Showing posts with label Gjeografi. Show all posts
Showing posts with label Gjeografi. Show all posts

Monday, February 10, 2014

Ngrohja Globale


Në një kohë kur planeti vazhdon e vazhdon të ngrohet si kurrë më parë, ujëvara e Niagarës ngrin...
Hera e fundit ishte afro para 2 shekujsh.

"Dita pas të nesërmes". Kështu titullohej filmi që ndiqte logjikën se ngrohja globale në të vërtetë nuk do ta shkatërrojë jetën e gjallë në planetin Tokë prej temperaturave ekstremisht të larta, por prej ngjizjes së shpejtë të një periudhe akullnajore, e lidhur kjo me shkrirjen e akullnajave e prishjen e balancave së ujërave të ngrohtë e të ftohta në rrymat e fuqishme detare.

Shkroi: Stop Injorancës

Saturday, January 8, 2011

Njeriu dhe uji i bekuar

Të gjithë po përballemi me një dukuri natyrore që për nga dëmi i ngjan përmasave të një epidemie, por që, kurrsesi, me këto njohuri të sotme që zotëron pjesa shkencore shqiptare të barazohet me fatkeqësi natyrore.

Pse?
Sepse me përkufizim është quajtur dhe do të quhet fatkeqësi natyrore, ajo dukuri e natyrës, që kur ndodh kalon kufijtë e njohjes inxhinierike apo shkencore ose është për herë të parë, e pastudiuar ende, e pandodhur më parë, e pamonitoruar më parë.

Në këtë kuptim janë quajtur proceset vullkanike, ato të tërmeteve, të përmbytjeve, deri në ato të bubullimave, në kohën kur njeriu primat trembesh dhe strukesh në shpella, siç bëjnë qeniet e sotme paranjerëzore, ato me ndërgjegje e arsyetim të ulët - Qentë.

Për disa nga proceset natyrore, kjo tromaksje ka vazhduar edhe në mesjetë, madje për pak nga këto dukuri, që lidhen ende me shkallën e injorancës vazhdon deri në ditët tona (ju kujtojmë eklipsin e vitit '99, se si media struku shqiptarët brenda mureve të shtëpisë).

Por, nuk mund të pranojmë, sot, se tërmeti, vullkani, përmbytja, rrëshqitja e erozioni përbëjnë fatkeqësi natyrore, në një kohë, kur për to në të gjithë botën e shkencëruar ekzistojnë harta të shpërndarjes së potencialeve të tyre të mundshme.
Kësisoj, çdo vend është i rajonizuar sipas kuptimit të rreziqeve natyrore në shkallë të ndryshme, ku edhe vendi ynë e gëzon këtë fakt në sajë të institucioneve shkencore që kishte, që sot janë kthyer si çiban apo si atashe aparatçikësh pranë katedrave pedagogjike. Harrojmë se këta i nevojiten vendit si deveja në shkretëtirë, si fotosinteza në bimë, por mbi të gjitha si oficeri në luftë.

Le të kthehemi tek halli që na ka zënë, por të jeni të bindur e të gatitur or qytetarë e katundarë shkodranë, se ky hall i ngjan miut që kaloi njëherë nëpër mustaqe. Zamzaneja prej qelqi u thye apo shtamba prej balte u kris.
Aq keq më vjen që po ju shkruaj, duke iu drejtuar juve këto reshta, aq sa po më dridhet dora mbi tastierë, por jo mendja, sepse më parë se të kesh këtë fatkeqësi, më saktë këtë zemërim natyror, ulu pak pranë një oxhaku me zjarr bubulak ose mund të ulesh edhe në banjat alla franga, sepse në kësi vendesh njeriu reflekton qetazi për ato që ka bërë dhe për ato që duhet të bëjë.
Çfarë?
Së pari, se si ndërtove në zonë përmbytje, duke zaptuar tokë buke, që shqiptari ka ndërtuar në mijëvjeçarë, qysh nga koha e Trojës, në kodra e në rrëzë saj (ju kujtojmë Beratin të ndërtuar në shtatë kodra, prej të cilit mori shembull Roma e Stambolli më pas).

Së dyti, nuk mjaftoi që ky vend fitoi nga ky lumë Drin, (i cili kur ndodh që gjëmon, ndodhka që ky popull edhe e mallkon), tokat që dikur përmbyteshin përgjatë zonës së Gjadrit. Sikur nuk mjaftoi, që ky komb fitoi nga ky lumë Drin, tokat, që dikur përmbyteshin përgjatë zonës së Lezhës.
Sikur nuk mjaftoi, që ky vendimmarrës qaraman fitoi energji elektrike për ditën, duke i zënë rrugën në Vaun e Dejës. Sikur nuk mjaftoi, që ky politikëbërës derëzi fitoi energji elektrike për natën, duke i zënë rrugën në Koman. Sikur nuk mjaftoi, që ky ligjvënës "hallemadh" fitoi energji elektrike për dimër e për verë, duke i zënë rrugën në Fierzë. Dhe pastaj e detyruan të bashkohej i tëri me Bunën.

Dhe pastaj katundarë e malësorë, që nga Shkodra gjer' në Vlorë, i zunë pusi me ndërtime të "legalizuara" anash majtas, anash djathtas, para e prapa rrjedhës, të njohura në mijëvjeçarë si zona përmbytje që janë vetëm për mish e oriz.

Çfarë nuk arrijmë të kuptojmë?
Mirë në zonë përmbytje, po pse në zonën gropë të saj, ku ju kujtojmë Nartën, Divjakën, Velipojën, Ulqinin, të cilat janë ndërtuar mbi mezhdë, që përmbytja t'i rrethojë për pak ditë, por jo t`i mbysë shtëpi e katandi për çdo vit.
Mirë në zonë përmbytje, po pse një ngrehinë këtu e një atje, duke betonizuar tokën, që në kësi kushtesh, rrit volumin e ujit përmbytës.
Së treti, si mund të derdhësh ujërat e zeza pranë një Liqeni që të ka dhënë ujë me u ngijue, peshk me jetue, shpezë me shijue, bimë me zbukurue, aq më tepër që ti o shkodran vajte e ndërtove jetë, qysh nga pellazgia, tek Liqeni, që pasi e pagëzove me emrin Shkodër, ku s'ka mundur gjuhë tjetër ta thyej, ti sot e thyen dhe e fyen, duke e bërë të thirret gjirizi i Shkodrës.

I dashur countryman and countrycitisen!
Jam i bindur, që si çdokush, e dini se uji ka një formulë të thjeshtë të ndërtuar nga dy atome hidrogjeni, si baza kimike e formimit të tokës që na ushqen dhe një atom oksigjeni, si baza kimike e jetës së gjallë, përfshirë dhe njeriun. Pra, uji është baza e jetës edhe për njeriun.
Sikundër jam i bindur, që nuk di të kundërtën e saj, që njeriu dhe qeniet e tjera të gjalla (kafshët, bimët etj.) janë baza e jetës së ujit.
Dëgjo këtu tani dhe dëgjomë mirë.
Uji, veç përbërjes kimike të mësipërme, duke qenë mineral, si gjithë të tjerët ka dhe ndërtohet prej kristalesh optikë, që marrin një formë të caktuar në varësi të sjelljes me të.
Pra, ndryshe nga të gjithë mineralet e tjerë, këto kristale optikë marrin formë të caktuar nga mënyra se si reagon, ajo qenie për të cilën ai është baza e jetës, pra, si qeniet e gjalla, si edhe njeriu. Ndërkohë që dihet, që qeniet e gjalla, si bimët edhe kafshët kanë ekuilibër dhe mënyrë të sjelluri me ujin sipas ligjeve e rregullave perfekte.
Ai që del nga binarët në marrëdhënie me të është vetëm qenia me dy këmbë.  
Kështu, në të gjitha eksperimentet e kryera në qindra pika të globit me ujin që rridhte nëpër rrjedha të caktuara, rezultoi se kur njeriu e bekonte me fjalë të ngrohta, dashamirëse e uruese, kristalet optike të ujit të rrjedhës vendoseshin sipas një forme të rregullt, duke e bërë atë ujë paqësor, të qetë, të dashur dhe dobiprurës.
man holding singing bowl at sunset
Kur njeriu nuk i bëzante kurrgjë ujit të kësaj rrjedhe, kristalet e tij merrnin formë amorfe dhe nuk reflektonin më vetitë e mësipërme. Por, kur njeriu i pëshpëriste fjalë të mallkuara, ai kthehesh në ujë agresiv, në ujë realisht i tërbuar, sepse kristalet e tij merrnin formën më të çrregullt të mundshme, sepse ato deformoheshin, zgjeroheshin, duke krijuar turbulenca brenda vetvetes, pa shkaqe të jashtme natyrore ose për të njëjtat shkaqe natyrore, si ato më sipër. Me këtë shkak shpjegohet rasti, pse një akshën gatim del me shije, edhe pa hedhur erëza.
Sepse, kuzhinieri apo amvisa e ka këndue apo ia ka pasë kënda ushqimin që gatuan, duke i dhënë një shije të papërsëritur. Kujtoj supën e prerë me vezë, kur dikush nga fisi im sëmurej në Berat, që vetëm nëna Minos (sime Mëje) i kërkohej ta gatiste, sepse ajo e këndonte kur e gatuante. Pra, është uji brenda gatimit që merr formë të gëzueshme, dhe/ose e kundërta, kur gjella del pa shije, dhe kuzhinieri e moleps me erëza.

Kjo po më tremb me këta politikëbërës apo me këta vendimmarrës, por më shumë më vjen të bërtas për këta qytetarë, që shajnë e shfrejnë për forcat e verbra të natyrës, duke harruar zemërimin natyror të saj për bëmat që i kanë kandisur. Po kur thonë: - "U çmendën apo u tërbuan ujërat!" Çështja është ujërat apo njerëzit?!

Nga prof. asc. Sazan Guri, G. Shekulli

Ndal Paditurisë - Ndiqni këtë eksperiment me video, se çfarë i ndodh realisht ujit, me anë të tingujve:
http://www.youtube.com/watch?v=rdOJZDWJkuk

Sunday, December 26, 2010

Albert Dumont, Në malet shqiptare, duke kërkuar zakonet homerike…

Në vitin 1988,Ismail Kadare botonte në Tiranë romanin e tij “Një dosje për Homerin”, apo Dossier H, e botuar më pas në Francë. Ishte historia e udhëtimit të ethshëm të dy irlandezëve të New York-ut nëpër malet shqiptare në vitet ‘30, që vinin të kërkonin përqasjet e botës homerike me atë të jetës së atyre maleve, ku këngët dhe ritet, pesha e gjakut, tragjikja e llahtarisur, mbartnin ende një ngarkesë të përngjashme me atë të tregimeve të Homerit të verbër në Iliadë-n dhe Odise-un e tij.
Romani i Kadaresë nisej në fakt, nga një ngjarje që kishte ndodhur vërtetë në Shqipërinë veriore të atyre viteve. Por gati një shekull më parë se ata, kishte qënë në fakt një francez, i cili kishte bredhur në malet shqiptare në kërkim të këtij prushi, të cilin ai e preku realisht. Ky ishte Albert Dumont, një nga studiuesit më me emër të Francës mbi antikitetin dhe Ballkanin.




Ç’kishte ndodhur atëherë?
Në mëngjesin e 23 dhjetorit të vitit 1871, Albert Dumont (Charles-Albert-Auguste-Eugène Dumont) linte portin e Kotorrit. Në bllokun e tij të shënimeve, ai nuk harronte të shënonte për natyrën e atyre brigjeve ku “Në breg orkestra e regjimentit austriak luan muzikë”. Anija “Miramar”, e shoqërisë “Lloyd”, e cila kishte vite që rrihte brigjet e Adriatikut, ndaloi në Tivar, ku atij tashmë i duhet të shkojë me kuaj nga Tivari për në Shkodër. Koha ëshë e ftohtë dhe qielli larg gjëmon. “Rruga gjer në Shkodër shkon shtatë, pesëmbëdhjetë apo njëzetë orë, sipas stinës, shirave ose ujit nëpër shtigje” - shënon ai. Rruga në fakt është plot ngjitje e zbritje, mes shkëmbenjve, ku padyshim, pamjet madhështore e habisin çdo udhëtar të huaj që zbret në këto anë, siç do ta mrekulluonin disa vite më pas, Pierre Loti-n. Nga Leqet e Hotit ata zbrisnin drejt Shkodrës, por sapo hyjnë në rrugën që zgjatet drejt qytetit, atje rrëzë kështjellës, ai shikon dyqanet, ku siç shkruan ai “Në pazarin e Shkodrës, një nga më të rëndësishmit e Turqisë, vijnë nga të gjitha malet e pashallikut si dhe nga Mali i Zi. Por çdo vit, uji përmbyt dyqanet e tij.” Tri muaj më parë, për Shkodrën, atij i kishte folur miku i tij, etnografi dhe kartografi i njohur francez Guillaume Lejean, i cili për herë të dytë e kishte vizituar Shqipërinë. Ai e kishte takuar në Maqedoni, gjatë një udhëtimi. “E takova në Filipopolis, ku ishte sëmurë nga ethet, pas gjithë atyre lodhjeve të mëdha…” - shkruante ai. Biseda për Shqipërinë ishte e nevojshme për të, pasi Dumont përgatiste udhëtimin e tij drejt atyre viseve që fare pak njerëz i kishin shkelur. Dhe ja tani, ai vëzhgonte tokën shqiptare, njerëzit, sjelljet e tyre, takohej me konsullin francez në Shkodër dhe fillonte të frekuentonte kafenetë e këtij qyteti, të njohur për kështjellën e tij, takonte malësorë dhë shpejt merr udhën e maleve.

Greqia homerike në malet shqiptare

Albert Dumont, i cili prej disa vitesh ishte marrë me mbishkrimet e vjetra, ishte nisur me një qëllim të caktuar: të gjente përafërsitë e antikitetit grek me shqiptarët e maleve veriore.
Kur shkruan për tributë, ai thotë se “ata jetojnë të izoluar, por kanë një kryeplak, i cili vendos për kohën e kullotave, ndarjen e tyre, kohën e shtegtimit, kur ka ankesa të një fqinji për tjetrin, etj. Në Greqinë antike, qeveritarët e çdo tribuje quheshin “pleq”. Ishin ata që bënin drejtësi, ashtu të ulur mbi gurë, në formë rrethi, siç tregohet dhe në mburojën e Akilit.
Kur prijësit shqiptarë mblidhen po kështu për të vendosur, ata formojnë atë që quhet “rrethi i gjakut” (la ronde du sang), çka sagat e vjetra e quajnë “gerichtsring”.
Gjatë udhëtimit të tij në Shqipëri, nga veriu në jug, idea e Dumont merr një formë solide: ai është i bindur se prushi i dikurshëm homerik është ende i ndezur në malet shqiptare.
Një shekull më pas, po të ishte gjallë, ai do të gëzohej, nëse do të merrte vesh se një udhëtim të tillë kishin bërë studjues të tjerë, kësaj rradhe nga një botë më e qytetëruar. Milman Parry, ishte një nga ata që kishte studiuar traditën gojore të Jugosllavisë në vitet 1933 dhe 1934. Në një nga udhëtimet e tij në Novi Pazar, ai kishte regjistruar disa rapsodë shqiptarë, të cilët këndonin në dy gjuhët: serbisht dhe shqip të njëjtat këngë të “Eposit shqiptar të Veriut”, ose “Ciklit të Kreshnikëve”, siç do ta quajmë atë. Në Evropë ishte koha e vlerësimit apo e “Kultit të epopesë homerike”, meqë letrarët e kontinentit të Vjetër po i riktheheshin legjendave dhe bëmave homerike. Pasi kishte mësuar shqipen në Dubrovnik, Parry udhëtoi nëpër fshtatrat e Malësisë së Madhe e në Dukagjin, duke rrahur shtigjet e Bogës, duke iu ngjitur Thethit, Tropojës e Kukësit.
Në vitin 1938, ai mblodhi pothuaj njëqind këngë rapsodike, mes të cilave këngët e Gjeto Basho Mujës, Ago Ymerit apo Gjergj Elez Alisë. Në udhëtimet e mëpasme Parry u shoqërua edhe nga Albert Lord, profesor i gjuhëve sllave në Universitetin e Harvardit. Vallë a e dinin ata se një studjues i njohur francez, kishte qenë një pararendës i udhëtimeve të tyre dhe se ata ecnin tani në gjurmët e tij? Ndoshta!...
- “Hyjmë në një shtëpi të vjetër që shërben dhe si bakall, - shkruante atëherë Dumont, në librin që do të botonte nën titullin “Ballkani dhe Adriatiku”. - Ishte një lloj dyqani ku shiten erëza, verë, likere dhe gjithçka e nevojshme për këtë popull që ka pak nevoja. Një grua rreth të pesëdhjetave është ulur në një cep: ka gjashtë javë që nuk e ka lëshuar atë vënd. Ditën e kalon duke qarë e duke klithur: “Ah, ata që vranë tim bir!” Djali i viktimës pret klientët dhe duket i ngushëlluar. Ai na shpjegon se një nga fqinjët erdhi aty, një grindje plasi, thikat u nxorrën dhe ati i tij u vra e ra i vdekur. “Ishte vërtet një trim! – na thanë ata përreth. – Cili, i vrari apo vrasësi? – Oh, që të dy. Kështu është këtu. Ishte zemërimi i Zotit që solli të keqen! Dhe fajtori ia kishte mbathur nga frika e hakmarrjes të të afërmve të viktimës. Por askush nuk mendon ta qortojë atë moralisht. Madje dhe kjo nënë që nuk mund të ngushëllohet dot e as vrasësi i mallkuar, i cili nuk beson se vrasja është një krim kaq i madh…
Ky lloj shpagimi, i gjakut për gjak, apo i dëmshpërblimit të gjakut të derdhur, ishte harruar në Evropë. E megjithatë, në malet e thella shqiptare dhe ato të Malit të Zi, ky shpagim kishte krijuar mekanizmin e vet, i cili lëvizte, diku pengohej, ndalohej e pastaj vihej përsëri në lëvizje, me një jehonë të vazhdueshme krismash që nuk ndalonin. Dhe kjo, Dumont-it i rikujtonte Antikitetin grek, të cilin shtatë vjet më parë e kishte studjuar në Shkollën Franceze të Athinës.
“Streha që i jepej një njeriu, - vazhdon ai, - që kishte bërë vrasje në shoqërinë antike greke, shpjegohet nga këto mendësi e vrasje.
Shqiptari është mikpritës për vrasësin që fshihet dhe që nuk është i klanit të tij. Ai e mirëpret dhe i siguron atij mbrojtjen. Vetëm familja e të vrarit ka të drejtë të shpagohet ndaj tij. Dhe kuptohet lehtë ajo që ata kuptojnë me njeri të mirë apo të keq, çka e gjejmë në shprehjet e vjetra homerike. Ai që është i mirë, nuk është shqiptari i virtytit, që e zotëron vetveten dhe pasionet e tij, por është njeriu i fortë, ai që imponohet nga fjala dhe veprimet e tij, është ai, para të cilit duhet të nënshtrohesh, ai që vërtet është zot i të tjerëve. I keq është i dobëti, i ndrojturi.
Shqiptari tregon me krenari që i vodhi delet e tribusë fqinje. Ai e ka kapur atë në befasi, e ka mashtruar dhe e ka vrarë armikun e tij, pasi askush nuk është më dinak se ai. Askush tjetër nuk e bën më shumë viktimën të vuajë se sa ai. Kështu dhe i mënçuri Nestor mburrej në kuvendin e grekëve për barbarinë e kohës së rinisë së tij. Po kështu, Uliksi pati meritën të citohej si shëmbull midis njerëzve të kohës së tij, duke kujtuar me krenari gjyshin nga e ëma, Antlykos, një grabitës me emër, i cili mbrohej nga hyjnitë, veçanërisht nga Hermes.
Deri në epokën historike, në kohën e Tuqididhit dhe Platonit, pirateria do të mbetej jo vetëm një profesion i nderuar, por ajo do të meritonte respektin popullor. Ne sot nuk e nderojmë një të ftuar po t’i themi: “A jeni pirat?... Por grekët e Homerit e thonin këtë. Dhe shqiptari e pyet gjaksin që fshihet he që do të bëhet miku i tij: “Sa kokë ke prerë?”
Albert Dumont, (1842-1884), gjatë këtij udhëtimi ishte një djalosh 29 vjeçar nga Scey-sur-Saône, i fuqishëm e me kurajo të madhe. Ai di t’i përballojë rrebeshet dhe stuhitë e atyre maleve. Kërshëria për të njohur këtë popull, e shtyn gjithnjë drejt të panjohurës, drejt asaj që fshihet brënda atyre kullave të rënda e të ftohta, por me një shpirt mikpritës, ku miku ishte i barabartë me Hyjnitë.
Ashtu si në kohë antike, edhe këtu ai gjen “taksën e gjakut”. Ai pikas, siç shkruan në shënimet e tij, se gjatë shekujve, pagesa me bagëti kaloi në pagesën me para. “Për shqiptarët, një vrasje vlen 750 piastra. Tarifa e princave “merovingines”(frankët e shekujve V-VIII, L.R.) nuk ishte më e lartë se kaq. Zakoni i pagimit në raste të tilla u zhduk shpejt tek helenët. Në “skenën e gjykimit” që e shohim në mburojën e Akilit, të dyja palët kundërshtare diskutojnë rreth çmimit që duhet paguar për një të vrarë. Grekët përdornin fjalën që më vonë nënkuptonte ndëshkimin. Ndërsa pena, peine, tregon një pagesë, nga fjala latine pendere, poenam. Tacite shkruan se ishte koha e gjatë e gjakmarrjes që bëri të lindë kompensimi. “Duhet ndarë urrejtja ndër të afërmit dhe miqtë e babait të tij. Këto urrejtje nuk janë të pamëshirshme. Madje dhe vrasja pagohet, pësohet, përmes dhënies së një numri kafshësh. Atëherë gjithë familja është e kënaqur”. Kjo frazë zbatohet tek shqiptarët dhe gjermanët”.

Gratë e rrëmbyera si në tregimet antike
- “Jeta shqiptare është tepër e thjeshtë. Ata nuk janë bujq dhe i përbuzin punët e mundimshme. Ata i çojnë bagëtitë në kullota, siç bënin heronjtë grekë, të cilët të gjithë ishin barinj. Nëse stina është shumë e keqe, ata djegin dru dhe bëjnë qymyr. Kjo padyshim është industria primitive që historia mund të ketë… ”  
Atij i bën përshtypje jeta e shqiptarëve nëpër kasolle, por megjithatë habitet që gjen atje thesare të vërteta. Jo vetëm armë të bukura e të punuara në filigran, por dhe varëse ari, bixhuteri të jashtëzakonshme dhe zbukurime të tjera që malësorët i transmetojnë brez pas brezi.

“Si vallë këto xhevahire kanë ardhur deri në këto male? - Askush nuk e di”. Shqiptarët më të respektuar, ata që quhen “plak” dhe që shikohen si nderi i racës së tyre, bëjnë punë dhe nga më të rëndomtat. Gjatë kohës që i biri u prin buajve në arë, si Menelas, i ati ndërton shtëpinë, ashtu si Uliksi. Për darkë, kur ju pret si mik: ai e therr delen vetë, ashtu siç bënte Akili.
Ulemi në tokë në mes enëve më të zakonëshme dhe ju përcillni dorë më dorë, një tas të marrë nga miqtë e tyre të civilizuar. Gratë shërbejnë. Kur darka mbaron, plaku merr lahutën dhe luan vetë, ndërkohë që të rinjtë bëjnë gara ose bashkohen të kapur për qafe, në një valle të vjetër; burrat kapen nga duart dhe bëjnë gjoja si viktimat në labirinthin e Kretës.
Kështu, gjithçka të sjell kujtimin e përshkrimeve homerike…
Aristoti tregon se kërkesa që i fejuari tu paguajë prikë prindërve të nuses është një nga karakteristikat e shoqërisë primitive. Shqiptari e bën këtë pagesë. Kjo shumë e paguar nga burri, në ligjet lombarde quhet “mund” dhe është objekt i shumë diskutimeve. Kodi i Ethelbert përcakton numrin e kafshëve që burri do t’i japë prindërve të gruas së ardhshme. Në të njëjtin kuptim, Homeri shkruan se gratë e bukura vlejnë shumë buaj. Kjo fjalë tek grekët është si “mundinen” tek gjermanët. Në disa tribu, martesa bëhet me të grabitur. Çdokush do të martohet duke grabitur gruan e tribusë armike. Në Orosh, në qendër të Mirditës, pothuaj gjithë gratë janë të grabitura. Princi i zonës, meqë para disa vitesh mbeti i ve, ai grabiti bijën e një beu të Krujës. Dhe kjo është e përgjithshme në këto male… Burri do që askush mos ta prekë atë. Ai është i ëmbël me të, e trajton si fëmijë që kërkon ta përkëdhelin dhe që i ati ia jep. I shtyrë nga instiktet, edhe pse jo nga ndjesi sensuale, shqiptari, krah gruas së tij merr dhe një tjetër. Kisha katolike ka qenë mjaft e ashpër ndaj kësaj praktike, por poligamia nuk është e rrallë tek kristianët dhe muslimanët e këtyre maleve. Prifti nuk i njeh këto lidhje, ndërsa shqiptari nuk i sheh ato si fajtore, edhe pse gruaja legale ka një lloj superioriteti. Tjetra qëndron në një pozitë inferiore, njësoj si tek mbretërit grekë të antikitetit, ku robinat mbushnin shtëpitë e tyre…”
Në çdo vend që ndalonte Dumont, gjente gjurmë të një jete të lashtë, si të thuash gjurmë homerike, atë çka prej shekujsh ishte shuar në tokat parahelene dhe që këtu ishin ende të gjalla.
- “Habitesh ndonjëherë të shohësh ligjet e vjetra në Itali dhe Greqi, ku gruaja përjashtohet nga trashëgimia… Në Shqipëri, vejusha nuk ka asnjë lloj trashëgimie në pronat e burrit të vdekur. Janë të bijtë që marrin tokën dhe bagëtitë. Nëse nëna nuk martohet, ajo konsiderohet si pasuri e lënë nga burri i vdekur, ose më shpesh ato i mbajnë pranë tyre. Shumë herë gruaja kthehet në familjen e prindërve të saj vetëm me gjërat e përdorimit që i japin gjatë fejesës. Zakonet antike tregojnë se në shumë vende, vejusha mund të martohej dhe pa dëshirën e saj me burrat e familjes së burrit të vdekur. Ky zakon është tek shqiptarët dhe ne s’kemi asnjë vështirësi për ta konstatuar atë. Gruaja është më shumë një plaçkë, një objekt, sesa një njeri. Ai konstatoi me habi që në disa qytete, kur vajzat kalonin moshën e adoleshencës, ato i mbanin të mbyllura në shtëpi deri sa ato martoheshin.
- “Ato që janë kristiane dalin një herë në vit për të shkuar në meshën që bëhet posaçërisht për to, gjatë natës së Krishtlindjes. Me përjashtim të kësaj feste, ato shohin veçse njerëzit e familjes dhe priftin që u vjen tu mësojë katekizmin… Udhëtarët e kanë thënë shpesh se një burrë mund të udhëtonte në të gjithë Shqipërinë nën mbrojtjen e një gruaje. Në këto vënde, prekja e nderit të gruas është diçka shumë e rrallë”.
Po. Gjaksi mund të udhëtonte krah një gruaje pa patur frikë se rrugës mund ta vrisnin. Kjo histori i kishte ndodhur dhe një gazetareje franceze, Paule Fercoq de Leslay, e cila ashtu si irlandezët Parry dhe Lord, udhëtonte me kuaj në të njëjtën kohë me ta nëpër malet shqiptare. Një djalosh që kishte bërë një vrasje, kur dëgjoi se ajo kalonte në ato anë, shkoi me të, meqë ajo do merrte udhën drejt kullës së prindërve të tij dhe ai ishte i sigurt se gjatë atij udhëtimi, askush nuk do guxonte të qëllonte, sepse mund të vriste një grua, dhe për më tepër një të huaj…
Gjatë atij rrugëtimi të vështirë, (dimri qënkej vërtet i egër në ato male), Dumont shënonte gjithçka: rite, zakone, tipa socialë, besytni popullore… - “S’ka popull që të mos u ketë besuar shpirtrave. Por ka diçka që ka mbetur e veçantë tek shqiptarët: funeralet dhe banketi për të vdekurit. Kur një shqiptar vdes, mblidhet e gjithë familja: ata shkulin flokët dhe çjerrin faqet, të cilat shpesh mbulohen me gjak. Ai i gris dhe teshat e trupit. Secili nga familja duhet t’i flasë të vdekurit, duke lëvduar dhuntitë e tij: improvizimet e tyre që zgjasin me orë, ndërpriten nga klithma dhe të qara. Kur ke parë një skenë të tillë, kjo s’mund të harrohet…”

Rrush, shegë apo verë për të vdekurit
Rikthimi i traditës pagane në Lezhë, në festën e Shegës!
Një lloj vajtimi tjetër, apo ceremoniali funeral, Dumont ndesh tashmë në jug të Shqipërisë, në Gjirokastër para se të ndërmerrte udhën drejt Epirit të banuara nga shqiptarët ortodoksë : “Rasti e solli që atë ditë të kaloja para një shtëpie ku qanin të vdekurin. Klithmat filluan para se të agonte dhe nuk u ndërprenë veç një çast në mesditë, për të vazhduar pastaj gjer në mbrëmje. Dhe ato dëgjoheshin në tërë lagjen. Ato të qara të vajtueshme, të përzjera me ulurima, nuk i kishin shteruar forcat e vajtojcave, të cilat të nesërmen, gjëndeshin në të njëjtin vënd për të vazhduar vajin. Gjatë gjithë vitit, dy apo tri herë në javë, gratë vijnë për të qarë atë që nuk është më në këtë botë. Praktika të tilla nënkuptojnë impresione të dhunshme që u japin këtyre grave forca të atilla që nuk njihen në vëndet tona. Ka në to një brutalitet të dhimbjes që ne nuk arrijmë ta kuptojmë e çka spektakli i tyre është për ne i padurueshëm.  
Skena është totalisht antike.
Atë e gjejmë tek poetët e parë grekë. Monumentet figurative e tregojnë shpesh këtë, veçanërisht në epokat e para të artit. Ne kemi në muzeumet tona vazo me piktura të zeza dhe tablo prej balte të pjekur, ku gjen ilustrime besnike si të ceremonive shqiptare. Eshtë e vërtetë që në progresin e bërë të kulturës helenike, artistët iu janë shmangur këtyre subjekteve. Zakonet zbuten, skenat funebre bëhen më të qeta… Grekët e shekullit të V dhe të kohërave edhe më të vjetra, afrohen me shqiptarët e sotëm”.
Po kështu, Dymont pikas se në praktikën funerare, të vdekurit i çohen në varr rrush, shegë apo verë, çka “është një nga zakonet e çuditshme që ne gjejmë në gadishullin ballkanik”…- shkruan ai. - Ato i jepen të vdekurit që të gjejë forcat, sepse në varr ai i ruan ende ndjenjat e oreksit dhe kërkesat e tjera të jetës tokësore. Nëse këto ushqime mungojnë, hija e tij reale dhe e dukshme, do ta humbiste forcën që i ka mbetur. Ky besim është po aq i vjetër sa dhe grekët. E gjejmë tek Homeri. Në shekujt e bukur të poetëve, flisnin fare pak për këtë, por ne e shohim se ajo ekzistonte. Ajo ka frymëzuar një seri bazorelievesh. Kristianizmi e luftoi, por nuk e shkatërroi… Por kjo praktikë vazhdon ende në Shqipëri…”

S’ka popull më të vjetër se shqiptarët
Muji dhe Halili
Pikëtakimet e Albert Dumont me shqiptarët janë të shumta dhe tipi i tyre atij i pëlqen dhe është tepër i veçantë me popujt që e rrethojnë. - “Shqiptari dallohet në mënyrë shumë të qartë: një kokë e vogël, një hundë e hollë, këmbë të gjata dhe nervoze, çka të kujton grekërit e hershëm, ashtu siç është paraqitur në një statujë arkaike mbi mermerin e Eginës.
Ecja e tij është elegante dhe ai kënaqet me qëndrimin e tij, megjithë padurimin që të tregojë se ka ndjenjën e së bukurës dhe të harmonisë”. Madje, më pas, duke studjuar për racën shqiptare, ai do të shkruante në librin e tij se “Nuk ka në Evropë popull më të vjetër se ajo e shqiptarëve”, edhe pse ai e di se asnjë dëshmi nuk flet për kohën se kur ata u shfaqën në Ballkan. “Padyshim që shumë e shumë shekuj më parë, ata ishin vendosur aty… - përgjigjet ai.

- Ndër shqiptarët e sotëm, të cilët dikur zotëronin sipërfaqe shumë të mëdha, gjënden emra qytetesh që i përkasin gjuhës së tyre në zona ku shihen veçse serbë e bullgarë.

Ata me siguri që kanë qenë të fundit që i përkisnin kësaj popullsie primitive të lashtë. Ata flasin një gjuhë, karakteristikat themelore të së cilës kanë filluar të njihen mirë në sajë të studimeve të Ksylander, Johan von Hahn, Reinhold dhe së fundi nga Franz Bopp”. Ai shkruan për Ksilander, (Xylander), që kishte qënë një mjek i flotës greke dhe që studioi shqipen e banorëve të Hidrës e Specaj, të marinarëve, me të cilët jetoi shumë vite. Madje dhe librin e tij, ai ua kushtoi këtyre marinarëve. Dhe Dumont mbështet tezën e tij: “Shqipja është një gjuhë indoevropiane që i afrohet më shumë gjuhës latine se sa greke, (shiko veprën Nuits pelasgiques ose Noctes Pelasgica, vepra kushtuar atyre “marinarëve pellazgë”, (nautae pelasgici).”
Albert Dumont na jep shumë të dhëna për gjendjen e shoqërisë shqiptare të asaj periudhe, veçanërisht gjendjen e Kishës katolike në Shqipëri dhe ndarjen ekleziastike, e cila në aktet e Vatikanit shënohej në dosjen Albania turcica, (Shqipëria turke). Ai e kupton se shqiptari nuk është besimtar, “ose më mirë nuk mendon për fenë”, - shkruan ai.
“Nëse për zakon ai praktikon fenë katolike, ai thotë gjithashtu: “Edhe Zoti i Muhametit është i madh”. Ndërsa muslimanët shkojnë tek prifti kristian për festën e Shën Gjergjit e veçanërisht për Krishtlindjet, ku ndezin qirinj për Shën Kollin, (Saint Nicolas)…
Sipas tyre, Zotat mund të jenë shumë. Kjo shpjegon dhe indiferencën e tyre, çka të habit aq shumë në Shqipëri, ku shpesh është e vështirë të dallosh nëse një banor është kristian apo musliman. Një fshat, pranë Shkodrës, sapo e ka mohuar fenë katolike. Ishte një grindje që ishte krijuar mes tyre dhe priftit në mëngjesin e pashkëve rreth orës që duhej të mbante mesha. Por françeskani nuk donte të tërhiqej nga fjala e tij. Pleqtë shkuan dhe takuan pashain. Dhe që atë ditë ata janë bërë muslimanë.”
Dumont na jep gjithashtu të dhëna dhe për gjendjen e gruas shqiptare.
Madje ai ishte habitur nga një fakt i veçantë që kishte dëgjuar në konsullatën franceze në Shkodër. I ishte e dukur e pabesueshme, por njëkohësisht kuptimplote: “Në Shkodër, haremllëku nuk i mbron gratë. Pas konsullatës së Francës ka një përrua të vogël ku brenda një muaji, më 1871, janë gjetur dymbëdhjetë kadavra foshnjesh. Udhëtari francez na informon njëkohësisht se në kohën që ai udhëtonte në trevat shqiptare, pra në vitin 1871, pesë peshkopët në Shqipëri ishin italianë dhe i gjashti ishte një polak. Në Shkodër, prej disa vitesh, është ngritur për të rinjtë një kolezh, të cilët pastaj shkojnë të vazhdojnë studimet në Romë. Ndërsa në dioqezën e Lezhës me 17.000 banorë, “vetëm 50 prej tyre dinin të lexonin dhe dhjetë dinin ta shkruajnë emrin e tyre… Françeskanët pak shqetësohen për arsimimin e tyre…”
Në librin e tij, Dumont vë në pah racën e pastërt shqiptare veçanërisht tek mirditasit, këlmendasit, kastratët, etj, ai thekson në mënyrë të veçantë traditat luftarake të shqiptarëve.
Shqiptarët ishin në betejën e Fornovas, në Itali, shkruan ai, “duke nga kujtuar stratiotët e mëdhenj shqiptarët të ardhur nga Morea e Shqipëria dhe që depërtuan nëpër Evropë, duke shërbyer, siç e thekson me të drejtë ai, në Angli, në Francë e Gjermani, në ushtrinë e mbretit Henry VIII, në atë të perandor Maximilien të Gjermanisë apo të mbretit francez François I”.
Jo pak kohë më parë, ai kishte lexuar dhe një botim të një letrari grek, Zoti Sathas, që siç shkruan ai, “sapo ka botuar një histori të stratiotëve shqiptarë, për njërin prej tyre, Mërkur Bua, e shkruar në greqisht dhe në vargje nga Koronaios i Zantes. Ushtritë e kësaj kohe nuk kishin ushtarë më të mirë se këta stratiotë, këta zviceranë të Orientit. Nëse ata luftojnë si heronjtë homerikë, duke e kthyer strategjinë në dinakëri, në një forcë që lëshohet pa urdhër mbi armikun, ata dinë po ashtu ta pranojnë disiplinën dhe të ndjekin rregullat e tjera të luftës.
E kemi parë në Egjipt në kohën e Mehmet Ali Pashës. E shohim sot në ushtrinë e Portës së Lartë. Kur kanë patur rastin të marrin detet, ata kanë qenë marinarë të shkëlqyer. Porti i Ulqinit, gjatë shekullit XVII, ka patur flotë të rëndësishme gjer me 500 anije tregëtare që lundronin në të gjithë Mesdheun. Janë ata që i kanë dhënë Sulltanit elitën e flotës osmane.
Por dimë gjithashtu se ç’kanë bërë për Pavarësinë greke shqiptarët e Hidrës dhe të Spezaj. Heronj, që poetët i kanë kënduar ashtu sikur pasardhësit e Themistokles dhe të Leonidhas të ishin bij të shqiptarëve të panjohur”.
Duke lëvduar kështu historinë shqiptare, më së fundi Albert Dumont arrin në konkluzionin e tij historik rreth lashtësisë së këtij populli, çka ishte diçka që mbështetej dhe nga disa studjues të tjerë të botës antike, veçanërisht nga tezat e Louis Benloew, autorit të veprës “Greqia para grekërve”. - “Ky popull kaq i panjohur – do të shkruajë Dumont, - i cili ruan imazhin më të saktë të asaj çka ishin etërit e racës greke e latine, meriton gjithnjë interesin e historianit. Ky popull do të mbetet si dëshmitar i gjallë i një të kaluare që shpesh besojnë se është zhdukur. Asnjë vend në Evropë nuk ka zakone më të lashta. Dhe kjo shpjegon habinë e dijetarëve të vërtetë dhe studjuesve të këtyre tribuve, që besonin se ata janë ajo çfarë ka mbetur nga ajo racë misterioze: e pellazgëve që ne gjejmë në gjenezën e dy qytetërimeve më të bukura të botës së vjetër. ”

Drejt Epirit e Moresë, në gjurmë të Bua Shpatës
Në librin e tij, Dumont do të tregojë dhe vazhdimin e udhëtimit të tij në jug të Shqipërisë, duke kapërcyer së pari lumin e Vjosës. “Ne e ndoqëm atë udhë gjatë pesë ditëve, nga Vlora gjer në Janinë, një nga zonat më të bukura të kësaj krahine. Lumi rrjedh midis dy vargmalesh: herë ai rrjedh i qetë e i pastërt, e herë duke gjëmuar, i mbushur me shkumë, duke u hedhur si një përrua… Eshtë e vërtetë që Epiri ka lëndina të bukura si ato të Paramithisë. Ndonjëherë qytetet ngrihen mes ullishtave si Vlora në veri, Preveza në jug, duke fshehur në kopshte minaretë e tyre dhe muranat e vjetra të shkatërruara. Qyteti i Pargës ka humbur mes pemëve me limona… ”
Në Shqipërinë e jugut, në Epir dhe në Greqi, jeta homerike kishte vdekur me kohë. Ajo gjendej veçse në mermeret e monumenteve antike, shumica ende nën dhé, mbuluar nga tërmetet dhe stuhitë. Atje, gjithçka kishte ngrirë shumë e shumë shekuj më parë. Ndërsa larg, në veriun shqiptar, në ato male të vështira për t’i ngjitur, rrethuar nga bora, prushi homerik ishte ende i ngrohtë, digjte, jetonte në këngët e gjata të rapsodëve, por dhe në ritet njerëzore, tragjeditë e dhimbshme të dashurisë dhe të gjakut, të rrëmbimit të grave dhe të kalimit të të gjallëve në botën e përtejme…

Luan Rama, G. Shqiptare

Saturday, December 4, 2010

Na mori lumi

SHKODËR - Përmbytjet tashmë kanë filluar të zëvendësohen nga një tjetër shqetësim në Shkodër, e pikërisht nga problemet e higjienës.
Në sipërfaqet me ujë, në lagjet e qytetit, madje dhe në ato afër qendrës, si në "Xhabije", vërehen brejtës infektivë (minj) që, duke kërkuar ajër dhe nga bashkimi i ujërave të zeza me të bardhat, po lëvizin nëpër hyrjet e pallateve apo rrugët edhe pa ujë.
Po kështu vërehen dhe zvarranikë që kanë dalë në sipërfaqe. Lidhur me këtë, burimet zyrtare shprehen se kujdes është duke iu kushtuar kryesisht ujit të pijshëm, sasia e klorifikimit të tij është trefishuar dhe po bëhen analiza në pika të ndryshme.
Aty ku dyshohet për ndotje, bëhet stakimi dhe kyçja e pompave. Ndërsa për praninë e kafshëve të tjera, theksohet se kjo ndodh nga përmbytja, ato i nxjerr uji dhe vetëm pasi të largohet uji, do të ndërhyhet me dezinfektimet përkatëse.
Në prefekturën e Shkodrës, pranë shtabit të emergjencës ka qenë dhe deputeti socialist, Astrit Beci, i cili është interesuar për ujin e pijshëm për shkak të mosfunksionimit të pusetave që, sipas tij, mund të shkaktojnë probleme epidemiologjike. "Ekziston një mundësi e madhe e ndotjes së ujit dhe kampionët duhet të ekzaminohen çdo një orë", ka theksuar Beci.
Gjithashtu ai ka kërkuar informacion edhe për situatën e sigurisë në nënstacione elektrike. Ndërkohë, deri mesditën e së premtes, nga helikopterët janë kryer 26 operacione nga ajri, ku janë dërguar ushqime dhe në kthim janë marrë persona që janë evakuuar. Paraditen e së premtes janë dërguar në Dajç dhe dy mjekë. Në këtë komunë mund të shkohet vetëm përmes ajrit, pasi lidhjet tokësore janë të pamundura.

Zgjerimi
Është zgjeruar harta e përmbytjeve në Shkodër dhe uji ka përfshirë dhe të tjera sipërfaqe në qytet. Në rrugën kryesore hyrëse, Xhabije - Parrucë, vërehen mbi 10 varka me dhe pa motor, të cilat bëjnë transportin e njerëzve në linjat Xhabije - Ura e Bunës.
Banorët e kësaj lagjeje kanë të vetmen mundësi lëvizjeje atë me varka, dhe kjo e domosdoshme pasi u duhet të blejnë bukë, ujë, ushqime apo sende tjera të nevojshme.
Por Shkodra, si asnjëherë tjetër, duket e rrethuar nga çdo drejtim nga ujërat që kanë përmbytur deri tani 12 800 ha tokë, kanë prishur ura dhe bllokuar rrugë, kanë gërryer e bërë të pakalueshme akse rrugore rurale e kombëtare.
Jo vetëm Nënshkodra, por dhe një pjesë e qytetit është përmbytur nga liqeni, lumenjtë e shkarkimet nga portat e hidrocentralit të Vaut të Dejës, por dhe në Malësinë e Madhe ose siç njihet Mbishkodra.
Përroi i Thatë ka vërshuar përsëri, e dyta herë në harkun kohor të një muaji, ndërsa Sterbeqi, Culaj e gjithë fshatrat e Buzës së Ujit janë të përmbytura nga liqeni i Shkodrës, i cili ka arritur në 10 metra.

Ushqimet
Ka filluar shpërndarja me helikopter e ushqimeve e ujit të pijshëm në zonën e Nënshkodrës. Gjatë gjithë ditës së premte, fluturimet e helikopterëve që ngrihen nga stadiumi "Loro Boriçi" kanë qenë të shpeshta. Ushqimet dërgohen në pikat e caktuara nga komunat, të cilat bëjnë ndarjen e tyre.

Energjia dhe uji
Ndërkaq, ka probleme me furnizimin me energji elektrike, pasi në disa zona ajo është stakuar për efekt sigurie, në të tjera uji ka hyrë në kabinat elektrike. Sipas banorëve, ka raste kur telat elektrikë janë këputur nga uji dhe kanë rënë aty duke rrezikuar jetë njerëzish që lëvizin me varka. Për këto raste të raportuara, energjia elektrike është stakuar.
Ndërsa janë përforcuar me mbrojtje nënstacionet elektrike dhe ato të ujit të pijshëm, mungesa e tij ndihet në disa fshatra apo zona të qytetit. Sipas burimeve nga shtabi i emergjencës, ka pasur disa stakime pompash të furnizmit me ujë të pijshëm për efekt sigurie.

Evakuimet
Forcat e ushtrisë dhe ato të RENEA-s e FNSH-së po kryejnë operacione evakuimi në zonën e Nënshkodrës, edhe pse ditën e premte dhe pasditen e së enjtes kërkesat për evakuim janë rritur së tepërmi. Nga banorë të këtyre zonave mësohet se ka dhe mjaft raste kur kanë kërkuar ndihmë, por ajo nuk u është ofruar apo është neglizhuar.
Lidhur me këtë, burimet zyrtare shprehen se ka pasur mjaft refuzime dhe kush ka dashur, është evakuar. "Kemi shkuar nëpër shtëpi dhe u kemi thënë të vijnë që të largohen, por nuk kanë pranuar ose kanë kërkuar të marrin dhe bagëtinë me vete.
Kjo ka qenë e pamundur, pasi varka nuk mund të marrë dhe njerëz dhe disa krerë bagëti njëherësh.
Kjo ka bërë që ata të sprapsen dhe të mos pranojnë të evakuohen",- shprehen efektivë të forcave të angazhura me operacionet e evakuimit. Gjatë natës janë kryer dhe tre operacione për dhënie ndihme, emergjente, edhe pse ka qenë e vështirë për shkak të errësirës dhe kushteve atmosferike.
Një familje nga Oboti, e helmuar nga përdorimi i gazit, ka kërkuar ndihmë dhe është evakuuar duke u dërguar në spital. Në Dajç, një banesë e izoluar nga të tjerat ka rrezikuar të ketë pasoja për njerëzit që jetonin aty, pasi uji ka shkuar në lartësi të madhe. Për ta shpëtuar është bërë operacion natën duke ndërhyrë RENEA, që i ka nxjerrë nga banesa.
Por kërkesat për ndihmë janë të shumta dhe ndryshe nga muaji janar, edhe komunikimi është bërë më i vështirë për shkak të mungesës së energjisë elektrike, që kushtëzon mënyrat e kërkimit ndihmë nga të izoluarit.
Banorët e përmbytur po përpiqen të dalin vetë nga situatat ku ndodhen, pasi dhe efektshmëria e afrimit të ndihmës nga strukturat e ushtrisë e policisë është e kufizuar për shkak të pamundësisë, por dhe kapaciteteve të tyre numerike. Megjithatë nuk kanë munguar dhe rastet e njoftimeve të rreme, mashtrimeve, ku telefonojnë për ndihmë dhe kur ajo u afrohet e mohojnë këtë.

Banorët: Nuk po ndihmohemi
Në qytetin e Shkodrës banorët shprehen se po i zgjidhin vetë problemet e tyre, pasi ndihma është përqendruar kryesisht në Nënshkodër. Të hidhëruar për atë që po ndodh, por dhe të pasigurt për të ardhmen, ata shprehen se një situate të tillë nuk e njohin. Ermir Selmani, banor i lagjes "Liria" tregon se ka kërkuar ndihmën e policisë për të dërguar në spital gruan, e cila po lindte. Nuk m'u përgjigjën.
Dola dhe i thashë një kamioni të ushtrisë, por më tha se kam tjetër punë. Kam marrë një varkë dhe me të kam shkuar deri në Perash ku nuk ka ujë dhe atje me makinë e kam dërguar gruan në spital ku dhe lindi". Meliha Kraja, banore e lagjes Tophanë, shprehet se nuk kanë as ujë të pijshëm dhe as ushqim, ndërsa uji i ka izoluar.
"Dakord se këto janë punët e Zotit, por mendoj se janë dhe të robit. Na ka mbaruar gjithçka". Ndërsa një e moshuar, Zenepe Pirani, mbi 90-vjeçare, shprehet se shi ka rënë dhe shumë madje, edhe vitet e tjera, por kështu nuk ka pasur përmbytje. "Në vitin 1963 ka pasë mjaft ujë, por ai iku për dy ditë, tani po qëndron gjatë dhe ka më shumë", thotë e moshuara.

Informacion i fundit
Sipas zv.kryeministrit Ilir Meta, janë 13000 ha nën ujë, 2100 banesa të përmbytura, 3940 familje të evakuara, 1800 banorë janë strehuar në vendet e akomodimit të vëna në dispozicion nga shteti.
Shkarkohen 2600 metër kub ujë në sekondë, ndërsa mbrëmjen e së enjtes shkarkoheshin 2950 metër kub ujë në sekondë.
Në punë 1000 efektiva policie, 500 ushtrie, 80 mjete të Ministrisë së Brendshme dhe 120 të Ministrisë së Mbrojtjes, i flotiljes me helikopterë dhe shumë mjete lundruese. Këtë vit janë llogaritur të prodhohen 7,3 miliardë kilovatorë energji elektrike, prodhim i vjetër, ku vitet e mëparshme janë prodhuar maksimalisht 5,9 miliardë kilovatorë energji elektrike në vit.
Lezhë, argjinatura Torovicë
Akset rrugore të bllokuara në gjithë vendin
Shkodër
Në hyrje të qytetit Shkodër, para urës së Bunës dhe te Harku i Bërdicës rruga është e pakalueshme pasi ka përmbytje të rrugës me rreth 1m ujë mbi rruge.
Tek Ura e Bunës uji ka kaluar mbi urë duke krijuar përmbytje të rrugës dhe duke e bërë të pakalueshme rrugën. Rruga për në Muriqan është e bllokuar, po kështu edhe rruga për në Shirokë është e përmbytur.
Në segmentin rrugor "Harku i Bërdicës - Velipojë", kuota e ujërave në urën e Gjolulit është rreth 50-60 cm, qarkullojnë vetëm mjetet e mëdha, mjetet e vogla qarkullojnë nga rrugë dytësore.
Në segmentin rrugor Koplik - Dedaj - Bogë si rezultat i bllokimit te zona e përroit të thatë, qarkullimi i mjeteve kryhet nëpërmjet një rruge dytësore të përkohshme, sasia e ujit është 60 cm. Hyrja për në Shkodër bëhet nga Mjeda.
Gjithashtu, edhe aksi rrugor Shkodër-Velipojë është i pakalueshëm pasi është rritur niveli i ujit mbi rrugë në orët e pasdites.
Shkodër - Hani i Hotit, në vendin e quajtur Vukpalaj, rreth 5 km, deri te dogana rruga është e pakalueshme pasi uji mbi rrugë është rreth 1 metër.

Kukës
Në segmentin rrugor Sopot-Ura e Bujanit, në urën e Bujanit, kalimi bëhet me vështirësi pasi është rritur niveli i lumit të Valbonës. Po e njëjta situatë është edhe në urën e Fierzës. Nuk ka problem për qarkullimin e mjeteve. Në segmentin rrugor Bajram Curri - Fierzë, kilometri i 11-të, lumi ka marrë murin mbajtës të rrugës (shembur), rruga me një kalim.
Në Shishtavec lumi ka marrë një pjesë të rrugës duke bërë njëkalimshe rrugën.

Dibër
Po punohet tek ura e Cerenecit, qarkullohet me një kalim. Në segmentin Peshkopi - Muhurr - Qafë-Draj rreth 5 km larg Muhurit, është shembur ura e Shehut, dhe rruga është e bllokuar duke bllokuar komunat e Reçit, Zalldardhës, Arrëzit dhe Lurës.
Dalja e rrugës Peshkopi-Ura e Skurajt (ku bashkohet rruga e Peshkopisë me autostradën) është e bllokuar pasi ka dalë uji mbi rrugë rreth 1 km dhe sasia e ujit mbi rrugë është rreth 1,5 m i lartë.
Janë bllokuar disa mjete në rrugë Nga Burreli në Milot në 30-40 vende ka shkarje dhe rruga është me 1 kalim. Është bllokuar rruga nga përmbytjet e shkaktuara për shkak të hapjes së portave të hidrocentraleve të Ulzës.

Lezhë
Ka bllokim të rrugës në aksin Ura e Skurajve në drejtim të Burrelit për shkak të përmbytjes së rrugës

Tiranë
Gjendja në autostradë në mbrëmje po shkonte drejt normalizimit, pas bllokimit të saj në Vorë.

Elbasan
Nuk ka probleme për qarkullimin e mjeteve. Ka pasur bllokim të rrugës në vendin e quajtur Dragostunj, në kilometrin e 80-të ka pasur bllokim të rrugës për rreth 40 min nga shembje të shkaktuara nga reshjet e menjëhershme. Aktualisht, rruga është e hapur.

Vlorë
Në aksin rrugor Vlorë - Sarandë qarkullimi kryhet me një kalim në vendet e quajtura Jonufra 1, Dukat Fshat, Dalje Piqeras. Në këto pika është vendosur sinjalistika përkatëse. Në akset e tjera nuk ka problem për qarkullimin e mjeteve.

E vetmja mundësi qarkullimi e tropojanëve, përmes Gjakovës Izolohet Tropoja
Shkarkimet në hidrocentralin e Fierzës kanë filluar ditën e mërkurë duke krijuar probleme në afërsi të tij, pikërisht në urën që lidh Tropojën me Fushë-Arrëzin e Tiranën përmes rrugës tokësore.
Gjithashtu, është bërë i pamundur lundrimi në liqenin e Komanit. Vërshimi gjigant i ujërave qe po shkarkohen nga Fierza ka dëmtuar edhe argjinaturën e rrugës që ndodhet poshtë saj dhe që lidh Tropojën. Ndërkohë, ka shembje në rrugë për shkak të lagështisë së madhe të krijuar nga shkarkimet e digës.
Aktualisht qarkullimi i automjeteve nga Tropoja në drejtim të Tiranës bëhet kryesisht përmes Gjakovës, Prizrenit dhe në vijim përmes autostradës Morin-Rrëshen. Problem mbetet qarkullimi i mjeteve të transportit të ngarkuara me mallra të ndryshëm konsumi, që e kanë të pamundur të qarkullojnë përgjatë këtij segmenti për shkak të detyrimeve doganore.

Situata sipas KESH-it
Korporata Elektroenergjitike Shqiptare ka paraqitur situatën në hidrocentrale pas përmbytjeve të fundit në zonën e Shkodrës deri në orën 16:00 të dites së premte. Nga të dhënat e fundit bëhet me dije, se Fierza është në kuotën e 290.39 metra, ndërsa prurjet janë 1420 metër kub ujë në sekondë, ndërsa shkarkohen 1076 metër kub ujë në sekondë.
Hidrocentrali i Komanit është në kuotën e 169.98 metrave ndërsa prurjet kapin shifrën e 1807 metër kub për sekondë, ndërkohë, shkarkimet vijojnë me 1844 metër kub ujë në sekondë. Po ashtu kuota në Vaun e Dejës është 74.24 metra, prurjet janë janë 2295 metër kub ujë në sekondë, ndërsa shkarkimi kap kuotën e 2576 metrave kub ujë në sekondë.
Kuota në Ulëz është 123.6 metra, prurjet janë 1800 metër kub ujë në sekondë, ndërsa shkarkimi kap kuotën e 2763 metrave kub ujë në sekondë. Ndërkohë që KESH-i ka njoftuar që të gjitha HEC-et janë duke prodhuar me kapacitetin e tyre maksimal, megjithatë nuk është përballuar niveli i lartë i prurjeve që është disa herë më i madh se sa i harxhimit të agregatëve të instaluar në të tre hidrocentralet.
Fuqia e instaluar e hidrocentraleve të ngritura në kaskadën e Drinit është 1300 megavatorë. Fierza ka të instaluar 500 megavat, Komani 600 megavat dhe Vau i Dejës 250 megavat.
********************
Situata në perkeqesim e sipër nga përmbytjet ka bere që qeveria shqiptare të kërkojë ndihmë nga NATO. Kerkesa i eshte bere aleances nga Ministria e Brendshme. Mesohet se janë kërkuar helikoptere dhe mjete të rënda.


Sipas zv/kryeministrit Ilir Meta, janë 13000 ha nën ujë, 2100 banesa të përmbytura , 3940 familje të evakuara, 1800 banorë janë strehuar në vendet e akomodimit të vëna në dispozicion nga shteti. Shqetësuese situata e komunikimit. Shkarkohen 2600metër kub ujë në sekondë, ndërsa mbrëmjen e së enjtes shkarkoheshin 2950 metër kub ujë në sekondë.


'Ruajmë balancën me nivelin e prurjeve në kaskadë. Siguria në kaskadë pa asnjë problem"- tha Meta

Sipas Metës bëjnë operacione 1000 efektiva policie, 500 ushtrie, 80 mjete të ministrisë së brendshme dhe 120 të ministrisë së mbrojtjes, i flotilje me helikopterë dhe shumë mjete lundruese. 

Anila Dushi/L.Kokaj G. Shekulli

Friday, December 3, 2010

Humor i zi me Shkodrën

Kur Shkodra pushoi së prodhuari barsoleta për regjimin, ndodhi që regjimi po prodhon barsoleta për Shkodrën.
Nëse i hedh një sy arkivës elektronike të qeverisë shqiptare, nga përmbytjet e këtij fillimviti deri në përmbytjet e këtij fundviti në Shkodër, e kupton qartë se komedia ka kaluar nga qytetarët për qeverinë, tek qeveria për qytetarët. Një vit më parë, kur Shkodra u gjend nën ujë si sot, Berisha filloi të prodhojë argumente kozmike për situatën.
Së pari, shpiku një "hënë blu" që paskësh dalë një natë përmbi Lezhë dhe kishte ngritur detin në këmbë kundër tokave tona. Pastaj, kur pa se hëna nuk e ndihmonte dot, arriti në përfundimin se kjo ishte një fatkeqësi që ndodhte një herë në njëqind vjet.

Por, për të dalë nga situata, i duhej një premtim, dhe e bëri.
Brenda vitit, tha, në Shkodër do të bëhen investimet më të mëdha publike, diga, argjinatura, do të thellohet Buna, do të ngrihet bregu i Liqenit, do të sistemohet shtrati i Drinit dhe Shkodra do të kthehet në një nga vendet më të bukura turistike. Si gjithmonë, siç e ka ai, më e mira në botë.

Ende pa u mbyllur viti, (jo 100 vjet), Shkodra u përmbyt për herë të pestë.
Tallja e Berishës me atë qytet, ngjan sot si një humor i zi, që ka zëvendësuar humorin e shkodranëve për qeveritarët qesharakë të gjithë kohërave. Nëse vitin e kaluar debati ishte mbi fajin, ose jo, të Dritan Priftit për keqmenaxhimin e kaskadës së Drinit, sivjet faji është i qartë dhe pa asnjë të panjohur.
Gjithçka vjen nga fakti se qeveria gënjeu dhe nuk bëri asgjë për të shmangur këtë katastrofë.
Dhe si për ta bërë më qesharake këtë situatë, dëgjoni arsyetimin gjeografik të Jozefina Topallit, e cila zbuloi pas shkollës së natës që ka bërë, që faji qenka i Liqenit të Shkodrës, pasi aty u zbrazkan gjithë lumenjtë e Ballkanit jugperëndimor.
Tani ka pak shanse të ketë zgjidhje radikale. Qyteti dhe Nënshkdora do të jetojnë emergjencën e prodhuar nga papërgjegjësia e qeverisë. Ata tashmë kanë nevojë për bukë, ujë, strehë, ngrohje dhe siguri për pronat e tyre, të cilat me siguri që do t'iu mungojnë.

Por, problemi është si do të jetojë më tej kjo zonë?
Deri më sot, qeveria ka shpallur disa prioritete, siç është tuneli i Elbasanit apo Unaza e Tiranës, të cilat do të zgjidhin probleme të rëndësishme të transportit urban në Shqipëri të mesme. Deri më sot kemi harxhuar me qindra-miliona euro për projekte politike dhe shpesh për nevoja korruptive të Familjes në pushtet.
Por, Shkodra sot është një komunitet i rrezikuar për t'u zhdukur, nëse nuk ndërhyhet shpejt dhe me vizion të qartë. Shkodra është sot një zonë, ku njeriu për të qenë i qetë duhet të ketë dy shtëpi, një për verë, ku të jetojë në tokat e përmbytura, dhe një për në dimër, ku të jetojë atje ku nuk e kap uji.
Ajo po i ngjan dita-ditës Kukësit të Vjetër, që zbulohet kur nuk bien shira. Për këtë arsye, ajo ka nevojë për një projekt serioz, thelbësor dhe strategjik që të zgjidhë perspektivën e mbijetesës së saj.
Gënjeshtrat e Sali Berishës, një vit më parë, i ka përmbytur përsëri uji. Paret që kanë zhvatur njerëzit e Familjes me punët që prokuron direkt ai dhe njerëzit e Familjes së tij, janë nën ujë. Asnjë investim i qeverisë nuk duket brenda vitit, ndërkohë që prioritet e qeverisë nuk kanë të bëjnë fare me Shkodrën dhe në të ardhmen.
Dhe sikur të mos mjaftonin këto, Shkodra duhet të durojë dhe mbledhjet e qeverisë në qytetin e përmbytur si për t'u dukur që qeveria është pranë saj. Zoti Berisha bën mirë që mbledhjet t'i bëjë në Tiranë, mundësisht të mbyllura që të mos i verifikohen gënjeshtrat një vit më vonë, dhe, së paku, të ketë kurajë të marrë ndonjë vendim konkret për Shkodrën.
Është qesharake dhe cinike që në ditën kur Shkodra mbytet, kryeministri e ka mendjen tek sulmet ndaj rivalit të tij, të cilin e kërcënon pse nuk e ka zbukuruar Tiranën, siç bën ai për koncertet e tij festive.
Në një vend ku qytetarët mbyten dhe qeveritarët krihen, e ke të vështirë të shikosh shpresë për të ardhmen tënde. Mbledhja e djeshme e qeverisë në Tiranë dhe shpallja e Edi Ramës si problemi i saj kryesor është humori më i zi që mund të bësh me një qytet të përmbytur dhe një zonë të tërë të lënë në mëshirë të Zotit, që duket se i ka mallkuar ata njerëz. Shkodra ka filluar të përmbytet nga Liqeni, por mund të vazhdojë të përmbytet dhe nga Buna e Drini.
Ka vetëm një mënyrë që kjo fatkeqësi të ndalet dhe të mos ndikojë më mbufatin e atij qyteti, dhe kjo është që të hartohet me qetësi dhe profesionalizëm një plan për digat, hidrovoret dhe kanalet bonifikuese të kësaj zone, e cila rrezikon të zhduket nga harta jonë, nëse qeveria do të vazhdojë të bëjë humor të zi me ta, siç po bën tani.

Mero Baze, G. Shekulli

Faji i shiut apo i shtetit?

Kater intelektuale te njohur shkodrane, Mahir Hoti, Gezim Uruçi. Lindita Bushati dhe Majlinda Angoni flasin per situaten kritike te krijuar nga permbytjet, cfare po ndodh ne Shkoder dhe nese faji per gjendjen eshte e motit, apo e shtetit

Anila Dushi http://www.shekulli.com.al/2010/12/02/faji-i-shiut-apo-i-shtetit.html


Sunday, October 31, 2010

“Malet e Shqipërisë” Guida e parë turistike e viteve ‘40

Një udhëzues alpinistik dhe turistik i Shqipërisë së viteve ‘40 i botuar nga “Distaptur” vjen i shoqëruar me një studim për “Rapsoditë e maleve shqiptare” nga Nikola Lo Russo Attoma me foto historike.
Në vitin 1941 shtëpia botuese “Distaptur” në Tiranë publikon vëllimin “Montagne D’Albania”, me autor Piero Ghiglione, i cili është shtypur nga Instituti Gjeografik “De Agostini”.
Libri përfshin edhe një studim për “Rapsoditë e maleve shqiptare” nga Nicola Lo Russo Attoma, me 118 faqe dhe shoqërohet nga 60 ilustrime me foto bardhezi të vetë autorit.
Në mënyrë që libri të shpërndahej në të gjithë Shqipërinë, paralelisht ky vëllim u botua edhe në gjuhën shqipe, po nga shtëpia botuese “Distaptur” me titullin në shqip “Malet e Shqipërisë” dhe nëntitull “Me nji studim qi merret me rapsodët e malevet shqiptare”.
Revista “Drini” (Buletini mujor i turizmit shqiptar) i botuar në Tiranë nga Drejtoria e Turizmit, Shtypit dhe Propagandës në Kryesinë e Këshillit të Shqipërisë, e botoi librin në numrin 8, të saj, pikërisht me 1 tetor 1941.
Libri “Malet e Shqipërisë” mund të konsiderohet si dokumenti i parë shkencor për malet shqiptare dhe tani gjendet kudo në tregun e librarive. Hulumtimet tona tregojnë se ka ende kopje në bibliotekat e specializuara, madje edhe në Bibliotekën Kombëtare në Tiranë.
Ky udhëzues i inxhinier Ghigliones fokusohet veçanërisht në aspektin e alpinizmit dhe në të njëjtën kohë në turizmin malor shqiptar.
Ky vëllim ndahet në dy pjesë:
ashtu siç edhe përshkruhet brenda tij ai është një dokument shkencor, i cili është “një ftesë për të gjithë ata që i duan malet dhe vizitojnë Shqipërinë, ku do të zbulojnë me siguri bukuri panoramike dhe emocione alpine, për të cilat, deri tani udhëtohej vetëm në disa rajone të Evropës”. Kopertina e librit është një foto e piktorit Sante Bullo, i cili paraqet malet e Krujës, ndërsa në brendësi të librit paraqiten fotografi të realizuara nga vetë inxhinier Ghiglione. Kapitulli për “Rapsoditë e maleve shqiptare”, shoqërohet edhe me ilustrime të detajuara të disa prej instrumenteve kryesore muzikore më të përdorura në Shqipëri.

Ja dhe teksti që shoqëron recensionin e botuar nga revista “Drini”:
“Bordi Editorial “Distaptur”, i cili nuk ka më shumë se një vit që ka nisur iniciativën botuese në Shqipëri, ka bërë një punë të lavdërueshme (mjafton të kujtosh kartolinat e mrekullueshme artistike të cilat nuk mund të popullarizonin më mirë folklorin dhe bukuritë panoramike të Shqipërisë), duke pasur një meritë të çmuar në prezantimin e vëllimit të ri, të botuar kohët e fundit nga Instituti Gjeografik “De Agostini”, i cili do të çojë nëpër botë një ilustrim të prekshëm të një sektori të injoruar të territorit shqiptar: malet”.

Tre të tretat e territorit të Shqipërisë është malore: maja të paarritshme, vargmale madhështore, një ultësirë e thyer shkëmbore, pyje, lugina, borë dhe akullnaja, kasolle alpine të ndërtuara mbi shkëmbinj dhe kreshta dolomite të ngritura mbi opalin e kthjellët të qiellit. Kjo është një pjesë e panjohur e Shqipërisë: për shumë njerëz ajo ngjason një Shqipëri e largët, shpesh pa kurrfarë kurioziteti, por që falë botimit të “Distaptur”, thërret fort për të tërhequr vëmendjen e publikut.

As që do ta besoni se në “Malet e Shqipërisë” do të takoni përveçse një vëllimi në prozë me përshkrime, por edhe një guidë turistike, mjaft elegante dhe të ilustruar me të gjitha me rregullat e artit modern. Jo në çdo faqe do të ndjeni prani humane, por çdo luginë aty përshkruhet nga kënga e një bariu, në çdo majë mali jeton legjenda e tij prej mishi dhe gjaku, aq sa kur ata mbyllin punët, rreth e rrotull mbetet vetëm lavdia e hapësirës dhe heshtjes, por edhe shpirti i njeriut të pastruar e rafinuar nga era mijëvjeçare dhe bardhësia e përjetshme e dëborës.
Dhe ndoshta ky është fakti kryesor që libri hapet me një përshkrim rreth të shkruarës, në mënyrë që lexuesi të lidhet fort pas një strukture komplekse shpirtërore dhe të fuqishme: atë të malit shqiptar, i cili formësohet duke dëgjuar këngët e lindura në mënyrë spontane nga buzët e barinjve, instrumentet rudimentale, prej nga dalin detaje të thjeshta, të sugjeruara nga instinkti i jetës që e rrethon, i cili përbëhet vetëm nga dy elemente thelbësore të ciklit njerëzor : dashuria dhe vdekja.
I vendosur për të përmbushur këtë detyrë fisnike dhe i pajisur me një ekspertizë të thellë Nicola Lo Russo Attoma, i cili me studimin e tij mbi rapsoditë e maleve shqiptare, nuk mjaftohet vetëm me fjalë, por edhe me ilustrime fotografike, duke hapur një panoramë shpirtërore, e cila do të shoqërojë lexuesit në një udhëtim që nis nga një vargmal duke hyrë thellë në çdo luginë. Këtu, si në çdo gjë, mbizotëron elementi njerëzor. Aty e gjen njeriun me pasionet e tij, historinë, traditat, të metat dhe virtytet: ai përshtatet me ligjet misterioze të natyrës, duke shfaqur shpesh pa vetëdije gjithë fizionominë e tij, e cila përbëhet nga ngjyra dhe tinguj të mjedisit ku jeton.
Pjesa turistike e këtij vëllimi përshkruan malet shqiptare me një ilustrim teknik “të shtyllës kurrizore”, që përbën edhe gjithë kompleksin alpinistik të vendit, i cili është shkelur nga vetë Piero Ghiglione, një nga alpinistët më të njohur në botë. Mjafton të kujtosh se Ghiglione ka kryer eksplorime alpinizmi në Himalaje, Ande, masivet e Afrikës dhe natyrisht në të gjithë vargmalet e Evropës, çka të bën të kuptosh seriozitetin dhe përgjegjësinë që përmbajnë këto faqe libri. Madje
Ghigliones iu deshën disa muaj për të shkuar deri në thellësi të këtyre fshatrave shqiptare. Ai iu përkushtua me shumë dashuri këtij udhëtimi, për t’u përshtatur me njeriun, për të cilin mali përbën elementin më të rëndësishëm të jetës. Disa nga majat e maleve ishin tashmë të njohura për të, të tjerat i kaloi për herë të parë, por disa ngjitje ishin “një pushtim” i lakmuar apo një rekord. Ai përshkruan në faqet e librit çdo shkëmb të thepisur që të çon nëpër shtigje edhe më të ashpra, duke u ngjitur drejt lartësive ku të merret mendja.
Libri është i ndarë në gjashtë kapituj që mbulojnë gjashtë grupe ngjitje malore të sistemit alpinistik shqiptar, ku secila pjesë analizon malet me saktësinë e një dokumenti shkencor: saktësi për çdo masiv shkëmbor, si të ishte një produkt me formulë kimike ose shenja misterioze të shoqëruara me një radiolog të qartë spekto-analitik. Në çdo faqe të librit do ndieni frymëmarrjen e natyrës, pafundësinë e horizontit, madhështinë luftës mes njeriut të vogël dhe kokëfortë, i cili do të fitojë përballë një shkëmbi gjigand.
Piero Ghiglione u ndie mjaft entuziast për malet e Shqipërisë. Ai vlerëson punën e bërë për turizmit shqiptar, duke ndërtuar tashmë një strehë të rehatshme në rajonin e Thethit, (vargmal në veri), vend i cili ka një të ardhme të begatë turistike për Shqipërinë, si dhe zona të tjera malore, ku mund të shkohet për ski apo pushime. Madje inxhinieri Ghiglione, një alpinist me përvojë, do të donte të shoqëronte këtë libër edhe me një udhëzues “Paralajmërimesh” për vizitorët, ata që do të udhëtojnë në këto vende për qëllime alpinizmi.
“Mbani në mend, - shkruan ai, - sezoni më i mirë për shëtitur është gjatë stinës së verës, periudha nga muaji qershori deri në shtator. Deri në mes të qershorit moti është zakonisht shumë e paqëndrueshëm, aq sa dëborë mund të gjesh edhe në shkëmbinjtë më të afërt: ndërsa në shtator, sidomos pas mesit të muajit, mbrëmjet ftohen dhe netëve temperaturat ulen, sidomos në kampet në lartësi mbi 1500 metra. Malet shqiptare janë shumë të përshtatshme për ski, edhe sidomos në muajt e dimrit dhe pranverës”.

“Ju lutem vini re, - vazhdon autori, - që për alpinizëm zona më e mirë është pa dyshim ajo e veriut shqiptar mes Bogës, Thethit dhe Valbonës. Këtu shtrihen sipas rendit gjeografik rajoni i Majës së Madhe që kufizohet në Parnus, i cili përbëhet nga një vargmal që arrin në rreth 2000 metra.
Janë të njohura edhe zonat e Majës së Dejës, ndërsa në pjesën qendrore të Shqipërisë ngrihet mali i Korabit dhe Radomirës. Zona e Tomorit (Ultësira Qendrore) është gjithashtu shumë e rekomanduar, sidomos për udhëtarët që shkojnë aty me qëllime turistike. Vlen të përmendim si mjaft të rëndësishme edhe vargmalet e Ostrovicës, ndërsa në afërsi të zonës së Korçës në jug të vendit, ngrihet Nemërçka”.
Autori e përmbyll librin e tij me këshilla të vyera mbi pajisjet dhe furnizimet e nevojshme, mjaft të dobishme për alpinistët. Natyrisht, kjo pjesë i referohet viteve heroike të alpinizmit dhe tani ato janë zëvendësuar nga risi të vazhdueshme të teknologjisë.

Megjithatë, nga një ide e përgjithshme e përshkrimit ato vështirësi u tejkaluan nga eksploruesit e hershëm, alpinistët (mos harroni se shumë nga shqiptarët deri atëherë nuk i kishin shkelur ende ato maja) mund të përplasen me rrezikun: ujqër, derra të egër, pse jo edhe në ndonjë ari.

