Së pari, shpiku një "hënë blu" që paskësh dalë një natë përmbi Lezhë dhe kishte ngritur detin në këmbë kundër tokave tona. Pastaj, kur pa se hëna nuk e ndihmonte dot, arriti në përfundimin se kjo ishte një fatkeqësi që ndodhte një herë në njëqind vjet.
Por, për të dalë nga situata, i duhej një premtim, dhe e bëri.
Brenda vitit, tha, në Shkodër do të bëhen investimet më të mëdha publike, diga, argjinatura, do të thellohet Buna, do të ngrihet bregu i Liqenit, do të sistemohet shtrati i Drinit dhe Shkodra do të kthehet në një nga vendet më të bukura turistike. Si gjithmonë, siç e ka ai, më e mira në botë.
Ende pa u mbyllur viti, (jo 100 vjet), Shkodra u përmbyt për herë të pestë.
Tallja e Berishës me atë qytet, ngjan sot si një humor i zi, që ka zëvendësuar humorin e shkodranëve për qeveritarët qesharakë të gjithë kohërave. Nëse vitin e kaluar debati ishte mbi fajin, ose jo, të Dritan Priftit për keqmenaxhimin e kaskadës së Drinit, sivjet faji është i qartë dhe pa asnjë të panjohur.
Gjithçka vjen nga fakti se qeveria gënjeu dhe nuk bëri asgjë për të shmangur këtë katastrofë.
Tani ka pak shanse të ketë zgjidhje radikale. Qyteti dhe Nënshkdora do të jetojnë emergjencën e prodhuar nga papërgjegjësia e qeverisë. Ata tashmë kanë nevojë për bukë, ujë, strehë, ngrohje dhe siguri për pronat e tyre, të cilat me siguri që do t'iu mungojnë.
Por, problemi është si do të jetojë më tej kjo zonë?
Deri më sot, qeveria ka shpallur disa prioritete, siç është tuneli i Elbasanit apo Unaza e Tiranës, të cilat do të zgjidhin probleme të rëndësishme të transportit urban në Shqipëri të mesme. Deri më sot kemi harxhuar me qindra-miliona euro për projekte politike dhe shpesh për nevoja korruptive të Familjes në pushtet.
Por, Shkodra sot është një komunitet i rrezikuar për t'u zhdukur, nëse nuk ndërhyhet shpejt dhe me vizion të qartë. Shkodra është sot një zonë, ku njeriu për të qenë i qetë duhet të ketë dy shtëpi, një për verë, ku të jetojë në tokat e përmbytura, dhe një për në dimër, ku të jetojë atje ku nuk e kap uji.
Ajo po i ngjan dita-ditës Kukësit të Vjetër, që zbulohet kur nuk bien shira. Për këtë arsye, ajo ka nevojë për një projekt serioz, thelbësor dhe strategjik që të zgjidhë perspektivën e mbijetesës së saj.
Gënjeshtrat e Sali Berishës, një vit më parë, i ka përmbytur përsëri uji. Paret që kanë zhvatur njerëzit e Familjes me punët që prokuron direkt ai dhe njerëzit e Familjes së tij, janë nën ujë. Asnjë investim i qeverisë nuk duket brenda vitit, ndërkohë që prioritet e qeverisë nuk kanë të bëjnë fare me Shkodrën dhe në të ardhmen.
Dhe sikur të mos mjaftonin këto, Shkodra duhet të durojë dhe mbledhjet e qeverisë në qytetin e përmbytur si për t'u dukur që qeveria është pranë saj. Zoti Berisha bën mirë që mbledhjet t'i bëjë në Tiranë, mundësisht të mbyllura që të mos i verifikohen gënjeshtrat një vit më vonë, dhe, së paku, të ketë kurajë të marrë ndonjë vendim konkret për Shkodrën.
Është qesharake dhe cinike që në ditën kur Shkodra mbytet, kryeministri e ka mendjen tek sulmet ndaj rivalit të tij, të cilin e kërcënon pse nuk e ka zbukuruar Tiranën, siç bën ai për koncertet e tij festive.
Në një vend ku qytetarët mbyten dhe qeveritarët krihen, e ke të vështirë të shikosh shpresë për të ardhmen tënde. Mbledhja e djeshme e qeverisë në Tiranë dhe shpallja e Edi Ramës si problemi i saj kryesor është humori më i zi që mund të bësh me një qytet të përmbytur dhe një zonë të tërë të lënë në mëshirë të Zotit, që duket se i ka mallkuar ata njerëz. Shkodra ka filluar të përmbytet nga Liqeni, por mund të vazhdojë të përmbytet dhe nga Buna e Drini.
Mero Baze, G. Shekulli
Faji i shiut apo i shtetit?
Kater intelektuale te njohur shkodrane, Mahir Hoti, Gezim Uruçi. Lindita Bushati dhe Majlinda Angoni flasin per situaten kritike te krijuar nga permbytjet, cfare po ndodh ne Shkoder dhe nese faji per gjendjen eshte e motit, apo e shtetit
Anila Dushi http://www.shekulli.com.al/2010/12/02/faji-i-shiut-apo-i-shtetit.html
No comments:
Post a Comment