Tuesday, December 14, 2010

Njëzet vjet jetë dhe tri luftëra

Dhe tash, kur aq shumë kemi pritur, vallë a kemi faj që “kemi shpirtin në fyt”?
A kemi faj që vuajmë nga ankthi?
Që kemi frikë se mund të ndodhë diçka?
Që kemi frikë të protestojmë, sepse i barazojmë me luftën? 

Sulmet e ushtrisë maqedonase mbi fshatrat shqiptare
Jo, jo, ne nuk kemi faj. Jemi studentë që mësuam “psikologjinë e turmës” në shkollë fillore

Ne ishim gjenerata e pritjes. Kaluam njëzet vjet jetë dhe përjetuam tri luftëra. Si shumë për një jetë njeriu.Jemi gjeneratë e pritjes. Rini me “shpirt në fyt”, me frymëmarrje atipike, me takikardi ose bradikardi.

Pse jemi gjaknxehtë për gjëra të pavlera? Pse presim në ankth? Pse një krismë e zakonshme barasvlerësohet me një luftë?

Jemi rritur nga prindër që flisnin për ikanakë nga Bosnja, për një luftë që mund të vinte padiktueshëm. Ishim të vegjël për të kuptuar gjëra të mëdhenjsh. Por, kemi ndjerë një dorë amnore, të dridhshme, teksa na ushqente. Kemi ndjerë frikë nëne, teksa zhvendoste shikimin nga dritarja në pritje të burrit, e frikësuar nga ndonjë martesë e befasishme me ndonjë vejushë fatkeqe boshnjake, burri i së cilës mund të kishte mbetur nën rrënoja lufte. Kemi dëgjuar gjyshen si përpiqej t’u mësonte ca fjalë shqipe të ardhurve nga larg, dhe kemi pyetur më naivitet fëmije: “Gjyshe, pse ajo nuk flet si ne?” Dhe, kemi marrë përgjigje: “Shpirti gjyshes, ajo nuk është nga këtu, jeton diku larg nesh dhe ti shpirt i vogël s’e kupton dot”.
Ushtarët e UÇK-së
S’e kemi kuptuar çka ishte lufta, por e kemi ditur çka ishte frika. E kemi parë në sytë e mamasë dhe babait, nuk fshihej dot. Ne menduam se u rritëm, por sërish kemi parë të njëjtën hije frike në sy nënash e baballarësh. Dhe sërish qemë të vegjël për të kuptuar.E tash? Ikën tetot që nuk dinin shqipen? Nejse, disa mbetën, por shumica shkuan? – kemi bërë këtë pyetje me kureshtje fëmije dhe na është sugjeruar të shkonim në dhomat tona, teksa prindërit ngujoheshin pranë ekraneve TV për të ndjekur edicionet qendrore informative.
Dhe, mund të jemi fshehur e të kemi dëgjuar lajme, siç kam bërë dhe unë. “Babi, a nuk është folësja e lajmeve të RTP-së?”“Po”   “E ç’bën në TVSH”? “Në Kosovë ka luftë”.“Konflikt”, “konflikt”. Një fjalë e shumëfishuar. Mësuesja na kishte thënë se ka konflikt kur dy palë nuk shkojnë mirë. Hmmm!
Me kënd nuk shkonin mirë këto njerëz që vinin nga Kosova?

Ne ishim të vegjël që të na sqaronin, por ishim aq të mëdhenj që të kuptonim se rregulli qe prishur.Unë bëra një shoqe nga Prishtina, që dëgjonte lajme, sepse babanë e kish në luftë. Pastaj ngujohesha pranë ekranit se mos dëgjoja diç për babain e saj. Dhe, pastaj një kujë gjysheje nga Kosova: “Është djali im!” “Do Zoti, ai është dëshmor”. Nga përgjigja e së ëmës e dija se dikush kishte vdekur. Në Kosovë vriteshin njerëz dhe dëboheshin nga shtëpia, njëjtë sikur mua dhe prindërit të na dëbonin. Sa kohë kaloi duke dëgjuar fshehtas biseda xhaxhallarësh, që thoshin: “Ndoshta pas tri ditësh”, “Ndoshta pas një jave” do të përfundoj gjithçka...
Dhe erdhi ajo ditë. Më iku shoqja. Unë qaja, kurse e ëma më thoshte se duhej të gëzohesha se ajo kthehej në shtëpinë e saj. Kur isha në klasë të shtatë, papritur rinisën krismat. Dhe, sugjerimet e prindërve për lëvizje të kujdesshme.Tash e dija çka është lufta, por lutesha të mos vinte tek ne. Pastaj lutje për shpëtimin tonë.  
Të strukur në bodrum nuk dinim shumë gjëra, por e dinim se drita duhej fikur, se nuk duhej lëvizur pa një lajmërim. Aty mësuam fjalë të reja: “granatë”, “kallash”, “bunker”, ‘plumb qorr”.
S’dija ç’ishte plumbi që kërcet dy herë, derisa nuk më plasi pas shpine, sapo hoqa këmbën. Ra aty ku kisha lënë gjurmë. S’e dinim çka ishte “punkt policor”, “orë policore”, por e mësuam. Pas disa muajsh mësuam edhe për “armëpushimin”. “Baba, përse s’kërcasin plumbat, a u harxhuan plumbat aaa ???!!!
Kuptova se kishte ardhur një xhaxha që e quanin Solana dhe qenkan marrë vesh që të mos ketë luftë. Uraaa! Sa mirë, do shkonim në shkollë në shtator. Por ne sërish fshehtas kishim mësuar në shkollë, se do të mësonin edhe për Skënderbeun dhe jo vetëm për Dame Gruevin. Do të mësonim ABC pastaj ABV. Më nuk do t’i thoshin ndonjë xhaxhai në komunë që emrat Vlora, Donika, Arbër, Shkodran t’i zëvendësonin me emra të tjerë. Ne kishim dëgjuar se lufta ishte bërë për të drejta. Ne pritnim të ndryshonin shumë gjëra.
Ne të shkretët ishim gjenerata e pritjeve: që pritëm tetot që nuk flisnin shqip, që pritëm shoqet që s’dallonin gj dhe xh (sa qeshnim me ato), kurse tash prisnim të ndryshonin shumë gjëra.  
Dhe, tash kur aq shumë kemi pritur, vallë a kemi faj që “kemi shpirtin në fyt”? A kemi faj që vuajmë nga ankthi? Që kemi frikë se mund të ndodhë diçka? Që kemi frikë të protestojmë, sepse i barazojmë me luftën? Jo, jo, ne nuk kemi faj. Jemi studentë që mësuam “psikologjinë e turmës” në shkollë fillore. Atëherë e dinim si do të reagonin xhaxhallarët e tetot tona, kurse tash duam të mësojmë çka është elitë.
A mund të jenë pjesa e saj disa nga ne? Apo do bëhemi pjesë e turmës dhe do analizojmë psikologjinë tonë nga brenda? Sa mund të analizohet një situatë derisa je brenda saj?
Më mirë të mos e them... Që të mos i dëshpëroj edhe më shumë bashkëmoshatarët e mi. Dhe, të presim ende, të paktën ndoshta rrezikon ndonjëri... ehhh ku i dihet, pra...


Elmedina SHAFI, Koha e Re

No comments: