Thursday, April 4, 2013

Ipeshkvi i Kosovës kundër Mehmetit: Shqiptarinë nuk e shpëtoi islami, por Kisha Katolike


Duke folur për deshqiptarizimin e Shkupit, Mehmeti theksoi se pas Luftës së Dyte Botërore, mbeti një periudhë 40-vjeçare, ku u punua vazhdimisht në deshqiptarizimin e Shkupit.

“Atë kohë, arritën ta zbrazin Shkupin afro 60%, duke dëbuar shqiptarët në Turqi. Nga Maqedonia u mbushnin trenat me shqiptarë që i çonin në Turqi. Për këtë, arsye vinin shumë nga Kosova në Shkup, sepse ishte rruga më e lehtë për të ikur për Turqi”, ka thënë Mehmeti, shkruan gazeta Express.

Ndërkaq, duke folur për atë sesi kanë arritur shqiptarët ta ruajnë identitetin, Mehmeti tha se kjo është arritur përmes islamit.

“Absolutisht, matematikisht, mund të dëshmohet, edhe nëpërmjet asaj që e thash ma parë, se islamizmi e ka shpëtuar shqiptarinë në disa vise shqiptare, absolutisht! Unë ua dëshmoj me këtë: ortodoksët shqiptarë nuk i keni, katolikët shqiptarë nuk i keni në Shkup. I keni vetëm shqiptarët myslimanë”, tha Mehmeti.

Ipeshkvi së Kosovës: Perandoria Osmane ka shkatërruar trashëgiminë, atë e shpëtoi Kisha Katolike

Ndaj kësaj deklarate të Kim Mehmeti, se ka qenë islami që e ka shpëtuar Shqiptarinë reaguar ashpër Ipeshkvi së Kosovës, Shan Zefi, i cili ka thënë se është e kundërta e asaj që është thënë nga shkrimtari.

“Shqiptarinë nuk e ka shpëtuar islamizmi, por është Kisha Katolike ajo që ka mbajtur gjallë fijet e Shqiptarisë”,- ka thënë Don Shan Zefi për “Express”.

Sipas tij, është islamizmi, konkretisht Perandoria Osmane që ka shkatërruar gjithë trashëgiminë materiale, kulturore dhe shpirtërore të shqiptarëve.

“Ky është një fakt historik që nuk e mohon askush”, ka shtuar ai. Don Shan Zefi thekson kontributin e Kishës Katolike në ruajtjen e kombit. “Kisha Katolike ka qenë roje e kombit shqiptar, e assesi Perandoria Osmane dhe islamizmi i shqiptarëve”,- ka deklaruar Ipeshkvi. Shekulli

1 comment:

Anonymous said...

jam i mendimit qe te dyja fejet e citueme kane luejtun rol ne mbrojtje kunder zhdukjes se kombit shqiptar secila ne kohna te caktueme dhe ne rrethana te caktueme dhe kunder rreziqe te caktueme