Liria e martesës kufizohet nga disa kushte të përcaktuara me ligj.
Këto kushte, të vendosura sot thjesht me marrëveshje, do të jenë - për
sa i përket martesës në të ardhmen - të një karakteri shkencor:
individë të sëmurë ose ata me shëndet të dobët, do duhet të presin të
shërohen ose të marrin veten, me qëllim që të martohen. Individë të
dënuar me sëmundje të pashërueshme, të çfarëdo natyre qofshin, nuk ka
si ta shohin veten të zhveshur nga një epsh që ndez instinkti, por
thjesht do e shohin veten në pamundësi riprodhimi. Do shkoja edhe më
tej duke thënë: s'ka pse mos mendohet se një ditë, - falë njohurive
shkencore përhapur gjithnjë e më shumë në shkallë të gjerë dhe falë
ndjenjës estetike gjithnjë e më të zhvilluar - individët do ndiejnë
njëfarë krupe ndaj trupave të dobët dhe se dashuria e tyre do priret
vetëm drejt qenieve të fuqishme e të plotësuara, prej nga do mund të
dalin fëmijë të fortë. Atëherë do kuptohet përkufizimi i thellë i
Bossuet: "Bukuria nuk është gjë tjetër veçse shkëlqimi i shëndetit".
Një tjetër mendim do ndihmojë në krijimin e bukurisë, për sa i përket martesës në të ardhmen. Fëmijët nuk do të jenë më rezultat disi i padëshiruar i një shkujdesjeje ose i një rastësie të çastit: ata do lindin falë një mendimi të peshuar. Duke ndenjur vullnetarisht sterile gjatë dhjetë muajve të vitit, gruaja do mbetet shtatzënë vetëm gjatë muajit shtator ose tetor. Në këtë mënyrë, fëmija do lindë në qershor ose korrik dhe, veç temperaturës së lartë, mund të ndodhin edhe shpërgënjje absurde e mizore që dëmtojnë organizmin dhe deformojnë mishrat. Në të kundërt, lakuriqësia e tij e plotë do të vishet me ajrin e vakët dhe të shëndetshëm, trupi i tij i brishtë do të vijë e do të shëndoshet në mënyrë të natyrshme dhe gjymtyrët e lirshme do njohin elementët e para të bukurisë së ardhshme.
Kalimi i menjëhershëm nga trupi i nënës në temperaturën e jashtme përbën një goditje të ftohti dhe verbim drite që me siguri duhet të jetë për foshnjën një shkak vuajtjesh të forta dhe ndoshta me pasoja të hidhura që ende nuk janë vëzhguar nga afër. Do duhej pra, në çastin e lindjes, të krijohej në dhomë një mjedis i ngrohtë dhe një gjysmë dritë e mugët.
Gruaja që mban një foshnje në barkun e vet duhet të jetojë në një mjedis hijeshie e poezie. Orë të tëra duhet t'i kalojë mes luleve, peizazheve gjithë bukuri ose nëpër muze të artit. Ndjenjat që do i lindin nga shfaqje të tilla para syve do të ndikojnë në bukurinë morale dhe fizike të foshnjës së vet. E kush nuk e ka vënë re bukurinë, shpesh të jashtëzakonshme, të sovraneve dhe princeshave mbretërore? Është rrjedhojë e ndikimit të mjedisit joshës e gjithë aromë ku jetojnë, prej shekujsh, nëna dhe vajza princeshash.
Është për të ardhur keq tek sheh se një vëzhgim shkencor bëhet i padobishëm, kur në të vërtetë, do duhet të kthehej në qëllim praktik. Përpiquni sa të doni të tregoni dobinë e përputhshmërisë së lindjes së fëmijëve me stinën e temperaturave të ngrohta, ata prapëseprapë do vazhdojnë të lindin në çdo kohë dhe askush s'do ta përfillë dobinë e mendimit tuaj.
Fëmijët që lindin në një periudhë të ndryshme nga qershori ose korriku, duhet të rriten lakuriq në një dhomë-serrë ngrohur në minimumin e temperaturës së nevojshme vetëm kur të nxirren në kopsht ose në shëtitje, duhen mbështjellë me copëra jo ngjitur pas trupit.