Vëllimi “Malet e Shqipërisë” është një libër mjaft interesant dhe i dokumentuar, i cili ka edhe sot vlera kulturore dhe shkencore.


Olsi Kalemi, G. Standart

Sunday, March 21, 2010

"Mjerim që s'i ve dot emër ..."

Rrallë mund të gjesh në botë stinën e pranverës si në Shqipëri. Dikur në të, lulëzonin drurët frutore. Lozet e rrusheve vareshin të tilla sa edhe ujëvara do t'i kishte zili. Kodrat e gjelbra fillonin të njomësoheshin.


Në rrafshnalta arat e mbjella me grurë, zarzavate, misër, jonxhe, këmbenin njëra-tjetrën për kilometra të tëra me jeshillëk.


E gjitha, bëhej më e bukur kur petalet binin dhe vendin e tyre e zinin fletët. Brenda tyre zemra e frutit rritej e rritej derisa pemët kërruseshin. Me një fjalë, pulsi i pranverës rrihte në të gjithë vendin.

Pavarësisht sistemit të dështuar komunist, agronomë të ditur, shkencëtarë, u përpoqën ditë e natë për ta begatuar tokën. Sprovuan farërat, përmirësuan, eksperimentuan pareshtur. Insektet e tokës, epidemitë e pemëve në sipërfaqe, mizat e fryteve dhe buburrecët nuk figuronin fale spërkatjeve me kimikate.

Të tjerë shartonin për lloje të reja pemësh. Ndërsa kultivatorët bënin qilizmën. Plisi të përmbysej që bari ta bënte tokën të majme. Më tutje ishin kanalet kulluese që ndanin parcelat. Por, që edhe erozioni të disiplinohej.

Pastaj vinte vera me të nxehtit. Njerëzit e thjeshtë, ata që punuan në fermat e prodhimit dhe ato eksperimentale, që krijuan tërë kohës, që seleksionuan, hibridizuan e shartuan, shikonin frytet e reja: qershitë e kuqe dhe të zeza, gjithë tul, aq të lakmuara për t'i çukitur zogjtë. i mblidhnin dhe transportuesit i çonin në depot e shtetit.

Ky i fundit në arka te ambalazhuara bukur i çonte direkt në portin e Durrësit, tek vapori. Po kështu kumbullat, dardhat e verdha dhe të ëmbla. Të gjitha shkonin tek vapori. Të gjitha. Se një kile qershi bën një dollar e gjysmë jashtë shtetit... Ia vlen barra qiranë. A ia vlen t'i shesësh për tetë lekë në markato?

Kështu fermeri, fshatari shihte frutin që i kishte bërë hyzmet me duar dhe me thonj dhe nuk arrinte të provonte pak nga ai tuli i ëmbël i dardhës, mollës, qershisë. As ai as fëmijët e tij. Se jashtë duhej blerë... hekur, çimento për bunkerë! Sistemi politik i falimentuar komunist i la pa i provuar frutat e punës së tyre.

Por zoti në qiell shikon. Erdhi 1990-ta. Arat e mëdha u zëvendësuan nga parcelat e vogla, pronë e fshatarit tashmë. Por fshatari në sistemin e ri politik e pa veten tij shpejt të mbuluar në borxhe. Ata i punuan tokat, e krasiten pemët, e mblodhën prodhimin. I spërkaten me kimikate edhe pemët edhe grurin. Se paratë për të blerë farën, plehun, naftën i siguruan me kredi nga banka. Por nuk e shiten dot.

Se si domatja i tyre ishte importuar me çmim më të lirë nga Greqia e Maqedonia. Po të njëjtin fat kishin edhe frutat, edhe gruri. Kështu fryti u kalb përdhe. Nuk arriti ta bënte as raki. Kështu edhe kazanët zunë myshk e ndryshk.

Ndërsa tokat po fillonin të përmbyteshin nga lumenjtë e fryre nga që makineria e ndërtimit ia ka prishur shtratin tashmë në përpjekjen makute për pasuri, jashtë çdo ligji shtetëror dhe natyror. Dhe tani vonë kanë filluar të rrëshqasin edhe shtëpitë. Ky produkt padyshim përfaqëson një variant të barbarizmit të njeriut në kacafytje me natyrën.

Kështu vit pas viti, kundërmimi magjik i frutit u zëvendësua nga grahma e kalbjes. Por mbrapa kësaj kalbjeje fshihet një e keqe e madhe. Njerëzit, të cilët kishin shpresuar shumë në ndërrimin e sistemit, nuk mund të rrojnë, nuk mund ta hanë sërish prodhimin e tyre.

Sepse, tregu është bërë pronë e atyre që importojnë prodhimet e kualitetit të dytë e të tretë me çmim më të lirë (ato janë për groposje në vendet e BE-së). Në Shqipëri i kanë të sigurtë konsumuesit e tyre. Nuk kontrollohen nga shteti. Se shtetin e mundin me para.

Që në momentin e kalbjes se prodhimit vendas, edhe pranvera ka ndryshuar. Drurët nuk lulëzojnë më. Se janë tharë ngaqë nuk janë krasitur, nuk janë spërkatur me kimikate.

Dhe krimbi e ka bërë të veten, e ka gërryer, e ka tharë trungun. Arat janë djerrë, të papunuara për kilometra të tëra. Ndërsa kodrat nuk janë më të gjelbra, se drurët janë prerë.

Kjo është një disfatë e madhe e shtetit. Sepse fermeri shton radhët e ushtrisë së të papunëve nëpër qytete. Ata qëndrojnë të shtangur tek ndjekin me sy patatet, zarzavatet, frutat në tezgat e tregjeve.

Në sytë e tyre pasqyrohet trishtimi i hidhur. Megjithatë kruajnë xhepat dhe afrohen për të blerë ndonjë kokërr. Por çmimi i largon. Rastet e sëmundjes që shkaktohet nga mungesa e të ushqyerit të fëmijëve, kanë filluar të shfaqen.
Shkatërrimi i florës

Kësaj radhe politika e falimentuar nga korrupsioni e sistemit të ri shoqëror, serish i la pa ngrënë frutat e punës së tyre. Ky është një mjerim që nuk i vë dot emër. Përhapja progresive e këtij fenomeni, i hedh në erë të gjitha "rritjet ekonomike" .

Pellumbi Cani , Shekulli

Saturday, March 13, 2010

Studimi, edhe Tirana në listën e 9 metropoleve në rrezik nga tërmetet

Përfundimet e një studimi të Universitetit të Kalifornias në SHBA, janë ndoshta të mjaftueshme për të ngjallur frikë edhe tek ne në Shqipëri. Tirana renditet në listën e 9 metropoleve të botës në rrezik nga tërmetet.

Studimi i publikuar në gazetën amerikane, "Nju Jork Tajms", dhe në gazetën italiane, "La Repubblica", në fillim të këtij muaji, thotë se brenda 40 viteve të ardhshme, këto metropole kanë gjasa të goditen nga tërmetet dhe jo vetëm kaq.

Sipas studimit, për shkak të mbipopullimit të shpejtë dhe ndërtimeve që janë përpjekur të ndjekin ritmin e mbipopullimit, do të mjaftonte që goditja të ishte 6 deri në 7 ballë që pasojat të ishin shkatërruese në këto metropole. Më poshtë është artikulli i gazetës italiane, "La Repubblica", mbi studimin e profesorit amerikan të Kalifornias, ku Tirana renditet në 4 metropolet e Europës në rrezik.

STUDIMI I UNIVERSITETIT TË KALIFORNIAS:
Ja kryeqytetet në rrezik nga tërmetet, ku brenda 40 viteve
parashikohet një tërmet shkatërrues

Stambolli - Turqi
Karaçi - Pakistan
Katmandu - Nepal
Lima - Peru
Teherani - Iran
Lisbona - Portugali
Mesina - Itali
Tirana - Albania
Athina - Greqi

*****
Luigi Bignami
"La Repubblica"


Studimi në universitetin e Kalifornisë mbi tërmetet: "Brenda 40 viteve, vdekje dhe shkatërrime për shkak të shtëpive të vjetra, apo të ndërtuara keq". Ja kryeqytetet në rrezik

Rritja e popullsisë urbane që do të shtohet rreth 2 miliard brenda gjysmës së këtij shekulli po "prodhon" pa e kuptuar, një armë të fuqishme të shkatërrimit në masë: shtëpitë. Kështu e nis komentin e vet në përfundim të një studimi, Roxher Bilham, profesor i Universitetit të Kalifornisë. Në studimin e tij është publikuar edhe një "hartë e ardhshme tërmetesh", pra një listë e qyteteve kryesore që rrezikohen më shumë në botë. Bëhet fjalë sipas studimit, për qytete ku ka gjasa të ndodhë një tërmet katastrofik në 40 vitet e ardhshme.

«Duket se lëvizjet sizmike preferojnë të godasin atje ku janë pikat tona të dobëta" - ka thënë Mustafa Eridk, drejtor i Institutit të inxhinierisë në Stamboll, duke analizuar studimin e profesor Bilham dhe letrën e tij botuar në gazetën "Nju Jork Tajms".
Stambolli, p.sh., është një qytet "i dobët" për sa i përket pikëvështrimit sizmik. Ai është rritur me një shpejtësi të madhe. Në vetëm 50 vjet ka kaluar nga 1 milion në 10 milionë njerëz, të cilët jetojnë pjesën më të madhe në ndërtime të kryera pa asnjë kriter antitërmet, apo antisizmik.

Një tërmet, si ai që goditi Haitin, në Stamboll mund të shkaktojë nga 30 deri në 40. 000 viktima dhe të lëndojë të paktën 120.000. Janë të shumta ndërtesat e bëra në lartësi pa marrë parasysh kapacitetet strukturore të kolonave apo të mureve mbështetëse. Ka prej tyre që janë të rrezikshme edhe pa pasur lëkundje sizmike. Shumë ndërtime të bëra me rërë deti dhe hekur, janë edhe më të brishta ndaj lëkundjeve sizmike.

«Janë bomba me sahat edhe Karaçi në Pakistan, Katmandu në Nepal, Lima në Peru dhe disa qytete të tjera të mbipopulluara me shpejtësi", - shpjegon Bilham, në "New York Times".
Për Teheranin, Bilham ka llogaritur që një lëkundje si ajo e Haitit, mund të sjellë vdekjen e 1 milion njerëzve. Në fakt, për sa i përket Teheranit, disa gjeologë iranianë shumë herë i kanë bërë presion qeverisë për ta spostuar kryeqytetin, i cili gjendet pikërisht mbi një epiqendër sizmike shumë aktive.

Por, situata është e rëndë edhe në qytete të vendeve të industrializuara, apo në zhvillim. Pra, edhe në Europë. Në Lisbonë, Mesinë, Tiranë, Athinë ka gjasa që lëkundjet sizmike, edhe pse jo të forta (6°-7° Rihter) të jenë katastrofike. Dhe të mos harrojmë: Ndërtimet janë vetëm një nga grackat vdekjeprurëse në raste tërmetesh.

Shekulli