuruar tek ai. Sepse Dr. Boti kishte kuruar raste që nuk i kishin kuruar as mjekët nëpër spitale, me anë të literaturës së tij të madhe, të cilës nuk i ndahej së lexuari asnjë çast.

Thuhej se të gjitha eksperimentimet, apo testet e ndryshme për të provuar kura të reja, ai i provonte fillimisht në trupin e tij.
Shpesh kishte deklaruar publikisht se kishte gjetur kurën kundra kancerit, apo edhe kurën kundra virusit HIV AIDS.
Gjithashtu bashkë me një grup mjekësh amerikanë ishin përkushtuar në studimin me detaje të leuçemisë, madje doktor Arqileja kishte arritur edhe një sërë suksesesh. Në këtë studim ai nuk e trajtonte leuçeminë si kancer, por si inflamacion.

Veçse një ditë prej ditësh, ai ndërron jetë. Ashtu siç do duhej ti takonte rastit për këtë doktor që i ka kushtuar jetën shpëtimit të jetëve, do jepej edhe ekspertiza e vdekjes së tij.

Por ajo që u deklarua për mjekun që studio e kuroi lloj e lloj sëmundjesh ishte veç:
Vdiq nga një sëmundje e gjatë dhe e pashërueshme...

Shkroi: Stop Injorancës

Diçka për Papuliasin

Zoti Papulias: është bashkëkombësi ynë, çam ortodoks, dhe vetëm ai s’duhet të tregonte frikë prej nesh, sipas kompleksit të Makbethit që tregoi. Ai është dëshmitar i gjallë i gjenocidit që është bërë mbi vëllezërit e tij të një gjaku. Ai e di mirë se ne nuk kemi bashkëpunuar si komunitet me pushtuesit.
Ai e di, sepse ka luftuar krah për krah me batalionin “Çamëria”. Ai e di, sepse ka pasur mes komunitetit tonë miq dhe shokë të fëmijërisë, që janë vrarë, ose janë detyruar të ikin.
Vallë, pse miku i tij i fëmijërisë, Fuat Boçi, do të kishte ardhur në Shqipëri nëse në Greqi nuk do të kishte gjenocid? Pse ne çamët do të largoheshim nga tokat tona, nga vatrat tona, nga pasuritë tona, nga varret e të parëve tanë? Pse fshati i tij do ndërronte emrin nga Voshtina në Pogonian, nëse Greqia s’do të përpiqej të fshinte gjurmët e ekzistencës sonë në ato vise? Pse emri i tij është pak i ndryshëm nga emrat grekë? Po a mund të fshihen gjurmët tona në ato vise? A mund të fshihet lufta jonë kundër pushtuese, kundër gjenocidit?
A mund të shkulen rrënjët e një populli? A mund të mohohet një popull thjesht dhe vetëm duke i vjedhur këngët e vallet?
Zoti Papulias u deklarua si një mik për të hapur një epokë të re! Po pyetja ime është se deri tani çfarë epoke kishim? Çfarë është ky mik që vjen në shtëpinë tonë dhe i tregon të zotit të shtëpisë se çfarë duhet dhe çfarë nuk duhet të bëjë?
Zoti Papulias ka premtuar 20 vjet më parë se çështja çame do trajtohej kur të mbylleshin plagët e së kaluarës. Por cilat plagë? Ne nuk dimë që komuniteti ynë të ketë krijuar plagë. E kundërta është e vërtetë: 5000 të vrarë, gra dhe fëmijë, 20 për qind e popullsisë e shfarosur, 35 mijë të zhdukur, miliarda pasuri e grabitur, objekte kulti të shkatërruara. Për më tepër donim t’i thoshim z. Papulias se mbi shqiptarët e Çamërisë po vazhdon diskriminimi edhe sot dhe nuk mund të bëjnë sikur nuk e shohin, me bllokimet në kufi etj. Nuk mund të jetë më kështu, nuk mund të vazhdojë më kështu.
Ne donim që z. Papulias ta mbante fjalën e dhënë para 20 vjetësh. Që ai të bëhej autor i një zgjidhjeje historike. Ajo do ta qetësonte ndërgjegjen e vrarë të popullit grek dhe të Presidentit Papulias që ndihet grek. Nuk duhet të kalonte ylberin. Zgjidhja për çështjen çame është shumë e thjeshtë në pikëpamje ligjore. Duhet të shfuqizohet Ligji i Luftës sepse ne nuk kemi bërë luftë me askënd. Do duhej që ligji grek i vitit 1981 për refugjatët e luftës të zbatohej pa dallim, edhe për ata shtetas grekë me origjinë jo greke. Kjo do të na jepte mundësinë të ktheheshim në tokat tona, të rifitonim shtetësinë, të drejtat e mohuara njëlloj si refugjatët e tjerë të luftës, të majtë apo të djathtë qofshin.
Zoti Papulias duhet të ketë frikë nga këlyshët e Agimit të Artë që vendi i tij mbajti në Parlament. Janë ata këlyshët e Zervës ndaj të cilit zoti Papulias luftoi në Luftën e Dytë Botërore, këlyshët që politika greke i mbajti shumë gjatë në gji, megjithëse sot do t’i këpusë kokën. Komuniteti çam ka përqafuar vlerat e demokracisë europiane dhe jo nazizmin dhe fashizmin, si pasardhësit gjenetikë dhe politikë të kasapit Zervas. Nga sheshi ku ne u mblodhëm, nga të gjitha sheshet e Shqipërisë dhe kudo ku jetojnë shqiptarët, ne i bëmë një thirrje zotit Papulias:
Luaj rolin e pajtuesit midis dy kombeve, për shkak të gjakut tënd. Bëj një vepër drejtësie për moshën që ke dhe historinë personale që përfaqëson. Mos u bëj bartës i kërkesave anakronike të segmenteve ekstremiste të shoqërisë ku sot je prijës, për të na marrë detin, për të rishikuar kufijtë tokësorë, për gjoja të drejta të pronësisë së minoritetit grek, për varre ushtarësh.
Si mund ta pranosh këtë detyrë dhe në këtë moshë, zoti Papulias, kur bashkëmoshatarët e tu çamë, që nuk hoqën dorë nga kombësia e tyre, sot dergjen pa varr në tokën ku ti linde?
Nuk ka për ata as monumente, as banesë të fundit, as kujtesë kolektive të shtetit grek.

Zoti Papulias, keni rastin historik t’u bëni shërbimin më të madh dy kombeve të cilave i përkisni. Duhet të bëni pajtimin e tyre që kalon nga zgjidhja e çështjes çame. Njeriu në moshën tuaj afrohet me Zotin. I kthehet së vërtetës dhe nuk i shmanget asaj. Ne nuk të kërkojmë më shumë, z. President. Kujto Zotin e vërtetë dhe ktheju së vërtetës. Kujto fëmijërinë tënde, vrite mendjen: a e meritojnë bashkëkombësit e tu çamë fatin që i rezervoi armiku yt politik Zerva? A është europiane të mohohet gjenocidi, masakra, feja, kombësia, pasuria, nderi i bashkëkombësve të tu?
Nuk e dimë nëse do të vish prapë, zoti Papulias. Por mendo për këtë që ne po të kërkojmë, mendo për gjyqin e historisë. Mendo për Gjykimin e Zotit. Mos ki frikë nga ne! Ne do të lutemi për ty: Zoti të mëshiroftë!
Çështja çame ekziston në varret tona, në kishat dhe xhamitë tona, në pasuritë tona, në këngët dhe vallet tona, në miqësinë tuaj me Fuatin dhe bashkëfshatarët e tjerë të Voshtinës, në luftën tuaj të përbashkët me batalionin “Çamëria”.
Ndaj mos u bëni i padrejtë në moshën tuaj, zoti President. Mos i ktheni shpinën Zotit dhe së vërtetës! Zoti është një për shqiptarë dhe grekë, për myslimanë dhe të krishterë!
Ne i bëjmë thirrje Presidentit, Kryeministrit, kryetarit të Parlamentit, kryetarit të opozitës që të kuptojnë se në ofiqet që kanë me sa duket nuk mund t’u ofrojnë shqiptarëve shumë gjëra.

Por ata duhet të paktën t’u japin dinjitet kombëtar përballë kujtdo!
Sh. Idrizi

Thursday, October 31, 2013

E di Italia se shqiptarët e bënë atë të bashkuar?


“Të gjithë arbëreshët janë heronj. Ata që thonë të kundërtën nuk e njohin historinë”.
Xhuzepe Garibaldi (1807-1882)

Shqiptarët me pjesëmarrjen e tyre aktive e dhanë një kontribut të madh në lëvizjet kombëtare në Europën e shek.XIX-të ,pjesëmarrje e cila mund të quhet edhe fenomen historik i kohës i një rëndësije të veçantë që e rradhit atë në popujt më heroikë.
Të kthehemi tek Revolucioni i Greqisë -1821 , pastaj në luftën për pavarësinë e Rumanisë , formësimin e Serbisë dhe të Malit të Zi. Por sot e kemi fjalën për një çlirim dhe bashkimin tjetër të madh – të Italisë.
Pas Skënderbeut ,shek XV-të shqiptarët gjetën strehim në tokat e Italisë. Ata u shpërndanë nga Abruzio e deri në Siçili. Aty u gjenden edhe të parët, pasardhësit e Ilirëve.
Shqiptarët me Lëvizjen e Garibaldit të vitit 1860 e çuan Italinë në bashkimin dhe pavarësimin e saj. Atdheu i dytë i arbëreshëve në vitet 1844 dhe 1848 u ballafaqua me kryengritjet e mëdha, në të cilat shqiptarët ishin pjesë e rëndësishme e betejave të përgjakshme dhe si të tillë edhe u burgosën edhe u persekutuan, u pushkatuan dhe u varën me thirrjen në gojë : “Rroftë liria, rroftë Italia”.
Tirania e Burbonëve i nxiti në luftë kundër tyre eshe arbëreshët si Paskuale Bafa dhe Xhuzepe Albanezi, te cilët u ndodhën edhe në qeverinë e shpallur të Republikës së Napolit -1799.


* Gjatë luftës për mbrojtjen e Republikës së Romës, Garibaldit i shkoi mendja tek Anita, që e kishte lënë në Nicë. Mori penën dhe i shkroi këto rreshta:
Anita ime e dashur… Ne luftojmë mbi Xhanikolo. Ky popull është i denjë për të kaluarën e tij të madhe. Këtu njeriu di të jetojë, di të vdesë, këtu njerëzit vriten me thirrjen “Rroftë Republika”. Vetëm një orë nga jeta jonë në Romë vlen sa një shekull. E lumtura nëna ime që më lindi në një epokë kaq të bukur për Italinë!…
E shoqja, që ishte grua guximtare, e gjeti rrugën për të hyrë në qytetin e rrethuar. Dy ditë më vonë, mbi Xhanikolo u duk një grua që u ndal dhe po fliste me ushtarët. Njeri prej tyre i tregoi se ku ndodhej Garibaldi. Ky në këtë çast, ktheu kokën dhe, si në një ëndërr gëzimi u turr drejt së shoqes së adhuruar dhe e shtrëngoi në gjoks. Pastaj e mori për dore dhe u kthye nga shokët;
- Ja Anita ime, këtej e tutje do të kemi një ushtar më shumë. ( nga Arbëreshët dhe Bashkimi i Italisë) *
“Në vitin 1859 nisi lufta e dytë për çlirimin dhe bashkimin e Italisë.
Kësaj here doli në skenën e historisë Xhuzepe Garibaldi, udhëheqësi legjendar i luftërave për liri të popujve të robëruar. Ai erdhi në Itali pas një përvoje të pasur luftarake dhe u vu në shërbim të shtetit të Piemontit për të përgatitur fushatën kundër pushtuesve austriakë. Garibaldi, i kthyer tanimë në një figurë simbol, do të ngjallte shpresat e italianëve për çlirim e bashkim dhe qindra patriotë do të viheshin nën urdhrat e tij. Heroi legjendar zuri të përgatitej për luftën e madhe që e priste. Sipas strategjisë së tij, kjo do të ishte një luftë globale, që do të përfshinte gjithë Italinë e copëzuar. Për këtë, ai filloi të përgatitet duke ideuar një fushatë ushtarake, që do të niste me zbarkimin e një ekspedite në brigjet e Sicilisë. Në projektimin dhe realizimin e kësaj ndërmarrjeje të madhe historike do të luanin një rol të rëndësishëm revolucionari italian, Roselino Pilo dhe ai arbëresh, Françesko Krispi.” (Arjan Th. Kallço)
Në kronikën e kohës është regjistruar dhe një fakt tjetër kuptimplotë: vajza arbëreshe nga Piana, Xhovana Peta, do të shkonte në Palermo me flamurin italian fshehur në gji dhe do ta valëviste pas fitores së kryengritjes në qiellin e lirë të kryeqendrës së Sicilisë.
Siç dihet, me betejën e Kasertos, më 2 tetor 1860 mori fund fushata e lavdishme e Garibaldit, që hodhi themelet e pavarësisë dhe bashkimit të Italisë. S’ka dyshim se bilanci i kontributit arbëresh në këtë ngjarje të madhe historike për fatin e Italisë është i padiskutueshëm dhe i admirueshëm. Këta pasardhës të Skënderbeut, jo vetëm nderuan emrin e tij dhe të atdheut të origjinës, por treguan me prova dashurinë dhe besnikërinë e tyre proverbiale ndaj popullit dhe tokës mikpritëse. “Gjatë Risorxhimentos, – shkruan historiani Cezaro Lambrozo, – arbëreshët e Italisë dhanë luftëtarë trima, derdhën gjak, bënë sakrifica të panumërta, manifestuan virtyte të larta, u treguan qytetarë të denjë të atdheut të tyre të dytë”.
**Mungesa e delegacionit të Serbisë më rastin e festimeve për 150 vjetorin e Bashkimit të Italisë, sigurisht që nuk do të vihet re nga vetë italianët. Nga ana tjetër, prania e dy delegacioneve me zyrtarë të lartë nga Kosova dhe Shqipëria do të shihet si dicka e natyrshme jo vetëm se tani shqiptarët kanë dy shtete por sepse i natyrshëm ka qenë edhe kontributi i shqiptarëve ndër vite për Bashkimin e Italisë.**
(Kontributi i shqiptarëve në bashkimin e Italisë ,Ilirian Dahri2011 )
Vetë Heroi i dy botëve e kujton këtë fakt në kujtimet e tij: “Nga asnjë vend tjetër i botës nuk mund t’ia dilnim me sukses në marshimin tonë, përvecse nga Hora e Shqiptarëve”. Pra që në fillimet e tij Xhuzepe Garibaldi u mbështet tek arbëreshët të cilët më pas do ti cilësonte trima.
Xhuzepe Garibaldi u lind në Nicë më 4 korrik 1807, vdiq në ishullin Caprera më 2 qershor 1882, revolucionar dhe luftëtar për lirinë dhe bashkimin e Italisë.
** *Pas rënies së Republikës së Romës, Garibaldi me vullnetarët e tij filluan tërheqjen e tyre heroike. Ai me këtë rast iu tha ushtarëve:
- Luftëtarë, ja çfarë ju afroj atyre që duan të më ndjekin pas: uri, të ftohtë, mungesë strehe, mungesë municioni, por gjithnjë syhapur në beteja dhe pa gjumë, marshime të gjata dhe përleshje me bajoneta. Tani kush e do atdhenë le të më ndjekë pas. Kësaj thirrjeje iu drejtuan katër mijë vullnetarë, që ndoqën pas heroin e tyre. ***

Shkruan: Fahri Xharra

Burimi: http://preshevasot.info/2013/10/21/e-di-italia-se-shqiptaret-e-bene-ate-te-bashkuar/

Thursday, October 17, 2013

Letërkëmbimi mes gjenive Athanas Tashko i kundrapërgjigjet Faik Konicës


F. Konica
"Po të më pyeste njeri ç'ndryshim ka në mes të popujve të egër dhe popujve të qytetëruar, edhe po të me lutej të përgjigjem shkurt e mirë, në katër a pesë fjalë me kuptim të plotë, - do t'i thosha: popuj të qytetëruar janë ata që kanë për themel Dekalogun (urdhëra të cilat gjenden edhe në Bibël edhe në Kur'an - I.B.), ose ndonjë kanun që zë vendin e Dekalogut: popuj të egër janë ata që s'njohin asnjë rregull të këtillë...
Do të ma presë njeri fjalën dhe do të më thotë: pse në Francë, në Angli, në Amerikë etj., që janë pa dyshim vende të qytetëruara, a nuk ka për ditë vrasje, vjedhje e njëqind të liga të tjera? -
Përgjigjem: padyshim ka dhe do të ketë kurdoherë, këtë s'e mohon njeri. Po vëni re një ndryshim me rëndësi shumë të madhe: në vende të shtruara e të qytetëruara krimineli shikohet me sy të keq, si një gjë e fëlliqur dhe e poshtër; secili i ndihmon policisë që ta zërë; edhe në qoftë se shpëton keqbërësi nga të mospaturit mjaft prova, dyshimi që e rrethon arrin për ta ftohur e për ta larguar botën. Po është një vend në faqe të dheut ku katilin e kanë për njeri të nderuar; hapen që t'i bëjnë udhë kur ik, e fshehin nga i vet-thëni gjyq, nëse i teket ndonjë të vetë-thëni polic sikur e kërkon; edhe në daltë ndonjë i 'mendur për të marrë anën e kanunit/ligjit, e shajnë dhe e fëlliqin me një zell të çuditshëm. Dhe prandaj ai vend ka fituar një famë shumë të shëmtuar në botë: kur i dëgjohet emri në një sallon a mbi udhë, njerëzve u ngjethet mishi dhe u vjen neveri; në qendrat e diturisë e shikojnë si një shpellë kafshësh të egra ku s'është dukur kurrë ndonjë shenjë njerëzie; në qarqet politike e diplomatike thonë se është për të qeshur të lihet i lirë një popull i cili s'ka ditur qe më tepër se dy mijë vjet vetëm se të derdhë gjak dhe s'njeh tjetër zanat veç vrasjes. Të tilla fjalë janë thënë mijëra vjet me gojë dhe me pendë...
Për cilin vend dhe për cilin popull flas do ta kuptoni menjëherë kur t'ju them që nuk ndodhet në mes të Afrikës, po në Evropë...
Kur m'u poq mendja më tepër, që pesëmbëdhjetë vjet e tëhu, kuptova se problemi i Shqipërisë më tepër se kombëtar ishte një problem moral.
Me fjalë të tjera, kuptova se ky popull që të shpëtojë ka nevojë, më parë se çdo gjë tjetër, t'i stërvitet e t'i lartësohet karakteri e t'i spastrohet zemra..."

A. Tashko

“Në orë të mira shkruan shumë bukur dhe i shërben çështjes sonë kombëtare, por në realitet zotrote një herë në mot shkruan për të gëzuar zemrat tona dhe nëntëdhjetë e nëndë për t’i ftohur. Zotrote, kërkon që të mos ketë në botë tjatrë shkrimtar, gazetar, politikan ose kryetar përveç teje. Mirëpo shqiptarët nuk duan kështu e në qoftë se ajo do të bënet nga një Faik, për një Faik e me një Faik... kurrë mos u bëftë!

Mblith mendjen, pra, o zotëri se na plase shpirtin.

Na plase zemrën sepse nuk ke lënë gjë pa sharë, të duruam shumë, por që tani e tutje, nuku do të durojmë se nuku durohesh.”

Thursday, October 3, 2013

Avni Rustemi, deputeti shqiptar që u varros pa zemër



Si sot, në 22 shtator të 1895-ës, lindi në Libohovë të Gjirokastrës Avni Rustemi

Mësimet fillore i mori në vendlindje, vazhdoi në Normalen e Elbasanit dhe më vonë në Shën Mitër Korone (Itali), kurse studimet e larta për pedagogji i filloi në Universitetin e Romës.

Punoi si mësues në Libohovë (1910), në Tragjas të Vlorës (1913), në Tepelenë (1916-1917) e në Vlorë (1917-1918). Më 1908 braktisi bankat e shkollës për t'u bashkuar me çetën e Çerçiz Topullit , më 1910 bëri një përpjekje për të vrarë në Shkodër komandantin e ekspeditës ushtarake osmane gjeneral Shefqet Turgut pashën. (Këtu nuk ishte më tepër se 15-vjeçar)

Më 1914 u radhit në forcat shqiptare për çlirimin e Shqipërisë së Jugut nga pushtimi i forcave greke. Më 1918, me nismën e tij u formua në Vlorë shoqëria atdhetare e rinisë vlonjate me emrin "Djalëria e Vlorës". Në krye të saj organizoi demonstratën anti-imperialiste të 28 nëntorit 1918 kundër pushtuesve italianë. Në pranverë të vitit 1919 në Shën Mitër krijoi "Lidhjen e Rinisë Shqiptare" për mbrojtjen e të drejtave kombëtare.

Më 13 qershor 1920 vrau me atentat në Paris Esad pashë Toptanin. Anatole de Monzie, avokati i Avniut. E cilësoi aktin si "krim pasional me nxitje të një populli të tërë". Libohoviti u lirua pas gjashtë muajsh vetëm me akuzën e prishjes së rendit publik.

Pas kthimit në atdhe u prit si një legjendar dhe në dhjetor 1920 ai filloi punën për bashkimin e shoqërive demokratike ekzistuese në një organizatë të vetme. Kongresi i mbajtur më 25 prill 1921 në Vlorë krijoi një shoqëri që mori emrin federata "Atdheu". Kryetar nderi i saj u zgjodh Avni Rustemi. Me nismën e tij u krijuan dhe organizata profesionale të mësuesve.
Pas mbylljes së federatës "Atdheu", në gusht 1922 përsëri me nismën e Avni Rustemit më 13 tetor 1922 u krijua në Tiranë shoqëria demokratike "Bashkimi".

Idetë e tij demokratike e revolucionare ai i shprehu edhe në Asamblenë Kushtetuese të vitit 1924, ku u zgjodh deputet nga populli i ish-prefekturës së Kosovës. Ai kritikoi me guxim shpërdorimet e aparatit burokratik të kohës, fodullëkun e injorancën e klasave sunduese reaksionare dhe mbrojti me zjarr traditat e popullit tonë dhe të drejtat e shqiptarëve që jetonin në trojet e veta në Jugosllavi.

Avni Rustemit i bëhet atentat më 20 prill 1924 pranë Pazarit të Ri në Tiranë nga Isuf Reçi, pasdite, ora 4, ndërkohë që po shëtiste me Hoxha Kadrinë. Vrasësi e qëllon Avninë pas shpine e nën shpatull të majtë, duke i shkaktuar një plagë të çrregulltë që e shpuri drejt një hemoragjie të pakthyeshme deri kur dha shpirt 2 ditë më vonë. Vrasja e deputetit shërbeu si shkëndijë e Lëvizjen që triumfoi më 10 qershor 1924.

Avni Rustemi është ndër njerëzit e rrallë në histori i cili është varrosur pa zemër.


Zemrën ia nxorrën për ta ruajtur dhe trupin ia ballsamosën për ta transportuar në Vlorë për varrim.

Muharrem Xhediku, mbreti i tangos shqiptare, i arratisuri prej të gjitha burgjeve

-Muharrem Xhediku është një kompozitor që i përket gjeneratës së artistëve të viteve ‘40-‘60, por ai është pak i njohur, për shkak të vdekjes së tij të parakohshme dhe për shkak të heshtjes që u mbajt ndaj figurës së tij nga qarqet kulturore të kohës.


Zall Dardha, vendi ku fëmijët lindin duke kënduar
Zall Dardha quhet djepi i artistëve. Në këtë zonë lindën dhe u rritën njerëz që lanë gjurmë në muzikën etnike shqiptare si Muharrem Xhediku, Hazis Ndreu, Skënder Cala, Lirie Rasha, Qerim Sula, Caje Poleshi, Xhelal Çerpja, Sherif Dervishi, etj. Janë me dhjetra muzikantët, instrumentistët, valltarët, këngëtarët popullorë nga Zall Dardha që me kontributin e tyre jo vetëm kanë dhënë shfaqje në Zall Dardhë e Dibër, por edhe në mbarë Shqipërinë, madje në skenat më prestigjioze të Amerikës dhe Europës. Muharremi shkollën fillore e mbaroi pranë strehës vorfnore në Tiranë. Përveç bukës së përditshme, aty arriti të siguronte mundësi që i hapnin rrugë për t’u njohur me botën muzikore dhe që në fillim u vu re talenti i tij. Kërkoi të shkonte për studime, por nuk e siguroi dot. Mllefi i Muharremit për gjendjen e tij të mjerë ekonomike po rritej gjithmonë e më tepër. Pjekuria e moshës dhe ndërgjegjësimi i tij bën që ai të kalonte në kampin tjetër, ku rreshtoheshin të pakënaqurit ndaj regjimit monarkist. Ai kritikonte dhe stigmatizonte regjimin e kohës që e kish pllakosur vendin në varfëri ndaj ky ishte shkaku që regjimi e burgosi disa herë. Herën e fundit arriti të dalë nga burgu duke e thyer atë. Në vitin 1937, ai u shpall nga mbretëria si element i rrezikshëm dhe u burgos. Edhe në burg ai i binte çiftelisë dhe këndonte këngët e bukura dibrane.

Arratisja nga burgu zogist
Fati nuk kishte vendosur ta përkëdhelte akoma Muharremin, prandaj në bazë të akt akuzës ai do të dënohej me 20 vjet burg, prandaj rruga e vetme e shpëtimit ishte arratisja nga burgu dhe largimi për në Itali, për të ndjekur ëndrrën e tij të bukur, shkollimin për muzikë. Një natë para se të dilte në gjyq, një shok i dërgoi një pako me ushqime. Brenda pakos ishte futur një ibrik me kos ndërsa në fund një sharrë hekuri dhe një kastravec në mesin e të cilit fshihej lima e hekurit. Gardianët nuk e kontrolluan ushqimin e këngëtarit të tyre të preferuar. Muharremi kërkoi të shkonte në banjë nga mesi i natës dhe atje u mbyll brenda, derisa arriti që të sharrojë hekurat e dritareve të banjës dhe të arratisej nga banja, e cila nuk vëzhgohej nga rojet. Pas pak, në burg u dha alarmi. U rrethua edhe pjesa në periferi të burgut. Muharremi ndodhej pikërisht tek Bregu i Lumit. Për t’u shpëtuar të shtënave të rojeve dhe ndjekjes së tyre hidhet në lumë dhe bën sikur mbytet. Në fakt gjen një tub llastiku të cilin arrin ta mbajë në gojë dhe ta nxjerrë mbi ujë. Kështu ai arriti të mbijetojë. Ndërsa xhandarët dhanë lajmin se Muharremi ishte mbytur dhe dërguan lajmin në shtëpi. Nënë Sudja e mjerë në barrakën e vogël shpalli vdekjen e djalit dhe njoftoi të afërmit në Dibër. Milicët kishin hapur lajmin se kafshët ia kishin copëtuar kufomën dhe nëna e vajtoi djalin për së gjalli pa kufomë.

Studimet teologjike në Itali
Muharremi arriti të shpëtojë dhe të mbijetojë pas rënies në lumë. Ai arriti të vishet si fshatar, por vendosi të mos kthehej më në shtëpi, por të udhëtonte drejt Shkodrës. Pasi punoi për një farë kohe si karrocier për shpërndarjen e qymyrit nëpër shtëpitë e qytetit të Shkodrës, me emrin Martin Mirashi dhe me dokumenta të rreme të një shoku, futet në kolegjin jezuit të Shkodrës. Mundësia që arriti të futej në këtë kolegj ishte se fare rastësisht ai shpëton jetën e nipit të drejtorit të kolegjit, i cili ra nga një pemë. Por emri Martin Muharremi iu fiksua si një emër i dytë, si një emër i dashur. Pas tre vjetësh, kolegjin e mbaroi shkëlqyeshëm dhe u diplomua si prift. Drejtori i këtij kolegji, që e kishte shumë për zemër Muharremin (Martinin) e ndihmoi të shkonte për studime teologjike në Itali, bursë nëpërmjet Vatikanit. Ishte ende i ri kur emigroi në Itali, ku u gjend nën përkujdesjen e një prifti i cili e bëri bir në shpirt. Edhe në kolegjin e lartë të jezuitëve të qytetit të Laningos u dallua për zell në mësime dhe zgjuarsi. Por në vitin e fundit të kolegjit, ai shpalos të vërtetën e fesë së tij dhe të bindjeve të tij që tani nuk ishin as muslimane dhe as katolike, por ateiste. Kjo dëshmi e hapur i solli mjaft pasoja të rënda pasi provoi përsëri privimin nga liria, por këtë herë duke vuajtur burgimin në Vatikan. Me ndihmën e Luçias, vajza e një pedagogu të jashtëm të tij, por që nuk jepte lëndë fetare, por shkencore, arriti të arratiset nga ky burg duke u veshur si murgeshë.

Në Konservatorin e Bolonjës
Pas arratisjes nga burgu në Itali filloi jetën e vështirë të emigrantit ekonomik. Pa punë, pa përkrahje, i vetmuar dhe pa shpresë shkon në Siçili dhe fillon punë si kamerier. Punoi tre muaj dhe mori vlerësimin e pronarit të lokalit. Ajo që i jepte më zemër dhe e mbushte me shpresa pa fund Muharremin, ishte se pronari i lokalit administronte një konservator muzike. Muharremi (Mario) iu lut pronarit që të studionte për muzikë në këtë konservator jashtë orarit të punës dhe në fund t’iu nënshtrohej provimeve. Fati i hapi këtë herë plotësisht krahët për të. Edhe pse duhet të punonte, arriti të vazhdojë studimet në konservatorin e Bolonjës, duke shpalosur talentinNuk e pati të vështirë t’i mbaronte studimet e konservatorit me rezultate të larta. U diplomua në konservatorin e famshëm të Bolonjës dhe sigurisht që tani ndihej më krenar.

Kthimi në Shqipëri
Pas pushtimit italian të vendit, Muharremi vendosi të kthehej në Shqipëri. Ishte shpallur amnisti për të dënuarit e regjimit të Zogut. Ishte koha kur Shqipëria vuante nën thundrën e pushtuesit italian, ndërsa Muharremi kishte shtatë vjet që nuk e kishte parë familjen, e cila e konsideronte të zhdukur. Ai vendosi të kthehej në atdhe dhe të jepte kontributin e tij, tashmë si një intelektual profesionalisht i formuar.

Dashuria me Jelicën
Jelica. Një emër, një dashuri, një ëndërr, një këngë, një shpresë, një gëzim, një hidhërim, një vuajtje... Një femër jo si të gjitha femrat, një vajzë e veçantë që ia ngriti peshë zemrën që në momentin që e pa për herë të parë. Pikërisht, atëherë kur shpresat ishin ndërprerë, u shfaq ajo, Jelica, vajza malazeze. Ajo ishte e bija e kryegardianit të burgut. Ajo hynte e dilte në kamp për të takuar të atin. Ishte vetëm 16 vjeçe dhe babai e kishte dritë të syrit. Një ditë u takuan rastësisht në oborrin e kampit Jelica, malazezja 16- vjeçare, e bija e komandantit të kampit dhe Muharremi, i burgosuri shqiptar, që nuk pajtohej me asnjë regjim e padrejtësi. Muharremi, ky muzikant i lindur që prodhonte dashuri me sy, zemër, buzë, me këngë dhe me kitarën që s’e ndante asnjëherë, e tërhoqi si një magnet vajzën që dukej sikur kishte dalë nga bota e personazheve të një përralle të bukur. Çdo ditë nuk mund të kalonte pa u takuar, pa u parë. Muharremi, për këtë vajzë të bukur që më vonë do të bëhej gruaja e tij, kompozoi këngën e famshme “Jelica”.

Partizan në Brigadën e 18-të Sulmuese
Muharremi së bashku me bashkëshorten e tij Jelicën, inkuadrohen në Brigadën e 18-të, ku shërbeu në sektorin e propagandës dhe dha një ndihmesë të jashtëzakonshme në korin partizan. Muharrem Xhediku njehsohet me ata kompozitorë partizanë që krijuan këngë, himne dhe balada për Luftën NAÇL siç ishin Dhora Leka, Paparisto, Jakova, Avrazi, etj. Ndërsa bashkëshortja e tij, Jelica, dha një kontribut të madh si infermiere për mjekimin e të plagosurve të Brigadës. Muharremi mban Medaljen e Çlirimit për pjesëmarrje me armë në dorë në rreshtat e Ushtrisë Nacionalçlirimtare. Miço Kallamata, kuadër i Brigadës së 18-të Sulmuese, shkrimtar, në kujtimet e tij shkruan: “Muharrem Xhediku ishte një partizan dhe kuadër shembullor i Brigadës. Ai kryente me përpikmëri të gjitha detyrat e ngarkuara, duke luftuar me pushkë, penë dhe kitarë.” Sëmundja e rëndë, pasojë e vuajtjeve të luftës, e shkëputi nga gjiri i artistëve të Shqipërisë në kulmin e jetës dhe të krijimtarisë së tij artistike, që po njihte veç progres.

Në varr për së gjalli
Në vitet e pushtimit fashist, një natë, kur po futej në shtëpinë ku banonte, dy njerëz të armatosur e kapin dhe arrestojnë. Të nesërmen merret në pyetje në kuesturën fashiste. Qëndroi 35 ditë në arrest, me tortura dhe i mbytur në ankth, kurse ditën e tridhjetë e gjashtë e fusin në një makinë të mbyllur, të lidhur këmbë e duar dhe e ndalojnë diku andej buzë Korabit. Ishte buzë përroi, greminë. I zgjidhën sytë dhe i thanë: “Tani bëje varrin vetë!” Kështu na kanë urdhëruar. Ti do të varrosesh i gjallë!”. Muharremi punoi me një kazëm dhe një lopatë për shtatë ditë me radhë me dy ushtarakët e armatosur mbi kokë, që herë flisnin shqip dhe herë anglisht. Në ditën e shtatë arriti të hapte një gropë të madhe 2 metra të gjatë dhe po aq të thellë. Në ditën e tetë i kërkuan përsëri kompromis për bashkëpunim. I dhanë 48 orë kohë për t’u menduar. Pas kufirit kohor, dy ushtarakët u kthyen dhe e pyetën nëse kishte reflektuar. Muharremi u tha se nuk kishte parë e dëgjuar të torturohej njeriu pa faj dhe pa shkak. Ai firmosi në letër të bardhë se nuk kishte asgjë për të thënë dhe për të bashkëpunuar. E hypën të lidhur në një makinë të mbyllur dhe u nisën. Rruga ishte shumë e keqe, gropa-gropa. Makina tundej shumë dhe ushtaraku që ishte lart në karroceri nuk duroi më, por e ndaloi makinën dhe kërkoi që edhe ai të rrinte përpara. Mbeti vetëm. Në një kthesë Muharremi pa se dera ishte e hapur. Nuk mund të jepte dot shpjegim nëse u hap vetë nga tronditjet e makinës në rrugë apo e harroi oficeri fashist, por Muharremi menjëherë filloi të përpunonte me shpejtësi mundësinë e hedhjes nga makina. Shtyu derën e makinës me këmbë dhe në një kthesë të padukshme u hodh. Pas 25 ditë dhe netë udhëtimi, arriti në Prishtinë tek Ivan Tomasheviqi, për të cilin kishte patur një rekomandim nga Alush Zari, me të cilin kishte patur lidhje që në Tiranë. Ivani e pranoi në shtëpi, i ofroi strehim dhe e ndihmoi të punonte si përkthyes në Dhomën e Tregtisë. Më vonë, Muharremi arrin të futet si nëpunës, protokollist-arkivist në zyrat e pushtetit fashist në Prishtinë. Ai njihte disa gjuhë të huaja dhe kjo e ndihmonte në punën e tij. Megjithatë, ai ishte kurdoherë në vëzhgim. Në vitin 1943, një spiun kishte dorëzuar një listë për burgosjen e 92 shokëve kosovarë në Federalin e Ferizajt. Muharremi njoftoi shokët dhe ata arritën që të shpëtonin. Ai ndiqej në çdo hap që hidhte dhe nga shkonte. Këtë e ndjente edhe vetë, prandaj, pasi e gjurmoi, vendosi që spiunin Alush Agai ta qëllonte, por nuk arriti ta vrasë. Pas këtij atentati, 7 karabinierë e rrethuan, e kapën dhe në tetor 1943 e burgosën në kampin e Prishtinës.

Sëmundja e rëndë
Në dhjetor të vitit 1944 e deri në janar të vitit 1945 sëmuret rëndë nga tuberkulozi dhe ftohja e rëndë që kishte marrë maleve, burgjeve e internimeve dhe kurohet në Spitalin Ushtarak të Tiranës. Pas daljes nga spitali, aktivizohet me Ansamblin e Ushtrisë ku qëndroi deri në maj të vitit 1946. Nga viti 1946 rimobilizohet dhe shkon me shërbim në Korçë. Përsëri sëmuret dhe detyrohet përfundimisht të largohet nga ushtria për arsye shëndetësore. Për rreth dy vjet kurohet në spitalin e Tiranës dhe pas daljes nga spitali fillon si kitarist në Orkestrën e Teatrit Popullor, që më vonë kthehet në Filarmoninë e Tiranës. I besohet detyra e përgjegjësit të orkestrës së Estradës së Tiranës. Por Muharremi tani kishte një armik edhe më të egër se ai i luftës, këtë herë brenda trupit të vet, sëmundjen e rëndë të tuberkulozit. Edhe pse ndihej i ligësht prej sëmundjes, ai gjente forcën e madhe për të mos u dorëzuar tek muzika, ilaçi dhe ushqimi shpirtëror

Trashëgimia e kompozitorit Xhediku
E veçanta e tij ishte se ai i shkruante vetë tekstet dhe i kompozonte mbi bazën e tabanit tonë kombëtar. Këngët si "Falmi sytë e shkru", "Engjëllushes", "Matura", "Jelica", etj. kanë mbetur edhe sot në kujtesën e asaj gjenerate si këngët me motivet më të bukura plot pasion të dashurisë. Është me të vërtetë kënaqësi kur dëgjon sot nga goja e këngëtarit të mirënjohur Aleksandër Gjoka këngën e riorkestruar nga Edmond Zhulali “Falmi sytë e shkru”. Teksa dëgjon këtë këngë hit në ato vite, që u ka rezistuar kohëve për vetë forcën e poezisë dhe ëmbëlsisë së muzikalitetit, bindesh për talentin e Muharrem Xhedikut, pinjollit nga treva e artistëve, sikurse është quajtur me të drejtë Zall Dardha e Dibrës. Krahas muzikës së lehtë, ai kompozoi dhe këngë popullore si: “Cuca e Radomirës”, “Hajde shpirt se erdh pranvera”, “Te kroni”, etj. Mrekullohesh kur dëgjon nga Eranda Libohova këngën “Cuca e Radomirës”. Xhediku është kompozitori i parë që solli me profesionalizëm ritmet e muzikës së lehtë, sidomos të tangos në Shqipëri. Ai shkroi dhe kompozoi në të gjitha gjinitë e muzikës, jo vetëm këngë, por edhe romanca, pjesë për koncerte, suita orkestrale, opereta, muzikë vallëzimi, etj. Tangot e tij këndohen dhe kërcehen edhe sot. Kemi dëgjuar në origjinal këngët e herëshme të Muharrem Xhedikut dhe jemi impresionuar. Kur dëgjon “Artistin e Popullit” Ramiz Kovaçi të këndojë “Bareshë e malit”, shoqëruar në piano nga Margarita Kristidhi, të duket sikur je pranë burimeve të malit e mes cicërimave të zogjve. Karakteristika të veçanta ka edhe kënga “Kur më zbret bregut”, kënduar nga Pranvera Baçe, këngëtare e grupit artistik të Korçës. Sjell humor por shoqërohet nga ndjenja “Kënga e pleshtit”, interpretuar nga artisti Hysen Pelingu. Kënga “Matura” ose “Unë për ty nuk do të shkruaj”, në ato vite himn i tangos shqiptare, interpretohet nga një zë dinjitoz i muzikës shqiptare, Anita Take. Mjaft interesant është gjithashtu interpretimi i Gaqo dhe Luiza Çakos në këngën “E dua jetën”, nën dirigjimin e Nesti Uçit. Dueti Anita Take dhe Xhavit Xhepa është një kombinim i mahnitshëm zërash tek kënga “Te burimi”. Muzika si në këngë, ashtu edhe orkestrale, p.sh. tek kënga “Në parkun e qytetit”, kënduar nga Anita Take, është shumë ngacmuese, ngazëlluese, duke provokuar lëvizje të pashmangshme. Zëri i Pjetër Gjergjit tek kënga “Lisi plak” tingëllon si kënga e një bilbili mali. Dhe më tej, dueti Pjetër dhe Florinda Gjergji tek kënga popullore e Xhedikut “N’at” livadh” duket sikur me të vërtetë vallëzon nëpër livadhet dhe lëndinat e bukura dhe të pafundme shqiptare. Të befason zëri i ëmbël i Xhavit Xhepës tek kënga “Ja bilbili ligjëron” (Çelin lulet), një zë melodioz, i pjekur, i padëgjuar në ditët e sotme, një zë që ta mbush shpirtin plot kënaqësi dhe të mrekullon. Duetet Pjetër Gjergji dhe Anita Take vazhdojnë me këngët “Ndarja nuk na ndan” dhe “Të pres”, këngë karakteristike të tangos shqiptare, vepra të papërsëritura të Xhedikut.

Shekulli

Në pak fjalë….F. Konica !!!

Në pak fjalë, – me qëllim por pa shpresë që t`u mbushim kokën hamajve, zaptieve, të shtrembërve e t`egërve, – duam të shkoqitim çështjen e abetares gjer më sot.
I pari libër në gjuhën tonë dolli në 1635, d.m.th. 256 vjet më përpara, në Romë, prej Frengut të Bardhë (Dictionarium Latino-Epiroticum). [Autori më vonë do zbulonte duke gërmuar në arkivat e bibliotekës kombëtare të Francës, veprën e Pjetër Budit "Speculum Confessionis" ose "Pasqyra e të rrëfyemit" të shkruar, me të njëtin alfabet, në vitin 1621, pra 14 vjet më parë]. Ky libër përdori një alfabet, i cili ka të ngjarë se përdorej edhe më parë, se, po ta kish bërë Frengu i Bardhë, do ta kish thënë në parathënie të librit të tij; pra duke heshtur, na rrëfeu se alfabeti i tij nuk qe i ri. Me atë alfabet duallën gjer më sot shumë libra, më të shumtët përmbi fe, një fjalor shqip e italisht disa mijëra shtyllash, e me atë mëson gjithë pjesa e Gegërisë katolike. Të metat e atij alfabeti janë kryesisht dy:

1) Ka disa gërma të veçanta që nuk gjenden në shtypshkronjat;
2) S'është i mjaftueshëm për toskërishten.
Që të mos e ngarkoj tepër artikullin, shkoj e vij te viti 1879. Në atë mot, Sulltani, për të ndezur në Shqipëri një zjarr kundër sllavizmit, cpoi disa “Meemure” shqiptare të mblidhen që të bëjnë një alfabet shqip. Këta, me leje të qeverisë (turke), u mbluadhnë. Në mes tyre, hyri si thonë e si do të mund të provojmë një ditë – një anëtar i Moskovit, i cpuar me udhë nga patriarku grek.
Kjo mbledhje kishte për detyrë:
1) O të merrte alfabetin e Frengut të Bardhë, si 300 e sa vjetësh më të vjetër;
2) O të bënte një të ri, duke treguar të metat e alfabetit të vjetër;
3) O të mos i përsëritte ato mangësi.

Mjerisht, mbledhja turko-moskove:
1) Nuk e mori alfabetin e Bardhit.
2) Nuk tha pse s`e mori.
3) I përsëriti të keqiat e alfabetit të Bardhit.
4) Shtoi shumë gabime të reja.

Që të marrin vesh atdhetarët e kulluar se ç`është ai alfabet i Stambollit, le të venë re këto: Alfabeti i Stambollit ka 36 gërma. Ndër këto janë:
1) shtatë shkronja cirilike (sllave).
2) Pesë shkronja greke.
3) Një shkronje cirilike (sllave) kokë-tatëpjetë.
4) Një shkronjë latine e vërtitur.
5) Dy shkronja latine kokë-tatëpjetë.
6) Një shkronjë latine e tredhur.
Të tjerat janë latine.

Lexuesi që ka pakë mendje, i sheh vetë ndyrësinë e këtij alfabeti:
1) I bërë me spica të Moskovit, na vë në rend të popujve sllavë.
2) I përzier me shtatë mënyra shkronjash, është i ndyrë në të parë, e i jep gjuhës një hije të egër.
3) Nuk mund të botosh libra asgjëkundi në Evropë, veç po të blesh shkronjat përkatëse dhe të paguash shumë më shtrenjtë. Kur desha të filloj një të përkohshme shqipe gjashtë vjet më parë, dëshirova pikë-së-pari të përdor o alfabetin e vjetër të Shkodrës, o alfabetin e Stambollit – të cilat do t`i rrëfej ndoshta një ditë gjatë e gjerë, e atëherë le të gjykojnë shqiptarët ç`janë ata njerëz e ç`jam unë – nuk më tunden fare. Më 1899, disa atdhetarë të flaktë të Shkodrës u mblodhnë, për të themeluar një shoqëri të madhe për lëvrimin e gjuhës shqipe. Këta shqiptarë krijuan një alfabet, të cilin, edhe pse qe i arsyeshëm edhe nga dëshira e bashkimit, e muarëm edhe ne dhe po e përdorim që prej dy vjetësh tek revista “Albania”… Alfabeti i “Bashkimit” jo vetëm shtypet lehtazi kudo, po është edhe i arsyeshëm në shumë anë. Këto edhe njëqind të tjera tregojnë se me alfabet të “Bashkimit” mbahet mirë rrënja e fjalëve.
Tani cilat janë kundërshtimet e meemureve kundër këtij alfabeti.
Janë pesë:
1) “Alfabeti i Stambollit është më i vjetër” -”Bashkt-ustuna,efendem!”
Por alfabeti i Bardhit është 300 vjet më i vjetër. Pse nuk e mbajtët? Pra, edhe ju vetë rrëfyet se vjetërsia nuk është argument i mjaftueshëm për të mbajtur një gjë të ligë.
2) “Alfabeti i Stambollit është më i përhapur”.
-Ato gënjeshtra t`ia shisni një tjatëri, por jo mua. A e mirrni vesh? Ndër 100, 90 ndër shqiptarët e jashtëm e përdorin këtë alfabet që përdorim ne, a me disa ndryshime. Atë të meemureve e përdorin 7 a 8 meemure, e nja 10 zaptienj këmbë-qelbur të Toskërisë. Po, si thotë Frengu, “qui n`entend qu`une cloche n`entend qu`un son”. “Kush dëgjon vetëm një këmbanë, dëgjon vetëm një zë”. E ju, duke folur gjithnjë me ata 10 a 15 meemure e zaptienj, “u-hazdis” e kujtoni se kini me vete gjithë Shqipërinë.
3) “Shkronjat e “Bashkimit” janë të shumta e nuk i mëson dot populli”.
– Përgjigje: Alfabeti i “Bashkimit” ka 23 ose 24 shenja, kurse juaji ka 36, d.m.th. 12 më tepër.
4) “Populli s`merr vesh se si dy shenja bëjnë një tingull. I duket më lehtë një shenjë për çdo zë”.
-Përgjigje: “Evet efendem, vallah bil`lah! Jini të mësuar me “xhin-cim-sin-shun”, o mor të zinj, e jo populli po juve vetë ju duket e vështirë të mblidhni dy shkronja për të treguar një tingull. Se arabishtja e turqishtja që ju kanë hyrë në palcë e në gjak, për çdo tingull kanë një shenjë. Fshataraku i Gjermanisë pse mëson, p.sh. katër shkronja -tsch- për të treguar tingullin ç? Fshataraku i Shqipërisë pse të mos mësojë dy shkronja? Fshatarët e Shqipërisë kanë mend, po Bashstenete s`mësoni dot ndoshta.
5) Më në fund Meemuret na pyetnë shumë herë: Pse “Albania” edhe “Bashkimi” nuk u muarnë vesh ta kenë alfabetin një e të përbashkët? -Me të vërtet, në nja dy a tre shkronja kemi ndryshim, por ai ndryshim nuk prish punë. Fundi alfabeti një është. Rumania ka një Akademi, e, megjithatë, bota është ndarë në dy pjesë për një ndryshim të dy a tri shkronjave. Më vonë edhe ky ndryshim do të pushojë. Alfabeti i “Bashkimit”, për lirinë që i dha shqipes të shtypet apo të botohet kudo, për hijen europiane që i dha shkrimit të gjuhës sonë, për shërbime të tjera që ka për të bërë në sy të botes, meriton me të vërtet emrin ALFABETI KOMBETAR I QYTETERUAR. Alfabeti i Moskoveve e i Turqeve, i Meemureve e i zaptieve, i harbuteve e i ulefexhijve, me hijen aziatike e të ndyrë që ka, me pengesë e botimit që u sjell librave shqipe, s`meriton tjatër emër përveç ALFABETI I EGER I HARBUTEVE.

Sunday, May 19, 2013

A ka të rinj në Shqipëri?


Unë përgjigjem se jo.

Të riut i ndizet mendja me ëndrra fisnike; i riu është gati të vazhdojë mendime të bukura pa interes vetiak, është i zoti të vuajë për ideale, dridhet nga padrejtësia dhe mbrapset nga dinakëritë porsi nga murtaja; i riu di edhe gëzimin e zémrave të pastra; të riut i qesh shpirti dhe i qesh buza.
Në Shqipëri përkundër shohim djem të ngrysur me sy të turbulluara nga djallëzitë, të krrusur nga barra e mendimeve hesapesh dhe ngatërresash. Edhe çiliminjtë në djep duken të mvrojtur dhe të thartë. Shqipëtari lind plak. Nuk ka shqiptarë të rinj, po vetëm ca shqiptarë të lindur më parë, ca të lindur më pastaj - të gjithë pleq, të thatë nga zemra e tyre, e cila s ka njohur kurrë entuziazëm për gjësendi."

Faik Konica

Monday, April 29, 2013

Ismail Kadare: Intrigat që fshihen pas sulmit ndaj Gjergj Kastriotit

*  *  *
Që Mithat Frashëri e hodhi për herë të parë e, me sa duket, të fundit, këtë dëshirë të tij teatrore, në vitet tridhjetë, dëshmonte se dy çështjet që do të përcaktonin fatin e mëtejshëm të kombit: shkollat shqipe dhe emancipimi i gruas shqiptare (të dyja të zhytura në terr prej osmanllisë) ishin ende probleme të ditës, madje do të vazhdonin të ishin të tilla në të ardhmen.
Mithat Frashëri, i fajësuar me gjithë koleksionin e akuzave, të cilat njeriu shqiptar, për fat të keq, i përdor aq bujarisht, i himnizuar me koleksionin tjetër, të kundërtin, si “gjeni i kombit”, që njeriu shqiptar, përsëri për fat të keq, i përdor aq koprracisht kur duhet, e aq pa vend kur nuk duhet, ka shfaqur disa herë parashikime me të vërtetë profetike. Sikur ta ndiente nga do t‘i vinte jo vetëm fatkeqësia e re kombit shqiptar, por atij vetë, vdekja, ishte i pari njeri në botë që gjeti një fill bashkues midis ngjarjeve të 1917-ës në Rusi dhe rebelimit proturk të Haxhi Qamilit në Shqipëri, katër vite më parë, më 1913!
Si një paralajmërim ndëshkimi për atë profeci, dy vite përpara vrasjes në Nju-Jork, armiku numër një i Frashërit, shefi i komunistëve shqiptarë, shkroi të vetmen sprovë historike, kushtuar Haxhi Qamilit, ku, në kundërshtim të plotë me gjithë mendimin shqiptar, e himnizonte të çmendurin mizor nga Sharra, që nën zhurmën e daulleve dhe ulërimave “Dum Babën!” (lexo Sulltanin) kërkonte kthimin e Shqipërisë nën sundimin osman.
Kjo kundërvënie e dy personazheve rrotull psikopatit turkofil ishte kuptimplotë. Ajo dëshmonte se sundimi osman në Shqipëri ishte më keq se një sundim ushtarak. Ajo dëshmonte synimin osman, jo thjesht për ta mbajtur të sunduar Shqipërinë, por për ta zhbërë si të tillë.
Turqizmi i popullit shqiptar ishte projekti më i lemerishëm me të cilin atij i ra fati të ndeshet. Për fat të keq, mekanizmat mbrojtës të tij nuk u treguan të aftë për të shmangur plotësisht të keqen. Për vizionin otoman, ndër popujt e Ballkanit, populli shqiptar ishte ai që ndërkaq kishte vdekur.
Ai përftohej si turk, trajtohej si i tillë, me fjalë të tjera favorizohej si turk, por, ndërkaq, nëse kërkonte identitetin e vet, ndëshkohej egërsisht si turk i pabesë.
Një pjesë e tragjedisë shqiptare ishte pikërisht interpretimi i keq i statusit të tij.
Në vjershën e dëgjuar “Jam turk, elham-dulila”, poeti Esad Mekuli e shpallte me dëshpërim këtë nyjëtim dramatik ku kishte ngecur ende si në kurth njeriu shqiptar. Shumë njerëz bënin pyetjet: përse Shqipërisë i shkojnë punët mbrapsht? Përse për të tjerët po zbardhte liria, e për Shqipërinë jo?
Rilindja shqiptare, bashkë me pararendësit dhe pasrendësit e saj, e kapi hijen e vdekjes që po i vërtitej kombit. Robëria e gjatë po pillte filozofinë e robërisë, ngadhënjimi i së cilës do të ishte shumë herë më fatal se robëria vetë. Shkrimtarët veriorë, Budi, Bardhi, Bogdani, më pas arbëreshët me De Radën në krye, e fill pas tyre vargu i vetë rilindësve, të herët a të vonë, si Naimi, Mjeda, Çajupi, Fishta e deri te Noli, u ranë gjithë kambanave që duhej të zgjonin shqiptarët, për t‘i ngritur kundër robërisë, por sidomos kundër filozofisë së saj.
Për aksionin e saj, dëshpërimisht solemn, Rilindja shqiptare solli në Shqipëri fantazmën e dëbuar, Gjergj Kastriotin, të cilin Europa, për fatin tonë, na e ruajti, jo vetëm në sheshet dhe rrugët e pagëzuara me emrin e tij, por edhe në kujtesën e saj.
Mithat Frashëri ishte njëri nga rilindësit që i jetoi të tria kohët, atë të sundimit osman, të Shqipërisë së pavarur dhe fillimin e komunizmit, asgjësuesin e tij. Koha e republikës së Nolit dhe ajo e mbretërisë së Zogut, e para mjaft e shkurtër, e dyta jo aq e gjatë sa ç‘do të duhej, ndonëse në kundërshtim me njëra-tjetrën në shumë gjëra, u bashkuan në një pikë themelore, njëmendësimin e ideve të Rilindjes shqiptare, dhe testamentin e Gjergj Kastriotit, thënë ndryshe, nxjerrjen e tyre nga statusi idealist e romantik dhe vënien në themel të institucioneve, të filozofisë, të politikës e të strategjisë shqiptare.
Për fat të keq, koha e pavarësisë ishte e shkurtër për t‘ia lënë vendin periudhës groteske të varfërisë, terrorit dhe izolimit komunist. Pyetjet: përse Shqipëria vazhdon të jetë e pafat, përse të tjerët ecin e ajo ngec, bëheshin tani, me të njëjtin pezm fatalist, ndonëse për një tjetër fatkeqësi.
Ato pyetje do të përsëriteshin më pas, atëherë ku s‘do të duhej, pas rënies së komunizmit. Ato vazhdojnë të bëhen sot, jo vetëm nga mendjet elitare, por nga shumica e shqiptarëve, gjithkund ku ata ndodhen. Përgjigjet për to janë të ndryshme dhe kjo është e kuptueshme. Pas dy robërive, aq pranë njëra-tjetrës, vizioni shqiptar i botës mbetet ende i turbullt e kaotik.
Midis përgjigjeve është njëra që gjithmonë e më shpesh përsëritet, në mënyrë ogurzezë: në Shqipëri punët do të shkojnë gjithmonë e më mbrapsht, përderisa në qendër të Tiranës nuk do të hiqet shtatorja e Skënderbeut për t‘u zëvendësuar me atë të Sulltan Muratit.
Ngjan e pabesueshme, por këto fjalë të një rimohuesi nga Shqipëria, hulumtuesit mund t‘i gjejnë jo më larg se tre muaj më parë.
Një tjetër rimohues, këtë herë nga Kosova, shkruan, e zezë mbi të bardhë, se “antishqiptari Gjergj Kastrioti Skënderbeu, është protagonist kryesor i historiografisë komuniste, i futur në tekstet e historisë prej komunistëve”.
Emri i këtij rimohuesi është H. Ferraj dhe sa ç‘është e madhe habia për mashtrime të tilla, po aq, në mos më shumë, është habia tjetër se ky rimohues paska përkrahje në rrethet universitare e gjysmëzyrtare në Shqipëri. Ky, e të tjerë si ky, duke abuzuar me lirinë kaotike, shpesh karikatureske shqiptare, guxojnë të hedhin mendimin se regjimi i egër komunist shqiptar, ishte i tillë ngaqë u projektua në bazë të orientimit të rilindësve shqiptarë!
Për të mos u zgjatur me këtë barbari shembujsh, po e mbyllim me fjalët e një tjetër rimohuesi, prapë nga Kosova, që bën paralajmërimin se të kesh qëndrim mohues ndaj Perandorisë Osmane sot është njëlloj si të sulmosh miqtë tanë amerikanë, që çliruan Kosovën!
Ç‘të thuash për këtë nostalgji të ringjallur befas një shekull pas ikjes së osmanëve?
Ta quash groteske, tragjike, komike nuk mjafton. Të thuash se po t‘i përmbahej programit të Rilindjes, Shqipëria jo që s‘do të bëhej kurrë komuniste, por do të ishte prej kohësh një shtet model në Bashkimin Europian, është prapë pak.
Të thuash se i ashtuquajturi “mit” i Skënderbeut, u ngjiz shekuj më parë kur komunizmi nuk ekzistonte askund, se u sublimua prej Rilindjes dhe pastaj prej kohës së pavarësisë, prej Nolit dhe Zogut, se komunizmi jo vetëm ishte i huaj për të, por në vitet e flirtit me jugosllavët 1946-1947, emri i heroit pothuajse u zhduk nga shtypi shqiptar.
Të vazhdosh me kronikën e asaj që mund të quhet “lufta e shtatoreve”, kur më 1968, qeveria shqiptare bëri çmos që pagëzimi i sheshit “Skënderbe” në Paris, bashkë me shtatoren midis, të mos lejohej prej qeverisë franceze dhe bashkisë së Parisit?
Të vazhdosh me ngritjen e shtatores së shefit të komunistëve shqiptarë, njëzet hapa pranë shtatores së heroit, paralajmërimi i hapur, se Kastrioti do të zhvendosej së shpejti dhe sheshi i parë i Shqipërisë do t‘i përkiste këndej e tutje, patronit të ri komunist? (Brenda tre viteve, historia do të jepte një nga mësimet madhështore të saj, kur princi mesjetar do ta shihte rivalin jetëshkurtër të tij t‘i zvarritej mu përpara syve, krejtësisht në stilin e Mesjetës.)
Shumëkujt mund t‘i duket se të ngresh çështje të tilla, pra të polemizosh me të çmendurit, është kohë e humbur. Ndërkaq, të çmendurit (që në këtë rast do t‘i përligjnim po të ishin thjesht të tillë), vazhdojnë veprën shkatërruese mu në sytë tanë. Në kohën që po shkruhen këto radhë, metropoli shqiptar vlon nga polemika: ta ruajmë apo ta rrëzojmë Skënderbeun!
Vetë shtrimi i çështjes është njollë e zezë për Shqipërinë. Dihet se kush do ta fitojë këtë polemikë, por vetë fakti që ajo ndodhi, që populli shqiptar, një shekull pas osmanllisë, ende guxoi ta lejojë një pyetje të tillë, është një turp për të.
Nën këtë ndriçim të keq, do të zbulohet ndoshta më qartë ai cen që e ka shtyrë disa herë nga gabimi në gabim. Polemika vulgare dhe imorale për rilindësit dhe Skënderbeun është shenja e një sëmundjeje më të thellë, prej së cilës kombi shqiptar, nëse kërkon një të ardhme në këtë botë, duhet të shërohet.
Intelektualët që nismëtuan baltën kundër Skënderbeut dhe Rilindjes nuk janë katundarë me shallvare që i bien daulles e klithin “Dum Babën!”. E ndërkaq, mund të thuhet se janë jo vetëm më të rrezikshëm, por më vulgarë e më pa moral se ata.
Duket fyerje, natyrisht, të merresh me ta. Dhe ashtu është. Por kur ujërat e zeza vërshojnë befas, dikush duhet të merret me to. Të mësuar të nderojmë personazhe të shquar, artistë, politikanë e gra të bukura, në çastin kur ujërat e zeza shpërthejnë, ne kujtohemi për ata që përveshin mëngët e zbresin të punojnë mes tubave, veglave e territ, atje ku nuk guxon të zbresë kush.
Duke kujtuar se po ia hedhin publikut, intelektualët gjysmakë, ata që ushqehen kryesisht nga “Google”, merren me raportet mit-histori, pa kuptuar asgjë prej tyre. Pa e ditur se nocionet mit, histori, mitizim e çmitizim janë shumë më të ndërlikuara se ç‘i di mendja e tyre e ngushtë. Me nocione të tilla zakonisht, e sidomos me raportet mit-histori, është e lehtë të bëhen spekulime. Përpara se të jenë kundërthënëse, ato janë plotësuese, dy vizione të botës, njëri i dendësuar jashtë mase, e tjetri, po ashtu, jashtë mase i faktuar, që mëtojnë të njëjtën gjë: të rrëfejnë botën dhe njerëzimin.
Seriozë nuk janë provokatorët e këtij diskutimi, por serioz është, ndërkaq, problemi. Në kohën kur Shqipërisë së sotme, familja e popujve europianë i kërkon zbardhjen e së vërtetës për regjimin e saj të turpshëm, prej të cilit nuk ka as njëzet vite që ka dalë, një aksion thellësisht çoroditës kërkon ta kthejë energjinë dhe vëmendjen gjashtë shekuj pas, në një hulumtim krejtësisht të kotë.
A ka alibi për këtë çoroditje? A ka vërtet diçka serioze për të qortuar e ndrequr në atë që është quajtur “moti i madh” i shqiptarëve? Ajo epokë, si asnjë tjetër, është zbardhur e dëshmuar në mijëra libra e studime, nga Uashingtoni në Tokio, nga Tirana, Venediku e Roma në Londër, Stokholm e Shën Petërburg. Nga kjo mizëri botimesh e faktesh del një dëshmi përgjithësisht unanime: një luftë për jetë a vdekje e shqiptarëve dhe gjithë ballkanasve kundër Perandorisë Osmane.
Një thyerje me pasoja fatale: shkatërrim fizik, kulturor, moral. Për ironi të fatit, populli shqiptar, ai që besoi se po favorizohej, pësoi goditjen më të rëndë.
Ajo ishte në logjikën osmane: popullit që iu vu shenjë për t‘u turqizuar, pikërisht ai, në rast kundërshtimi, do të ndëshkohej më rëndë. U shestuan, kështu, dy projekte paralele: shkombëtarizimi, që do të ndodhte në truallin shqiptar, shpërngulja masive, gjenocidi i fshehtë, që do të përfundonte në rrafshinat e Anadollit.
Akti i fundit i kësaj shpërnguljeje do të ndodhte në shekullin XX, si rrjedhojë e pakteve të fshehta turko-jugosllave për të zbrazur një pjesë të Kosovës.
Ajo që më së shumti vërteton jo favorizimin, por diskriminimin shqiptar, është ndalimi i gjuhës së shkruar shqipe dhe ndalimi i shkollave shqiptare.
Asnjë gjuhë tjetër dhe asnjë shkollim në Europë nuk kanë pasur një martirizim të tillë: pesë shekuj dënim. Për të mos u zgjatur, mjafton një statistikë tmerruese nxjerrë nga “Historia e shqiptarëve”, e francezit Serge Metais, botuar në vitin 2006, Paris. Tabloja e shkollimit është e pabesueshme.
Më 1887, në Shqipëri kishte tre mijë shkolla. Prej të cilave një mijë e dyqind shkolla publike turke, po aq shkolla private greke, treqind shkolla bullgare, serbe dhe vllahe, shkollë shqipe vetëm një, me drejtor Pandeli Sotirin!
Pra, gati çdo gjuhë lejohej të mësohej në “perandorinë tolerante”, përveç njërës: gjuhës shqipe! Dhe historia s‘mbaron me kaq. Katër vite më pas, Pandeli Sotiri vritet, shkolla shqipe mbyllet! Kjo është e vërteta, që ende nuk është shpalosur qartë përpara popullit shqiptar.
Por rimohuesit nuk e duan këtë të vërtetë. Në vend të saj, ata duan të vendosin një tjetër histori. Siç u pa më lart, për ata pushtimi, pra, sundimi osman nuk ka qenë i keq. E keqe dhe kundërproduktive ka qenë qëndresa e Gjergj Kastriotit. Duke e sulmuar Kastriotin, më shumë se njeriun e shpatës, ata sulmojnë vizionarin e madh, princin, që, ndryshe nga të tjerët, e ktheu vështrimin drejt Europës. Në këtë mënyrë, bashkë me doktrinën e lirisë, ai nismëtoi programin më europianist shqiptar, më modernin program të këtij populli.
Është e qartë tani përse rimohuesit shqiptarë janë kundër testamentit të tij. Teza e tyre se sundimi osman s‘ka qenë i keq, e keqe ka qenë qëndresa, mund të përkthehet fare saktë: e mirë për Shqipërinë nuk është Europa, por Azia. Andej, pra, të kthehemi!
Nga ky këndvështrim, mendimi gjenial i Mithat Frashërit kur e përqasi mizorinë haxhiqamiliste me atë bolshevike, e ruan ende të plotë vlerën e vet. Rrënimi i Skënderbeut, natyrshëm shfaqet këtu si synim i përbashkët i dy armiqve kryesorë të Europës, otomanizmit dhe bolshevizmit. Rrënimi i Skënderbeut është i pandarë nga rrënimi i Shqipërisë. Gjergj Kastrioti është vënë kështu në një rrethim të dyfishtë: nëse përbaltet, siç ëndërrojnë rimohuesit, problemi mbyllet thjesht. Nëse mbetet në këmbë, siç ka ndodhur e do të ndodhë përsëri, të mbetet i tillë jo si shqiptar, por me tjetër kombësi.
Kjo do të ishte nga njëra anë zbrazja më e madhe e Shqipërisë, e nga ana tjetër mbyllja e një cikli të zi për Kosovën, kur kjo e fundit, provincë e përjetshme serbe dhe djep i Serbisë, siç ëndërrohet prej sllavëve, do ta kishte të natyrshëm, sipas tyre, një kryezot serb.
Nostalgjia e kohëve të fundit për osmanizmin, nostalgji që vetë Turqia e sotme, moderne dhe kemaliste do ta dënonte, është më shumë se shqetësuese. Çdo vonesë në zbehjen e pastaj shuarjen e saj e bën më të zezë njollën që ajo po i vë kësaj shoqërie. Raportet e një populli me lirinë janë shenja e parë identifikuese e tij. Ato janë karta e parë kredenciale, e fisme apo e pafisme, me të cilën ai shfaqet përpara familjes së popujve.
Flirtet e turbullta me robërinë dëshmojnë, as më pak, as më shumë, raportet e turbullta me lirinë. Një dëshmi e munguar për këtë të fundit, do ta vinte kombin shqiptar në bankën e turpit, si i vetmi popull në kontinent, që, duke shkelur më të epërmin ligj moral të njerëzimit, e modifikoi identitetin e vet, për t‘ia përshtatur atë robërisë.

Historia e kthyer në mit (dhe jo miti në histori) e Kastriotit ka qenë dhe mbetet një histori fund e krye pozitive, shqiptare dhe europiane. Është pjella e parë e përbashkët e Shqipërisë me Europën dhe, si e tillë, përveç që na nderon, na jep shpresë.

Burimi: http://www.revistadrini.com/?p=33407

Pa koment...


Ese për edukimin

Liria e martesës kufizohet nga disa kushte të përcaktuara me ligj. Këto kushte, të vendosura sot thjesht me marrëveshje, do të jenë - për sa i përket martesës në të ardhmen - të një karakteri shkencor: individë të sëmurë ose ata me shëndet të dobët, do duhet të presin të shërohen ose të marrin veten, me qëllim që të martohen. Individë të dënuar me sëmundje të pashërueshme, të çfarëdo natyre qofshin, nuk ka si ta shohin veten të zhveshur nga një epsh që ndez instinkti, por thjesht do e shohin veten në pamundësi riprodhimi. Do shkoja edhe më tej duke thënë: s'ka pse mos mendohet se një ditë, - falë njohurive shkencore përhapur gjithnjë e më shumë në shkallë të gjerë dhe falë ndjenjës estetike gjithnjë e më të zhvilluar - individët do ndiejnë njëfarë krupe ndaj trupave të dobët dhe se dashuria e tyre do priret vetëm drejt qenieve të fuqishme e të plotësuara, prej nga do mund të dalin fëmijë të fortë. Atëherë do kuptohet përkufizimi i thellë i Bossuet: "Bukuria nuk është gjë tjetër veçse shkëlqimi i shëndetit".

Një tjetër mendim do ndihmojë në krijimin e bukurisë, për sa i përket martesës në të ardhmen. Fëmijët nuk do të jenë më rezultat disi i padëshiruar i një shkujdesjeje ose i një rastësie të çastit: ata do lindin falë një mendimi të peshuar. Duke ndenjur vullnetarisht sterile gjatë dhjetë muajve të vitit, gruaja do mbetet shtatzënë vetëm gjatë muajit shtator ose tetor. Në këtë mënyrë, fëmija do lindë në qershor ose korrik dhe, veç temperaturës së lartë, mund të ndodhin edhe shpërgënjje absurde e mizore që dëmtojnë organizmin dhe deformojnë mishrat. Në të kundërt, lakuriqësia e tij e plotë do të vishet me ajrin e vakët dhe të shëndetshëm, trupi i tij i brishtë do të vijë e do të shëndoshet në mënyrë të natyrshme dhe gjymtyrët e lirshme do njohin elementët e para të bukurisë së ardhshme.

Kalimi i menjëhershëm nga trupi i nënës në temperaturën e jashtme përbën një goditje të ftohti dhe verbim drite që me siguri duhet të jetë për foshnjën një shkak vuajtjesh të forta dhe ndoshta me pasoja të hidhura që ende nuk janë vëzhguar nga afër. Do duhej pra, në çastin e lindjes, të krijohej në dhomë një mjedis i ngrohtë dhe një gjysmë dritë e mugët.


Gruaja që mban një foshnje në barkun e vet duhet të jetojë në një mjedis hijeshie e poezie. Orë të tëra duhet t'i kalojë mes luleve, peizazheve gjithë bukuri ose nëpër muze të artit. Ndjenjat që do i lindin nga shfaqje të tilla para syve do të ndikojnë në bukurinë morale dhe fizike të foshnjës së vet. E kush nuk e ka vënë re bukurinë, shpesh të jashtëzakonshme, të sovraneve dhe princeshave mbretërore? Është rrjedhojë e ndikimit të mjedisit joshës e gjithë aromë ku jetojnë, prej shekujsh, nëna dhe vajza princeshash.


Është për të ardhur keq tek sheh se një vëzhgim shkencor bëhet i padobishëm, kur në të vërtetë, do duhet të kthehej në qëllim praktik. Përpiquni sa të doni të tregoni dobinë e përputhshmërisë së lindjes së fëmijëve me stinën e temperaturave të ngrohta, ata prapëseprapë do vazhdojnë të lindin në çdo kohë dhe askush s'do ta përfillë dobinë e mendimit tuaj.
Fëmijët që lindin në një periudhë të ndryshme nga qershori ose korriku, duhet të rriten lakuriq në një dhomë-serrë ngrohur në minimumin e temperaturës së nevojshme vetëm kur të nxirren në kopsht ose në shëtitje, duhen mbështjellë me copëra jo ngjitur pas trupit.

Fëmija qan dhe bërtet për dy arsye: herë ngaqë ka gjumë a vuan dhe vihet re kollaj duke përdorur këtë ose atë ilaç që i përshtatet, herë ngaqë nuk bën gjë tjetër - falë një instinkti të mrekullueshëm - veçse ushtron zërin e tij. Dhe në këtë rast të fundit duhet lënë të vazhdojë në punë të vet.

Fëmija lihet të luaj përtokë, mbi qilim ose mes barit; luhet me të, ndonjëherë merret në krahë, por duhet bërë kujdes të mos e "mësosh" të ecë. Kam vërejtur shpesh, në të vërtetë, se duke dashur gjoja t'i mësosh të ecin, mbahen më këmbë fëmijë, këmbët e të cilëve janë ende tepër të dobëta për të mbajtur peshën e trupit. Shkoni në një plazh dhe vëreni me kujdes njerëzit që bëjnë banjë: do shihni se shumica i kanë këmbët të harkuara lehtë, dhe ky deformim, pak i kapshëm nga syri, dëmton ecjen drejt dhe të harmonishme. Kur fëmija është në gjendje të ecë, ai shpreh padurimin e tij për ta provuar, nëpërmjet kërcimeve dhe lodrimeve. Përgjithësisht kjo ndodh rreth moshës 18 muajshe.

Fëmija mbahet në krahë me masë, me qëllim që mos t'i lihet kurrsesi për më vonë kënaqësia dhe zakoni i pekuleve. Por sidomos, duhet bërë mjaft kujdes për të mos e mbajtur përherë nga njëra anë, duke i paralizuar një nga dy krahët, siç ndodh në përgjithësi. Ky zakon i dëmshëm është arsyeja që ne jemi pothuaj të gjithë qenie të paplotësuara, duke qenë se krejt shkathtësia dhe krejt aftësia jonë përdoruese qëndrojnë në një dorë të vetme. E megjithatë, është absurde të nxjerrësh përjetë jashtë përdorimi një dorë të shëndetshme; - dhe askush nuk do të na kundërshtojë po të themi se, sikur krahët e lira - që të dyja në lëvizjet e tyre dhe të ushtruara që në moshë të njomë - të ishin të barabarta në forcë, shkrimtari, artisti, artizani sidomos, dhe krejt njerëzit do kishin pasur dobi të madhe.

Fëmija nuk duhet të hajë kurrë bonbone dhe sheqerka të forta. Mendoj - edhe pse mendimi im i formuluar në këtë mënyrë do duket paradoksal - se sheqerkat dëmtojnë zhvillimin e mendjes. Le të kujtojmë faktin e raportit të dhëmbëve me tretjen dhe le të vëzhgojmë te fëmijët dhe adoleshentët rrënimin e sjellë prej papastërtive të sheqerosura në gojën e tyre. Më se një herë më ka rënë në sy se nxënës që kanë dhëmbët në tërësi të deformuar, shoqëruar nga një tretje që nuk është e mirë, dhe kjo nga ana e saj pasuar nga dhimbje koke dhe një rëndesë e mendjes, nxënës, nofullat e të cilëve janë mbushur me vrima dhe kalbësira, ndjekin me një vëmendje më pak të përqendruar studimet e tyre, madje dhe idetë që shprehin i kanë më pak të qarta se të tjerët. Veçse nuk pretendoj se sheqerkat janë të vetmet shkaktare të prishjes së dhëmbëve dhe se pakujdesia nuk luan rol për shumë vetë në këtë mes.
Është e domosdoshme të braktisen traditat e përtacisë dhe të papastërtisë, si dhe t'u mësohet fëmijëve që në moshë të njomë t'i trajtojnë përkujdesjen e imët të gojës e të flokëve, banjat me ujë të ftohtë në mënyrë të përditshme, sportet në natyrë dhe zbatimin e rezultateve të përgjithshme të shkencës higjienike si një domosdoshmëri e dorës së parë, po aq sa puna, ushqimi e gjumi.

Një nga absurditetet e edukimit modern më duket se është rëndësia e tepruar që i jepet gjimnastikës. E kuptoj krejt dobinë e notit, të kanotazhit dhe të ekskursioneve më këmbë; por jam kundër atyre ushtrimeve të programuara në shkolla që kanë të bëjnë me ngjitjen në litar, si majmunë, me përdredhimet në paralele dhe akrobaci të tjera. Këto janë lodra panairesh dhe nuk kanë të bëjnë me shëndetin; madje do shkoja më tej: janë të dëmshme. Lëvizjet e panatyrshme, kur disa të shkretë detyrohen të përkulin trupat, cenojnë harmoninë e organizmit dhe qëllon shpesh të shihen njerëz të zellshëm, të dhënë pas gjimnastikës, të preken nga sëmundje të zemrës ose të tjera sëmundje. Për më tepër, është vërë re tashmë se në shkolla, nxënësit më të shkathët në gjimnastikë janë po ashtu pa ndonjë nivel inteligjence. Dhe nuk është e vështirë për të përcaktuar shkakun: gjimnastika është një akrobaci që nuk i sjell kurrfarë dobie trupit: ajo përzien gjakun, nuk e pastron nëse është i molepsur, nuk e shton nëse është i pamjaftueshëm. Duke qenë se ka lidhje midis ushtrimit në litar dhe trupit njerëzor, askush nuk e mohon më sot nevojën për ushtrime fizike, veçse këtu duhet bërë dallimi midis ushtrimeve dhe përdredhimeve. Mirëpo gjimnastika nuk është tjetër veçse një vazhdimësi përdredhimesh dhe do ishte qesharake për t'i detyruar fëmijët në këtë drejtim. Nxënësi ynë, në të vërtetë nuk ka nevojë veçse për ushtrime pa sforcime të forta, kur tërë trupi vihet në veprim, si noti, që më duket lloji i ushtrimeve të natyrshme të afta për të zhvilluar format harmonishëm.

Një nga detyrat më të vështira të edukimit ka të bëjë me atë që unë do ta quaja pa frikë kundërtrashëgimia. Ashtu sikurse ka kundërhelme, ka në të vërtetë edhe një trajtim psikik për të zbutur ose zhdukur - sipas shkallës së qëndresës që shfaqin - të metat, pasionet ose veset e trashëguara. Po shpjegoj nëpërmjet një shembulli - dhe për të qenë më bindës, nëpërmjet një shembulli vetjak - mënyrën se si e kuptoj unë këtë degë të edukimit.
Duke qenë me një nervozizëm të skajshëm, që më bën të tronditem dhe të vuaj mjaft për shkakun më të vogël, për deri sa e kam një djalë - dhe që është me nënë po ashtu nervoze, - bota e jashtme nuk do të jetë për këtë fëmijë veçse një subjekt trishtimi, zemërimi dhe dhimbjeje. Do më duhet pra, të tregoj kujdesin më të madh për të mos e vënë në prani të papriturash të pakëndshme. Do duhet që kurrfarë përplasje të mos shkaktojë nervozizmin e tij të mundshëm. Nuk mund t'ia plotësojë të gjitha dëshirat, sepse do ta bëja një qenie tekanjoze dhe autoritare, por nga ana tjetër, nuk mund ta kundërshtoj gjer në fund, sepse do të bëhet zemërak. Do të kërkoj me një fjalë të parashikoj krejt nevojat që ka, për t'u dalë përpara. Do të krijoj më në fund rreth tij një mjedis të qetë e të qeshur.
Po ashtu, kur një fëmijë është tepër i ngadaltë, tepër apatik dhe kur kjo mungesë gjallërie dëmton zhvillimin e lirë të intelektit të tij, duhen krijuar me zotësi gjendje troshitëse, jo shumë të forta, duke e vënë mes një mjedisi me veprimtari të gjallë ose duke i treguar ndodhi emocionuese.
Kështu, të ndërgjegjshëm për të metat e tyre dhe të pasioneve të këqija, prindërit do të drejtojnë edukimin e fëmijëve, nisur nga ideja e baraspeshimit dhe e kundërpeshimit.

Për zhvillimin e harmonishëm të mendimit të tij, është e nevojshme në përgjithësi që fëmija të jetojë në një atmosferë përmbajtjeje dhe mirësie. Përpara tij ose përreth tij, kurrfarë zënke, shpërthimi, rrëmbimi, shfaqje të fortë dhimbjeje ose shfaqeje të zhurmshme gëzimi, kurrfarë fjale urrejtjeje ose shpifjeje, as edhe servilizmi. Duhet që mendja e fëmijës të jetë sa më shumë e lirë për t'u lënë vend përshtypjeve, me qëllim që në të të nguliten vetëm idetë falë meditimit.

Fëmijës i mësohet të lexojë e shkruajë rreth moshës pesë vjeçe. Por, a nuk janë leximi dhe shkrimi mjeti për të përftuar e shprehur idetë? Atëherë, a nuk është me të vërtetë absurde që t'i mësohet një fëmije të shkruajë kur nuk ka ende asnjë ide për të shprehur dhe të lexojë kur nuk e ndien nevojën, ndërkohë që truri i tij është i paaftë për të përftuar ide? Le të sjellim pak ndër mend vuajtjet që kemi pësuar gjatë viteve të para të shkollës ose, nëse nuk na kujtohen, le të pyesim vogëlushët që shkojnë pa dëshirë në shkollë, le t'i pyesim me ëmbëlsinë e dhembshurinë e duhur dhe do të marrim një përgjigje me zemër të hapur për torturën që pësojnë ato mendje të njoma. T'u mësojmë të lexojnë e shkruajnë! Po a e kanë shkuar vallë ndonjëherë nëpër mend ata fëmijë të shkretë jo më dobinë, do thosha, po të paktën vetë qëllimin e një pune të tillë? Ata nuk shohin në të veçse një dënim për të vizatuar çdo ditë figura të bezdisshme dhe për të përsëritur fjali të zhveshura nga kuptimi. E lodhin veprimtarinë e tyre cerebrale nëpërmjet përpjekjesh të kota dhe kur arrijnë në moshën e studimeve të thelluara, mendësia e tyre e dobësuar është e pafuqishme për meditim e thellim kuptimi. Në Belgjikë, në vetë nderin e këtij vendi të vogël plot qartësi, është kuptuar gabimi kriminal i të mësuarit të parakohshëm. Të quajtura kopshte fëmijësh, ekzistojnë në krejt Belgjikën shkolla fillore ku arsimi - tërësisht gojor - përzihet me lojërat. Fëmijët shkojnë në to gjer në moshën gjashtë vjeçare. Pak, gati kurrgjë, por prapë është një fillim që meriton të duartrokitet.
Nxënësi im do jetë i tillë që të marrë një arsim gojor, të larmishëm, të qartë dhe zbavitës gjer në moshën tetë vjeçe. Veç atëherë, do të filloj të lexoj para tij përralla, herë prekëse, herë të gëzueshme dhe më vonë, skica historie e filozofie të lehta dhe tërheqëse. Mendja e tij do të kuptojë në mënyrën më mbërthyese fuqinë e fjalës dhe konkretisht se si ato njolla boje të rreshtuara metodikisht në letër janë motori i mendimit njerëzor. Sigurisht, do më thotë herë-herë: "Do të dëshiroja që këto gjëra të bukura t'i ndieja drejtpërdrejt, pa ndihmën e zërit tuaj". Por edhe më tej do t'ia nxis dëshirën për të mësuar: "Prisni, deri sa të keni një mendim më të formuar, deri sa të zotëroni më shumë njohuri, me qëllim që të kuptoni më qartë atë çka do lexoni."
Mosha se kur fëmija duhet të mësojë të lexojë ndryshon sipas zhvillimit të tyre fizik, pjekurisë së parakohshme dhe vendit të lindjes. Në vendet jugore, arsimi i shkruar duhet të nisë përgjithësisht rreth moshës 13 vjeçe dhe në Veri vetëm rreth moshës 15 vjeçe.
I përgatitur në këtë mënyrë, nxënësi im do të mësojë leximin dhe shkrimin brenda një muaji, dhe në gjashtë muaj gramatikën.

Duke qenë se shkrimi e leximi, si të pakuptueshme e të padobishme më herët, nuk do të mësohen para moshës dymbëdhjetë vjeçe. Për arsye diametralisht të kundërt, muzika do të jetë për fëmijën nga mosha gjashtë vjeçe një veprimtari e këndshme, e lehtë, e shpejtë, e përditshme. Ngaqë këtu, çdo shenjë përputhet me një tingull, krejt joshjen e të cilit fëmija do ta ndjejë në mënyrë intuitave, - dhe kur mendja joshet, nuk ndien as lodhje, as ligështim. Për më tepër, muzika do të jetë jo vetëm një ndihmë e madhe për zhvillimin e vetëdijes, dhe rrjedhimisht për formimin e mendimit, por edhe një parathënie në lëçitjen e librave.
Arsimimi gojor do përqendrohet tek shkencat, historia, artet, dhe sidomos tek filozofia. Do të jetë me një fjalë një hyrje praktike drejt studimit të thelluar të krejt shfaqjeve të mendimit njerëzor.
Flitet shpesh për "përkushtim", për edukuesit e parë të rinisë. Ndoshta është një përkushtim disi i pavullnetshëm. Ka të ngjarë që arsimtarët, sikur të ishin ambasadorë a ministra, do t'ua linin të tjerëve radhën për të ushtruar këtë lloj përkushtimi. Nuk kam qëllim të kritikoj arsimtarët, që janë të denjë për të merituar krejt simpatitë; por dua vetëm të them se, në japin mësim, këtë e bëjnë për të fituar bukën e gojës, dhe asgjë më shumë. Mirëpo, është për të ardhur keq kur sheh funksionin e ndritur të edukuesit të njerëzimit të ushtruar nga mercenarë të paditur. Do më copëtohej zemra e do më bëhej plagë sikur të kuptohesha se po shprehkam përbuzje me anë të këtij fjalori, kur, në fakt, arsimtarët janë kaq të shkretë, sa do të ishte mizore t'i dërrmoje edhe më tepër: por unë, thjesht konstatoj. Në një shoqëri të administruar më mirë, funksionet e edukatorit do duhej të ushtroheshin falas, nga njerëz të mendimit. Në gjendjen e sotme, a nuk mund të ngrihet të paktën profesorati në nivelin e duhur, të përmirësohet në mënyrë të konsiderueshme ana materiale e edukatorëve dhe, në të njëjtën kohë, të kërkohet prej tyre një kuptim i tillë i nevojave të fëmijës, një thellim i tillë dhe një larmi e tillë e njohurive, një dashuri aq e zjarrtë dhe një vetëdije aq e qartë e bukurisë së arsimimit sa të jetë e pamundur për askënd që të ketë guximin të marrë përsipër rolin e edukatorit thjesht për një zanat e aq!
Do ta cilësonit torollak kopshtarin që do kultivonte në të njëjtën arë dhe me të njëjtën mënyrë kultivimi si lule, ashtu edhe kaçube, zarzavate e fruta të çdo lloji. Mirëpo në fushën edukimit, ne, në të vërtetë, veprojmë njëlloj si ky kopshtar: të njëjtit rregull, së njëjtës mënyrë arsimimi i nënshtrojmë mijëra e mijëra fëmijë, të gjithë të ndryshëm për nga prirjet trashëguese, mënyra e të konceptuarit të gjërave dhe shëndeti. Filan fëmijë i cili, me përkujdesje të veçantë si ajo bima e brishtë kultivuar në një serrë më vete, do të duhej të ishte bërë ndoshta një mendje e lartë, nuk është veçse një leshko ose një maniak. Për të bërë seriozisht edukimin tërësor të një fëmije, do duhej të vëzhgoheshin (nuk them të mbikëqyreshin) gjestet e tij më të vogla dhe do duhej marrë nga afër me tërë shfaqjet e intelektit të tij foshnjor. Nga ky çast, është më se e qartë se edukimi i parë do duhej t'i jepej fëmijës nga e ëma - dhe kjo domosdoshmëri shoqërohet me krijimin e kurseve të veçanta dhe të detyrueshme për vajzat e reja, ku t'u mësohet seriozisht fiziologjia, higjiena dhe psikologjia e fëmijës, me qëllim që nënat e ardhshme të kenë njohje shumë të qartë dhe shumë konkrete për parimet shkencore të edukimit. Rreth moshës tetë vjeçe, është babai apo vëllai më i madh që do të vazhdojë veprën e filluar nga nëna. Shkollat do të duhej të merreshin vetëm me përfundimin e edukimin nëpërmjet një arsimimi të shkallës së lartë. Natyrisht nuk do t'i jepja jetës konviktore nderin për ta sulmuar. Ato burgje absurde, zymtësia e të cilave nxite te fëmijët ndotjet, ligësinë, spiunimin, egërsinë, janë fidanishte të tuberkulozeve, idiotësive, shthurjeve apo kriminelëve, dhe janë dënuar mjaft për rezultatet që japin.
Shkencat klasifikohen sipas natyrës ose objektit të tyre. Do të ishte me interes të klasifikoheshin shkencat edhe sipas shkallës së lehtësisë për t'i studiuar. Në radhë të parë do të vinte logjika dhe matematikat. Ligjet e mendimi dhe të numrave janë, në të vërtetë, të pandashme nga mendimi njerëzor. Përderisa ka vetëdijen e të qenit, fëmija di të bëjë dallimin e së shumës nga e pakta dhe të zbatojë parimet kontradiktore dhe identifikuese. Duhet pra, nxitur me anë pyetjesh, për të arsyetuar veprimet e tij, për të gjetur shkakun dhe për ta formuluar. Mos prisni të jetë pesëmbëdhjetë vjeç për t'i mësuar gjeometrinë: kur ta thërrisni për herë të parë dhe do vijë drejt jush, do ta pyesni përse nuk erdhi në formë zigzage dhe do t'i shpjegoni vetinë e vijës së drejtë: do të jetë kështu mësimi i tij i parë i gjeometrisë.

Duhet shmangur me kujdesin më të madh për të folur përpara fëmijës për Perëndinë ose kundër saj. Në është për të ardhur keq tek shihen prindër të mbrujnë trurin e një fëmije sipas ëndërrimeve vulgare të tyre fetare, është po ashtu qesharake të shihen të tjerë të shajnë pandërprerë një qenie, për ekzistencën e së cilës thonë se nuk e besojnë. Mendimi i lirë nuk i nënshtrohet kurrfarë sektarizmi, dhe pasioni antifetar, më shumë nga ateizëm, nuk është veçse një religjiozitet zvetënues. Ateizmi është asnjanësia. Pra, nuk do të shqiptohet as fjala Perëndi përpara nxënësit tonë. Në këtë mënyrë, mendimi i tij, i lirë nga çdo ide e paraformuar dhe nga çdo përshtypje paraprake, do të shqyrtojë lirisht, në rrjedhën e studimeve filozofike, vlerën dhe rëndësinë e termit Perëndi.
Për zhvillimin e mendjes së fëmijës dhe për ta përgatitur atë drejt studimesh të thelluara filozofike është e nevojshme t'i ngjallet që nga mosha katër vjeçe shija e të vëzhguarit dhe e të kërkuarit të shkaqeve. Çdo ditë mund t'i parashtrohen një a dy probleme në masën e duhur të mendjes së tij të njomë. Kështu, ndërsa fëmijët e moshës së tij do të ngjisin me zor - nën vështrimin e mërishëm të xhelatëve të diplomuar - kalvarin e gramatikave asnjëherë të kuptuara, nxënësi ynë do shkëlqejë gjithë buzëqeshje tek zgjidh këtë problem të vogël, sa i pavlerë në formë, aq edhe filozofik në përmbajtje, duke qenë se ushtron mendimin.
Nëse një objekt bie nga dora e një vogëlusheje, ajo do hapë gjunjët, duke dashur të mos e lërë të bjerë; por një djalkë, për të njëjtin qëllim, do i bashkojë gjunjët: dhe cila është arsyeja e pa menduar e këtyre dy lëvizjeve të kundërta? Është - do përgjigjet nxënësi ynë pasi e vret mendjen (sa i brishtë është mendimi në këtë moshë!) - se vajza është e veshur me fustan, kurse djali me pantallona të shkurtra!
Metoda analitike që shkon nga e njohura tek e panjohura, nga veprimi te shkaku është sot e vetmja metodë që zbatohet në shkenca. Ngaqë është e vetmja metodë rreptësisht racionale. Dikur, për shembull, psikologjia - duke qenë se parashtrohej hipoteza e shpirtit - kishte të bënte me nxjerrjen nga kjo hipotezë të pasojave prejardhur nga pasojat. Sot, shkenca e psikologjisë, nëpërmjet analizës, vëzhgon faktet, kërkon fakte të tjera që kanë përcaktuar faktet e dhëna, shkon nga shkaku në shkak të shkakut, dhe përpiqet të çmontojë krejt mekanizmin e jetës njerëzore.
Është për të ardhur keq që metoda analitike nuk zbatohet në mësimin e historisë, e cila, edhe ajo nga ana e saj, është një shkencë. Do të ndieja veten mirë duke shpjeguar për shembull mënyrën si e kuptoj unë këtë mësimdhënie.
Më duhet t'i paraqes nxënësit tim historinë e qytetërimit, domethënë gjendjen mendore e shoqërore të njerëzimit përmes shekujve. Nëse do të filloj t'i flas atij për qytetërimin në periudhën më të hershme të historisë, për të zbritur, nëpërmjet një cikli leksionesh, nga lashtësia drejt shekullit tonë, do të ishte një punë e padobishme. Le të mendojmë në të vërtetë, se çfarë sforcimi i madh na duhet për të rikrijuar në kokën tonë një shoqëri diametralisht të kundërt me tonën! Për më tepër, është absurde të presësh që truri i një fëmijë të arrijë të konceptojë një njerëzim, i cili nuk ngjason aspak me atë mes të cilit ai rritet. Por, nëse ia nis duke skicuar tablonë e qytetërimit bashkëkohor, nëse i vë në dukje nxënësit tim institucionet dhe sendet që e rrethojnë, do ta kem më të kollajtë t'i përshkruaj periudhën menjëherë paraprirëse dhe pak e pangjashme nga e jona dhe kështu, - nga dje në sot - ai do ta ketë më të lehtë për të kuptuar tranzicionin dhe gjendjen e një qytetërimi i cili, duke ndryshuar ku këtu, ku atje, ka lindur qytetërimin tonë të sotëm; kur të ketë një kuptim të qartë të njerëzve dhe sendeve që na kanë paraprirë, do t'i bëj të njohur të tjerët paraprirës dhe kështu, pa kapërcime të befta dhe pa zgjidhje vazhdimësie mësimdhënia ime do ngjisë rrjedhën e shekujve: dhe kur të arrij periudhat më të largëta, nxënësi im do ketë vizion të qartë të qytezës antike, në krejt organizmin e vet.
Një tjetër shembull. Duhet t'i shpjegoj nxënësit tim historinë e turqve. Nuk do ta filloj aspak duke i folur për jetën e Ertogrulit, as për marrjen e Kostandinopojës. Do t'i jepja të lexonte në gazeta një nga ato telegrame, tragjike për nga përmbajtja e tyre e shkurtër, që japin lajmin e filan masakre paraprirë nga filan kryengritje. Do t'i paraqisja atëherë çështjen e Orientit; do t'i shpjegoja se ajo shkaktohet nga një çështje tjetër: ajo e kombësive; kombet e ndryshme të Perandorisë Osmane, roli që luajnë; çështje e kombësive u shtrua në Turqi gjatë regjimit të ngathët të sulltani Mahmudit, i cili, përpara regjimit federativ të provincave autonome që ekzistonin në atë kohë në Turqi, parapëlqeu sistemin centralizues, i cili synon të fiksojë vetëm një pikë si qendër të shumë rrathëve ekscentrikë dhe të kalojë zdrukthin e së njëjtit organizim përmbi racat, me prirje të tilla që nuk përputhen aspak; por vetë politika e sulltan Mahmudit, a nuk ishte e përcaktuar nga arsye më të thella? Do të përshkruaja atëherë fuqinë e feudalizmit gjatë sundimeve të mëparshme; do të kërkoja shkaqet e rënies së Perandorisë Osmane dhe, në këtë mënyrë, do zbërtheja krejt historinë e Turqisë.
Të shpjegosh një periudhë të panjohur nëpërmjet një periudhe të njohur, ta nisësh nga historia bashkëkohore për të përfunduar me historinë e lashtësisë më të hershme, ja cila do jetë mësimdhënia racionale e historisë. Kurse sot, historia mësohet së prapthi.

Mësimdhënia e gjuhëve të gjalla është e një dobie praktike të pamohueshme. Në këtë epokë të turbullt, kur struggle of live* cenon deri edhe format e luftës, zotërimi i shumë gjuhëve është për një të mjerë një armë e mirë dhe municion shumë i mirë. Por edukimi është shkencë, ajo e parimeve më të përgjithshme për zhvillimin e plotë të mendimit; dhe çdo shkencë formulon në vetvete parime që nuk mbajnë dhe nuk mund të mbajnë parasysh kohët që përjetohen. Nëse për këtë ose atë parim, provuar si i vërtetë, është i pamundur ose i vështirë zbatimi i tij, përsëri, kjo nuk do të thotë të hiqet dorë nga zbatimi dhe të hidhet poshtë vetë parimi, kur në të vërtetë, duhet zhdukur shkaku që vonon realizimin e tij. Mirëpo, mësimi i gjuhëve të gjalla, edhe pse është shumë i dobishëm, i domosdoshme madje në kohën e sotme, përsëri është i dëmshëm për zhvillimin e lirë të mendimit. Ja përse: Gjuha, është metoda e interpretimit të mendimit. Sa gjuhë ka, aq edhe metoda ka. Veçse, përdorimi i njëkohshëm i dy a më shumë metodave, pavarësisht nga lënda mbi të cilën zbatohen, jep përherë një rezultat të hapërdarë e të çrregullt. Një njeri i cili, në rininë e tij, ka mësuar shumë gjuhë, mund të ketë mendime gjeniale, por prapë, nuk do mendojë asnjëherë qartas. Vështroni nga afër historinë intelektuale të vendeve dygjuhëshe: do gjeni në të ndoshta artistë ose shkrimtarë të mëdhenj, por kurrë një mendimtar të vërtetë. Mund të më kundërshtojnë ndoshta duke më thënë se mësimi në shkolla nuk shkon gjer aty sa të formojë nxënës të aftë për të menduar në gjuhë të huaj. Po atëherë, ky mësim është i panevojshëm, duke qenë se një gjuhë njihet vetëm kur mund të mendohet nëpërmjet saj, dhe është po ashtu i dëmshëm, përderisa e mbingarkon mendjen më kot.
Nxënësi ynë nuk do të mësojë pra asnjë gjuhë të huaj gjer në përfundim të edukimit të tij. Atëherë ai do të udhëtojë, do të vizitojë vende të ndryshme dhe, nëse një popull ngacmon kërshërinë e tij, ai do t'i vihet studimit të gjuhës dhe letërsisë së tij.

Mësimi i profesorit do reshtë - dhe edukimi do të plotësohet nëpërmjet udhëtimeve - kur vetë formimi i mendimit të adoleshentit do të shfaqë krejt rreptësinë e metodës gjatë polemikave dhe kritikave. Dekarti ka vërtetuar se çdo filozofi mbështetet mbi metodën. Dhe qartësia ose verbëria, saktësia ose falsiteti i ideve dhe i mendimeve, qëndrimi ndaj veprimeve të jetës varen shpesh nga metoda e mirë ose e keqe e të menduarit ose thjesht, nga mungesa e çdo lloj metode. Edukimi, me një fjalë, s'është gjë tjetër veçse t'i mësohet fëmijës të veprojë në jetë vetëm pasi të mendojë, të mendojë vetëm pasi të arsyetojë dhe të arsyetojë vetëm metodikisht dhe nëpërmjet një metode të mirë, domethënë shkencore.

* Kjo ese është botuar për herë të parë në gjuhën frënge në Bruksel në vitin 1898 me pseudonimin Trhank Spirobeg. U përkthye nga Fotaq Andrea.
Ballina e broshurës "Ese për edukimin", të botuar për herë të parë nga Faik Konica në gjuhën frënge.

Thursday, April 18, 2013

UDB: Noli të deklarohet kundra Hoxhës

Si është e mundur që këto shërbimet e huaja sekrete i kanë dashur gjithmonë figurat e ndritura të kombit tonë?

Nga DOKUMENTET SEKRETE TE CIA-as

Fan Noli, megjithëse shumë i vjetër, ka një emër të madh dhe respektin e të gjithë shqiptarëve, pavarësisht nga krahu politik. Edhe pse Noli nuk ka mundësi për të ushtruar aktivitet politik, çdo shqiptar mendon se do ishte shumë e dobishme në se ai do ta kishte atë përkrah, pasi nuk ka shqiptar të kalibrit të Nolit.

Zoti B. tha se edhe pse ndoshta Fan Noli mund të pranojë para nga sovjetikët, ky fakt nuk i ndryshon shumë gjërat.

G. Panorama


Thursday, April 4, 2013

DESHMIA/ Haklajt nuk erdhën në Tiranë për të vrarë Azemin, donin të vrisnin Berishën


Gazeta Dita vijon të botojë dëshmi interesante për ngjarjet e rënda të viteve të shkuara.
Kësaj here atë kanë publikuar një intervistë me Marjan Grykën, ish- truprojën e Azem Hajdarit.
Sipas tij, Haklajt kishin ardhur në Tiranë për të vrarë Sali Berishën dhe jo Azem Hajdarin.
“Unë jam një djalë Shkodre, aktiviteti im nisi në 2 Prillin e famshëm të vitit 1991, ku atëherë në protestë edhe jam plagosur. Më pas kam vazhduar të jem aktiv në lëvizjen antikomuniste, por me sa duket gjaku jonë vetëm u përdor. Desha të kujtoj këtu se në ngjarjen e 2 Prillit në Shkodër, më erdhi dikush në spital që nuk e kisha parë ndonjëherë. Ai ishte Azem Hajdari. Mu afrua në spital dhe më tha: “Çohu burrë se s’ke kurrgjë”. Unë me buzëqeshja e pyeta se kush ishte. Të gjithë të pranishmit aty më thanë “Mario, ky është Azem Hajdari”.
Kështu e nis rrëfimin e tij Gryka.
Më pas me ftesë të Hajdarit ai vjen në Tiranë ku fillon punë si efektiv i Gardës së Republikës dhe truprojë personale e Azem Hajdarit ku është dekoruar edhe si “Pishtar i Demokracisë” nga Berisha.
“Hajdari u vra për liri, por kurrë s’e gëzoi lirinë. Jeta me Azem Hajdarin ka qenë një betejë e ashpër. Kujtuam se rrëzuam komunizmin, por ai përkundrazi pas viteve ’90 na u vërsul dhe na sulmoi më shumë se kurrë”, tregon Marjan Gryka për radion kosovare “Zëri i Mitrovicës”.
Për sa iu përket prapaskenave, ai tregon se: “Mendoj se kur Berisha ishte president, ishte një dikush me tre poste që Berisha e komandonte që dhe lëvizte gurët kundër Azem Hajdarit. Ky ishte Tritan Shehu, ishte Zv/Kryeministër, Ministër i Jashtëm dhe kryetar i PD-së. Lufta e tij me urdhrat e Sali Berishës ishte shumë e ashpër. Dua t’ju tregoj një fakt. Sapo u çova në mëngjes nga gjumi (unë jetoja në shtëpinë e Azemit), më thirri në dhomën e tij, po pinim kafe e më tha: “Mario, sot kemi një betejë, kemi mbledhjen e kryesisë së PD-së, është dhënë urdhër që Azem Hajdari të mos hyjë brenda, si do ja bëjmë?”. Pra, lideri i dhjetorit dhe kryetari i parë i PD-së nuk do lejohej në  mbledhjen e kryesisë së PD-së. Unë me një buzëqeshje i thashë: “Bacë, ne do të hyjmë gjithnjë aty ku njerëzit na duan”. I hipim makinës dhe pamë se Pallati i Kongreseve ishte rrethuar me 300 forca policie, që Azem Hajdari të mos hynte brenda. Për t’i rënë shkurt, ne të armatosur e çamë postbllokun dhe e futëm Azem Hajdarin në sallë. Byroja politike ende nuk kishte mbërritur në sallë. Pasi hymë, gjetëm ca lepuj të Partisë Demokratike që ishin rreshtuar në rreshtat e parë dhe po prisnin byronë. Njërin prej tyre e kapa, e çova me dhunë dhe aty ula Azemin”, tregon Gryka, teksa shton se shënuan edhe emrin që Azemi të merrte fjalën i treti, pas dy kryetarëve të byrosë dhe ai mban këtë fjalim: “Dëgjoni ju tavolinë e krekosur dhe e dhjamosur me një popull fukara të rrënuar nga komunizmi. Unë jam Azem Hajdari, djali i Shpend Hajdarit. Baba im ka qenë komunist dhe unë e kam për nder që jam biri i tij. Por në vitet ’90 unë rrëzova idealet e babës tim, e rrëzova Enverin. Por sot ka një fatkeqësi kombëtare, që ju i keni dhe vazhdoni t’i keni ato ideale që kishte baba im. Ky është turp dhe tradhti kombëtare. Kjo nuk është PD-ja që populli donte ta kishte në pushtet. Kjo është një ngjallje dhe pasurim i komunizmit”.
Gryka rrëfen se para se të vinin ngjarjet e ’97-ës, kishin një  vit e gjysmë pa folur me Berishën, dhe nga vitet ’95-’96 Hajdarit i hiqet imuniteti i deputetit, shkarkohet nga Komisioni Parlamentar i Rendit dhe SHIK-ut, përjashtohet nga PD-ja.
“Unë u shkarkova nga oficer i gardës. Morëm zyra me qira pranë ish- kafe “Çaplin” në qendër të Tiranës dhe kaluam me sindikatat. Pra, Berisha, si një diktator i ri, na shkarkoi në distancë. Në këtë kohë Azem Hajdari, me bindje të plotë filloi  organizimin e sindikatave të pavarura për të rrëzuar qeverinë Meksi. Shteti na ndiqte për të na arrestuar. Pra, jeta e liderit të dhjetorit ishte në rrezik, jeta ime nuk ishte problem fare. Këtu filloi beteja dhe lufta e ashpër Berisha –Hajdari. SHIK-u i Gazidedes asaj kohe na përndiqte kudo, SHIK- më i fëlliqur i të gjitha kohërave. Me qindra herë u përleshëm me ta. Një natë ata agjentë të SHIK-ut kishin rrethuar shtëpinë e Azemit, është turp ndoshta të thuhet, por ne i morëm peng dhe i çuam të  paarmatosur dhe i thamë Gazidedes: “Ju jeni turpi i kombit dhe  tradhtia e kombit se shtëpia e Azem Hajdarit nuk ka nevojë për rrethim”, tregon Gryka.
Marjani tregon se ishin në “Rogner” dhe sekretarja e Sali Berishës e mori në telefon Azemin dhe i kërkoi ndihmë sepse Garda e Republikës po ikte dhe po e linte Presidentin ne baltë.
“Në këtë moment Berisha kërkoi që Azemi ta mbështeste, e unë si oficer i tij të merrja Gardën e Republikës. Ngjarjet kështu rrodhën, u ashpërsuan, të gjitha degët e PD-së në rrethe kërkonin dorëheqjen e Berishës si president, përveç Shkodrës, ku unë isha anëtar i kryesisë. Nisëm të shkonim nëpër takime me presidentin që nuk jepte dorëheqje dhe në çdo takim na vriteshin nga dy shokë. Asnjë nga këta njerëz nuk u përmend nga Berisha. Shumica e tyre janë mirditorë, por Sali Berisha i ka harruar si  shumë të tjerë”.
Ai nënvizon se natën që është varë Azem Hajdari kam qenë në arrest shtëpie, pavarësisht se në Shkodër isha i lirë dhe gjithë ditën te selia e PD-së, por këta ia arritën qëllimit dhe Azemin e lanë në rrugë të madhe”.
Gryka thekson se “në çdo atentat, se janë bërë 9 atentate, ka pasë dorë Partia Demokratike. Edhe ditën e vrasjes. Partia Demokratike ka pasë dorë në vrasjen e Azem  Hajdarit. Asnjë njeri nuk mund ta mohojë këtë, aq më tepër sot, pas shumë viteve ku nuk kanë lënë goditje pa bërë, janë munduar të eliminojnë çdo njeri që përmend Azem Hajdarin”.
Gryka shprehet se natën e vrasjes Haklajt kanë shkuar për të varë Berishën dhe Azemi është thirrur me shpejtësi nga Fieri.
“Në atë kohë, ditën që është rrethuar PD-ja, pra gjoja për të varë Azem Hajdarin, sepse Haklajt nuk kanë ardhur për të varë Azem Hajdarin. Haklajt e kanë deklaruar, e kanë ri-deklaruar madje e kanë kërkuar edhe në gjyq Sali Berishën. Sepse ata kanë ardhur me vra Sali Berishën dhe jo Azem Hajdarin. Se e dinte e gjithë Shqipëria që Azemi ishte në miting në Fier dhe po të donin vrasësit mund t’i bënin prita kudo nga Fieri në Tiranë. Por nuk kishin ardhur për Azem Hajdarin. Por skenaristët e PD-së  telefonuan Azem Hajdarin  me porosi të Doktorit që duhej të vinte urgjent në Tiranë pasi kishte mbledhje kryesie. Unë fola me të dhe i thashë, madje iu thashë edhe çunave të Fierit, çunat që sot janë pronarët e turizmit, janë sot dëshmitarë të gjithë. “Mos e lini Azemin të lëvizë”. Sepse kishte diçka që dihej, po kërkohej eliminimi i Azemit dhe kjo po diskutohej kudo. Sepse kishte një fakt, e djathta shqiptare po shkonte pas Azemit dhe jo më pas Sali Berishës”, sjell në vëmendje Gryka.
Ai tregon se me mbërritjen e Azemit tek PD-ja, edhe vrasësit janë habitur dhe kanë thënë “çfarë do ky budallai këtu”.
“Kur ka hyrë Azemi në PD, PD-ja ishte një kufomë e gjallë, nuk kishte më njeri. Në korridor ka dalë Genc Pollo me tre vetë të armatosur, ishin tropojanë. Kanë takuar Azem Hajdarin dhe më pas kanë kaluar tre minuta dhe Azemi ka dalë dhe ka komunikuar gjoja me ata që kishin ardhur të vrisnin Azem Hajdarin. Po e përsëris, kur erdhi Azemi nga Fieri, vrasësit ishin aty, nuk kishin nevojë ta linin të futej brenda. Përse nuk e goditën? Absolutisht nuk kanë pasur punë me Azem Hajdarin. Por Azemi nga sedra, burrnia, e qitën të komunikojë me vrasësit e Sali Berishës. Doli dhe u përlesh me ta sepse dihet se çfarë bisede është bërë. Ata i kërkuan që të largohej duke i thënë: Ç’do ky budalla këtu? Në krye të tyre ishte oficeri i Berishës, Izet Haxhia. Pra, këtu ndodhi fatkeqësia, me tradhti 100% nga PD-ja, e iniciuar dhe e organizuar dhe e miratuar nga dy- tre persona politikë nga e majta”.
Gryka sqaron se Azemi u sqarua me Haklajt pasi bëri një bisedë  me plakun e tyre dhe e incizoi dhe i tha: “Bacë, merre këtë dhe çoja djemve të tu çfarë biseduam. Sepse ata hilenë e kanë tjetër kund dhe jo tek Azem Hajdari”, teksa shton se sipas tij fjala ishte për Sali Berishën.
Gryka akuzon se truproja i Azemit, sot në azil politik, i ka deklaruar Sali Berishës dhe Ylli Rakipit me kasetë konfliktin me armë dhe debatet me Azemin në momentet para vrasjes.
“Këtë kasetë e ka edhe sot Sali Berisha, ku është pse nuk e dorëzon kasetën? Sot, ky mik i madh i Azemit, që i ka bërë qindra sulme, merr këshilltar të tij Neritan Cekën, njeriun që na bëri 7 atentate kur ishte ministër i Rendit. Merr ministër Mbrojtje Arben Imamin, gjenerali i bandave të ’97-ës. Të gjithë  organizatorët, atentatorët e Azem Hajdarit janë në kolltukë politikë”, teksa nënvizon se Sai Berisha nuk është paraqitur asnjëherë në Gjykatë për akuzat e bëra.
Gryka deklaron se pseudonimi i Sali Berishën në Sigurimin e Shtetit ka qenë “Penicilina” dhe se në Shqipëri deri më tani nuk ka pasur asnjë ditë demokraci.

Gazeta Dita