Sunday, December 26, 2010

Patriotizmi dhe vlerat e harruara të kombit

A është patriotizmi diçka e tejkaluar nga zhvillimet globale, anëtarësimi në NATO dhe ai i pritshëm në BE?
Djegia e flamurit në Itali dhe heshtja e Tiranës



Për shumë shqipfolës, drejtues forumesh e politikanë, patriotizmi shihet si një anakronizëm që duhet lënë pas në emër të një integrimi shpeshherë thjesht demagogjik dhe duke harruar që ajo pjesë e botës apo Europës në të cilën dëshirojmë të hyjmë është edhe një botë vlerash dhe normash, të cilat popujt e tjerë i kanë dhe i ushqejnë me xhelozi, është një botë e përbashkët diversitetesh.

Patriotizmi përbën ende një tërësi vlerash të pamohueshme dhe gjithëpërfshirëse që jo vetëm duhen ruajtur, por duhen vënë në zhvillim të konsolidimit të ndërgjegjes shoqërore dhe kombëtare, në funksion të zhvillimit.
Dikur, në një diskutim, në forume të shkencave politike, analizova ngjarjet e 1997-s dhe shkatërrimin e shtetit shqiptar. Një ndër pyetjet që m’u drejtua ishte edhe ajo mbi faktorin e mundshëm të kohezionit (domosdoshmëri për çdo grup, komunitet dhe shoqëri) që duhet të nxitet në Shqipëri. Dhe përgjigjja ime ishte patriotizmi, dashuria e natyrshme për kombin dhe vendin tënd dhe jo ksenofobia ose shovinizmi. Këtë e argumentova dhe i qëndroj ende sot me arsyetimin se në Shqipëri një pjesë e vlerave dhe kulturës tradicionale u shkatërrua nga periudha e regjimit komunist, i cili dështoi nga ana e tij në krijimin e një strukture universalisht të pranueshme vlerash dhe normash morale (“njeriu i ri”) që së bashku me dëmtimin e rëndë që iu shkaktua institucioneve të fesë, idealeve atdhetare (nëpërmjet krijimit të binomit artificial atdhe – parti) si dhe moskrijimit të institucioneve (institucion në kuptimin më të gjerë të fjalës dhe jo thjesht një bashkësi zyrash dhe punonjësish) shtetërore të fuqishme dhe të respektuara nga populli, çoi në një defragmentizim të rrezikshëm të shoqërisë shqiptare dhe në ngjarje si ato të viteve ‘97 kur shteti edhe një herë u konsiderua si diçka abstrakte dhe e huaj, si një armik që duhej luftuar, duke harruar që çdo shtet është më i mirë se mungesa e tij.
Të gjitha këto sigurisht vijnë edhe si rrjedhojë e fateve të këqija historike që na kanë ndjekur në shekuj. Por a i duhet lënë çdo faj fatit? Më shumë se te fati apo te pozita e favorshme gjeografike (një nocion që na është përsëritur pambarimisht si shkak për pushtimet e pafund që kemi pësuar), faji duhet kërkuar te ne vetë që në shumicën dërrmuese të rasteve kemi zgjedhur në “krye të vendit” për të na drejtuar njerëz më së pakti të paaftë, por shumë shpesh të paskrupullt që në të gjithë jetën e tyre kanë ndjekur vetëm e vetëm interesa personale dhe meskine.
Djegia e flamurit në Rusi dhe heshtja e Tiranës
Ndryshe nuk ka si shpjegohet që ende në shekullin XXI, Shqipëria nuk ka një strategji kombëtare, nuk ka një politikë të jashtme të qëndrueshme, nuk ka objektiva afatgjatë apo afatmesëm, nuk ka një strategji të mbrojtjes kombëtare etj., për të mos përmendur raste flagrante kur në poste drejtuese të shtetit, deri në ministra dhe zëvendësministra, ka elementë me dosje ende të pambyllura penale, me dosje të hapura për spiunazh, pa arsimin përkatës, me dokumente të falsifikuara, me nivel të lartë  imoraliteti…
Çdo grupim ka nevojë për një fill përshkues, të fortë dhe të pranuar nga të gjithë që t’i lidhë individët me shoqërinë.
Në rastin e Shqipërisë këtë rol nuk mundet ta luajë feja (pasi shqiptarët nuk kanë qenë ndonjëherë të lidhur vërtet me të dhe aq më tepër janë të ndarë në disa syresh), as tradita (e cila u dëmtua ndjeshëm në vitet e komunizmit dhe sot, edhe kur ndihet, është e deformuar), as norma morale dhe shoqërore të krijuara në vazhdën e historisë, sepse fatkeqësisht historia jonë përbëhet më së shumti nga pushtime dhe ndërrime pushtimesh të ndryshme, ushtarake, politike apo ideologjike.
Ajo që mbetet nuk është veçse ideja e patriotizmit, e njësimit të individit me kombin, e krijimit dhe nxitjes së një sërë idealesh patriotike që do të krijonin pikërisht atë amalgamë – faktor koheziv që sot i mungon së tepërmi shoqërisë shqiptare.
Për fat të keq, roli që duhet të luajnë institucionet shtetërore dhe klasa politike në përgjithësi, në këtë drejtim, është jo vetëm poshtë niveleve minimale të pranueshme por shpeshherë përbëhet thuajse ekskluzivisht nga shembuj negativë. Në institucionet tona shpeshherë mungon flamuri kombëtar.
Edhe në ato raste që duket nga jashtë, është në gjendje të mjerueshme dhe pothuaj në të gjithë rastet i vendosur në një dru jo më shumë se 1.5 metër. A thua se vuan shteti për disa shtylla metalike prej 5 apo 10 metrash ku të vendosen flamuj aq të mëdhenj sa të paktën të dallohen nga blloku përballë i banesave! Edhe një iniciativë e ministrit të atëhershëm të Arsimit, Z. Genc Pollo, për të vendosur këndimin e himnit kombëtar në shkolla, sikur u harrua dhe nuk shihet më të zbatohet. Patriotizmi shqiptar sot mund të shihet vetëm në raste ndeshjesh të kombëtares (ku një pjesë e tifozëve e këndojnë himnin – por ka shumë nga ata që nuk e hapin gojën, sepse nuk e dinë atë…).
Dhe çfarë modelesh na ofrojnë “udhëheqësit tanë”?!
Ne kemi sot zyrtarë të lartë të shtetit me nënshtetësi jo shqiptare, ne paguajmë sot ambasadorë dhe punonjës ambasadash që kanë flakur pasaportën shqiptare dhe e kanë zëvendësuar atë me të ndonjë shteti tjetër, ne kemi dhjetëra përfaqësues të lartë të shtetit dhe të politikës që dinë pak ose aspak për historinë e popullit të cilin përfaqësojnë në arenën ndërkombëtare dhe që i bëjnë bisht çdo bisede apo akuze për Ballkanin, Shqipërinë dhe historinë, sepse thjesht nuk dinë asgjë çfarë të thonë.
Rënia e Kostandinopojës dhe Kostandini ilir me shqiponjën dy krenare!
Ne sot u japim të menaxhojnë paratë tona të taksave, arsimin, shëndetësinë, infrastrukturën, të ardhmen tonë dhe të fëmijëve tanë, një tufe imoralësh të nivelit më të rëndomtë që në horizontin e aspiratave të tyre kanë një dashnore, një makinë super të shtrenjtë dhe disa milionë euro në bankë (ndërsa interesat kombëtare, përkushtimi për punën, profesionalizmi nuk dihet se në ç’arkivë të mendjes së tyre është pluhurosur).

Dhe ironia kthehet në sarkazëm kur këta “baballarë të kombit”, edhe në fjalimet e tyre (zakonisht të përgatitura nga të tretë), edhe në fjalët e tyre (që gjithmonë i merr era) nuk dinë dhe nuk duan t’i japin këtij populli të çoroditur një drejtim patriotik, të fillojnë të paktën me fjalë të krijojnë atë strukturë normash morale, politike e sociale që të shërbente si bazë solide dhe e patjetërsueshme e kombit shqiptar dhe, pse jo, e strategjisë kombëtare.
Por këtë, ajme, nuk mund ta bëjnë ata që vlerat i kanë humbur e shkelur me kohë, ata që njohin vetëm aromë gruaje, tip makine dhe fëshfërimë euroje.
Realiteti shqiptar sot paraqitet deri diku i zvetënuar dhe shumë pak po bëhet që shqiptarëve t’u kthehet krenaria e të qenët shqiptar dhe që brezat e rinj të identifikohen së pari me të qenët pjesë e një kombi dhe jo të mendojnë që në moshë të njomë si të kenë një makinë, si të arrijnë një post sa më të lartë dhe si të bëjnë korrupsion e të pasurohen brenda një viti, pavarësisht së çfarë do t’ju duhet të sakrifikojnë: emrin, fenë, kombësinë, nderin apo moralin.
* * *

Duke dëgjuar muzikë shqiptare në youtube ndesha edhe në disa këngë të mrekullueshme për Çamërinë e për Kosovën. Dhe sinqerisht u emocionova. U entuziazmova edhe nga qindra e mijëra komente të shqiptarëve nga e gjithë bota që tregojnë patriotizëm. Që tregojnë që kombi shqiptar ende ruan vlera atdhetare, vlera për të cilat ka me se të krenohet.
Ai popull që harron gabon sërish; dhe ne, shqiptarët, e kemi provuar më së miri këtë.
Krijimi i ndërgjegjes kombëtare, konsolidimi i saj dhe përdorimi në kah pozitiv mund të bëhen përparësi e inteligjencies shqiptare, e pjesës më të shëndoshë të politikës dhe të mbarë atyre që ende krenohen me emrin shqiptar.

Elisabeta Kafia, G. Shqip

No comments: