Thursday, April 18, 2013

“The Economist”: Shqipëria regjim hibrid, një hap larg diktaturës

Korrupsioni, interesat personale të kastës politike shqiptare, mungesa e një kulture të mirëfilltë politike, ka bërë që në sytë e botës, Shqipëria të karakterizohet si një vend që i përket një regjimi hibrid, me një demokraci të brishtë. 
Manipulimi i proceseve zgjedhore, mosrespektimi i institucioneve të pavarura, uzurpimi i pushtetit në dorën e një individi të vetëm, ka bërë që Shqipërisë t’ia kalojë edhe Tunizia sa i përket konsolidimit të një demokracie të shëndoshë. Prestigjiozja britanike “The Economist” përmes insertit të saj analitik ‘The Economist Intelligence Unit’, shprehet se Shqipëria është një regjim hibrid, dhe nga shtetet europiane lë pas vetëm Bosnjën. Ky është konkluzioni i indeksit për demokracinë nëpër botë, reflektim i situatës në fund të vitit 2012, që bën prestigjiozja britanike “The Economist”. Prestigjozja britanike del në përfundimin se ka pasur një lloj gjendje në vendnumëro; që do të thotë as progres i qenësishëm, por as regres i demokracisë për vendin në fjalë, duke marrë zhvillimet deri në fund të vitit të kaluar. Në vëzhgimin e saj, “The Economist” merr në analizë gjendjen e demokracisë për 165 shtete të pavarura dhe dy territore, çka mbulon thuajse të gjithë popullsinë e botës. Indeksi i demokracisë mbështetet në 5 kategori: procesin zgjedhor dhe pluralizmin; liritë qytetare; funksionimin e qeverisë; pjesëmarrjen politike dhe kulturën politike. Në total, indeksi dallon katër lloje regjimesh: demokracitë e plota, demokracitë me të meta, regjimet hibride dhe regjimet autoritare. “The Economist” e rendit Shqipërinë tek regjimet hibride; në një klasifikim që përfshin 37 shtete dhe 14 për qind të popullsisë së botës. Ne këtë liste Shqipëria mbetet pas shumë shteteve të Amerikës Latine, Azisë dhe Afrikës, duke u renditur poshtë Bangladeshit, Siri Lankës e Tunizisë dhe sipër Nikaraguas.
Demokracia
Sipas “The Economist”, shtete si Hong-Kongu, Malavi, Timori Lindor dhe Senegali janë përmirësuar më shumë se ne, duke mundur të klasifikohen këtë radhe si një kategori më lart se Shqipëria si vende me “demokraci me të meta”. Po çfarë janë regjimet hibride? “The Economist” shpjegon se regjimet hibride kanë probleme të thella me parregullsitë zgjedhore që shpesh nuk i lejojnë zgjedhjet të jenë të lira e të ndershme. Presioni qeveritar mbi partitë e opozitës dhe kandidatët, mund të jetë shumë i përhapur si fenomen. Dobësitë serioze këtu janë shumë më mbizotëruese sesa në demokracitë me të meta si në drejtim të kulturës politike, funksionimit të ekzekutivit dhe pjesëmarrjes politike. Korrupsioni është shumë i përhapur dhe sundimi i ligjit konsiderohet i dobët. E tillë është edhe shoqëria civile. Tipike e këtyre regjimeve është trysnia mbi mediat dhe fakti që gjyqësori nuk është i pavarur. Përkrah Shqipërisë në këtë listim janë edhe vende si Venezuela, Mali, Egjipti, Pakistani e Libia, shtete që kanë përjetuar luftë, ose të paktën trazira të forta në dy vitet e fundit.
Liria e medias
Në raportet e çdo viti, Shqipëria është renditur në vendet e fundit sa i përket edhe lirisë së medias. Në Shqipëri vijon të mos respektohet liria e medias, tipike e vendeve me regjim hibrid. Raporti më i fundit i Freedom House tregon se liria e shtypit në Shqipëri është përkeqësuar me një vit më parë, duke rënë në vend të 107 në botë, me një vlerësim prej 51 pikësh në kuptimin negativ. Shqipëria ishte në vendin e 102 me 50 pikë. Media në vendin tonë cilësohet si pjesërisht e lirë. Të njëjtin vlerësim me Shqipërinë ka edhe Libani, Maldivet dhe Libani. Por ajo që bie në sy është se na ka parakaluar edhe Kosova, që tani ndodhet në vend të 97-të. Një vit më parë ata ishin në vend të 104-të. 
Eneida Jaçaj

No comments: