Friday, December 10, 2010

Berisha: Pse u bëra komunist

Kryeministri Sali Berisha ka rrëfyer dje versionin e tij për anëtarësimin në Partinë Komuniste. Megjithëse ka qëndruar aty nga viti 1970 e deri në vitin 1991, z. Berisha e konsideron veten një disident, madje në një mbledhje ka mbrojtur, sipas tij, një berber që theu portretin e Enver Hoxhës.
Intervistën e mbrëmshme, një pjesë të së cilës mund ta lexoni më poshtë, z. Berisha e dha në emisionin "Opinion" në TV Klan. Këto ditë, në kuadrin e përkujtimeve për lëvizjet studentore të dhjetorit '90, disa ish-themelues të PD-së dhe drejtues të lëvizjeve të atëhershme, kanë hedhur dyshime të forta mbi rolin e Berishës. Në një seri artikujsh botuar në "Shekulli" këto, një nga drejtuesit e lëvizjes studentore, Shinasi Rama, prezantoi disa prova që, sipas tij, dëshmonin se Berisha ishte një nga njerëzit e infiltruar nga PPSH-ja për të marrë në dorë një lëvizje që regjimit i duhej për të përligjur rindarjen e pushtetit.


Zoti Berisha, kur u anëtarësuat në Partinë Komuniste?
Unë jam anëtarësuar në Partinë Komuniste në vitin 1970. Ka pasur dy arsye.
Arsyeja e parë, është sepse u ndikova në mënyrë shumë thelbësore nga pushtimi i Çekisë. E përjetova atë me një dhimbje dhe një emocion të paimagjinueshëm, sepse Dubçeku ngjalli shpresë në të gjithë botën komuniste. Ajo që u quajt pranvera e Pragës. Një natë, një ushtri prej 300. 000 trupash, tanke e të gjitha mjetet, pushtoi një vend që tentoi të dilte në liri ose të paktën kështu besonim. Ishte shumë e përhapur ideja se pas Çekisë do të ishte Shqipëria. Gjë për të cilën unë isha shumë i vendosur si qytetar të qëndroja në atë pozicion që duhet të qëndrojë çdo qytetar në rastin e një pushtimi kombëtar.
Së dyti, e vërteta është që në Shqipëri filloi një hapje.


Në cilin vit?
Kanë qenë besoj vitet 1969-1972, vite në të cilat në Shqipëri filluan të jepen filma italianë, si filmi "Më fal", apo dhe filma të tjerë.


Ju patët shpresë se do të ndryshonte?
Po, shumë shpresë, unë mjaft njëherë. Kisha shpresë se kishte filluar të jepej muzikë që nuk lejohej.


Pra, ju menduat një liberalizim i Partisë së Punës që ishte në pushtet, apo një përmbysje e saj?
Jo, një përmbysje në asnjë mënyrë, por mendoja se po shkojmë drejt hapjes. Meqenëse ne kishim dalë nga sfera ruse, mendoja se do të ecnim drejt Perëndimit. Këto filma që shfaqeshin, këto këngë që jepeshin, "Mami blu", Tom Xhons ose këngëtarë të tjerë. ...Pra, mendova se ne po ecim tashmë drejt perëndimit. Në të vërtetë, ne shkuam edhe më mbrapa. Filluan plenumet, me radhë, ekzekutimet, spastrimet masive, ecja drejt revolucionit kulturor kinez, u shfaqën me të gjithë shëmtinë e tij format e këtij revolucioni në Shqipëri dhe ky ishte fundi i besimit tim se do të mund të kishim ndryshime.


Po ju në atë kohë keni qenë Sekretar Partie dhe vazhduat të jeni deri në vitet 1990, apo jo zoti Berisha?
Sekretar Partie kam qenë gjithsej absolutisht jo më shumë se 3-5 muaj, me sa mbaj mend.


Në cilin vit?
Në vitin 1978 nga fundi dhe fillimi i vitit 1979. Detyrë, nga e cila më shkarkuan në mungesë.


Është thënë se keni qenë deri në vitin 1990 Sekretar Partie?
Absolutisht jo. Kjo është një gënjeshtër. Janë thënë shumë gjëra, se kam qenë shumë vite, se kam kuruar Enver Hoxhën...

Po në fakt, keni qenë apo jo pjesë e grupit që kuronin drejtuesit komunistë të kohës?
Unë kam qenë çdo ditë dhe çdo vit, pedagog në Universitetin Shtetëror të Tiranës. Nuk kam qenë, asnjë ditë, mjek i emëruar në klinikën e udhëheqjes. Kam qenë konsulent për të gjitha kategoritë e njerëzve, përveç Enver Hoxhës, duke përfshirë nga të burgosurit, politikë, apo ordinerë, në spitalin e burgut kur kishte nevojë, deri tek anëtarët e Byrosë Politike. Dua të theksoj se nuk kam qenë mjek i emëruar i Byrosë Politike, sepse nuk kam pranuar.


Nuk keni pranuar, apo nuk ju është ofruar?
Nuk kam pranuar.


Përse nuk keni pranuar?
Nuk kam pranuar, sepse unë kam dashur shumë profesionin e mjekut dhe ajo ishte një transformim tjetër. Unë kisha shokët e mi, të cilët punonin aty dhe ata në disa aspekte humbisnin shumë.


Ju është ofruar të ishit mjek në klinikën speciale, apo mjek personal i Enver Hoxhës?
Nuk më është ofruar kurrë të jem mjek personal i Enver Hoxhës, nuk më është kërkuar kurrë që të vizitoj Enver Hoxhën dhe as të kontribuoj në problematikën e tij shëndetësore. Ka pasur kritere shumë strikte Enver Hoxha në ata që përzgjidhte, dhe unë nuk përfshihesha, nuk plotësoja kriteret.


Çfarë kriteri nuk plotësonit?
Kriteret që më pengonin, ishin komplekse në fakt. Kishin të bënin me disa standarde të tij në lidhje me jashtë, ose me pozicionin gjeografik të shtëpisë sime, në Tropojë. Por unë kisha miq, pothuajse të gjithë ekipin që e trajtonte atë. Pra, unë refuzova që të isha mjek në organikën e tij speciale. Nuk pësova asgjë ç'është e vërteta, bëra shpjegimet e mia se nuk dua, pasi jam shumë i lidhur me shërbimin tim në spital. Kam qenë pesë muaj, kështu Sekretar Partie dhe u shkarkova në mungesë. Isha në Paris kur më zëvendësuan. Një berber përpara se të nisem, i ra me grusht portretit të Enver Hoxhës të vendosur nën një xham. Kjo u mor vesh. U kërkua që të bëhej mbledhja. Bëmë një mbledhje së bashku me të tjerët që drejtonin, vendosëm të themi se ky e bëri këtë akt, sepse i kishte syzet +11 dhe nuk pa se kë kishte nën xham. Kjo nuk u pëlqye, me sa duket. Nëse nuk do të ishte ky motiv, ai do të pësonte perkusione. Në fakt, ai nuk pësoi probleme, por mua më zëvendësuan.


Ka pasur komente se gjatë kësaj kohe, ose pas kësaj kohe, ju keni ndikuar në largimin ose internimin e disa kolegëve tuaj?
Në mënyrën më kategorike, kurrë. Asnjëherë s'kam ndikuar, asnjëherë nuk më është kërkuar dhe nuk kam dhënë kurrë mendim. Kjo është një shpifje e mirëfilltë, sepse nuk kanë guxuar kurrë të thonë një emër. E di pse nuk guxojnë, se është zero.


Ju e kishit njohur Ramiz Alinë përpara viteve '90?
Po.


Personalisht?
Po, personalisht.


Kishit shpresa se pas vdekjes së Enver Hoxhës, ai do të ndryshonte?
Fillimisht pas vdekjes së Hoxhës kisha iluzione. Vdekja e tij është pritur me gëzim në tërësi. Mos shih histerizmin që u ngjall nga vdekja. Por kam bindjen më të thellë, se qytetarët shqiptarë e pritën me gëzim vdekjen e Enver Hoxhës. Sigurisht që unë besova se Ramiz Alia, do të ndërmerrte një kurs ndryshimesh. Por ama, kam qenë nga të parët që hoqa dorë përfundimisht nga ky vendim, për dy arsye. Së pari, një mikun tim Spiro Deden, e ngarkuan që të shkruante biografinë e Enverit. Një libër, për biografinë e Enverit. Spiro ishte publicist, punonte në Institutin e Studimeve Marksiste Leniniste dhe mjaft i afërt me Enver Hoxhën, në redaktimin e veprave të tij dhe kështu që filloi punën. Por, me Spiron unë flisja hapur dhe kur vdiq Enver Hoxha, agjencitë e huaja kanë mbajtur qëndrimin më të shkëlqyer. D.m.th., e damkosën, përdorën të gjithë epitetet që ai meritonte. Spiro u trondit nga këto komente. Megjithatë, e ngarkuan të bënte biografinë. Pas disa kohësh, e takoj dhe i them, Spiro si po të ecën? Jo tha, iku nuk e kam më unë. Kush e ka? E mori shoku Ramiz, tha ai, që ta shkruajë vetë. Epo thashë me vete, ky paska ndryshuar. Në njëvjetorin, që ishte fundi i iluzionit tim, shoh Ramiz Alinë tek varri i Enver Hoxhës, të ulet dhe të puthë mermerin. Unë kisha një mik timin, Mehmet Elezin dhe i them, Mehmet, ky është totalisht në kontroll. Se qarkullonte një ide se ishte tërësisht në kontrollin e Nexhije Hoxhës. Ismail Kadare e zhvillonte edhe më tej këtë ide, që ishte në kontrollin e Nexhmijes dhe se Nexhmija i kishte një kasetë. Unë pas atij momenti, kam hequr çdo lloj besimi se Ramiz Alia do të mund të bënte qoftë dhe ndryshimet më minimale.


Përpara takimit tuaj shumë të diskutuar dhe komentuar të 9 dhjetorit 1990, kur e kishit takuar për herë të parë Ramiz Alinë dhe, a kishit biseduar me të?
Ramiz Alinë, nuk e kisha takuar ndonjëherë në takime pune, por gjatë vizitave mjekësore, kur kishe raste të sëmurësh të tjerë, në spital apo klinikë dhe e njihja.


Dhe cila ishte përshtypja që kishit krijuar për të nga takimet?
Takimet i pata para asaj ngjarjes, që pashë se puthi varrin e Enver Hoxhës dhe krijova përshtypjen e një gënjeshtari. Ky Ramiz Alia, në karrierën e tij politike, kishte mbijetuar nëpërmjet makinacionit dhe gënjeshtrës.


Ai ishte numri një i regjimit, përse duhet të gënjente?
Numri një ishte Nexhmija, nuk ishte ai. Problemi është se ai ishte vendosur në numrin një.


Është reale kjo, apo një legjendë?
Absolutisht reale. Ai zhduku të gjithë zonën e parë operative me ndihmën e Nexhmijes, sepse Enveri ishte debilosur. Nuk mund të them se Enveri kishte kapacitete intelektuale që të merrte vendime. Zhdukjen, për të cilën nuk kisha asnjë lloj keqardhje, sepse nuk mund të kishte keqardhje për zhdukjen e Mehmet Shehut, për atë qëndrim mizor. Përkundrazi ndjeje një lehtësim sepse po rrallohej oborri i tyre. Por në këtë kontekst Ramiz Alia, ishte një mashtrues ordiner në çdo gjë. Ai pati një betejë të brendshme me të gjithë, me Mehmet Shehun, me Kadri Azbiun e të tjerë, që të gjithë u likuiduan. Vetëm e vetëm, për t'i hapur oborrin. Po kështu u veprua edhe me Llambi Ziçishtin, që për hir të vërtetës ishte një intelektual pozitiv, unë e kam pasur edhe dekan edhe ministër. Ramizi e ekzekutoi me akuzën më monstruoze, se ishte agjent i CIA-s, sepse takoi një profesor të Skënder Shehut në plazh. Ramiz Alia, ishte për mua një njeri që po ekzekutonte njerëz, për të cilët unë personalisht nuk kisha asnjë lloj keqardhje, përveç Llambi Ziçishtit.


A është e vërtetë që Ramiz Alia, ashtu si ju, vinte nga Tropoja?
Ramizi është një person që ka frikë të thotë origjinën e tij. Kur po shkonte afër majës, Nexhijes, se Nexhmija ishte maja, u përpoq të gjente origjinën. Shkoi në Tropojë, mirëpo fshati i tij është karshi shtëpisë sime. Shkonte në Kasaj në lagjen Aliaj, se është një lagje aty. Njerëzit e mi, më thanë se këta u shpërngulën nga Kasaj, më duket për arsye gjaku, për në Gjakovë, e nga aty shkuan në Shkodër. Ky guxoi më së fundi të kërkojë rrënjët e tij, që nuk i gjeti. Ndaj, unë nuk mund të them, nëse është nga Kasaj, apo nga Shkodra.


Ju dhe Fatos Nano keni dhënë intervistë tek "Zëri i Popullit". Si ndodhi?
Shumë e thjeshtë, sepse gjërat kishin dalë të gjitha. Ishin thënë në takim. "Zëri i Popullit" kishte mbetur jashtë zhvillimeve. Për këtë, ata thirrën një grup 5 personash, ishte Alfred Uçi, Luan Omari, unë, Fatos Nano dhe një tjetër. Aty u ftuam për të dhënë mendime. Bashkëpunëtorët e mi, miqtë, më thoshin Sali nuk po kuptohet qartë ky pluralizmi politik. Dhe unë aty në atë intervistë, them që me sa duket, pluralizmi i mendimit nuk po mund të zhvillohet se s'po e lejonin. Ndaj, është e domosdoshme të krijohen organizata të strukturuara mbi bazën e mendimit politik të ndryshëm. Të hapet debati për pluralizmin politik.

Por, ndërkohë, ju dhe Nano ishit krejt të rastësishëm në këtë zgjedhje?
Nano ishte në sektorin ekonomik të Institutit të Studimeve Ekonomike...


A mund të thuhet që kjo ishte një bërthamë e përzgjedhur në rast ndryshimesh për t'u katapultuar në politikë?
Kjo është e pamundur.


Në shkurt të vitit 1991, ju u zgjodhët kryetar i Partisë Demokratike. A keni pasur ju ndonjë ndihmë nga jashtë, apo nga faktorë të tjerë, për të ardhur në krye të PD-së?
PD-ja u themelua si e tillë, por larg së qenit një parti. Ishte një lëvizje. Në komisionin drejtues, ku unë isha anëtar, kisha fjalën time dhe peshën time. Me 4-5 përfaqësues të PD-së, isha në një takim me Ramiz Alia dhe kur u kthyem ishte bërë një mbledhje e befasishme, ku ishte shkarkuar Azem Hajdari. Dhe vendosje në krye të partisë të Aleksandër Meksit.



Hipokrizia e kryeministrit Berisha ndaj ish-presidentit të fundit komunist. Ramiz Alia, pasaportë diplomatike me numër D 0000929

Akuza për masakra dhe ekzekutime, por edhe pasaportë diplomatike Ramiz Alisë
Marrëdhënia mes ish-sekretarit të partisë, Sali Berisha, dhe ish-presidentit të fundit komunist të Shqipërisë, Ramiz Alia, në dy dekadat e fundit ka qenë hipokrite. Në dhjetor 1990, fill pas kthimit nga Italia, sipas kujtimeve të Alisë, Sali Berisha u thirr në zyrën e presidentit për ta dërguar te studentët, që të "negocionte" meqë drejtuesi i protestës, Azem Hajdari ishte po tropojan, si mjeku kardiolog. Më pas, Berisha do të shprehej se kishte shkuar atje për t'u vënë në krye të lëvizjes që do të shënonte lindjen e pluralizmit partiak në Shqipëri. Pas ardhjes në pushtet me zgjedhjet e 22 marsit 1992, Sali Berisha do ta akuzonte për gjenocid ish-presidentin dhe ai bashkë me ish-anëtarë të tjerë të Byrosë Politike do të përfundonte në gjyq dhe në burg. Pak muaj më parë Sali Berisha, me cilësinë e kryeministrit do të niste një fushatë tjetër përndjekjeje ndaj ish-presidentit Alia. Ai do ta akuzonte si organizator të masakrës së Tivarit, një ngjarjeje të rëndë të kryer nga ushtria jugosllave, ku gjetën vdekjen rreth 4000 shqiptarë të Kosovës. Në atë kohë, Ramiz Alia ishte komisar politik i një pjese të ushtrisë partizane të Shqipërisë, që kishte shkuar deri në Bosnje për të ndihmuar në çlirimin e Jugosllavisë. Historianë nga Kosova dhe Shqipëria argumentuan me fakte historike se Alia nuk kishte tagrin të jepte urdhra të tillë dhe se kjo ishte vepër e serbo-malazezëve për të zhdukur një pjesë të nacionalistëve shqiptarë të Kosovës, që të mos kishin rezistencë pas çlirimit për të vendosur sundimin e plotë në Kosovë. Por, kjo nuk e pengoi Berishën që të urdhëronte ngritjen e komisionit hetimor parlamentar për të zbuluar dokumente dhe gjetur dëshmitarë që të implikonin rolin e Ramiz Alisë në ngjarjen e vitit 1945. Deri më sot, anëtarët demokratë të komisionit thonë se kanë mbledhur mjaft informacion, dhe ndonëse afati 3-mujor i funksionimit të komisionit po mbaron, nuk është bërë asgjë e ditur për rolin e ish-presidentit në masakër. Nga ana tjetër është po qeverisja e Sali Berishës që është përkrah Ramiz Alisë, madje edhe në thyerje të ligjit. Ish-presidenti i akuzuar kaq shumë (dje akuzave iu shtua edhe deklarata tjetër e Berishës se Alia ka ekzekutuar Llambi Ziçishtin) aplikoi për pasaportë diplomatike dhe kërkesa... iu pranua. Pasaporta e tij, mban numrin D0000929 dhe skadon në vitin 2016.





Shinasi Rama: Dhjetor '90, kur Berisha ruhej me operativë civilë në distancë *
"...Pika kyçe këtu është se studentët atë natë nuk e dinin se çfarë të kërkonin. Ato u takuan në mes të natës për një orë me presidentin Ramiz Alia por nuk kishin as edhe një kërkesë të mirëfilltë politike për t'i parashtruar. Për më tepër ato ishin kaq të nënshtruar dhe me respekt karshi tij sa që Alia e ndjeu të nevojshme të jepte urdhërat që të rriheshin mirë në mënyrë që fitonin ndërgjegjësimin e nevojshëm politik por jo me shume se duhej. Qëllimi ishte, natyrisht që t'i shtynte studentët që të fillonin të mendonin ndryshe, inlektualët të fitonin kohë, dhe që mekanizmat të viheshin në punë si duhet. Pra, udhëheqja më e lartë e parties, e cila çuditërisht kishte ndenjur zgjuar gjithë natën, e dinte se studentët ishin konfuzë dhe nuk dinin se çka donin - si u tha më lart, disa me ne krye Azem Hajdarin ishin takuar me Alinë dhe nuk kishin thënë ndonjë gjë interesante, ne fakt asgje me u mbajte mend - dhe prandaj 'duetet' e 'trojkat e intelektualëve që e kishin krijuar emrin e tyre si 'disidentë' në pesë muajt e fundit u vunë në punë dhe u dërguan që t'i udhëheqnin dhe t'i mësonin që të bënin 'çka duhej' dhe çka ishte më e mira për partinë, socializmin, dhe kastën sunduese. Gjithashtu, shumë kujdes u tregua për të kultivuar disa njerëz të besueshëm si udhëheqës të studentëve. Në fakt, zgjedhjet ishin bërë me kohë se kush do të ishin 'liderët' e studentëve dhe kjo ishte krejtësisht në rrjedhën normale të gjërave. Disa pedagogë të rinj filluan të përziheshin por shumica qëndruan në konviktet e tyre të bindur se kjo ishte 'loja' për të cilën flitej tash një muaj. Në mënyrë direkte dhe të drejtpërdrejtë, Sali Berisha, i derguar aty prej Xhelil Gjonit dhe i shoqëruar nga një i punësuar në Institutin e Studimeve Marksiste-Leniniste të Nexhmije Hoxhës, e njëkohësisht sekretar i KQ te BRPSH, Besnik Mustafaj, u dërguan që të qëndronin mbrapa ndërtesës së tashme të Ambasadës të SHBA. Berisha duhej të merrte udheheqësinë e studentëve dhe të bëhej lideri intelektual për të cilin regjimi kishte kaq shumë nevojë. Jo vetëm që këto të dy nuk u arrestuan por ruheshin edhe me operativë civilë në distancë..."

*Pjesë nga seria e kujtimeve për Dhjetorin '90 botuar në Shekulli në 7,8 dhe 9 dhjetor 2010 nga prof.Shinasi Rama

Shekulli

No comments: