Mbështetësit e Fortlumturisë së tij Janullatos, ndër të cilët edhe njerëz me veladon, kanë nisur tanimë të vihen në lëvizje dhe në kërkim të kësaj mbështetjeje. Për të përmbushur këtë qëllim në qytetet dhe fshatrat e Jugut të Shqipërisë, si edhe në zonat ku banon minoriteti etnik grek, besimtarëve ortodoksë po u dorëzohet në mënyrë “konfidenciale” dhe në emër të shpëtimit të fesë të krishterë, formulari që duhet të plotësojnë.
Të gjithëve u kërkohet të shprehen vetëm në versionin se janë në mbështetje të Janullatosit.
Mësohet se janë përgatitur disa mijëra kopje të formularit, në mënyrë që në debatin Janullatos-Frashëri të përfshihen sa më shumë besimtarë ortodoksë. Nuk është e rastit që qëllimi i anketimit është rigorozisht i përcaktuar, pasi në kokën e formularit, të përgatitur në dy gjuhë, shqiptare dhe greke shkruhet qartazi se “Mbështesim Kryepiskopin Anastas me mirënjohje dhe besim të palëkundur”.
Qëllimi i shpërndarjes së anketës dhe se cilat janë kërkesat për plotësimin e tij sqarohen konkretisht kështu: “Në muajt e fundit, disa qarqe, të cilat në vitet e persekutimit të fesë shijonin pozita dhe komoditete dhe që gjatë njëzetë viteve të demokracisë nuk kanë ofruar absolutisht asgjë në Kishën Orthodhokse Autoqefale të Shqipërisë, ndërmarrin të shkruajnë, me mënyrën e tyre, historinë e saj dhe të na mësojnë të drejtën kanonike dhe theologjinë e Orthodhoksisë”.
Sipas formuluesve të tekstit që është pjesë e formularit, ata (kundërshtarët e Fortlumturisë së Tij Janullatos, duke aluduar kësisoj për historianin Kristo Frashëri) “dalin në përfundime për tema të cilët nuk janë të specializuar, duke kërkuar gjoja të na mbrojnë nga armiq imagjinarë”.
Më tej shkruhet se “në lidhje me këto çështje që kanë prekur, tashmë kanë marrë përgjigje të sakta dhe me përgjegjësi nga tre tekste të Fortlumturisë së Tij, Kryepiskopit të Tiranës, Durrësit dhe të gjithë Shqipërisë, Anastasit”.
Në vijim formula është më se e qartë se kërkohet mbështetje standarde nga “ortodoksët e bashkuar” në anën e Janullatos, kur shprehen se: “Ne, të krishterët orthodhoksë, që nënshkruajmë, e njohim prej shumë vitesh udhëheqësin tonë shpirtëror, i cili duke pasur njohuri të thellë theologjike dhe vetësakrifikim, e udhëheq Kishën tonë me fjalë gjithmonë paqësore dhe me vepër krijuese. E mbështesim me gjithë shpirt, me mirënjohje dhe besim të palëkundur”. Poshtë këtij teksti vijnë kolonat e veçanta që kërkojnë mbushjen e gjeneraliteteve të tilla, si: emri e mbiemri, profesioni, vendbanimi dhe firma. Nuk dihet ende se sa prej formularëve të përgatitur kanë shkuar tek mbështetësit e kërkuar ndaj “udhëheqësit shpirtëror” Janullatos.
G. Shqiptare
No comments:
Post a Comment