Përpara se të ulesha të shkruaj për punë të akuzave ndaj Thaçit, u përpoqa të kuptoj më qartë akuzat që i varen në qafë: trafik organesh, armësh dhe droge.
Sa i takon akuzës për trafik armësh, zor të mendohet që në Kosovë u bë një Luftë që zgjati me vite, pa pasur trafik armësh, se lufta me dyfekë bëhet e jo me hunj gardhi, kështu që kjo punë nuk më duket ndonjë qamet i madh.
Ndërsa për punë të akuzës për trafik droge, zor të gjesh qeveritar të kësaj ane të Ballkanit që nuk është marrë me këto punë, apo që më e pakta nuk ka qenë akuzuar për punë drogërash.
Por kjo çështja e akuzave dhe përgojimit, ka edhe një qasje tjetër. Ne tani të gjithë u sulëm të akuzojmë të përjetshmet qarqe që nuk na duan të mirën, se po vazhdojnë të mos na duan të mirën dhe të na prishin reputacionin e llagartë të qeveritarit shqiptar.
Mirëpo si i bëhet që ka 200 vjet që akuzojmë të tjerët se nuk na duan të mirën dhe nuk u ulëm njëherë e të bëjmë edhe ne punën tonë, që të mos ngjitë llafi i tyre, por toni?
Më kujtohet nja 100 vjet të shkuara, kur serbët mbushën kancelaritë e Europës me sharje për ne, sharje që shkuan deri aty sa të thonë se shqiptarët kanë bisht. Aq shumë e thanë e aq shumë i mobilizuan mjetet e tyre të propagandës e diplomacisë, të shkencës e të gazetave, sa një pjesë e madhe e opinionit europian aso kohe, zuri ta besojë për të vërtetë këtë punën e bishtit. Sa të sqarohej puna se shqipot s’kishin bisht, serbët mbaruan punët e tyre dhe morën ç’mundën nga trojet shqiptare.
Edhe kësaj radhe reagimi ynë jo vetëm erdhi kur plasën akuzat, por edhe atëherë qe sa për të thënë. Meta u gjend në Beograd pikërisht në ditët kur vlonin akuzat kundër Thaçit dhe jo vetëm kundër tij, por edhe kundër vetë vendit të Metës, pasi Raporti thosh se ofiçina e organeve ishte në Shqipëri.
Për rrjedhojë i bie që edhe Këshilli që miratoi një ditë më pas raportin e të marrit qenkan shokët e të marrit. Dhe pastaj presim që ata të flasin mirë për ne.
Njëri syresh tha në televizor se nuk shkuan se Jozefina nuk ju jep paratë e dietave. Tjetra ikte me vrap kur shihte kamerat se nuk donte të prononcohej.
Më fantastiku nga të gjithë del ministri ynë i Jashtëm, që thërret ambasadoren e Zvicrës dhe i kërkon llogari. Demek, sepse Karla del Ponte është zvicerane! Me këtë mendje, duhet t’i kërkojmë llogari Arvizut për bombat atomike në Hiroshima, sepse edhe ky ka lindur në një bazë amerikane në Japoni.
Në mes të gjithë këtyre reagimeve foshnjarake, askush nuk vret mendjen të kuptojë se pse paska ngjitur propaganda e Serbisë dhe jo e vërteta jonë.
Përgjigjja është e thjeshtë, sepse serbët kanë shtet dhe janë seriozë edhe kur gënjejnë, ndërsa ne jemi kalamaj dhe s’na merr njeri seriozisht edhe kur themi të vërteta.
Serbët kanë ngritur një platformë akademike kundër nesh që prej më shumë se një shekulli dhe vazhdojnë t’i përmbahen e ta zbatojnë me të njëjtin impenjim. Ne edhe atë copë Akademi që na la Enveri e shpartalluam dhe tani nuk i ka mbetur më as nam e as nishan. Serbët kanë zbulim e kundërzbulim, kanë organe inteligjence, ndërsa ne kemi dy vjet që e vetmja gjë që merremi është të bëjmë komplote se si t’i presim fondet SHISH-it dhe t’i bëjmë puç për ta hequr, Kryetarin e Shërbimit tonë Inteligjent. Serbët kanë diplomatë e diplomaci, bëjnë lobing e pajtojnë edhe ekspertë perëndimorë për këtë punë, ndërsa ne as dymijë euro për të pirë nga një birrë për Festën e Flamurit nëpër ambasada nuk e kemi. Sepse serbët kanë e ç’nuk kanë, ndërsa ne nuk kemi atë kryesoren, shtetin prej vërteti.
Kur ndodhi ajo që ndodhi në Gërdec, sipas të njëjtit skenar, nxorëm edhe teorinë se depot na i shpërthyen serbët për të na destabilizuar. Prapë fajin e kishte i ligu që na do të ligën dhe jo ne që e dimë se kë kemi fqinj dhe s’dimë të mbrohemi. Klasa politike serbe është e nderuar para popullit të vet.
Ç’prej Kongresit të Berlinit të vitit 1878 e deri më sot, ajo klasë politike e ka përmbushur dhe vazhdon ta përmbushë misionin e vet para popullit të vet. Edhe kur ja doli t’i mbushte mendjen botës që të merrte trojet shqiptare që sot janë Serbi e Jugut, edhe kur ja doli të merrte Kosovën dhe ta mbante për një shekull, edhe kur për pak ja dolën ta bënin edhe Shqipërinë republikë të shtatë të Jugosllavisë, edhe kur i shkombëtarizuan dhe përzunë në Turqi një gjysmë milioni shqiptarë, edhe kur po detyrojnë ende botën mbarë të merret me hallin e dy manastireve të tyre që gjenden në Kosovë.
Po ne, ne ç’kemi bërë?
J'ua them unë se ç’kemi bërë.
Mjafton të kujtoj këtu se në këta njëqind e tridhjetë vjet, asnjëherë serbët nuk na i kanë bërë të keqen me serbë, por me shqiptarë të pa din e iman.
Shqiptarë ishin ata që bënin kryengritje në Mirditë kundër Shqipërisë më 1921 të paguar nga Serbia, shqiptarë ishin ata që përmbysën qeverinë e Tiranës në dhjetor të 1924 të nisur nga Serbia, shqiptarë ishin ata që thërrisnin për Titon në ‘45-ën, shqiptarë ishin ata që furnizuan me naftë Serbinë në ‘94-ën, shqiptarë ishin ata që dolën kundër UÇK-së në Rambuje, shqiptarë janë edhe këta të sotmit që bëjnë nga këto pelivanllëqet që pamë të bëjnë këto ditë.
Fazlliç në tryezën e shtetit shqiptar
Artan Lame, Shqip
No comments:
Post a Comment