Sunday, December 26, 2010

Karoatrecët, miliona dhe konflikt interesi

TIRANE-Një autoveturë "Mercedez- Benz", me targa të Tiranës, zbarkoi si shumë të tjera të martën në mesditë në pikën e bllokimit të automjeteve në Unazën e Re, e cila përdoret nga Policia Rrugore për ndëshkimin e automjeteve kondravajtëse që bllokohen nga policia rrugore e Tiranës kur konstatohen të vendosura në mënyrë të kundra ligjshme, apo kanë mungesë dokumentacioni.

Sipërfaqja prej më tepër se 6 mijë metrash katrorë numëron me qindra mjete, por vend ka ende. Herë pas here vjen ndonjë person që merr dokumentet në kruskotin e veturës së tij. Në një kabinë ndodhet punonjësi që administron fletët e gjobave të prera nga policia dhe proces- verbalet e hyrjes apo të daljes së mjeteve."Targën e mjetit, ju lutem, -të thotë zotëria nga brenda kabinës. Pronari i mjetit nga jashtë sportelit i jep të dhënat, punonjësi i dorëzon ca dokumente kërkuesit që largohet. Një tjetër person ndërsa ka paguar detyrimet e tij ndaj policisë, troket për të marrë automjetin e tij. Nëpunësi i kujton se veç detyrimit që ka për gjobën e policisë dhe transportin me karoatrec, pagesa e parkimit është një tjetër pagesë që duhet shlyer.


Kjo është pamja që të ofrohet në pikën e bllokimit të automjeteve të Policisë së Shtetit e cila, administrohet nga një shoqëri private e përzgjedhur me tender publik, në vitin 2009.
Hije dyshimi për një histori abuzive nisën të bien mbi këtë tenderim, thuajse një vit më parë, kur në ambientet e vetë policisë nisi të përflitej se përzgjedhja e subjektit ishte kryer në favor të një zyrtari të Ministrisë së Brendshme.
Z.Ramë Oruçi, ish- drejtuesi i Qendrës së Administrimit të Automjeteve, më parë ka qenë pronar i disa automjeteve karoatrecë që punonin rrugëve të Tiranës, për tërheqjen e automjeteve. Ai ishte një nga shumë të tjerë që kishin karoatrecët e tyre duke i vënë në shërbim të policisë kundrejt një pagese prej 3 mijë lekësh të reja të vënë si çmim "aforfe".
Vetë z.Oruçi, ka mohuar në një intervistë për "Shekullin", të ketë lidhje apo të jetë përfshirë në këtë procedurë, pasi, siç shprehet, nuk ka pasur mundësi për të ndërhyrë apo ndikuar.

Për më tepër sipas tij, subjekti që kryen këtë veprimtari është në pronësi të një italiani, të cilin "ai e njeh dhe ka punuar për të, por vetëm kaq".
Quhet "Edilizia Dossetti", subjekti italian që është fituesi i procedurës. Administratori është kunati i z.Oruçi dhe quhet Elvis Spartaku. "Nuk kam asnjë lloj lidhjeje me asnjë prej personave të punësuar, apo me administratorin e këtij subjekti,- tha Oruçi, gjatë intervistës për "Shekullin".
Por ky tender që merret me një aktivitet me mjaft ndikim në jetën e qytetarëve të kryeqytetit, megjithëse i zhvilluar në Drejtorinë e Policisë së Qarkut të Tiranës, ka tërhequr vëmendje të madhe nga Agjencia e Prokurorimit Publik, nga Avokati i Prokurimeve.

Ata kanë qenë të interesuar për të ndërhyrë në mënyrë energjike për të anulluar procedurën e zhvilluar në qershor të vitit 2009.
Tenderi i zhvilluar për herë të parë u fitua nga subjekti Bogova sh.p.k, por u anullua për motivacionin e mungesës së shërbimeve të ngjashme, nga subjekti fitues. Në procedurën e dytë kjo kërkesë nuk u pa e arsyeshme të vendosej.

Specialistë të Policisë rrugore e cilësojnë abuzive anullimin e kësaj procedure dhe përzgjedhjen e firmës Edilizia Dossetti si fituese. Pas anullimit të procedurës së muajit qershor 2009, tenderi me objekt "Ruajtje parking dhe transport me karoatrec", për automjetet e bllokuara nga Policia Rrugore e Tiranës, u zhvillua në shtator të vitit të kaluar. Komisioni i vlerësimit të ofertave që herën e parë kishte shpallur fitues subjektin "Bogova sh,pk", për një vlerë prej rreth 13 milionë lekësh të vjetra, herën e dytë shpalli "Edilizia Dossetti"- n, pronar i së cilës është identifikuar italiani Fulvio Doseti (Fulvio Dossetti).

Administrator i subjekti, është Elvis Spartaku, vëllai i gruas së ish- Drejtorit të Parkut të Ministrisë së Brendshme, Ramë Oruçi. Deri para pak javësh z.Oruçi ishte drejtor i Parkut të Automjeteve të Ministrisë së Brendshme. Përpara se të emërohej në krye të Parkut të Mirëmbajtjes së Automjeteve të Policisë së Shtetit dhe Ministrisë së Brendshme, Oruçi ishte bashkëpronar i subjektit Oruçi sh.p.k, që ai pohon se e ka administruar me të vëllanë. (referuar deklaratës së pasurisë). Veç kësaj, gjatë viteve 2006 e 2007, ai ka pasur në pronësi edhe disa kamionë karoatrecë, të cilët punonin në varësi të nevojave të Policisë Rrugore të Tiranës. Ish-oficerë të policisërrugore hedhin dyshime mbi këtë të fundit se kishte ngritur një sistem biznesi të marrjes së mjeteve me karoatrec, duke bashkëpunuar me policët. Edhe këtë fakt Oruçi e ka mohuar gjatë intervistës së dhënë për "Shekullin".

Institucionet e prokurimeve, lojë me "shërbimet e ngjashme" Ideja e krijimit të një pike të posaçme për automjetet e bllokuara nga Policia Rrugore zë fill që në vitin 2006. Në atë kohë ish- shefi i Policisë Rrugore të Tiranës, Shkëlzen Alia, e pa oborrin e Policisë rrugore të Tiranës si të pamjaftueshëm për të përballuar fluksin e automjeteve që bllokoheshin. Ai ua propozoi idenë eprorëve dhe u bë gati një projekt urdhër i përbashkët i Ministrisë së Brendshme dhe të Financave për tarifat e mjeteve të bllokuara që gjendeshin me kundravajtje të ndryshme.

Ky projekt u bë urdhër ndërsa më parë, ish- Ministri i Brendshëm Sokol Olldashi kishte përcaktuar edhe procedurën që do të ndiqej me mjetet e bllokuara. Në vitin 2009, baza ligjore si urdhrat përkatës si dhe lista e çmimeve e miratuar nga Ministria e Brendshme dhe ajo e Financave, ishin gati bashkë me disa urdhra të tjerë të nevojshëm. Për disa muaj rresht, strukturat e Policisë së Qarkut të Tiranës, punuan për të përgatitur mënyrën se si do të realizohej dhe organizohej pika e bllokimit, duke përpunuar kërkesat dhe specifikimet teknike që duhet të plotësonte një pikë bllokimi dhe një subjekt që do
të fitonte të drejtën për të administruar atë. Në maj të vitit 2009, Drejtoria e Policisë së Tiranës hapi procedurën për realizimin e tenderit të mësipërm, me objekt ofrimin e shërbimit me objekt "ruajtje dhe parkim automjetesh transport me karoatrec", me një vlerë prej 16 milionë e 666 mijë lekësh pa TVSH.

Në procedurën e parë, të zhvilluar me 3 qershor, u paraqitën subjektet "Nari", sh.p.k, Xhast sh.p.k, Klindi sh.p.k, "Vëllezërit Sallaku", "Edilizia Dosseti", dhe "Bogova sh.p.k". Komisioni i Vlerësimit të Ofertave shpalli fitues subjektin "Bogova" sh.p.k, në pronësi të Agron Meçes, i u cili njëkohësisht kishte një aktivitet ndërtues. Oferta e tij u cilësua më
e ulëta dhe ekonomikja, krahasuar me atë të subjektit "Vëllezërit Sallaku", me qendër në Vorë, ndërsa "Edilizia Dosseti" u rendit në këtë procedurë e treta, nisur nga çmimi i realizuar.
Afësisht 133 milionë lekë ishte oferta e paraqitur nga Bogova sh.p.k. Subjektet e tjera, "Klindi", "Xhast" dhe "Nari", sh.p.k, u skualifikuan për arsye të ndryshme. Më tej dy firmat e tjera "Vëllezërit Sallaku", dhe "Edilizzia Dossetti", u renditën më poshtë,për shkak se çmimi i tyre ishte më i ulët. Agron Meçe, pronari "Bogova sh.p.k", gjatë një bisede me "Shekullin" në kuadër të këtij vëzhgimi, pranoi se oferta e tij ishte më e mira, për komisionin dhe se ai duhej të kishte lidhur kontratën, por Agjencia e Prokurimit Publik (APP), si dhe Avokati i Prokurimeve, pretenduan se procedura kishte pasur mungesë në drejtim të kryerjes së shërbimeve të ngjashme. Subjektet që u skualifikuan, ose që nuk u shpallën fituese kishin ankimuar përzgjedhjen në Agjencinë e Prokurimit Publik, si dhe pranë Avokatit të Prokurimeve.

Kjo është procedura e parë tenderuese e kësaj natyre dhe askush më parë nuk ka pasur një kontratë të ngjashme. Duke qenë se të gjithë subjektet konkurente ishin vendosur në pozita të barabarta, u rekomandua anullimi i procedurës, duke vënë Drejtorinë e Policisë së Qarkut të Tiranës përballë një fakti të kryer.
Ky pretendim bie ndesh me kërkesat dhe specifikimet teknike të miratuara për këtë rast nga vetë APPP, duke qenë se një procedurë e tillë, realizohej për herë të parë në llojin e saj, gjatë procedurës së dytë të këtij tenderi të zhvilluar në muajin shtator po gjatë vitit të kaluar (2009).

Stresi i një karro-tërheqësi , ankthi ynë i përditshëm

Dy të rinj ecin të shkujdesur buzë rrugës drejt vendit ku kanë parkuar makinën. Por çdo hap që hedhin në fytyrë u stampohet një hije e hidhur dyshimi. Makina nuk duket aty ku e kishin lënë dy orë më parë. Pronari i makinës vendos dorën në xhep dhe kërkon për çelësin. Ai ndodhet aty. Në mendje i kalon një ide e frikshme:makinën ia kanë vjedhur. Tërë frikë nxjerr telefonin nga xhepi dhe shtyp 129. Nga ana tjetër e telefonit vjen përgjigjja: Alo, policia. I trembur pronari i makinës i shpjegon se nuk po gjen mjetin në vendin ku e kishte lënë. Polici i 129-ës është i qetë. E këshillon të
pyesë në policinë rrugore në numrin 126. Në telefonatën e dytë, polici i dytë merr të dhënat e makinës. Dhe kthen përgjigjen: Makinën ta kanë marrë me karroatrec. Mund të shkosh e ta gjesh tek parkimi i madh që është tek Unaza e Re.
Pronarit të makinës i vjen ngjyra e fytyrës. Për ca sekonda është edhe i lumtur që mjetin ia kanë marrë me karroatrec. Ai duket të paguajë rreth gjashtë mijë lekë të reja, por kjo nuk i duket asgjë, përballë ankthit që mund t'ia kishin vjedhur.

Pronari i mjetit siguron paratë e kërkuara, gjen taksinë e parë dhe niset për tek pika e bllokimit. Pas rreth një ore udhëtim në trafikun e Tiranës dhe një mijë lekëve të reja të paguara tek taksisti, pronari i mjetit sheh makinën e tij të hedhur në mënyrë të çuditshme në mes të një fushe të madhe me baltë. Roja e parkimit të sheh me një buzëqeshje në fytyrë dhe të jep në dorë disa letra. "Janë fleta e gjobës, paratë e karroatrecit dhe disa gjëra të tjera. Të lutem merr dokumentet e makinës dhe shko paguaje gjobën tek komisariati i policisë rrugore që ndodhet në anën tjetër të qytetit",- i thotë roja e parkingut.
Ai i shpjegon se gjoba nuk mund të paguhet aty por domosdoshmërisht duhet të shkojë tek policia rrugore për të marrë një letër ku shkruhet se ka paguar të gjitha gjobat e vjetra.
Sërish më shumë se një orë udhëtim në trafik dhe sërish një mijë lekë të reja të paguara taksisë së dytë dhe pronari i makinës gjendet përpara sportelit të policisë: Një zonjë e sjellshme i thotë: Shko bëj një fotokopje dokumenteve të
makinës, fletës së gjobës dhe gjithçkaje tjetër dhe më pas shko tek zyra postare për të paguar paratë.
Fatmirësishtfotokopjet nuk janë shumë larg komisariatit të policisë dhe pronarit të makinës nuk i duhet të marrë sërish taksi.
Pasi ka mbaruar punë me fotokopjet pronari i makinës paraqitet këtë herë tek zyra postare. Të teta orët e punës së kësaj zyre postare mbushen vetëm me njerëz që duan të nxjerrin makinat e bllokuara dhe sportelistja është ndoshta një nga ekspertet më të mira të përpilimit të dokumenteve. Për 90 sekonda ajo të jep letrat në dorë dhe i thotë: "5800 lekë zotëri. 4000 lekë bën shërbimi i karroatrecit, 1000 lekë është gjoba që të ka vendosur polici rrugor për parkim të gabuar, 800 lekë është parkimi i makinës në vendparkimin e karroatrecëve".

Me faturën e postës në dorë, pronari i makinës paraqitet edhe një herë në sportelin e policisë. Gruaja e sjellshme i jep në dorë një letër ku tregohet se ai ka shlyer të gjitha detyrimet. Sapo del nga sporteli i policisë pronar i makinës sheh një taksist që ia bën me dorë: Eja se të shpie unë atje. Do të të marr vetëm 500 lekë. Taksisti e di shumë mirë se ku do shkojë ai njeriu që doli nga sporteli i policisë. Si ai ka shpënë edhe tre persona të tjerë brenda ditës. Ora është ende 13.00, ndoshta ka për të dërguar edhe ndonjë klient tjetër përpara orës 15.00. Këtë herë trafiku është më i rënduar
dhe udhëtimi i kalon ndjeshëm 60 minutat. Më në fund "odiseja" e pronarit të makinës ka përfunduar. Ai ka marrë sërish mjetin e tij. Kur gjithçka është kthjelluar ai kujtohet të pyesë: po përse ma morën makinën me karroatrec, aty nuk kishte asnjë tabelë dhe unë nuk isha i vetmi që kisha parkuar në atë vend?

Roja i parkingut duket shumë i gatshëm që ta ndihmojë. "Ndodh që këta të policisë gabojnë. Nëse mendon se ke të drejtë unë them ta hedhësh në gjyq. Por të fitosh gjyqin, këta të firmës të japin paratë mbrapsht",- është këshilla e tij. Të hapësh padi civile, të marrësh avokat, të paraqitesh disa herë në gjykatë, të "gjesh" provat dhe të shpenzosh
orë të tëra për 5800 lekë.
Pronari i makinës tund kokën dhe largohet me një buzëqeshje të hidhur në fytyrë. Nuk ia vlen! 

G. Shekulli

Duke qenë se ky është një problem që prek e dëmton padrejtësisht kryeqytetasit, për këtë fenomen kanë shkruar shpeshherë dhe ende nuk është marrë asnjë masë. Lexoni edhe një artikull të shkruar nga ne:
Mafia shtetërore e karrotrecave !
http://stopinjorances.blogspot.com/2010/03/mafia-shteterore-e-karrotrecave.html

dhe një tjetër nga Elsa Ballauri
Ndal Karrotrec !
http://stopinjorances.blogspot.com/2009/10/ndal-karrotrec.html

No comments: