Monday, December 6, 2010

Pavarësia/ Flamuri shqiptar, i pikturuar më 1459

Një version i prejardhjes së flamurit të shqiptarëve, i vendosur shumë më herët në histori, me kohën e kultit pagan të diellit dhe simbolikës që përfaqësonte atë

Shqiponja dykrenore është e dokumentuar qartësisht tek paraardhësit tanë, që nga shek. VI p.e.r.(para erës së re).
Që në periudhën e bronzit kemi nga paraardhësit tanë, me formën e artit të lashtë, të dëshmuara koka të shpendit me drejtime të kundërta në objekte kulti dhe zbukurimi, por që gjithmonë edhe këto të dytat kanë ngarkesa religjioze të besimeve të lashta.      
Dy kokat e shpendit kultik janë të pranishme në të gjitha epokat që kaloi populli ynë deri në ditët e sotme.
Interesi ynë është tek shqiponja dykrenore, që është emblema e flamurit kombëtar shqiptar. Shqiponjën dykrenore, së pari, e njohim tek Perandoria Hitite, 12 shekuj p.e.r., e pothuajse të njëkohshme pak më vonë e kemi tek popujt e Mesopotamisë së lashtë dhe në rajone të Iranit të sotëm.
Në lashtësi dhe në vazhdim shqiponja dykrenore përfaqëson fuqinë diellore në këtë e atë botë, botën tokësore dhe botën e përtejme, ditën dhe natën, si një trup i vetëm që ekziston i shfaqur vetëm me njësinë brenda unitetit të dyzuar. Përfaqëson ekuilibrin e ndryshimit ritmik të errësirë-dritës, të lëvizjes qiellore, që sjell ndryshimin e stinëve në mënyrë ritmike.
Në një fjalor lexojmë se ajo paraqet mashkullin dhe femrën (në bimësi dhe në qeniet e gjalla), si dy të kundërta të një uniteti të përbashkët.
Në vazhdimësi do të hedhim dritë mbi kulte, besime e rite të trashëguara tek kombi ynë, nga lashtësia e deri në ditët e sotme, që lidhen me shqiponjën. Ndalemi dhe veçojmë dy nga këto atribute të shqiponjës dykrenore të dëshmuara tek paraardhësit tanë.  
Shqiponja dykrenore përfaqëson dritën, por dhe errësirën.
Kjo na trashëgohet edhe nga gojëdhëna e lashtë e ruajtur në kronikat e Gjon Muzakës. Ky na shpjegon se simboli i lashtë epirot nga rridhte dera e tij, ishin dy pishtarë: kur njëri ndizej, tjetri shuhej e kështu me radhë, kur drita agonte nuk kishte errësirë, dhe kur errësira binte, nuk kishte dritë. Kjo është e lidhur me besimin e popullit tonë (dhe pothuaj mbarë popujve të botës), se kur dielli ndriçon botën tonë, atje (në botën e përtejme), nuk ka dritë dhe kundërta. Shqiponja udhëtonte sipas besimeve të lashta deri tek dielli, kjo e dëshmuar në mitet e besimet e Dodonës Pellazgjike, me shqiponjën me simbolin e rrufesë ndër kthetra që ia sillte Zeusit.
Që shqiponja udhëtonte drejt lartësive të qiellit, është e dëshmuar dhe në Bibël.
Shqiponja drejtonte diellin që të lindte në botën tonë (sipas besimeve të lashta), por dhe e përcillte për të ndriçuar në botën e përtejme. Ajo kishte pushtet në drejtim të Lindjes nga kishte vazhdimisht të drejtuar njërën kokë, por edhe në Perëndim, për ku e përcillte diellin, nga ku e kishte të drejtuar tjetrën kokë.
Shqiptarët e kanë paraqitur shqiponjën, që në kohë të lashta, në objekte kulti e në artin popullor, pra mijëra vite përpara se ta vendosnin në stemat e tyre dhe në flamur.
Tempulli më i lashtë në Ballkan, Dodona, kishte kultin e shqiponjës lajmëtare të Zeusit dhe në disa raste vetë Zeusi paraqitej grafikisht në formën e shqiponjës.
Populli ynë në vazhdimësi kultin e shqiponjës e ruajti dhe e kishte pjesë të strukturës shpirtërore, kjo e ruajtur dhe në dekoracione dhe objekte kulti. Kjo nuk do të thotë se nuk e kishin dhe popuj të tjerë të lashtë.
Shqiponjën dykrenore e kemi tek paraardhësit tanë, ilirët, të dokumentuar që nga shek. VI p.e.r, fakt i cili qartëson, që kjo formë grafike e shqiponjës dykrenore nuk u huajt nga popujt e tjerë pas kësaj kohe.
Dëshmi të tërthorta na thonë se shqiponja dykrenore ishte e njohur që në muzgun e historisë tek popullsia paraardhëse e Ballkanit. Ka referenca për objekte kulti që paraqesin shqiponja dykrenore janë zbuluar në rrënojat e tempullit të Dodonës, por kjo është e padokumentuar grafikisht, prandaj si kohë e dëshmisë materiale mbetet e sigurt shek. VI p.e.r. Shqiponjën-kult dihet se e kanë shumë popuj, deri dhe aztekët e Amerikës, por me dy kokë vetëm hititët, popullsia e vjetër e Iranit dhe ilirët e njihnin dhe e praktikonin.
Kur flasim për shqiponjën dykrenore në Ballkan, janë iliro-arbrit që e kishin, dhe si rrjedhojë, ata ua dhanë të tjerëve.
Më vonë e shohim se e kanë bizantinët, për të cilët nuk dihet me siguri se a u fiksua në stemë më parë tek ata (bizantinët) me paleologët apo tek shqiptarët. Paleologët (perandorë bizantinë) e përvetësuan dhe fiksuan në stemë në fillim të shek XIII. Në këtë kohë tek shqiptarët e kemi tek dera Gropa (shek XIII), kurse për derën Kastrioti e dimë se e kishin paraardhësit e Skënderbeut, d.m.th. para shekullit XV. Aranitët që e kanë edhe ata shqiponjën dykrenore, e kanë zanafillën e dokumentuar që nga shek. XI.
Më përpara nga popujt e tjerë të Ballkanit dhe Evropës, shqiponjën njëkrenore të stemave heraldike familjare e gjejmë tek arbrit. Gjurmët më të hershme i kemi me Principatën e Arbrit, ku natyrshëm edhe në flamurin shtetëror të këtij formacioni politiko-shtetëror, është shqiponja njëkrenore në shek XII. Kjo do të thotë se shqiptarët e praktikonin para fqinjëve të tyre ballkanikë këtë simbol në flamur.
Në shek. XIV në Arbëri praktikohej në emblema dhe në flamuj shqiponja dykrenore. Shqiponja dykrenore në stema dhe në flamuj mesjetarë ndoshta është bashkëkohëse me paleologët bizantinë, por është e sigurt se tek arbrit është shumë përpara serbëve, rusëve, hasburgëve të Austrisë, Perandorisë së Shenjtë Romake etj.
P.sh. rusët e morën nga martesa e Sofia Paleologut me djalin e Carit të Rusisë. Martesa u bë më 1472 me ndërhyrjen e Vatikanit. Shqiponja dykrenore u vendos në stemat ruse disa vite pasi dhëndri u kurorëzua Car. Pas shkatërrimit të Perandorisë Bizantine nga otomanët me një shpejtësi të vrullshme në heraldikë në shumë vende dhe familje evropiane u përqafua shqiponja dykrenore. Të gjithë donin të shpallnin trashëgiminë ose veprat për mbrojtjen (!) e kësaj perandorie. Shqiponja dykrenore nuk u ruajt dhe trashëgua nga hititët në vazhdimësi, as tek iranianët. Ajo u ruajt që nga shekujt e mijëvjeçarit të parë p.e.r. vetëm në truallin ballkanik nga arbrit dhe nga Bizanti. Ajo si simbol u përhap me shpejtësi në mbarë Evropën.
Flamuri i shek. XV i kombit tonë me shqiponjën dykrenore u ruajt në vazhdimësi vetëm tek shqiptarët. Në Evropë asnjë flamur nacional nuk ka vazhdimësi në pesë shekuj, prandaj flamuri kombëtar shqiptar renditet si flamuri më i vjetër në Evropë.
Duke marrë parasysh se simboli kultik i shqiponjës dykrenore është pjesë e kulturës shpirtërore e materiale të ilirëve e në vazhdimësi deri në ditët tona, atëherë konkludohet se është simboli i flamurit më të lashtë në Evropë dhe nga më të lashtët në botë.

Shqiponja si kult iliro-shqiptar

Dëshmitë e para të hyjnizimit të shqiponjës dykrenore tek paraardhësit tanë
Që në kohët e lashta banori pellazg (protoilir), ka besuar në fuqitë e mbinatyrshme duke menduar se ato i paraprinin fatit të tij. Ai besonte se nga hyjnitë varej lindja dhe vdekja, sëmundjet dhe shëndeti, moti i thatë, që sjell urinë ose moti i mirë e shiu, që sjell begatinë, po kështu për mbarëvajtjen e gjahut etj. Kjo solli që besimi të jetë drejtuar tek objekte të natyrës, si kafshë, fenomene të natyrës, që me hyjnizimin e tyre banorët të mbrohen e t'i marrin me të mirë këto veprime e fenomene. Në periudhën më të lashtë primitive, besimi ishte në hyjnizimin e objekteve që e rrethonin dhe në fenomene natyrore, që shoqëronin jetën në stinët e ndryshme. Ndër të gjithë popujt primitivë, si e dëshmojnë objektet arkeologjike dhe studimet, dielli ishte objekt kulti. Ky është i hyjnizuar dhe nga banorët e lashtë parailirë të Ballkanit, ku banonin stërgjyshërit e shqiptarëve, pellazgët.
Simboli i diellit në inventarin arkeologjik, të dëshmuar në territoret që nga jugu i Danubit, brigjet e detit Adriatik e Jon e deri në Azinë e Vogël, ku shtriheshin ilirët simbolizohej në një larmi formash, ku dallohen ornamente në formë spiraleje, kryqi dhe svastika, që paraqet diellin në lëvizje etj. Karro ose varka diellore, që aq shpesh është e dëshmuar në truallin ballkanik dhe në mënyrë të veçantë në tokat, ku më vonë shohim të jetë fisi i liburnëve, shpreh besimin për transportimin diellor nëpër kupën e qiellit. Tek paraardhësit tanë, për tërheqjen e karros diellore nëpër kupën e qiellit kemi dëshmi arkeologjike që nga koha e bronzit (shek XXI-XII p.e.r.), që besohej se këtë karro e tërhiqnin shpendët.
Njohim mitin grek, ku Apoloni, hyjni e diellit, udhëtonte për në veri, ku banonte në muajt e dimrit për t’u kthyer në pranverë. Në këtë rrugë, sipas besimit mitologjik, Apoloni, perëndia Diell, ka hipur mbi një (shpend) mjellmë, ose udhëton në karron (ose varkën), të cilën e tërhiqnin shpendët. Duket se udhëtimet e tufave të shpendëve shtegtarë kanë nxitur fantazinë dhe kanë krijuar lidhjen e këtij fenomeni me stinën e ftohtë, kur dielli na jep më pak nxehtësi dhe me stinën e kthimit të këtyre shpendëve, kur dielli ka më shumë forcë. Albanologët për shpjegimin e objekteve arkeologjike të kulturës pellazge, "protoilire" thonë: "Funksionet profilaktike dhe apotropoike me siguri i kanë pasur edhe protomet e shumta të shpendëve. Këtë e dëshmojnë varëset me figura të shpendëve dhe paraqitjet e shumta të tyre prej qeramike dhe bronzi, si dhe fibulat, parzmoret etj, që hasen dendur në arkeologjinë e trevës ballkanike"(1). Këto objekte, sipas botëkuptimit të lashtë, i sillnin shërbim mbarësie dhe e mbronin atë që i mbante këto varëse, që nëpërmjet shpendit përfaqësonin dritën, kultin e diellit.
Në dëshmitë arkeologjike të truallit pellazgo-ilir, në funksion të tërheqjes dhe të drejtimit të karros diellore, shpendët dokumentohen përpara se të na shfaqen kuajt tërheqës, kjo dhe për funksionin udhërrëfyes, që u atribuohej shpendëve nga kjo popullsi. Për figurën e kalit në këtë funksion, studiuesit shfaqin mendimin, se ka ndikuar botëkuptimi shpirtëror i kalorësve nomadë (2).
Monumentin më me interes për mitin e lashtë ballkanas, për rrugën e diellit nëpër kupën e qiellit, e gjejmë në karron prej bronzi, që është zbuluar në Gllazinas (3).
Interes paraqesin disa varëse të vogla prej qelibari e bronzi me nga dy krerë shpendësh, të vendosura me kokë në të kundërt të njëra-tjetrës të bashkangjitura, që shëmbëllejnë si një trup i vetëm me dy kokë. Këtu shohim fillimin e shembulltyrës së shqiponjës dykrenore tek ilirët, si një simbol me veti hyjnore, por me elemente të një gjymtyre të hiperbolizuar. Trashëgimia mitologjike e paraardhësve tanë është plot me shembuj të tillë, si për figura me veti mitologjike të së keqes dhe me hyjni. Mund të përmendim kuçedrën me 2, 5 e 7 krerë, ciklopin me një sy, shqiponjën me dy krerë, bajlozin me 7 krerë etj.
