Thonë se u ka sosur durimi. Deri në atë pikë sa, sapo të hiqen vizat do të nisen ta kërkojnë shpëtimin dhe fatin drejt Brukselit.
E jo thjesht me ndonjë takim protokollar me krerët më të lartë drejtues të Europës së ëndërruar edhe kur shumë shqiptarë të tjerë e përbuznin. Por do të shpërthejnë shpirtin që iu vlon kaherë pa shpëtim në vendin e tyre, ku as dikur, as tash nuk po e gjejnë veten. Dhe do shprehen vërtetësisht, ashtu siç ndiejnë. Me një grevë të paqtë e njëkohësisht tronditëse urie, mu përpara Parlamentit Europian. Duke kërkuar deri azil politik, e jo në kohët e Shqipërisë komuniste, por paradoksalisht të asaj postkomuniste.
"Do të kërkojmë azil politik, do të futemi në grevë urie, që ta dijë Europa se në ç'gjendje i ka katandisur ish-të burgosurit politikë shqiptarë atdheu i tyre, në të cilin as ka pasur, as ka demokraci dhe drejtësi. Një vend ku fitojnë e janë ende në pushtet ata që na vranë e persektuan. Një vend ku ndihesh i huaj, pasi fitojnë vetëm hajdutët, imoralët, kontrabandistët, servilët, spiunët", shprehet për 'Shekullin' Gjergj Ndreca, sekretar i Shoqatës së Rehabilitimit për Drejtësi dhe Dinjitet të ish-të persekutuarve politikë, e cila numëron 450 anëtarë. Dhe jo thjesht me fjalë, por me vepra për këtë qëllim janë mbledhur 100 ish-të burgosur të komunizmit, të cilët fill pas 16 dhjetorit, ditës kur s'do të ketë më viza, do ta kenë të afërt ditën e nisjes për rrugë drejt Brukselit. Në këta 100 të parë, 15 janë anëtarët e kryesisë së shoqatës, si për shembull kryetari 82-vjeçar i shoqatës, Xhaferr Agaraj, Fatmir Lamaj, Bedri Blloshmi, Edmond Halimi, Haxhi Baxhinovski, Gjon Kola, Mëhill Gjini etj.
Ndërkohë që në kryeqendrën e institucioneve europiane, Bruksel, i presin edhe 50 ish-të burgosur të tjerë, të cilët do të mblidhen aty posaçërisht nga diaspora. "Shpenzimet e rrugëtimit tonë kolektiv do t'i marrë përsipër biznesmeni i njohur shqiptar në SHBA, Beqir Çaushi, nipi i Hysen Haxhisë, i cili ka bërë 16 vjet nëpër burgjet komuniste", thotë Ndreca. Dhe jo vetëm grevë urie. Si simbolikë të protestës në Bruksel janë blerë edhe 220 metra vargonj hekuri, nga ai që përdoret për të lidhur makinat në dëborë, dhe me të do të rrethojnë simbolikisht Parlamentin Europian. "Disa njerëz të qeverisë, të cilët e kanë marrë vesh gjithë sa u tha më sipër, për të na zmbrapsur na pëshpërisin se po të shkojmë atje do na rrahin policët e BE-së. Por ne do kërkojmë të drejtat tona paqësisht. Edhe po na rrahën, neve na kanë rrahur komunistët në Qafë të Barit, Spaç, Burrel. Na e kanë thyer kurrizin, kështu që nuk kemi frikë. Jemi të frymëzuar që të çojmë në vend amanetin e bashkëvuajtësve tanë", thotë ish-i përndjekuri politik, anëtar i shoqatës, Fatmir Lamaj.
Dëshmshpërblimet, arsyeja që i shtyn ish-të persekutuarit drejt protestës
Greva e paralajmëruar: Në Shqipëri ka aparteid politik
Çfarë i detyroi të futeshin pak muaj më parë në grevë urie në Tiranë e tani drejt grevës së paparë të urisë në Bruksel? Ja si u shprehën pak ditë më parë për "Shekullin' disa prej ish-të persekutuarve, që tani kanë vendosur pa kthim realizimin e kauzës së tyre dhe jo vetëm të tyres:
Gjergj Ndreca:
"Kërkojmë të dëmshpërblehemi sipas ligjeve dhe Kushtetutës. Ne sot kemi humbur statusin e qytetarëve normalë. Nuk jemi as qytetarë të dorës së tretë apo të katërt dhe ky është përsëri një aparteid politik. Ne nuk duam lëmoshë, por rehabilitim, integrim dhe drejtësi me dinjitet. Ka katër ligje në fuqi për dëmshpërblimet dhe për ne është miratuar ligji që jep vlerën më të vogël, që llogarit punën e detyruar në burg, por jo dhunën, torturat, mungesën e lirisë dhe dinjitetit.
Është dëmshpërblyer më shumë Fatos Nano e të tjerë byroistë këto kohë, se sa ne që kemi bërë burg në kohë më të vështira. Ministri i Drejtësisë, Bujar Nishani, na premtoi që çdo një muaj do të dilnin një mijë emra dhe një listë e saktë e të persekutuarve, por kanë kaluar 3 muaj nuk është bërë asgjë. Ne kemi shokët tanë që kanë bërë nga 30 vjet burg e kanë me dhjetëra të pushkatuar në familje dhe nuk kanë marrë kokërr leku e janë duke vdekur në mjerim. Ndërsa gjithë fëmijët e ish-byroistëve si pasardhësit e Feçor Shehut, Mehmet Shehut etj. kanë marrë. Në këtë vend mjafton të jesh ish-komunist spiun, servil dhe gojëkyçur dhe të hapen dyert. Ndërsa kur vdes një nga ne gëzojnë se thonë: 'vdiq dhe një armik'.
Fatmir Lamaj
- Ne duam ta marrim brenda vitit dëmshpërblimin që na takon, jo në tetë vjet, sepse jemi specie në zhdukje.
Kemi qenë rreth 6000 ish-të përndjekur në vitin '90, sot kemi mbetur 1800. Të tjerët kanë vdekur. Dhe imagjinoni, ka tre vjet që ka dalë ligji dhe nuk ka mbaruar së dhëni akoma kësti i parë.
Po marrin inkuzitorët tanë nga 30.000 lekë pension. Merr ish-prokurori famëkeq Aranit Çela pension të posaçëm prej afërsisht 75.000 lekë në muaj. Ndërsa ne, të vuajturit edhe në pseudodemokraci marrim nga 15.000 lekë/muaj. Më mirë të kërkojmë strehim politik në Korenë e Veriut, se sa në një neokomunizëm hipokrit si ky shqiptar. Ne gjendemi vazhdimisht nën opiumin e gënjeshtrave të qeverisë në pushtet. Nëse hapet toka e këtij vendi nga Saranda në Tropojë gjen kockat tona. Por ne nuk morëm asgjë që meritonim.
Na drejtojnë akoma vrasësit tanë. Nuk është e habitshme që në çdo zyrë të shtetit shqiptar janë ose ish-zyrtarët e kohës ose pinjollët e tyre. Nuk është habi që edhe ata pak ish-të persekutuar që punësoi zoti Berisha në fillim të ardhjes në pushtet për imazhin e tij, tani janë pushuar nga puna në administratën e lartë
Magdalena Alla, G. Shekulli
No comments:
Post a Comment