Fëmija qan dhe bërtet për dy arsye: herë ngaqë ka gjumë a vuan dhe vihet re kollaj duke përdorur këtë ose atë ilaç që i përshtatet, herë ngaqë nuk bën gjë tjetër - falë një instinkti të mrekullueshëm - veçse ushtron zërin e tij. Dhe në këtë rast të fundit duhet lënë të vazhdojë në punë të vet.
Fëmija lihet të luaj përtokë, mbi qilim ose mes barit; luhet me të, ndonjëherë merret në krahë, por duhet bërë kujdes të mos e "mësosh" të ecë. Kam vërejtur shpesh, në të vërtetë, se duke dashur gjoja t'i mësosh të ecin, mbahen më këmbë fëmijë, këmbët e të cilëve janë ende tepër të dobëta për të mbajtur peshën e trupit. Shkoni në një plazh dhe vëreni me kujdes njerëzit që bëjnë banjë: do shihni se shumica i kanë këmbët të harkuara lehtë, dhe ky deformim, pak i kapshëm nga syri, dëmton ecjen drejt dhe të harmonishme. Kur fëmija është në gjendje të ecë, ai shpreh padurimin e tij për ta provuar, nëpërmjet kërcimeve dhe lodrimeve. Përgjithësisht kjo ndodh rreth moshës 18 muajshe.
Fëmija mbahet në krahë me masë, me qëllim që mos t'i lihet kurrsesi për më vonë kënaqësia dhe zakoni i pekuleve. Por sidomos, duhet bërë mjaft kujdes për të mos e mbajtur përherë nga njëra anë, duke i paralizuar një nga dy krahët, siç ndodh në përgjithësi. Ky zakon i dëmshëm është arsyeja që ne jemi pothuaj të gjithë qenie të paplotësuara, duke qenë se krejt shkathtësia dhe krejt aftësia jonë përdoruese qëndrojnë në një dorë të vetme. E megjithatë, është absurde të nxjerrësh përjetë jashtë përdorimi një dorë të shëndetshme; - dhe askush nuk do të na kundërshtojë po të themi se, sikur krahët e lira - që të dyja në lëvizjet e tyre dhe të ushtruara që në moshë të njomë - të ishin të barabarta në forcë, shkrimtari, artisti, artizani sidomos, dhe krejt njerëzit do kishin pasur dobi të madhe.
Fëmija nuk duhet të hajë kurrë bonbone dhe sheqerka të forta. Mendoj - edhe pse mendimi im i formuluar në këtë mënyrë do duket paradoksal - se sheqerkat dëmtojnë zhvillimin e mendjes. Le të kujtojmë faktin e raportit të dhëmbëve me tretjen dhe le të vëzhgojmë te fëmijët dhe adoleshentët rrënimin e sjellë prej papastërtive të sheqerosura në gojën e tyre. Më se një herë më ka rënë në sy se nxënës që kanë dhëmbët në tërësi të deformuar, shoqëruar nga një tretje që nuk është e mirë, dhe kjo nga ana e saj pasuar nga dhimbje koke dhe një rëndesë e mendjes, nxënës, nofullat e të cilëve janë mbushur me vrima dhe kalbësira, ndjekin me një vëmendje më pak të përqendruar studimet e tyre, madje dhe idetë që shprehin i kanë më pak të qarta se të tjerët. Veçse nuk pretendoj se sheqerkat janë të vetmet shkaktare të prishjes së dhëmbëve dhe se pakujdesia nuk luan rol për shumë vetë në këtë mes.
Është e domosdoshme të braktisen traditat e përtacisë dhe të papastërtisë, si dhe t'u mësohet fëmijëve që në moshë të njomë t'i trajtojnë përkujdesjen e imët të gojës e të flokëve, banjat me ujë të ftohtë në mënyrë të përditshme, sportet në natyrë dhe zbatimin e rezultateve të përgjithshme të shkencës higjienike si një domosdoshmëri e dorës së parë, po aq sa puna, ushqimi e gjumi.
Një nga absurditetet e edukimit modern më duket se është rëndësia e tepruar që i jepet gjimnastikës. E kuptoj krejt dobinë e notit, të kanotazhit dhe të ekskursioneve më këmbë; por jam kundër atyre ushtrimeve të programuara në shkolla që kanë të bëjnë me ngjitjen në litar, si majmunë, me përdredhimet në paralele dhe akrobaci të tjera. Këto janë lodra panairesh dhe nuk kanë të bëjnë me shëndetin; madje do shkoja më tej: janë të dëmshme. Lëvizjet e panatyrshme, kur disa të shkretë detyrohen të përkulin trupat, cenojnë harmoninë e organizmit dhe qëllon shpesh të shihen njerëz të zellshëm, të dhënë pas gjimnastikës, të preken nga sëmundje të zemrës ose të tjera sëmundje. Për më tepër, është vërë re tashmë se në shkolla, nxënësit më të shkathët në gjimnastikë janë po ashtu pa ndonjë nivel inteligjence. Dhe nuk është e vështirë për të përcaktuar shkakun: gjimnastika është një akrobaci që nuk i sjell kurrfarë dobie trupit: ajo përzien gjakun, nuk e pastron nëse është i molepsur, nuk e shton nëse është i pamjaftueshëm. Duke qenë se ka lidhje midis ushtrimit në litar dhe trupit njerëzor, askush nuk e mohon më sot nevojën për ushtrime fizike, veçse këtu duhet bërë dallimi midis ushtrimeve dhe përdredhimeve. Mirëpo gjimnastika nuk është tjetër veçse një vazhdimësi përdredhimesh dhe do ishte qesharake për t'i detyruar fëmijët në këtë drejtim. Nxënësi ynë, në të vërtetë nuk ka nevojë veçse për ushtrime pa sforcime të forta, kur tërë trupi vihet në veprim, si noti, që më duket lloji i ushtrimeve të natyrshme të afta për të zhvilluar format harmonishëm.
Një nga detyrat më të vështira të edukimit ka të bëjë me atë që unë do ta quaja pa frikë kundërtrashëgimia. Ashtu sikurse ka kundërhelme, ka në të vërtetë edhe një trajtim psikik për të zbutur ose zhdukur - sipas shkallës së qëndresës që shfaqin - të metat, pasionet ose veset e trashëguara. Po shpjegoj nëpërmjet një shembulli - dhe për të qenë më bindës, nëpërmjet një shembulli vetjak - mënyrën se si e kuptoj unë këtë degë të edukimit.
Duke qenë me një nervozizëm të skajshëm, që më bën të tronditem dhe të vuaj mjaft për shkakun më të vogël, për deri sa e kam një djalë - dhe që është me nënë po ashtu nervoze, - bota e jashtme nuk do të jetë për këtë fëmijë veçse një subjekt trishtimi, zemërimi dhe dhimbjeje. Do më duhet pra, të tregoj kujdesin më të madh për të mos e vënë në prani të papriturash të pakëndshme. Do duhet që kurrfarë përplasje të mos shkaktojë nervozizmin e tij të mundshëm. Nuk mund t'ia plotësojë të gjitha dëshirat, sepse do ta bëja një qenie tekanjoze dhe autoritare, por nga ana tjetër, nuk mund ta kundërshtoj gjer në fund, sepse do të bëhet zemërak. Do të kërkoj me një fjalë të parashikoj krejt nevojat që ka, për t'u dalë përpara. Do të krijoj më në fund rreth tij një mjedis të qetë e të qeshur.
Po ashtu, kur një fëmijë është tepër i ngadaltë, tepër apatik dhe kur kjo mungesë gjallërie dëmton zhvillimin e lirë të intelektit të tij, duhen krijuar me zotësi gjendje troshitëse, jo shumë të forta, duke e vënë mes një mjedisi me veprimtari të gjallë ose duke i treguar ndodhi emocionuese.
Kështu, të ndërgjegjshëm për të metat e tyre dhe të pasioneve të këqija, prindërit do të drejtojnë edukimin e fëmijëve, nisur nga ideja e baraspeshimit dhe e kundërpeshimit.
Për zhvillimin e harmonishëm të mendimit të tij, është e nevojshme në përgjithësi që fëmija të jetojë në një atmosferë përmbajtjeje dhe mirësie. Përpara tij ose përreth tij, kurrfarë zënke, shpërthimi, rrëmbimi, shfaqje të fortë dhimbjeje ose shfaqeje të zhurmshme gëzimi, kurrfarë fjale urrejtjeje ose shpifjeje, as edhe servilizmi. Duhet që mendja e fëmijës të jetë sa më shumë e lirë për t'u lënë vend përshtypjeve, me qëllim që në të të nguliten vetëm idetë falë meditimit.
Fëmijës i mësohet të lexojë e shkruajë rreth moshës pesë vjeçe. Por, a nuk janë leximi dhe shkrimi mjeti për të përftuar e shprehur idetë? Atëherë, a nuk është me të vërtetë absurde që t'i mësohet një fëmije të shkruajë kur nuk ka ende asnjë ide për të shprehur dhe të lexojë kur nuk e ndien nevojën, ndërkohë që truri i tij është i paaftë për të përftuar ide? Le të sjellim pak ndër mend vuajtjet që kemi pësuar gjatë viteve të para të shkollës ose, nëse nuk na kujtohen, le të pyesim vogëlushët që shkojnë pa dëshirë në shkollë, le t'i pyesim me ëmbëlsinë e dhembshurinë e duhur dhe do të marrim një përgjigje me zemër të hapur për torturën që pësojnë ato mendje të njoma. T'u mësojmë të lexojnë e shkruajnë! Po a e kanë shkuar vallë ndonjëherë nëpër mend ata fëmijë të shkretë jo më dobinë, do thosha, po të paktën vetë qëllimin e një pune të tillë? Ata nuk shohin në të veçse një dënim për të vizatuar çdo ditë figura të bezdisshme dhe për të përsëritur fjali të zhveshura nga kuptimi. E lodhin veprimtarinë e tyre cerebrale nëpërmjet përpjekjesh të kota dhe kur arrijnë në moshën e studimeve të thelluara, mendësia e tyre e dobësuar është e pafuqishme për meditim e thellim kuptimi. Në Belgjikë, në vetë nderin e këtij vendi të vogël plot qartësi, është kuptuar gabimi kriminal i të mësuarit të parakohshëm. Të quajtura kopshte fëmijësh, ekzistojnë në krejt Belgjikën shkolla fillore ku arsimi - tërësisht gojor - përzihet me lojërat. Fëmijët shkojnë në to gjer në moshën gjashtë vjeçare. Pak, gati kurrgjë, por prapë është një fillim që meriton të duartrokitet.
Nxënësi im do jetë i tillë që të marrë një arsim gojor, të larmishëm, të qartë dhe zbavitës gjer në moshën tetë vjeçe. Veç atëherë, do të filloj të lexoj para tij përralla, herë prekëse, herë të gëzueshme dhe më vonë, skica historie e filozofie të lehta dhe tërheqëse. Mendja e tij do të kuptojë në mënyrën më mbërthyese fuqinë e fjalës dhe konkretisht se si ato njolla boje të rreshtuara metodikisht në letër janë motori i mendimit njerëzor. Sigurisht, do më thotë herë-herë: "Do të dëshiroja që këto gjëra të bukura t'i ndieja drejtpërdrejt, pa ndihmën e zërit tuaj". Por edhe më tej do t'ia nxis dëshirën për të mësuar: "Prisni, deri sa të keni një mendim më të formuar, deri sa të zotëroni më shumë njohuri, me qëllim që të kuptoni më qartë atë çka do lexoni."
Mosha se kur fëmija duhet të mësojë të lexojë ndryshon sipas zhvillimit të tyre fizik, pjekurisë së parakohshme dhe vendit të lindjes. Në vendet jugore, arsimi i shkruar duhet të nisë përgjithësisht rreth moshës 13 vjeçe dhe në Veri vetëm rreth moshës 15 vjeçe.
I përgatitur në këtë mënyrë, nxënësi im do të mësojë leximin dhe shkrimin brenda një muaji, dhe në gjashtë muaj gramatikën.
Duke qenë se shkrimi e leximi, si të pakuptueshme e të padobishme më herët, nuk do të mësohen para moshës dymbëdhjetë vjeçe. Për arsye diametralisht të kundërt, muzika do të jetë për fëmijën nga mosha gjashtë vjeçe një veprimtari e këndshme, e lehtë, e shpejtë, e përditshme. Ngaqë këtu, çdo shenjë përputhet me një tingull, krejt joshjen e të cilit fëmija do ta ndjejë në mënyrë intuitave, - dhe kur mendja joshet, nuk ndien as lodhje, as ligështim. Për më tepër, muzika do të jetë jo vetëm një ndihmë e madhe për zhvillimin e vetëdijes, dhe rrjedhimisht për formimin e mendimit, por edhe një parathënie në lëçitjen e librave.
Arsimimi gojor do përqendrohet tek shkencat, historia, artet, dhe sidomos tek filozofia. Do të jetë me një fjalë një hyrje praktike drejt studimit të thelluar të krejt shfaqjeve të mendimit njerëzor.
Flitet shpesh për "përkushtim", për edukuesit e parë të rinisë. Ndoshta është një përkushtim disi i pavullnetshëm. Ka të ngjarë që arsimtarët, sikur të ishin ambasadorë a ministra, do t'ua linin të tjerëve radhën për të ushtruar këtë lloj përkushtimi. Nuk kam qëllim të kritikoj arsimtarët, që janë të denjë për të merituar krejt simpatitë; por dua vetëm të them se, në japin mësim, këtë e bëjnë për të fituar bukën e gojës, dhe asgjë më shumë. Mirëpo, është për të ardhur keq kur sheh funksionin e ndritur të edukuesit të njerëzimit të ushtruar nga mercenarë të paditur. Do më copëtohej zemra e do më bëhej plagë sikur të kuptohesha se po shprehkam përbuzje me anë të këtij fjalori, kur, në fakt, arsimtarët janë kaq të shkretë, sa do të ishte mizore t'i dërrmoje edhe më tepër: por unë, thjesht konstatoj. Në një shoqëri të administruar më mirë, funksionet e edukatorit do duhej të ushtroheshin falas, nga njerëz të mendimit. Në gjendjen e sotme, a nuk mund të ngrihet të paktën profesorati në nivelin e duhur, të përmirësohet në mënyrë të konsiderueshme ana materiale e edukatorëve dhe, në të njëjtën kohë, të kërkohet prej tyre një kuptim i tillë i nevojave të fëmijës, një thellim i tillë dhe një larmi e tillë e njohurive, një dashuri aq e zjarrtë dhe një vetëdije aq e qartë e bukurisë së arsimimit sa të jetë e pamundur për askënd që të ketë guximin të marrë përsipër rolin e edukatorit thjesht për një zanat e aq!
Do ta cilësonit torollak kopshtarin që do kultivonte në të njëjtën arë dhe me të njëjtën mënyrë kultivimi si lule, ashtu edhe kaçube, zarzavate e fruta të çdo lloji. Mirëpo në fushën edukimit, ne, në të vërtetë, veprojmë njëlloj si ky kopshtar: të njëjtit rregull, së njëjtës mënyrë arsimimi i nënshtrojmë mijëra e mijëra fëmijë, të gjithë të ndryshëm për nga prirjet trashëguese, mënyra e të konceptuarit të gjërave dhe shëndeti. Filan fëmijë i cili, me përkujdesje të veçantë si ajo bima e brishtë kultivuar në një serrë më vete, do të duhej të ishte bërë ndoshta një mendje e lartë, nuk është veçse një leshko ose një maniak. Për të bërë seriozisht edukimin tërësor të një fëmije, do duhej të vëzhgoheshin (nuk them të mbikëqyreshin) gjestet e tij më të vogla dhe do duhej marrë nga afër me tërë shfaqjet e intelektit të tij foshnjor. Nga ky çast, është më se e qartë se edukimi i parë do duhej t'i jepej fëmijës nga e ëma - dhe kjo domosdoshmëri shoqërohet me krijimin e kurseve të veçanta dhe të detyrueshme për vajzat e reja, ku t'u mësohet seriozisht fiziologjia, higjiena dhe psikologjia e fëmijës, me qëllim që nënat e ardhshme të kenë njohje shumë të qartë dhe shumë konkrete për parimet shkencore të edukimit. Rreth moshës tetë vjeçe, është babai apo vëllai më i madh që do të vazhdojë veprën e filluar nga nëna. Shkollat do të duhej të merreshin vetëm me përfundimin e edukimin nëpërmjet një arsimimi të shkallës së lartë. Natyrisht nuk do t'i jepja jetës konviktore nderin për ta sulmuar. Ato burgje absurde, zymtësia e të cilave nxite te fëmijët ndotjet, ligësinë, spiunimin, egërsinë, janë fidanishte të tuberkulozeve, idiotësive, shthurjeve apo kriminelëve, dhe janë dënuar mjaft për rezultatet që japin.
Shkencat klasifikohen sipas natyrës ose objektit të tyre. Do të ishte me interes të klasifikoheshin shkencat edhe sipas shkallës së lehtësisë për t'i studiuar. Në radhë të parë do të vinte logjika dhe matematikat. Ligjet e mendimi dhe të numrave janë, në të vërtetë, të pandashme nga mendimi njerëzor. Përderisa ka vetëdijen e të qenit, fëmija di të bëjë dallimin e së shumës nga e pakta dhe të zbatojë parimet kontradiktore dhe identifikuese. Duhet pra, nxitur me anë pyetjesh, për të arsyetuar veprimet e tij, për të gjetur shkakun dhe për ta formuluar. Mos prisni të jetë pesëmbëdhjetë vjeç për t'i mësuar gjeometrinë: kur ta thërrisni për herë të parë dhe do vijë drejt jush, do ta pyesni përse nuk erdhi në formë zigzage dhe do t'i shpjegoni vetinë e vijës së drejtë: do të jetë kështu mësimi i tij i parë i gjeometrisë.
Duhet shmangur me kujdesin më të madh për të folur përpara fëmijës për Perëndinë ose kundër saj. Në është për të ardhur keq tek shihen prindër të mbrujnë trurin e një fëmije sipas ëndërrimeve vulgare të tyre fetare, është po ashtu qesharake të shihen të tjerë të shajnë pandërprerë një qenie, për ekzistencën e së cilës thonë se nuk e besojnë. Mendimi i lirë nuk i nënshtrohet kurrfarë sektarizmi, dhe pasioni antifetar, më shumë nga ateizëm, nuk është veçse një religjiozitet zvetënues. Ateizmi është asnjanësia. Pra, nuk do të shqiptohet as fjala Perëndi përpara nxënësit tonë. Në këtë mënyrë, mendimi i tij, i lirë nga çdo ide e paraformuar dhe nga çdo përshtypje paraprake, do të shqyrtojë lirisht, në rrjedhën e studimeve filozofike, vlerën dhe rëndësinë e termit Perëndi.
Për zhvillimin e mendjes së fëmijës dhe për ta përgatitur atë drejt studimesh të thelluara filozofike është e nevojshme t'i ngjallet që nga mosha katër vjeçe shija e të vëzhguarit dhe e të kërkuarit të shkaqeve. Çdo ditë mund t'i parashtrohen një a dy probleme në masën e duhur të mendjes së tij të njomë. Kështu, ndërsa fëmijët e moshës së tij do të ngjisin me zor - nën vështrimin e mërishëm të xhelatëve të diplomuar - kalvarin e gramatikave asnjëherë të kuptuara, nxënësi ynë do shkëlqejë gjithë buzëqeshje tek zgjidh këtë problem të vogël, sa i pavlerë në formë, aq edhe filozofik në përmbajtje, duke qenë se ushtron mendimin.
Nëse një objekt bie nga dora e një vogëlusheje, ajo do hapë gjunjët, duke dashur të mos e lërë të bjerë; por një djalkë, për të njëjtin qëllim, do i bashkojë gjunjët: dhe cila është arsyeja e pa menduar e këtyre dy lëvizjeve të kundërta? Është - do përgjigjet nxënësi ynë pasi e vret mendjen (sa i brishtë është mendimi në këtë moshë!) - se vajza është e veshur me fustan, kurse djali me pantallona të shkurtra!
Metoda analitike që shkon nga e njohura tek e panjohura, nga veprimi te shkaku është sot e vetmja metodë që zbatohet në shkenca. Ngaqë është e vetmja metodë rreptësisht racionale. Dikur, për shembull, psikologjia - duke qenë se parashtrohej hipoteza e shpirtit - kishte të bënte me nxjerrjen nga kjo hipotezë të pasojave prejardhur nga pasojat. Sot, shkenca e psikologjisë, nëpërmjet analizës, vëzhgon faktet, kërkon fakte të tjera që kanë përcaktuar faktet e dhëna, shkon nga shkaku në shkak të shkakut, dhe përpiqet të çmontojë krejt mekanizmin e jetës njerëzore.
Është për të ardhur keq që metoda analitike nuk zbatohet në mësimin e historisë, e cila, edhe ajo nga ana e saj, është një shkencë. Do të ndieja veten mirë duke shpjeguar për shembull mënyrën si e kuptoj unë këtë mësimdhënie.
Më duhet t'i paraqes nxënësit tim historinë e qytetërimit, domethënë gjendjen mendore e shoqërore të njerëzimit përmes shekujve. Nëse do të filloj t'i flas atij për qytetërimin në periudhën më të hershme të historisë, për të zbritur, nëpërmjet një cikli leksionesh, nga lashtësia drejt shekullit tonë, do të ishte një punë e padobishme. Le të mendojmë në të vërtetë, se çfarë sforcimi i madh na duhet për të rikrijuar në kokën tonë një shoqëri diametralisht të kundërt me tonën! Për më tepër, është absurde të presësh që truri i një fëmijë të arrijë të konceptojë një njerëzim, i cili nuk ngjason aspak me atë mes të cilit ai rritet. Por, nëse ia nis duke skicuar tablonë e qytetërimit bashkëkohor, nëse i vë në dukje nxënësit tim institucionet dhe sendet që e rrethojnë, do ta kem më të kollajtë t'i përshkruaj periudhën menjëherë paraprirëse dhe pak e pangjashme nga e jona dhe kështu, - nga dje në sot - ai do ta ketë më të lehtë për të kuptuar tranzicionin dhe gjendjen e një qytetërimi i cili, duke ndryshuar ku këtu, ku atje, ka lindur qytetërimin tonë të sotëm; kur të ketë një kuptim të qartë të njerëzve dhe sendeve që na kanë paraprirë, do t'i bëj të njohur të tjerët paraprirës dhe kështu, pa kapërcime të befta dhe pa zgjidhje vazhdimësie mësimdhënia ime do ngjisë rrjedhën e shekujve: dhe kur të arrij periudhat më të largëta, nxënësi im do ketë vizion të qartë të qytezës antike, në krejt organizmin e vet.
Një tjetër shembull. Duhet t'i shpjegoj nxënësit tim historinë e turqve. Nuk do ta filloj aspak duke i folur për jetën e Ertogrulit, as për marrjen e Kostandinopojës. Do t'i jepja të lexonte në gazeta një nga ato telegrame, tragjike për nga përmbajtja e tyre e shkurtër, që japin lajmin e filan masakre paraprirë nga filan kryengritje. Do t'i paraqisja atëherë çështjen e Orientit; do t'i shpjegoja se ajo shkaktohet nga një çështje tjetër: ajo e kombësive; kombet e ndryshme të Perandorisë Osmane, roli që luajnë; çështje e kombësive u shtrua në Turqi gjatë regjimit të ngathët të sulltani Mahmudit, i cili, përpara regjimit federativ të provincave autonome që ekzistonin në atë kohë në Turqi, parapëlqeu sistemin centralizues, i cili synon të fiksojë vetëm një pikë si qendër të shumë rrathëve ekscentrikë dhe të kalojë zdrukthin e së njëjtit organizim përmbi racat, me prirje të tilla që nuk përputhen aspak; por vetë politika e sulltan Mahmudit, a nuk ishte e përcaktuar nga arsye më të thella? Do të përshkruaja atëherë fuqinë e feudalizmit gjatë sundimeve të mëparshme; do të kërkoja shkaqet e rënies së Perandorisë Osmane dhe, në këtë mënyrë, do zbërtheja krejt historinë e Turqisë.
Të shpjegosh një periudhë të panjohur nëpërmjet një periudhe të njohur, ta nisësh nga historia bashkëkohore për të përfunduar me historinë e lashtësisë më të hershme, ja cila do jetë mësimdhënia racionale e historisë. Kurse sot, historia mësohet së prapthi.
Mësimdhënia e gjuhëve të gjalla është e një dobie praktike të pamohueshme. Në këtë epokë të turbullt, kur struggle of live* cenon deri edhe format e luftës, zotërimi i shumë gjuhëve është për një të mjerë një armë e mirë dhe municion shumë i mirë. Por edukimi është shkencë, ajo e parimeve më të përgjithshme për zhvillimin e plotë të mendimit; dhe çdo shkencë formulon në vetvete parime që nuk mbajnë dhe nuk mund të mbajnë parasysh kohët që përjetohen. Nëse për këtë ose atë parim, provuar si i vërtetë, është i pamundur ose i vështirë zbatimi i tij, përsëri, kjo nuk do të thotë të hiqet dorë nga zbatimi dhe të hidhet poshtë vetë parimi, kur në të vërtetë, duhet zhdukur shkaku që vonon realizimin e tij. Mirëpo, mësimi i gjuhëve të gjalla, edhe pse është shumë i dobishëm, i domosdoshme madje në kohën e sotme, përsëri është i dëmshëm për zhvillimin e lirë të mendimit. Ja përse: Gjuha, është metoda e interpretimit të mendimit. Sa gjuhë ka, aq edhe metoda ka. Veçse, përdorimi i njëkohshëm i dy a më shumë metodave, pavarësisht nga lënda mbi të cilën zbatohen, jep përherë një rezultat të hapërdarë e të çrregullt. Një njeri i cili, në rininë e tij, ka mësuar shumë gjuhë, mund të ketë mendime gjeniale, por prapë, nuk do mendojë asnjëherë qartas. Vështroni nga afër historinë intelektuale të vendeve dygjuhëshe: do gjeni në të ndoshta artistë ose shkrimtarë të mëdhenj, por kurrë një mendimtar të vërtetë. Mund të më kundërshtojnë ndoshta duke më thënë se mësimi në shkolla nuk shkon gjer aty sa të formojë nxënës të aftë për të menduar në gjuhë të huaj. Po atëherë, ky mësim është i panevojshëm, duke qenë se një gjuhë njihet vetëm kur mund të mendohet nëpërmjet saj, dhe është po ashtu i dëmshëm, përderisa e mbingarkon mendjen më kot.
Nxënësi ynë nuk do të mësojë pra asnjë gjuhë të huaj gjer në përfundim të edukimit të tij. Atëherë ai do të udhëtojë, do të vizitojë vende të ndryshme dhe, nëse një popull ngacmon kërshërinë e tij, ai do t'i vihet studimit të gjuhës dhe letërsisë së tij.
Mësimi i profesorit do reshtë - dhe edukimi do të plotësohet nëpërmjet udhëtimeve - kur vetë formimi i mendimit të adoleshentit do të shfaqë krejt rreptësinë e metodës gjatë polemikave dhe kritikave. Dekarti ka vërtetuar se çdo filozofi mbështetet mbi metodën. Dhe qartësia ose verbëria, saktësia ose falsiteti i ideve dhe i mendimeve, qëndrimi ndaj veprimeve të jetës varen shpesh nga metoda e mirë ose e keqe e të menduarit ose thjesht, nga mungesa e çdo lloj metode. Edukimi, me një fjalë, s'është gjë tjetër veçse t'i mësohet fëmijës të veprojë në jetë vetëm pasi të mendojë, të mendojë vetëm pasi të arsyetojë dhe të arsyetojë vetëm metodikisht dhe nëpërmjet një metode të mirë, domethënë shkencore.
* Kjo ese është botuar për herë të parë në gjuhën frënge në Bruksel në vitin 1898 me pseudonimin Trhank Spirobeg. U përkthye nga Fotaq Andrea.
Ballina e broshurës "Ese për edukimin", të botuar për herë të parë nga Faik Konica në gjuhën frënge.

No comments:
Post a Comment