Një dukuri tjetër e sendërtuar në monumente arkeologjike të një kohe të lashtë, e dokumentuar në mbarë truallin ilir e më gjerë, është lufta e shqiponjës me gjarprin.
E gjejmë njëkohësisht tek askejtë, kultura që të krishterët e shkatërruan pa pikë mëshire pas shek. të XVI-të
Shqiponja këtu, sipas mitologëve, përfaqëson fuqinë e dritës, që lufton kundër fuqive të errësirës nëntokësore, e simbolizuar me gjarprin. Gjarpri përfaqëson botën nëntokësore, errësirën e përtej varrit, hadin. Ky besim e luftë ndërmjet hyjnisë së dritës dhe errësirës është pasqyruar edhe në objekte të tjera, të ruajtura deri në shekullin tonë, duke u pasqyruar veçanërisht në gdhendjet në gur e dru(4).
U ndalëm në disa dëshmi shumë të lashta të paraardhësve në truallin tonë, ku shpendët e në mënyrë të veçantë shqiponja, ishin simbol të diellit d.m.th. të dritës, ku i njohim të dëshmuara në simbole me dy kokë shpendësh, në disa objekte religjioze pagane e më vonë të mbartura e përvetësuara nga krishterimi.
            ---------
1). A. Stipçeviç: Ilirët, historia, jeta, kultura, simbolet e kultit. Rilindja, Prishtinë, 1990. f. 303. Stipçeviçi, kur flet për ilirët para shekullit V p.e.r., i quan protoilirë-pellazgë. Ne të gjithë veprën në fjalë, A. Stipçeviçi edhe banorin e kulturën e kohës së neolitikut në trojet në jug të Danubit, i quan ilirë. Nga studiuesit e sotëm shqiptarë nuk ekziston kurrfarë dyshimi se ilirët (parailirët - protoilirët - ilirët e vjetër - ilirët), që jetuan në Gadishullin Ballkanik, që në epokën e hekurit, kanë qenë po aty edhe në epokën e bronzit, dhe janë pasardhës të drejtpërdrejtë të grupeve etnike më të vjetra të prehistorisë. Për këtë shih: Kuvendin e Parë të Studimeve Ilire, të vitit 1972 dhe Kuvendin e Dytë të Studimeve Ilire, të mbajtur në Tiranë në vitin 1984.
2). G. Kossack supozon se kuajt kanë zëvendësuar në mitologji në Ballkan, vendin, që më parë e kanë pasur shpezët në qerre të tilla, ose kanë bashkëjetuar në të njëjtën kohë, por vetëm përkohësisht. Shih A. Stipçeviç; Iliria… f. 334.
3). A. Stipçeviç, vepër e cituar, faqe 301.
4). Kujtojmë këtu emblemën e kështjellës së Lezhës, që na e përshkruajnë T. Ippen, De Grand, Preng Doçi etj, dhe emblemën në Laçaj të Pukës, që ruhej deri në mesin e shekullit XX, në kullën e Imer Bardhoshit.
FLAMURI KOMBËTAR SHQIPTAR ËSHTË TRASHËGUAR NGA DERA E KASTRIOTËVE


Dëshmitë në piktura dhe harta të vjetra ku zotërimet e Skënderbeut paraqiten nën simbolin e shqiponjës dykrenore
 Figura e heroit tonë kombëtar, Gjergj Kastrioti-Skënderbeu, qëndron në kulmin e panteonit të kombit shqiptar, sepse veprimtaria e lavdishme të epokës së tij, solli procese të mëdha historike gjithëpërfshirëse kombëtare. Gjatë periudhës më se njëshekullore të luftës kundër furisë pushtuese të osmanëve, sidomos gjatë viteve të qëndresës nën udhëheqjen e Skënderbeut, u kristalizuan tiparet kombëtare, që erdhën prej thellësive të shekujve dhe u çimentuan në këtë fund mesjete.
 Është i njohur fakti, që shqiponja dykrenore u pranua njëzëri, si flamuri i kombit shqiptar, më 2 mars 1444.
Dihet se flamuri, që u shenjtërua i tillë, ishte simboli heraldik administrativo-politik i Dinastisë Kastrioti, të cilët e trashëgonin, si shenjë dhe flamur, që shumë kohë përpara shekullit XIV. Ruajtja e flamurit kombëtar shqiptar në shekujt e robërisë pesëshekullore, është e lidhur dhe në traditën e lashtë të paraardhësve të shqiptarëve me kultin e shqiponjës. Gjatë gjithë rrugës së mbijetesës nga prehistoria dhe iliro-arbëresho-shqiptarët e ruajtën kultin e shqiponjës, dhe kjo është një ndër faktorët që simboli heraldik kombëtar (flamuri kombëtar shqiptar), i përcaktuar nga Kuvendi Shqiptar i Lezhës të pranohej, sepse ishte edhe pjesë përbërëse e pasurisë shpirtërore tradicionale mbaretnike. Fakti që perandoria bizantine e mori dhe e përdori shqiponjën dykrenore nga fondi kulturoro-shpirtëror i Ballkanit, nuk duhet të shihet si huazim, më vonë tek shqiptarët. Studiuesit kanë vënë re dhe kanë konkluduar se "Shqiponja dykrenore e Skënderbeut nuk ishte ndikim nga "faktori bizantin", por ishte përfytyrim i një kulti të paraardhësve të shqiptarëve"(1).
Flamuri kombëtar i pranuar nga Kuvendi Shqiptar i Lezhës nuk ishte vetëm akti i pranimit të një simboli heraldik kombëtar, por përkoi me atë, që ky simbol kultik e shpirtëror u bë edhe simbol politik dhe identiteti etnik.
Prej shekullit XV e këtej, tek ne shqiptarët, ky simbol kombëtar mbështolli rreth vetes atribute të shumta të shenjta. Shqiptarët, që nga shekulli XV, në flamurin e tyre shihnin vazhdimin simbolikisht të kultit të hyjnisë, së bashku me shenjën etniko-historike të bashkimit shtetëror e politik të kombit shqiptar. Deri më sot na ruhen disa monumente e dokumente, që e pasqyrojnë motivin e shqiponjës së Kastriotëve. Ky simbol, që është njëkohësisht edhe shqiponja e flamurit tonë kombëtar, ruhet në varrin e nipit të heroit tonë Konstandin Kastrioti në Napoli, në disa stema të kështjellave të Puljes, ku jetuan pasardhës të kësaj dere.
Para epokës Skenderbejane e kemi në kishën e kështjellës së Jashanicës së Epërme të komunës së Klinës e në Prizren, ruhet e gdhendur në murin e manastirit shqiptar ortodoks të Mbigurit në Dibër, në një afresk të zbuluar rishtazi në Rodon. Në gjurmën e vulës së Skënderbeut është ruajtur mbi dokumente të kancelarive të huaja. Në një hartë të vitit 1459 ruhet paraqitja grafike e flamurit tonë në përmasa shumë të vogla e në monumente të tjera.
E dhëna e rëndësishme, si e thamë e Barletit, për flamurin tonë kombëtar është në faqen 15 rekto (vijuese) të Historisë në fjalë: "…et reliqui Epirotici generis mox abiecta Amurathis memoria nouuam ducem et nota olim signa aquilasq; (nam rubea vexilla nigris et bicipitibus distincta aquilis (id gentis insigne e rat) gerebat Scanderbegus)”.
Për njohjen e mendimit, që ka shprehur Barleti për flamurin dhe shqiponjën ndihmon shumë shënimi anësor, që ai i ka vënë frazës përkatëse në tekstin e veprës. Shënimi anësor i ka dalluar qartë se në frazën për flamurin, fjalët ‘vexillum’ dhe ‘insignia’ nuk janë përdorur nga Barleti si sinonime, siç ka kujtuar S. Prifti në përkthimin e kësaj vepre, por si dy terma të ndryshme. Shënimi anësor përkthehet: "Tregohet se cilët ishin flamujt dhe shenjat (simbolet) e gjindjes dhe të familjes Kastrioti".
Nga gojëdhënat dhe tradita folklorike e ruajtur tek arbëreshët e Italisë, e sidomos të Sicilisë, rezulton se Malet e Himarës, ishin pjesëtarë të ushtrisë së Lidhjes në betejën e Beratit të vitit 1455.
Këngët kujtojnë edhe komandantët himarjotë (Labëria e sotme) që u vranë në këtë betejë, Pal Golemi nga familja fisnike e Golemëve dhe Nik Peta i Labërisë.  
Që himarjotët e njohën për kryekomandant Skënderbeun, flet edhe dokumenti i ruajtur në arkivat e Vatikanit i disa dhjetëvjeçarëve të mëvonshëm.
Pra, nga jugu, Shteti Shqiptar i shek. XV pati përkohësisht shtrirje të paktën deri rrëzë Delvinës, por jo Gjirokastrën, që turqit e kishin pushtuar më parë. Shembulli dhe jehona e shtetit shqiptar, u bënë frymëzim dhe për qëndresën e shqiptarëve të Peloponezit. Dokumentet flasin se shtrirja territoriale e shtetit shqiptar i ka ndryshuar kufijtë gjatë atyre 24 viteve jetë. Aksionet luftarake, që mori Skënderbeu në thellësi të tokave shqiptare të pushtuara deri në Shkup, në Ohër, në Tivar, krijuan lidhje dhe me fisnikët shqiptarë të viseve të largëta, nxitën e kontribuan për bashkimin shpirtëror të shqiptarëve kudo që ata banonin në tokat e tyre.
Në Lidhjen Shqiptare morën pjesë pa dallim shqiptarët; si katolikët latinë po ashtu dhe ortodoksët, që tregon se shteti shqiptar mesjetar ishte një bashkim politik etnik dhe jo mbi baza fetare.

Vizatim i Flamurit Kombëtar Shqiptar në vitin 1459
 Në vitin 1980 nga “The Newberry Library” në Çikago të ShBA u organizua një ekspozitë me harta, dorëshkrime dhe të shtypura. Në këtë ekspozitë, me rëndësi të veçantë për kulturën tonë ishte Harta Portollane e Mesdheut, dorëshkrim (monuscript) e pikturuar në pergamen në vitin 1459. Harta është pronë e bibliotekës "The Nowberry Library" të Çikagos dhe përfshihet në koleksionin "Edward E. Ayer" me shifër ms (monuscript) map no.3.
Harta ka shënimin: "Petrus Roselli compossuit hanc cartam in civitate maioricarum anno domini MÇCLVI"2. Kjo është e punuar me dorë dhe e pikturuar me ngjyra, siç ishte zakoni i atyre shekujve, kur nuk ishte shpikur shtypshkronja. Ky dokument është i rëndësishëm, sepse për herë të parë kemi të dokumentuar grafikisht flamurin tonë, vetëm pak vite pasi ky flamur u vendos e u pranua njëzëri si flamuri i mbarë shqiptarëve. Ky vizatim është i njëjtë nga ana grafike me ato simbole, që kemi të përshkruara nga dokumentet dhe historianët shqiptarë dhe të huaj më vonë, si Barleti, Dh. Frengu e të tjerë sipas të dhënave të tyre.
Pas kthimit të disa pronave kishtare komuniteteve fetare, filloi dhe interesimi i këtyre të fundit për studimin e tyre, ruajtjen dhe rindërtimin. Një ndër këto prona është Kisha e Shnandout në Rodon (sot fshati Muzhel), ku ruhet dhe shqiponja e Kastriotëve e pikturuar. Për këtë kishë dokumentet flasin që e ka ndërtuar Gjon Kastrioti dhe e rindërtoi i biri, heroi ynë i njohur, Skënderbeu.
Është kujdesi dhe interesi i At Zef Pëllumbit, i nisur nga gjurmët e afreskave në muret e kësaj faltoreje të vjetër, që çuan në zbulimin e kësaj shqiponje. Shqiponja është në afreskun e realizuar në brezin e poshtëm të faqes së harkuar të murit të absidës. Në krahun e djathtë të shqiponjës dykrenore dallohet figura e një kalorësi e po në këtë krah afër tokës dhe dy shpendë të tjerë. Shqiponja është e pikturuar me ngjyrë të kuqe, të hapur mbi suva të bardhë dhe në disa pjesë na ka arritur e dëmtuar, por që dallohet qartë dhe, pa dyshim, se është me dy kokë.

Vepër përkujtimore e vitit 1500 me shqiponjën e Kastriotëve.
 Pasardhësit e Dinastisë Kastrioti në shekujt pasardhës, si trashëgues të njërit prej heronjve të Evropës së shekullit XV, që la gjurmë në vendet e përtejdetit në dokumente e monumente, që ruhen deri më sot e kanë vlera historike e kulturore për Arbërinë e atij shekulli.
Lapidari që ka vlera arkitektonike e historike, ruhet edhe sot në kishën Santa Maria La Nova të qytetit të Napolit. Fotografinë e këtij monumenti, që po e botojmë, pati mirësinë të na e fotografojë një pasardhës i Dinastisë Kastrioti, Gjorgjio Maria Kastrioti Skanderbeg, me banim në Napoli.
Monumenti ka dhe pllakën me mbishkrimin kushtues dhe emblemën heraldike të peshkopit të Izernies, nipit të heroit tonë, Konstandin Kastrioti. Meqenëse monumenti botohet i plotë për herë të parë në Shqipëri, na u dha mundësia dhe të botojmë tekstin i saktë të tij epigrafik dhe përkthimin, i cili nga mosnjohja e fotokopjes origjinale, në botimet e mëparshme, i kishte shpënë studiuesit në disa gabime e pasaktësi. Në këtë lapidar mortar ruhet dhe emblema e peshkopit K. Kastrioti, e gdhendur, e njëllojtë, dy herë, majtas dhe djathtas.

 Himarë
 Në kishën e kështjellës së Himarës janë gdhendur në gur, sipër portës, katër shqiponja dykrenare. Sipas formës grafike, dy shqiponjat, që janë në pozicionin sipër, janë të simbolistikës religjioze dhe dy shqiponjat më poshtë në qemerë, janë shqiponja-emblemë heraldike. A kemi këtu shqiponjën-emblemë të flamurit tonë kombëtar, që trashëgohet nga dera e Kastriotëve? Që krahina e Labërisë ishte e lidhur me shtetin shqiptar të udhëhequr nga Skënderbeu, kemi të dhëna të bollshme për ta pranuar. Sipas dokumenteve, kështjella e Himarës u rrënua në vitin 1479. Në vitet 1481-82, nën udhëheqjen e djalit të Skënderbeut, Gjon Kastrioti, flamuri me shqiponjën dykrenore ishte në ballë të kryengritjes, dhe fillimi i kryengritjes ishte Himara (Labëria). Ky fakt mjafton për të thënë, që edhe në qoftë se nuk e njihte e nuk e praktikonte Labëria deri në këtë datë flamurin kombëtar, tani ajo luftonte për këtë flamur. Ka mundësi që në shekujt në vazhdim (shek. XVI-XVII), u bë gdhendja e shqiponjave dykrenore në harkun e portës së rindërtuar të kishës e të kështjellës së Himarës. Kurora që u vendos sipër dy kokave të shqiponjës është tregues i konceptit të shqiptarëve, që periudhën e Skënderbeut e quanin koha e mbretërisë shqiptare ashtu si dhe Krerët e Parësisë së Arbrit në vitin 1593. Që lebërit e quanin veten si pjesë vazhduese e Shtetit Shqiptar të Skënderbeut, flet qartë letra, që ata i dërguan Papës (Gregorit XIII) në korrik 1577 ku deklarojnë: "Le ta dish At i shenjtëruar se qysh kur vdiq trimi i lavdishëm, shumë i Kthjellti Skënderbeu, Mbreti ynë që quhej Kastrioti…"3

Flamuri shqiptar tek arbëreshët e Italisë. (1479 – 1912)
 Pasi pamë se flamuri kombëtar ishte i ruajtur në kujtesën e popullit dhe në kulturën tradicionale materiale, të vështrojmë nga arbëreshët e Italisë. Të dhënat e para për flamurin shqiptar, në tokën italiane, i kemi nga Barleti, në përshkrimet që i bën fushatës luftarake të Skënderbeut në Pulje, në ndihmë të mbretit të Napolit. Aty vë në dukje se kalorësit e tij mbanin flamur, në fushën e të cilit: "...rrinte një shqiponjë e zezë me dy krerë...4". Pas kryengritjes së shqiptarëve të viteve 1480-81, nën udhëheqjen e Gjon Kastriotit, djalit të Skënderbeut, shumë luftëtarë u detyruan të emigronin. Një dokument i Agostino Toçit për këto emigrime, i cituar nga Gavril Dara i Riu thotë: "Si zbritën në tokë (shqiptarët), lanë prapa gratë, fëmijët e të sëmurët dhe të rreshtuar nëpër grupe, me flamurët të shpalosur erës, iu afruan qytetit 5".

Shqiponja dykrenore e vulës së Pleqësisë së Arbrit e vitit 1593.
 Pas pushtimit otoman, qëndresa e vatrave të lirisë shqiptare nuk reshti përpjekjen me armë për çlirim, por edhe lidhjet me kancelaritë evropiane. Kjo periudhë e historisë së shqiptarëve, nga dokumentet e arkivave të huaja përcaktohet: "Shqiptarët qeverisen me kuvendet e tyre". Në Kuvendet shqiptare të shekujve XVI-XVII, u shfaq individualiteti shqiptar, i kristalizuar prej shekujsh, që sanksiononte e shprehte organizimin e një shteti më vete, megjithëse në kushtet e pushtimit. Ndër kuvendet shqiptare jehonë bënë Kuvendi i Himarës (Vlorë, Tepelenë, Gjirokastër, Sarandë) i vitit 1581, Kuvendi i Parësisë së Arbrit i vitit 1593, Kuvendi i Shën Mërisë së Matit, 1594, Kuvendi i Zadrimës më 1598 dhe Kuvendi i Dukagjinit të Matit 1601-2, ku morën pjesë 2656 krerë nga 13 krahina shqiptare, që nga Myzeqeja e Kosova, Shkodra e Shpati. Në këto kuvende, që ishin forma më e lartë e organizimit politik shqiptar, u krijua dhe bërthama e kancelarisë shtetërore, e cila përcillte shkresat, vendimet e memorandumet të vërtetuara me vulën e autoritetit shtetëror vetëqeverisës sipas vendimeve të Kuvendit. Në këto kushte uniteti shqiptar u përforcua dhe u vu në lidhje me botën e Perëndimit.
Kuvendet e paraqesin veten në plan të barabartë me shtetet, me princat dhe me mbretërit perëndimorë. Ato zhvillonin kontakte vetëm me kushte dypalëshe dhe jo në pozita nënshtrimi. Me veprimtarinë e vendimet e këtyre kuvendeve njihemi vetëm nëpërmjet korrespondencave, që u kanë drejtuar shteteve të Perëndimit dhe nuk njohim dokumentacionin bazë të arkivave të tyre, i cili në kushtet e pushtimit në një luftë të pandërprerë për çlirim, humbi e u shkatërrua.
Në letrën që Parësia e Shqipërisë i dërguan Papës më 1 qershor 1593 dhe që ruhet në arkivin e Vatikanit, është dhe forma origjinale e vulës mbi dyllë.
Vula ka formë vezake me gjerësi 5.5 cm dhe 5.3 cm lartësi. Këto të dhëna u saktësuan nga një fotokopje e këtij dorëshkrimi, që është në Bibliotekën Kombëtare, Tiranë me shifër Drh 1/2b. Së pari, me një foto të kësaj vule na njeh studiuesi italian Giuzepe Valentini. Vula paraqet një fushë të qarkuar nga tre çifte rrathësh, në hapësirën mes rrethit të madh dhe të mesit, ka tekstin latinisht: SIGIL. REGNI MACEDONIA ET ALBANIAE (Vula e Mbretërisë së Maqedonisë dhe Shqipërisë). Në mes të rrethit të mesëm e të voglit është e dallueshme një kurorë mbretërore, dhe brenda rrethit të vogël, një shqiponjë dykrerëshe të kurorëzuar.
Titulli zyrtar që mban kjo vulë: "Mbretëria e Maqedonisë e Shqipërisë" i përgjigjet realitetit sipas vazhdimësisë së traditës, që nga shteti i Skënderbeut, të cilin si e njohim nga literatura historike e quanin Zot i Maqedonisë e Shqipërisë.

Tradita vetëqeverisëse mijëravjeçare e popullit tonë, si populli nga më të lashtët e Evropës, kishte organin më të lartë politik e vendimmarrës Kuvendin, prandaj është legjitim ky emërtim për Kuvendet si organi më i lartë qeverisës. Organizimi politiko-shoqëror i vazhduar me kuvendet gjatë këtyre shekujve është veprues, i cili udhëhoqi disa kryengritje. Kjo formë e lidhjes dhe e shprehjes së vullnetit mbarëpopullor, u vazhdua në shekujt e mëvonshëm dhe kuvendi mbarëkombëtar, i cili shprehu dhe dëshirën dhe aspiratën e kombit, u kurorëzua me Lidhjen Shqiptare të Prizrenit në vitin 1878, i cili ishte pararendësi i Kuvendit historik të Vlorës më 28 nëntor 1912, ku u shpall Pavarësia Kombëtare.
-------------
1). M. Pirraku, Transformimi i kultit të shqiponjës nga totemi në simbol kombëtar shqiptar. Studimi etnografik i ndryshimeve bashkëkohore në kulturën popullore shqiptare, Prishtinë 1990, f. 75.
2). Shyqri Nimani, Trojet Shqiptare në Harta e Stema, Prishtinë, 1996, f. 90-91.
 4). Bardhosh Gaçe, Flamuri dhe Ismail Qemali. Toena, Tiranë 1997, f. 5.
5). Gavril Dara i Riu, Kënga e Sprasme e Balës, Tiranë 1994, f. 65.
* Marrë nga materiali i diskutuar në Tryezën e Rrumbullakët me temë: “Origjina e lashtë e flamurit shqiptar” & Ekspozitë e Historikut të Flamurit Kombëtar 1910 -1937, organizuar nga  Rrjeti i Studentëve Shqiptarë në Botë (AS@N)


Nga prof. Jaho Brahaj, G. Standart

No comments: