Monday, April 29, 2013

Xhamia e Madhe apo hija e neo-otomanizmit në Tiranë


Me shumë bujë u shpall show i radhës nga kryeministri për ndërtimin e Xhamisë së Madhe, në lulishten e Parlamentit, duke e quajtur këtë një ditë historike për besimtarët myslimanë shqiptarë. Në prani të më shumë bodigardëve dhe kamerave televizive se sa besimtarëve, zoti Berisha dhe beniaminët e tij, më shumë se një nisje fantazmë të inaugurimit të ndërtimit të një xhamie, trumbetuan patologjinë elektorale, rreth të cilës vërtitet tash sa kohë.

Pa hyrë në analiza politologjike, të cilat nuk kanë vend në këtë shkrim, ne do të merremi me fakte që hedhin dritë mbi absurditetin e një sipërmarrje të tillë, e cila nuk i shërben askujt, aq më pak një shteti laik, si Shqipëria.
Kryeministri Sali Berisha, që nuk nguroi edhe këtë herë t’i japë ngjyra elektorale edhe kësaj ngjarje, urdhëroi me urgjencë dy ditë më parë vartësit e tij që të mblidhnin një duzinë dishepujsh, që duartrokasin në mënyrë frenetike, duke thënë me tone emfatike se demokratët janë zotuar se kudo ku ka 4 myslimanë të ketë një xhami. Me sa duket, Berisha me këto deklarata kërkon që t’ua kalojë dhe liderëve të vendeve që zbatojnë ligjet islame, duke u bërë një shembull dhe burim frymëzimi edhe për Xhihadin! Për të kulmuar në këtë hipnozë, ai, madje, është shprehur se ka vlerësuar durimin që kanë treguar myslimanët për të pritur ndërtimin e kësaj xhamie. Një deklaratë e tillë, ashtu si dhe notat nacionaliste të pak muajve më parë, nuk mund të mos kalojë në heshtje pa shqetësimin që mbart po t’i shtosh edhe thirrjen drejtuar nga një tribunë islame të zgjedhurve të tij vendorë kryetarë të komunave dhe bashkive për të ndërtuar më shumë xhami ka tronditur këto ditë jo vetëm ekuilibrin social të shoqërisë, por edhe shqetësuar shumë intelektualë, analistë dhe qendra kërkimore e strategjike të huaja që merren me problemet e Shqipërisë.
Është e vështirë të hyjmë në detaje se ku duhet të ndërtohet xhamia dhe e kujt është toka, por, sigurisht, të drejtën për të kërkuar një projekt modern për Xhaminë e Madhe nuk mund t’ia mohosh askujt. Tirana e shekullit XXI, dhe Shqipëria që synon të bëhet një vend Europian, nuk ka pse zgjedh mes një projekti modern e Perëndimor dhe një mbetje otomane, si kjo e fundit.
Natyrisht, nuk jemi kundër ndërtimit të objekteve të kulteve fetare, qofshin këto kisha, xhamia apo teqe, por ajo që është shqetësuese është zhurma e madhe që bëhet periodikisht në favor të komunitetit mysliman dhe, tani së fundi, në pikun e fushatës elektorale, e cila do të pasohet me tingujt e çjerrë të minareve, sipas stilit arabesk, duke prishur qetësinë dhe paqen e qytetarëve të gjithë besimeve, aq më tepër shumicës ateiste të këtij vendi!
Është detyrë e kryeministrit të bëjë transparencën e një sipërmarrje të tillë, pasi prapa maketit të Xhamisë së zbuluar në të cilën pozojnë ai së bashku me Bashën dhe Muçën, ka një plan të fshehtë, për të ndërtuar një Qendër Biznesi nga klientela e kryetarit të Bashkisë, të cilëve meqë ata paskan vënë dorën në zemër për t’i “dhuruar” dy mijë metra katror tokë Komunitetit Mysliman për këtë xhami, t’iu jepet në këmbim Leja e Ndërtimit për të ndërtuar këtë qendër biznesi, një ndërtesë mbi 10 kate, përafërsisht 10 mijë metra katrorë sipërfaqe ndërtimi! Nuk kam parë askund, në asnjë vend të botës perëndimore që kam vizitur të ekzistojë një Parlament pa një lulishte-Park, ku mund të shëtitin të lirë jo vetëm qytetarët, por edhe vizitorët e atij vendi.
Në një sistem demokratik me demokraci funksionale është e papranueshme ajo që deklaroi dje kryeministri, se ne ndahemi nga qëndrimet paragjykuese, të inspiruara nga ateizmi dhe ideologjitë e tij, të cilat penguan për 20 vjet ndërtimin e kësaj xhamie kaq shumë të domosdoshme për besimtarët myslimanë në Tiranë, por edhe si një detyrim i madh për të rivendosur të drejta të shkelmuara në vendin që meritojnë. Është e tmerrshme kjo thirrje e z. Berisha per të detyruar njerëzit të transformohen në besimtarë. Kryeministri harron se ne shqiptarët vijmë nga paganizmi dhe sot jemi në shumicë ateistë. Europa e Bashkuar ku inspirojmë të anëtarësohemi tash sa kohë jo vetëm shpirtërisht, por dhe juridikisht ne do të jemi qytetarë të lirë.
Nga ana tjetër, Berisha flet ditë e natë për tregun e lirë dhe pronat në këtë vend, harron se ndërtimi i kësaj xhamie cenon një pronë private, me pronarët e të cilës nga informacionet që kemi nuk ekziston asnjë marrëveshje ligjore. (Përveç premtimit verbal të fshehtë të kryebashkiakut -a thua se jemi në pazarin e Roskovecit). Po pse duhet që ne taksapaguesit e këtij vendi të paguajmë faturat e kripura të kësaj marrëveshje? Përveç këtyre, siç ka thënë dhe misionarja e madhe e shqiptarizmës, Edith Durham, objektet dhe komunitetet fetare nuk duhet të financohen e të ndërtohen nga të huajt, pasi ata do të vihen në shërbim të tyre!
Edhe pse kjo maskaradë po të shohësh forumet online apo organet e mediave është shoqëruar me reagime dhe komente të shumta si nga intelektualët, analistë të ndryshëm ashtu edhe nga qytetarë të ndryshëm, atyre për çudi nuk iu dëgjohet zëri dhe nuk merret parasysh vullneti i tyre nga institucionet vendimmarrëse. Thelbi i këtyre shqetësimeve është: përse po zihen hapësira të tilla të gjelbra?! Ka plot qytetarë JOBESIMTARË që tashmë nuk kanë ku të nxjerrin fëmijët shëtitje dhe sikur të mos mjaftonte kjo dhe gjithë hallet e shumta që kanë në këtë përditshmëri të sëmurë nga mungesa e standardeve elementare, janë të detyruar të dëgjojnë çdo ditë minaret që ulërijnë dhunshëm dhe nuk paskan të sosur në këtë vend. Këtu flitet vetëm për të drejtat e besimtarëve, por lind pyetja: Ku janë të drejtat e ateistëve?!
Ajo që ndoshta i ka shpëtuar “vigjilencës” së Kryeministrit është fakti se një ndërtesë e tillë e stilit arabesk dhe otoman, copy/paste e një xhamie në Turqi, do të cenojë rëndë jo vetëm sigurinë, por edhe imazhin e institucionit të Kuvendit të Shqipërisë, kësaj ndërtese legjitime që shpreh dhe mbart vetë thelbin e sistemit juridik të Republikës sonë parlamentare.
Sipërmarrje të tilla nuk mund të bëhen për show elektoral apo për të joshur votues të këtij besimi, por duhet të kenë një bazë të thellë legjitimiteti dhe kjo nuk mund të bëhet ndryshe vetëm se me rrugë referendare, si shprehje e drejtpërdrejtë e vullnetit të qytetarëve. Themi se duhet referendum për xhaminë, sepse konstatohet se në këtë vend ka shumë pak ushtrues/praktikantë të besimit dhe kjo mund të vërtetohet shumë lehtë, mjafton të soditësh objektet e kultit të ndërtuara të gjitha besimeve që ushtrohen në Shqipëri. Nga ana tjetër, ky veprim cenon rëndë identitetin kombëtar dhe trashëgiminë kombëtare dhe do të ishte një hap që do të na largonte më shumë nga Europa dhe do të na traumatizonte si shoqëri. Është vendi të informoj lexuesin se para 2-3 muajve edhe komisioni i ekspertëve për Vlerësimin Strategjik Mjedisor të Tiranës në zonën ku kryeministri kërkon të ndërtojë Xhaminë e Madhe e ka përcaktuar si zonë të gjelbër!
Ata që kanë ndjekur show-n televiziv në fjalë nuk mund të mos kuptojnë absurditetin e medias, si pjesë e katrahurës publicitare dhe shërbëtore të biznes-politikës dhe gënjeshtrave të tyre. Çuditem përse kjo media nxjerr vetëm imazhet e Saliut dhe nuk nxjerr ata pak njerëz që e dëgjonin dhe aq në shumë ata që ishin përzënë me dhunë nga lulishtja dhe nuk dinin nga të shkonin, në pritje të largimit të komedianëve! A nuk mundet vallë që për të mos iu fryrë ndasive fetare redaksitë të botojnë një foto më reale dhe më të natyrshme të kësaj audience dhe të mos manipulojnë opinionin publik me fantazmën e vendosjes së gurit të themelit dhe ekzistencës së kantierit të ndërtimit në timon të së cilit gjendet përherë kryeministri?!…
Shqiptarët e dinë prej rilindësve të tyre, atyre që i paraprinë zgjimit kombëtar se me ndihmën e ish-Perandorisë Osmane nuk mund të shkohet as në Anadoll e jo më në Bruksel! Erdhi koha e zgjedhjeve për të bindur tiranasit që të rivotojnë për të tretën herë Kryeministrin, por tiranasit e njohin tashmë se ç’aktor kanë përpara, se çfarë feje predikon dhe sa është i zoti të bëjë, për të qëndruar gjithmonë në pushtet. Kjo xhami me 4 minare nga 50 metra të larta tregon se Turqia e beri misionin e saj, se vendi kandidat për në dyert e BE-së vazhdon të prodhojë sindromën e mbetjeve të Al Kaedës! Pra, le të nguten të mësojnë arabishten pas turqishtes nga kolegjet dhe universitetet, ekonominë ua kanë dhuruar, e të bëhen kamikazë a muhaxhedinë… E thënë ndryshe, ndërtimi i saj do të cenojë rëndë sigurinë kombëtare. Ajo do të eklipsojë institucionin e Parlamentit si burimin e të gjitha pushteteve dhe institucioneve të tjera të shtetit; nga ana tjetër, kjo arkitekturë përbën një kontrast të madh urban, një model për vende ku feja identifikohet me shtetin. Ndaj kryeministri ynë 4 minaret e saj nuk mund t’ua shesë shqiptarëve në këtë përpjekje të fundit për Eiffel Tower, Tower Bridge apo Fernsehturm Berlin!
Europa nuk do të donte të kishte kurrë një Arabi Saudite në zemër të Ballkanit. Ne shqiptarët që jemi në zemër dhe në shpirt të kontinentit të vjetër duhet të vështrojmë ashtu siç na kanë lënë amanet rilindësit tanë andej nga perëndon, andej nga kemi lënë gjurmë në kohëra të lavdishme dhe kjo nuk mund të zhbëhet nga disa politikanë që kanë marrë peng të ardhmen tonë. Për fat të keq, opozita, që nuk lë rast pa kritikuar qeverinë, vazhdon të heshtë për këtë akt agresiv të Kryeministrit, i cili cenon rëndë laicitetin e shtetit të sanksionuar në Kushtetutë dhe të garantuar prej saj!
A mund të bëjë Tirana pa këtë xhami?! Tirana ka bërë pa xhami të madhe me shekuj, tani le ta shohë të udhës Komuniteti Mysliman Shqiptar se çfarë mund të bëjë, por nuk ka detyrim shoqëria dhe shteti të përzihet në këtë histori, aq më shumë duke marrë flamurin e protagonizmit, në një kohë kur komuniteteve fetare sipas ligjit iu janë kthyer pronat e tyre. Edhe nëse kjo xhami do të ndërtohet nëpërmjet këtyre procedurave mafioze ajo nuk do të gëzojë kurrë respektin e qytetarëve, si rrjedhim, do të ketë emrin e një qendre të ngritur nga bota e krimit dhe nuk do të ketë reputacionin e domosdoshëm të një qendre religjioze. Mund të bëhet e mundur që besimtarët myslimanë të kenë një xhami më shumë, le të zgjerojnë hapësirat në ndonjë nga xhamitë ekzistuese për nevojat e tyre, por jo një poster elektoral, që kërkon të emocionojë ndonjë mendje të mykur osmane me arabeskat e një projekti démodé dhe të padobishëm për portretin e Shqipërisë në shekullin e XXI.

Nga Kastriot Frashëri* *Drejtor, Instituti i Çështjeve Kombëtare

No comments: