Thursday, April 25, 2013

VERBIMI



Dy djem aty rreth të njëzetepesave,shtynë me furi derën ndarëse të korridorit të kirurgjisë së atij spitali.Rezet e vjetra te derës lëshuan një tingull gërvishtës.Ajri kundërmonte një erë duhani bllokuese dhe dukej se aty dhe pse muret ishin mbushur me tabela sensibilizuese ku njerëzit viheshin në dijeni se ndalohej duhani,përceptohej lehtë krejtësisht e kundërta.Aty askush nuk kishte nge të lexonte tabelat,tymosnin gjithsekush me moskokëqarje të pafshehur.Muret që kushedi se kur nuk kishin njohur lyerje,vende-vende ishin rjepur nga suvaja dhe instalimet elektrike ishin në gjendje të vajtueshme.Një konglomerat telash e çelësash elektrikë vareshin jo vetëm në lartësinë e njeriut,por gjendeshin dhe fare ulët dhe gati sa nuk preknin dyshemenë.

Dy djemtë i hidhnin hapat me nxitim,gati-gati me vrap.U ndalën për një moment kur u gjenden thuajse në mesin e atij korridori.I pari,një djalosh shtat mesëm me flokë te gjatë gështenjë të lidhur mbrapa si bisht kali,hodhi sytë rreth e rrotull me shpresën të dallonte atë që po kërkonte.Pas tij djaloshi tjetër,një bjond me faqe të parruara por që qimet ishin të mbajtura me kujdes hodhi gjithashtu sytë në drejtimin që po shikonte shoku i tij.Morën për pak sekonda frymë dhe si nuk panë as infermiere as mjek që po kalonte në ato momente nëpër korridor u drejtuan për tek një krevat-barrelë e braktisur aty në korridor.Tri gra qëndronin të ulura në ndenjëset përballë vendit ku ndodhej barrela,në një distancë prej dy-tre hapash.Ishin tri gra në moshë të thyer.Njëra nga gratë me ca flokë të thinjura e të gjata të tërhequra lart me një mbajtëse të errët në formë gjysmë hëne po i pëshpëriste diçka fare afër fytyrës,njërës nga gratë,e cila ndodhej në mes të dy të tjerave.Tjetra një flokë shkurtër dhe të ngjyer me një ngjyrë ndryshku,po e dëgjonte me shumë vëmendje.Herë pas here shtynte lart me gishtin tregues syzet me lente të trasha që i rrëshqisnin hundës dhe pastaj bashkonte sërish duart në pëqi.Gruaja e tretë e cila mbante një shall të zi në kokë nuk ishte më pak e vëmendshme në bisedë sesa dëgjuesja e mesit por duke qenë në anën tjetër të folëses,për të dëgjuar më mirë i duhej të përkulej herë pas here pak përpara, veprim që e lodhte disi prandaj ishte e detyruar që sërish të drejtohej që të mbështetej në mbështetësen e ndenjëses dhe keshtu humbte fillin e bisedës.Ishin disi të përhumbura në bisedë kur vërejtën që në atë korridor u shfaqën dy djem të rinj që ecnin me hapa të shpejtë dhe seç mbanin në duar.Vetëm kur u afruan tek barrela afër tyre gratë vërejtën që djemtë mbartnin në një batanije të hollë një trup njeriu.Ato ndërprenë bisedën dhe shikuan të tronditura atë pamje ngjethëse.Një trup njeriu dergjej mbështjellë në atë batanije dhe vëreheshin njolla të mëdha gjaku kudo nëpër mbulesë.Trupi ishte krejtësisht i mbuluar dhe dallohej vetëm krahu i djathtë që i varej poshtë jashtë mbulesës.Dy djemtë e shtrinë trupin e mbuluar mbi barrelë dhe hodhën sërish vështrimin përqark se mos dukej ndokush nga personeli i spitalit.Si nuk shquan askënd iu drejtuan tre grave që tashmë kishin ndërprerë bisedën dhe vështronin të lemerisura pamjen që u kishte rënë përpara.
-A mund ta lëmë këtu për pak momente sa të gjejmë ndonjë doktor që të vijë e ta shikojë?-kishte folur djaloshi me flokë të lidhur mbrapa.
-Sigurisht!-thanë të tria thuajse njëzëri.-Po çfarë i ka ndodhur?-mori guximin e pyeti gruaja me flokë të thinjura.
-Aksident me makinë!Makina e tij u përplas me një kamion.Eshtë në gjendje kritike sepse ka plagë të shumta dhe ka humbur tepër gjak.
Gruaja me shami të zezë në kokë,lëshoi një klithje që e bllokoi rrufeshëm me njërën dorë duke e vënë shpejt tek goja,për ta mbyllur klithmën brenda vetes.Gruaja me syze të trasha bëri shenjën e kryqit dhe me gjysmë zëri pëshpëriti më shumë për vete sesa për ta dëgjuar të tjerët.-O Zot,ç’po dëgjojmë e shohim përditë!Flokëgjata dhe pse e shokuar u shty akoma më shumë në pyetje.-Eshtë i afërmi juaj?
-Jo!Por u ndodhëm aty në momentin e aksidetit dhe e sollëm menjëherë pa lajmëruar as ambulancën sepse duke parë gjendjen e tij,mbërritja e ambulancës mund të ishte e vonuar dhe fatale për të.-përgjigjej vetëm djaloshi flokëlidhur.Ai fliste dhe lëviste sytë vazhdimisht në kërkim të dikujt që mund të shfaqej nga hyrja.Ai u kërkoi dhe njëherë grave se nëse mund të shfaqej ndonjë doktor ndërkohë që ata po shkonin t’i kërkonin,ato mund t’ua shpjegonin situatën.Gratë tundën kokën në shenjë pohimi.Ndërkaq të dy djemtë u kthyen nga hyrja dhe dolën me të njëjtin nxitim me të cilin kishin hyrë.
Gratë nuk ia ndanin sytë batanijes që mbulonte të aksidentuarin.-I shkreti!-ofshani gruaja me syze.
-Shshshsht!Mund të na dëgjojë.-i foli rrëzë veshit gruaja me shall të zi.Ato tashmë e kishin harruar fare që kishin ardhur për analizat e tyre në atë spital.Ato shikonin vetëm barrelën.Krahu i lëshuar jashtë batanijes linte të kuptoje se i aksidentuari ishte një mashkull në moshë të re.Sporadikisht dëgjohej ndonjë rënkim i lehtë i tij.Rënkim që ngjasonte më shumë me një gërhitje të paqtë gjumi.Sytë e grave u ngulën mbi atë pjesë të batanijes ku duhej të ishte koka.Një lëkundje mezi e dallueshme nga frymëmarrja e tjetrit linte të kuptonte që ai ishte gjallë.
Befas dera nga ana e djathtë e korridorit andej nga ishte dhe hyrja u lëkund lehtas dhe u hap përgjysmë.Gratë vërejtën me ngazëllim të shfaqej silueta e një burri me flokë të thinjur dhe me një palë syze me skelet të shndritshëm,me duart futur në xhepat e uniformës së spitalit.Gruaja me shall të zi në kokë u turr e para drejt tij.Pas saj lëvizën dhe dy të tjerat.
-Doktor!Jeni doktor?!-Nga mënyra sesi ajo grua lëshoi ato fjalë jo me shumë sens,tjetri e kuptoi që ajo ishte e mbërthyer nga ankthi.
-Po doktor jam!Si është puna?-pyeti qetë ai,pa u impresionuar shumë nga tensioni i tjetrës.
-Eshtë këtu i shtrirë në barrelë një i aksidentuar.A mund ta kontrolloni sepse duket rëndë.
-Eshtë i afërmi juaj?-pyeti tjetri pa e humbur qetësinë e mëparshme.
-Jo e sollën dy djem të rinj që u larguan të kërkonin ndihmë.
-Tek unë s’ka ardhur njeri!-deklaroi indiferent ai dhe u drejtua për nga barrela.Kapi dorën që gjendej jashtë batanijes dhe me mollëzat e gishtërinjve të tij shtypi pulsin e tjetrit.Ai rrihte.Doktori lëshoi dorën dhe pa ia zbuluar fytyrën u drejtua nga gratë.-Sapo të vijnë ata dy djemtë u thoni të vijnë tek unë.Dhoma ime është dera e parafundit majtas.Pa qenë ata ose dikush i afërm i këtij nuk mund të bëj asgjë.U largua me hap të ngadaltë përgjatë korridorit në drejtim të kundërt nga kishte hyrë.Ai e njihte mirë këtë situatë.Vinin e ta linin të sëmurin tek dera si pa gjë të keq dhe zhdukeshin nga frika se mos u kërkoje para.Po dhe ai nuk kishte ndërmend të lëvizte as gishtin nëse nuk dilte gjë.I kujtohej kur kishte shkelur fillimisht në spital,plot entuziazëm e pasion për profesionin e tij.Kishte parë kolegët më të vjetër tek fusnin kartmonedha nëpër xhepa pas çdo shërbimi që kryenin dhe ishte shokuar.Si mundet vallë njeriu të arrinte deri në atë pikë.Por kur me kalimin e kohës,kolegët e tij blinin vila,ndërronin makinat e vjetra me makina të sapo dala në qarkullim,bënin pushime në plazhe ekzotike ndërsa ai vazhdonte të jetonte me atë rrogë shtetërore,filloi të ndjehej një dështak.Nuk duhej humbur më kohë me idealizma.Koha nuk do t’ia falte.Gruaja nuk mund të toleronte më që ajo të ishte bashkëshortja e një doktori tashmë shumë të kërkuar dhe të mos bridhte plazheve ekzotike,të mos rinovonte garderobën për çdo stinë,e të mos drekonte apo darkonte në lokalet shik.Kështu ta shihnin shoqet e saj që ajo mundej dhe ato le të plasnin po të donin.Fëmijët po rriteshin.Do rriteshin dhe kërkesat.Dhe ai ia kishte filluar.Në fillim skuqej kur të afërm të të sëmurit i fusnin shukun e parave në xhep,por me kalimin e kohës kjo iu kthye në rutinë dhe nuk skuqej as nuk zverdhej më.Një kolegu i tij i kishte shpjeguar se nuk duhej të ndjente brerje të ndërgjegjes,ndryshe do ta kishte të pamundur të punonte.-E shikon sesi shtetin nuk e bren ndërgjegja për ne!Pse duhet të sikletosemi ne.Në fund të fundit këtë mundësi na e dha jeta që jo të gjithë e kanë,pse të mos e shfrytëzojme në të mirën tonë?!-Madje kolegu kishte shkuar më tej në shpjegimet e tij.Ai i kishte thënë që çdo shërbim kishte tarifat e veta dhe se nuk duhej bërë ulje të shifrës së përcaktuar mes kolegësh sepse nuk do të ishte korrekte në marrëdhëniet me kolegët.
Tashmë ai kishte mësuar t’i njihte dhe pacientët.I dallonte ata që në pamje të parë dhe nga paraqitja e tyre ishte në gjendje të përcaktonte nëse dilte gjë dhe sa mund të ishte përfitimi që mund të nxirrej.Dora-dorës që ushtronte profesionin,ia kishte dalë të rregullonte mirëqenien duke vënë pasuri.Tani gruaja ishte e kënaqur nga ai,pasi tani kalonin pushimet në plazhet që dikur i shihnin vetëm nëpër revista apo në TV.Frekuentonin lokalet më shik dhe gruaja blinte veshjet e saj të modës së fundit të porositura online.Ia kishte dalë të paguante studimet e vajzës në një nga universitetet më të lakmueshme të kontinentit.Djalit para pak muajsh i kishte blerë makinën e tij të preferuar sportive.E ardhmja e tij dhe familjes së tij ishte e shndritshme.Ai e ndjente këtë.Një kolegu i tij po e thërriste nga mbrapa.-Do vish të pimë një kafe?
-Pse jo!-iu përgjigj njëherësh ai ftesës së tjetrit,pastaj u kujtua dhe i foli.-Ore di gjë ti për një të aksidentuar që ndodhet në korridor.
-Jo!-ngriti supet tjetri.-Si ishte?
-Nuk e di!Dukej rëndë,por nuk e pashë në fytyrë.
-Nuk ishte njeri me të?
-Ca gra që ndodheshin aty rastësisht më thanë që e sollën dhe e lanë aty dy djem dhe po kërkonin një mjek.
-Mua s’më ka thënë njeri gjë.Derisa të paraqitet ndonjë i afërm aty le të rrijë.-foli moskokëçarës kolegu.-Ikim ta pimë atë kafe?
Më prit poshtë sa të kthehem tek dhoma e të marr cigaret.-foli doktori dhe u kthye mbrapsht duke u rishfaqur në korridorin e gjatë.Aty qëndronin akoma ato tri gratë dhe i aksidentuari ndodhej po aty sipër barrelës por asnjë njeri nuk ishte pranë tij,çka e bëri të kuptonte se asnjë i afërm i të aksidentuarit nuk kishte ardhur akoma.Nëpër korridor kalonin infermiere dhe mjekë por askush nuk ia hidhte sytë barrelës.Tek afrohej pa sërish atë gruan me shall të zi në kokë t’i zinte rrugën.
-Ju lutem doktor,bëni diçka!Ky i shkreti nuk po jep më shenja jete.Bëni diçka!Ju lutem!Eshtë gjynah!
Doktori kapi sërish me bezdi të shfaqur pulsin e tjetrit.E shtrëngoi në heshtje dhe priti për pak sekonda.Pulsi nuk rrihte më.E shkundi krahun lehtë por nuk mori asnjë reagim.Nga brenda qenies së tij nisi të ngjitej lart një alarm.Zgjati dorën për nga duhej të ishte fytyra e tjetrit.Tërhoqi mbulesën.Shtangu i tëri.Trupi iu ngurtësua.Gjunjët filluan t‘i dridhen a thua se kishte ngarkuar një peshë super të rëndë.Shtrëngoi dhëmbët aq fort saqë ndjeu kërcitjen e tyre të thatë dhe iu bë se i theu të gjithë.Fytyra e mavijosur e të aksidentuarit ishte imazhi më i shtrenjtë për të.Para tij dergjej i biri.U plandos mbi trupin e të birit dhe e mbuloi me krahët e tij.Lot të mëdhenj i rrëshqitën mbi mollëza dhe një tis i zymtë i mjegulloi trurin.Sytë iu veshën nga një hije e zezë.Ndjeu se po verbohej.Aty për aty e kuptoi që verbimi kishte kohë që e kishte pushtuar,por vetëm tani po e ndjente dhimbjen e tij të tmerrshme.Tashmë ishte teper vonë për të larguar atë hije që i kishte veshur shikimin.Nëpër veshë i oshëtinë ca zëra që i dukej se i thërrisnin nga një tjetër univers.
-Doktor!Doktor!doktor!
Ishin zërat e tri grave që i qëndronin mbi kokë si tri magjistrica.

Shkroi: Gëzim Murajza

No comments: