Kjo u bë e ditur dje në Komisionin Parlamentar të Çështjeve Sociale dhe Shëndetësisë nga drejtori i Institutit të Shëndetit Publik, Enver Roshi, i cili bëri analizën epidemiologjike të virusit në vendin tonë. Ndërkohë, përfaqësuesja e Shoqatës së Personave me Virusin HIV/AIDS bëri me dije problematikat që ndeshin çdo ditë këta persona.
Ndërkohë specialistët bëjnë me dije edhe hartën e personave të infektuar me këtë virus, ku kryeson Tirana e ndjekur nga Durrësi dhe Lushnja.
Pikërisht në ditën Botërore kundra virusit HIV/AIDS komisioni i Shëndetësisë ka vendosur të dëgjojë grupet e interesit me rastin e ditës Botërore Kundra Virusit HIV/AIDS. "Dua të theksoj se numri më i madh i të infektuarve është në zonat urbane dhe pikërisht 73 për qind e të infektuarve i përkasin këtyre zonave. Tashmë, numri i të infektuarve ka arritur në 406 persona, por numri i tyre mendohet të jetë më i lartë, sepse jo të gjithë të infektuarit janë diagnostikuar", - thekson Roshi.
Sipas shpërndarjes gjeografike,
54% e rasteve i përkasin rrethit Tiranë,
6,2% i përkasin rrethit Durrës,
5.6% i përkasin rrethit Lushnjë,
3.9% në rrethet Fier dhe Elbasan,
3.6% në rrethet Shkodër
dhe Vlorë, 3%
në rrethin e Laçit,
2.4% në rrethin Berat
dhe në një përqindje më të vogël në rrethet e tjera (më pak se 1%).
Ndërkohë, sa i takon transmetimit, rruga seksuale vazhdon të mbetet mbizotëruese, me 90% të rasteve (80% heteroseksuale dhe 10% homo-biseksuale). Ndërsa rastet dhe më fatkeqe janë kur virusi është transmetuar nga nëna tek fëmija dhe në këto raste kemi konkretisht 5% të rasteve, ku infeksioni është transmetuar nga nëna e infektuar të fëmija dhe në 4% nëpërmjet gjakut dhe në 1% te përdoruesit intravenozë të drogës.
Një nënë e infektuar me virusin HIV/AIDS rrëfen historinë e saj në përballje me virusin. Të gjithë më mohuan
"Pengu i jetës sime është se lindja fëmijën me SIDA"
Pengu më i madh i jetës së saj është se solli në jetë një fëmijë me virusin HIV/AIDS. As sëmundja e rëndë nuk do ta vriste më shumë se fakti që edhe fëmija e saj do të vuajë këtë sëmundje. Në një intervistë për "Shekullin", një nënë e infektuar me virusin HIV rrëfen historinë e saj.
Si e përjetuat marrjen e një përgjigje pozitive të testit për HIV?
Efekti i parë është shokues. Nuk është e lehtë të marrësh një përgjigje pozitive të testit të HIV-it. Mendimi i parë që më shkoi në mendje ishte se do të vdisja shumë shpejt. Dhe nëse bota, njerëzit vërtiteshin rreth meje, gjithë mendja fokusohej tek gjërat me të cilat jam e lidhur më shumë shpirtërisht dhe që do të vuanin pasojat nga ikja ime nga kjo botë. Dhe për një prind mendimi i parë janë fëmijët. Kush do të m'i rrisë fëmijët? Kush...? Si e keni ndjerë veten pas ballafaqimit me faktin e të qenit një person HIV pozitiv? Isha një grua relativisht e brishtë. Një grua e lumtur, me një jetë normale si gjithë të tjerët, ku familja përbënte thelbin e ekzistencës sime. Nuk e kisha menduar kurrë që do mund të përballesha me diçka të tille dhe që "supet" e mia do të mbanin gjithë këtë peshë. Mund t'ju rrëfej se të tjerët ma bënë jetën shumë më të rëndë. Unë i përkisja asaj kategorie që janë të bindur se kanë miq, të afërm dhe se po të kesh një problem, një hall askush nuk do të braktiste. Por, ndodhi ndryshe. Fakti i braktisjes së tyre më lëndoi shumë edhe pse nuk ishte jetik. Frika dhe vuajtja që kam brenda meje më bënë më të guximshme. Nuk pretendoj të jem dikush në këtë botë, por për një gjë jam e sigurt që me jetën time po sjell një ndryshim edhe pse fare të vogël... Në fillim mendja ime analizonte çdo sjellje, veprim, apo reagim të njerëzve karshi meje. Më vonë e kuptova se nuk do të më vinte asgjë pozitive nga kjo, asgjë e mirë dhe hoqa dorë, u bëra indiferente dhe shpesh i anashkaloja.
Ju jeni një nënë që i keni dhuruar jetën fëmijës, por bashkë me këtë dhuratë i keni transmetuar dhe virusin HIV. A përbën kjo pjesën më të vështirë?
Brejtja më e madhe shpirtërore është kjo. Fëmija është gjëja më shtrenjtë dhe më e shenjtë në botë dhe ky fakt që përmendët është gjëja, për të cilën shpirti më dhemb më shumë. Kjo është një lloj dhimbjeje që pavarësisht se nuk shfaqet në jetën time të përditshme më vret shpirtërisht nga brenda. Ashtu si pika e ujit gërryen gurin, ashtu dalëngadalë gërryhet dhe shpirti im. Sepse sa herë që ti e sheh fëmijën tënd, e përkëdhel, e puth, shkëmben dashurinë me të është e pashmangshme të mos të të kalojë vetëtimthi në kokë mendimi që bashkë me jetën i ke dhënë dhe këtë virus.
Cila është dëshira juaj më e madhe?
Të arrij të jetoj momentin kur virusi HIV të mos jetë më një "mysafiri i përhershëm" në familjen time dhe ta shikoj fëmijën tim të shëndetshëm.
"Diskriminohen nga shoqëria dhe personeli shëndetësor"
Jemi të diskriminuar jo vetëm nga shoqëria, por edhe nga institucionet shtetërore. Kështu u shpreh kryetarja e Shoqatës së Peronave të Infektuar me virusin HIV/AIDS, e cila renditi një sërë problemesh të këtyre personave. "Duhet të dini se personat me virusin HIV/AIDS shpesh iu mungojnë antiretroviralët dhe kjo është fatale për ta, sepse jeta e tyre varet pikërisht nga trajtimi mjekësor", - thekson ajo, duke shtuar se nuk mundohen çdo ditë të edukojnë peronat me SIDA të jenë korrekt në trajtimin, por ky trajtim nuk u bëhet e mundur. Ndërkohë, ajo thekson se ndihen të diskriminuar nga shoqëria dhe vetë personeli mjekësor, pasi këta të fundit ka pasur raste që nuk kanë ofruar ndihmë mjekësore për personat me virusin HIV/AIDS. "Ajo çka është e rëndësishme është fati se ligji kundra SIDA-s është miratuar para dy vjetësh dhe nuk zbatohet. Bëjmë ecejake nëpër institucione dhe nuk gjejmë përkrahje", - thekson ajo. Ndërkohë, ajo thekson se duhet të rritet numri i shërbimeve sociale dhe shëndetësor për këtë kategori pacientësh.
Zonat më të prekura
54% e rasteve i përkasin rrethit Tiranë
6,2% e rasteve i përkasin rrethit Durrës
5.6% e rasteve i përkasin rrethit Lushnjë
3.9% e rasteve në rrethet Fier dhe Elbasan
3.6% e rasteve në rrethet Shkodër e Vlorë
3% e rasteve i përkasin rrethit të Laçit
2.4% e rasteve i përkasin rrethit Berat
Ja moshat më të prekura
Grupmosha më e prekur nga virusi HI/AIDS është 25-45 vjeç që është grupmosha seksualisht aktive dhe përbëjnë 65 % të rasteve. "Duhet të dini se kjo grupmoshë është më e prekura edhe në vendet e tjera, pasi janë mosha më aktive", - pohojnë specialistët. Ndërsa, sa i takon fëmijëve në vendin tonë, numërohen 21 fëmijë, 15 prej të cilëve janë infektuar nëpërmjet transmetimit vertikal nga nëna tek fëmija dhe 6 nëpërmjet transfuzionit të gjakut ose nënprodukteve të tij. Ndërkohë, bëhet me dije se gjatë këtij viti ka një rritje të përqindjes së femrave të që shkon deri në 34%.
Përdoruesit e drogave, një shiringë e përdorin 5 persona
Përdoruesit e drogave janë një kontingjent i rrezikuar nga virusi HIV/AIDS. Shkak për këtë është përdorimi i një shiringe nga shumë përdorues. Kështu u shprehen specialistët e qendrës "Stop AIDS", të cilët theksuan se rritja e numrit të përdoruesve të drogës rrit edhe rrezikshmërinë për rritjen e numrit të infektuarve me virusin vdekjeprurës. Kjo është edhe arsyeja që misioni i tyre është që të shpërndajnë falas shiringa përdoruesve të drogës, në mënyrë që rreziku të minimizohet disi. "Nga puna që bëjmë në terren, vëmë re që shumë përdorues përdorin të njëjtat shiringa.
Madje, ka raste që një shiringë mund të përdoret në më shumë se 5 persona.
Detyra jonë është që jo vetëm t'i këshillojmë përdoruesit e drogave, por edhe t'u japim atyre shiringa falas", - pohojnë specialistët e "Stop AIDS".
Eglantina Bardhi, G. Shekulli
No comments:
Post a Comment