Historia duket se do të jetë beteja e re mes Kosovës dhe Beogradit. Shkrimtari dhe publicisti, Jusuf Buxhovi, sjell për herë të parë një libër mbi historinë e Kosovës. Libri ka ngjallur reagime në qarqet akademike serbe
Madje, edhe kur Serbia është pranuar si shtet në kongresin e Berlinit më 1878, sipas burimeve osmane dhe austro-hungareze, rreth gjysma e asaj popullate nuk ishte serbe. Shumicën e përbënin shqiptarët dhe vllahët, siç nuk kishte shumicë greke, por arvanite, edhe Greqia kur u pranua si shtet më 1831.
“Vepra ime edhe pse quhet Kosova, paraqet historinë e Shqipërisë së natyrshme nga antikiteti (mileniumi i pestë) e tutje”, kështu shprehet shkrimtari dhe historiani, Jusuf Buxhovi, në një intervistë për gazetën “Shqip” mbi librin e tij “Historia e Kosovës” i cili ka hapur debate të forta mes historianëve në Serbi e Kosovë. A janë gati Kosova dhe Serbia të kenë një histori të çliruar nga nacionalizmat? Pse serbët mohojnë dy gjenocide që kanë bërë në Kosovë? Libri i Buxhovit është në tri vëllime: Antikiteti, Mesjeta dhe Perandoria Osmane. Ai del në përfundimin se Dardanët janë themelues të Trojës dhe bartës të qytetërimit antik, i cili me pa të drejtë u është atribuuar grekëve, të cilët erdhën shumë vonë dhe përvetësuan gjithë qytetërimin pellazg, madje dhe shkrimin e tyre. Sipas tij, edhe “Iliada” dhe filozofia antike paraqesin trashëgimi shpirtërore të shqiptarëve.
Libri juaj “Historia e Kosovës”, nis nga antikiteti dhe Mesjeta për të vijuar me Perandorinë Osmane. Çfarë sipas jush i identifikon shqiptarët në këto periudha?
Fillimisht duhet sqaruar se “Kosova” është historiografi kritike. Është, pra, një projekt individual, që mbështetet mbi konceptin kohë-hapësirë me gamën e fokusimit që nis nga mileniumi i pestë e vjen deri në ditët tona. Në këtë kontekst etnogjeneza e shqiptarëve, si etni, shihet e ndërlidhur me Pellazgët, një si perandori me shumë mbretëri, ndër të cilat më të rëndësishme janë ajo dardane me Trojën, mbretëria maqedone, ajo epirote, si dhe mbretëritë ilire. Ky kundrim, nuk e dëmton teorinë e deritanishme ilire, pos që e plotëson në kuadrin e perandorisë pellazge, që ishte botërore dhe themel i qytetërimit antik. Nga trashëgimia pellazge lindën dhe u zhvilluan edhe dy perandoritë e mëdha: ajo e Romës (nga Dardanët, Galabrët dhe Etruskët) si dhe Bizanti (kryesisht nga dardano-ilirët).
“Kosova” ka sjellë shumë polemika, por edhe zemërim te historianët serbë, të cilët e kanë quajtur “një fantazi” dhe të pabazuar në fakte?
Zemërimi i historianëve dhe i akademikëve serbë ka qenë i arsyeshëm, ngaqë ata për herë të parë ndeshen me një libër autorial te një autor shqiptar, dhe po ashtu, për herë të parë, ndeshën me një historiografi, e cila rrënon gënjeshtrat e tyre rreth shqiptarëve, me të cilat ata kanë ushqyer edhe programet e njohura hegjemoniste kundër shqiptarëve, me të cilat politika serbomadhe ka ushtruar katër gjenocide kundër shqiptarëve (i pari në vitet 1877/8, i dyti në vitet 1912/’13, i treti në vitin 1944/45 dhe i katërti në vitin 1998/’99). Historianët serbë i ka zemëruar teza pellazge, pastaj pamja e rolit shtetfromues në Bizant, si dhe mohimi i shtetit mesjetar serb në Kosovë, që nuk ka ekzistuar kurrë (pos zhupanive dhe organizimeve të tjera fisnore-fetare, që i kanë pas edhe të tjerët). Po ashtu, akademikët serbë i ka hidhëruar së tepërmi, pohimi im se në Kosovë nuk ka pas kishë ortodokse serbe, por vetëm krishterim të ritit katolik apo ortodoks, dhe se shqiptarët, krishterimin e kanë marrë nga shekulli i tretë, ndërsa sllavët në shekullin dhjetë. Kjo çështje demanton mitin për Kosovën djep “shpirtëror serbë” dhe të ngjashme, me të cilat historiografia serbe është plot e për plot dhe për fat të keq ia ka dalë të mashtrojë edhe qendrat e vendosjes, dje, por edhe sot… Janë, pra faktet, që më mbrojnë nga akuzat serbe, fakte këto që edhe ata i dinë, por nuk dëshirojnë të heqin dorë prej tyre, ngaqë u bie koncepti hegjemonsit serbomadh, me të cilin edhe sot e gjithë ditën përpiqen ta destabilizojnë Ballkanin dhe veçmas shqiptarët.
Librat historike të kësaj natyre zakonisht janë nisma të institucioneve akademike, a e keni ndier që mund të paragjykoheshit kur shkruat këtë libër?
Është detyrë e akademive dhe institucioneve shkencore zyrtare të merren me projekte të tilla, veçmas në rrethanat e ndryshimeve të mëdha shoqërore dhe politike, siç janë këto nëpër të cilat po kalojmë. Disa herë kam shtruar këtë çështje dhe kam kërkuar që në Tiranë dhe Prishtinë të veprohet në këtë drejtim, por thuajse asgjë nuk ka ndodhur. Kjo, nuk më ka penguar që si hulumtues ta bëj punën time, punë kjo që ngrit disa çështje që kanë të bëjë me rishqyrtime, nëpër të cilat domosdoshmërisht do të kalojë historiogarfia jonë, i pëlqej apo nuk i pëlqen kjo dikujt. Megjithatë, puna ime, e cila është pritur shumë mirë nga opinionin (pesë ribotime brenda tetë muajsh me një tirazh prej më shumë se njëzet e pesë mijë ekzemplarësh), krahas kritikave të ashpra që i erdhën nga Beogradi, nuk u ka shpëtuar disa paragjykimeve, nga disa “historianë” dhe akademikë të Kosovës, të cilët, nga xhelozia pse nuk kanë bërë gjë, edhe pse paguhen mirë, u përpoqën që veprën time ta anatemojnë politikisht duke e etikuar “vepër nacionaliste”, “vepër që mohon serbët” dhe madje “vepër që zgjon urrejtje” e të ngjashme!
Sa e vështirë ka qenë të binit në gjurmët e dokumenteve dhe ku i keni gjetur ato?
Ka mbi tridhjetë vjet që merrem me hulumtime nëpër arkivat gjermane dhe austriake. Pjesën më të madhe të këtyre dokumenteve i kam vjelë nga Arkivi Politik i Ministrisë së Punëve të Jashtme të Gjermanisë në Bon, pastaj Arkivi Historik i Berlinit, Arkivi i Majcit, ai i Institutit të Europës Juglindore në Munih dhe nga Arkivi Shtetëror i Vjenës. Një pjesë tjetër të dokumenteve e kam vjelë nga arkivat jugosllave, por nuk kanë munguar edhe dokumentet nga arkivat osmane, ato ruse, italiane dhe greke. Një rol të rëndësishëm në koncipimin e veprës sime, kanë luajtur edhe veprat e rëndësishme nga historiografia botërore që kanë trajtuar çështjen shqiptare nga antikiteti e deri te koha jonë.
E kujt ka qenë Kosova, dhe cili shtet ka pasur i pari vendbanimin në të?
Kosova, për mua paraqet epiqendrën e Shqipërisë së natyrshme nga antikiteti e deri në ditët tona. Natyrisht se ajo ka të bëjë me Dardaninë dhe Dardanët, por edhe Ilirët, Maqedonët, Epirotët dhe të tjerët, të degëzuar nga Pellazgët. Në këtë vazhdimësi historike prej pesë mijë vjetësh, pra nga parahistoria dhe koha historike, mbretëria dardane ka qenë njëri ndër faktorët më të rëndësishëm të antikitetit. Pas rënies së mbretërisë dardane, kjo hapësirë sërish do të luajë rol tepër të rëndësishëm gjatë perandorisë së Romës dhe asaj të Bizantit. Dardania, si pjesë e Ilirikut, do të kthehet në faktor kryesor të Bizantit, ku edhe kanë rrënjën tri identitetet me të cilat duhet të lidhet qenia shtetërore shqiptare: identiteti administrativ (i shpallur nga Diokleciani), identiteti kishtar (i shpallur nga Konstandini i Madh) dhe identiteti politik dhe juridik (i shpallur nga Justiniani). Termi Kosovë, është i vonshëm. Shfaqet në shekullin XIX, me vilajetin e Kosovës, që edhe si i tillë, paraqet epiqendrën e rilindjes kombëtare (Lidhja Shqiptare e Prizrenit), që do të çojë edhe deri te pavarësia e Shqipërisë. Pra, Kosova (Dardania) përherë ka pas identitet shpirtëror dhe shtetëror dardano-iliro-arbëror-shqiptar.
Kur shfaqen shenjat e para të Serbisë në Kosovë?
Nuk duhet ngatërruar praninë sllave me atë serbe, ngaqë sllavët paraqesin një konglomerat popujsh barbar, që sulmuan Ilirikun dhe Dardaninë nga shekulli VI e tutje, për t’u shfaqur si formacione fisnore nga shekulli IX e tutje, ndërsa serbët, si pakicë shfaqen në shekullin XIX. Pra në Kosovë, sllavët shfaqen në shekullin XIII, si pushtues, por pa atributet e mbretërisë, ose të perandorisë, siç i shohim edhe sot e gjithë ditën në historiografinë zyrtare në Shqipëri dhe Kosovë, por erdhën si fise të prirë nga zhupanë dhe despotë. Madje, edhe vetë Rashka, që serbët e quajnë “mbretëri mesjetare serbe”, sipas shumë indikacionesh, nuk ka qenë serbe, por tribale (një fis pellazg i lidhur me Dardanët). Ato që historiografia serbe i thotë rreth “Car” Dushanit, apo “Kral” Millutinit, janë falsifikime, ngaqë edhe i pari e edhe i dyti kanë qenë feudalë ortodoksë, si shumë feudalë të tjerë ortodoksë arbërorë, që ishin në përbërje të Bizantit dhe asgjë më shumë. Madje, edhe kur Serbia është pranuar si shtet në kongresin e Berlinit më 1878, sipas burimeve osmane dhe austro-hungareze, rreth gjysma e asaj popullate nuk ishte serbe. Shumicën e përbënin shqiptarët dhe vllahët, siç nuk kishte shumicë greke, por arvanite, edhe Greqia kur u pranua si shtet më 1831.
Ç’vend zë sipas jush historia e shqiptarëve në Ballkan?
Shqiptarët dhe Shqipëria, në raport me Ballkanin, por edhe të tjerët, paraqiten në qendër të antikitetit, si djep i saj. Ata janë protagonistët kryesorë të historisë nga lashtësia deri te koha jonë. Kjo është një e vërtetë që historiografia jonë duhet ta thotë pa ngurrim.
Sa e vështirë ka qenë për ju kjo nismë, dhe a është i përgatitur opinioni në Kosovë apo rajon për të pasur një histori të shtetit më të ri të Kosovës?
Secili shtet duhet të ketë historinë, së paku atë politike. Vepra ime pretendon që të paraqesë Kosovën si epiqendër të natyrshme të botës shqiptare nga antikiteti e deri më sot, siç ka qenë në të vërtetë. Pse historia politike e shqiptarëve, me pavarësinë e Shqipërisë, është vendosur në “periferi” në vend të qendrës, kjo nuk do të thotë që historia jonë të ndjekë kornizat e dhunshme politike, që ia kanë përcaktuar të tjerët.
Al.Ba
http://gazeta-shqip.com/lajme/2013/01/16/serbia-eshte-krijuar-nga-shqiptare/
No comments:
Post a Comment