Në sipërfaqet me ujë, në lagjet e qytetit, madje dhe në ato afër qendrës, si në "Xhabije", vërehen brejtës infektivë (minj) që, duke kërkuar ajër dhe nga bashkimi i ujërave të zeza me të bardhat, po lëvizin nëpër hyrjet e pallateve apo rrugët edhe pa ujë.
Po kështu vërehen dhe zvarranikë që kanë dalë në sipërfaqe. Lidhur me këtë, burimet zyrtare shprehen se kujdes është duke iu kushtuar kryesisht ujit të pijshëm, sasia e klorifikimit të tij është trefishuar dhe po bëhen analiza në pika të ndryshme.
Aty ku dyshohet për ndotje, bëhet stakimi dhe kyçja e pompave. Ndërsa për praninë e kafshëve të tjera, theksohet se kjo ndodh nga përmbytja, ato i nxjerr uji dhe vetëm pasi të largohet uji, do të ndërhyhet me dezinfektimet përkatëse.
Në prefekturën e Shkodrës, pranë shtabit të emergjencës ka qenë dhe deputeti socialist, Astrit Beci, i cili është interesuar për ujin e pijshëm për shkak të mosfunksionimit të pusetave që, sipas tij, mund të shkaktojnë probleme epidemiologjike. "Ekziston një mundësi e madhe e ndotjes së ujit dhe kampionët duhet të ekzaminohen çdo një orë", ka theksuar Beci.
Gjithashtu ai ka kërkuar informacion edhe për situatën e sigurisë në nënstacione elektrike. Ndërkohë, deri mesditën e së premtes, nga helikopterët janë kryer 26 operacione nga ajri, ku janë dërguar ushqime dhe në kthim janë marrë persona që janë evakuuar. Paraditen e së premtes janë dërguar në Dajç dhe dy mjekë. Në këtë komunë mund të shkohet vetëm përmes ajrit, pasi lidhjet tokësore janë të pamundura.
Zgjerimi
Është zgjeruar harta e përmbytjeve në Shkodër dhe uji ka përfshirë dhe të tjera sipërfaqe në qytet. Në rrugën kryesore hyrëse, Xhabije - Parrucë, vërehen mbi 10 varka me dhe pa motor, të cilat bëjnë transportin e njerëzve në linjat Xhabije - Ura e Bunës.
Banorët e kësaj lagjeje kanë të vetmen mundësi lëvizjeje atë me varka, dhe kjo e domosdoshme pasi u duhet të blejnë bukë, ujë, ushqime apo sende tjera të nevojshme.
Por Shkodra, si asnjëherë tjetër, duket e rrethuar nga çdo drejtim nga ujërat që kanë përmbytur deri tani 12 800 ha tokë, kanë prishur ura dhe bllokuar rrugë, kanë gërryer e bërë të pakalueshme akse rrugore rurale e kombëtare.
Jo vetëm Nënshkodra, por dhe një pjesë e qytetit është përmbytur nga liqeni, lumenjtë e shkarkimet nga portat e hidrocentralit të Vaut të Dejës, por dhe në Malësinë e Madhe ose siç njihet Mbishkodra.
Përroi i Thatë ka vërshuar përsëri, e dyta herë në harkun kohor të një muaji, ndërsa Sterbeqi, Culaj e gjithë fshatrat e Buzës së Ujit janë të përmbytura nga liqeni i Shkodrës, i cili ka arritur në 10 metra.
Ushqimet
Ka filluar shpërndarja me helikopter e ushqimeve e ujit të pijshëm në zonën e Nënshkodrës. Gjatë gjithë ditës së premte, fluturimet e helikopterëve që ngrihen nga stadiumi "Loro Boriçi" kanë qenë të shpeshta. Ushqimet dërgohen në pikat e caktuara nga komunat, të cilat bëjnë ndarjen e tyre.
Energjia dhe uji
Ndërkaq, ka probleme me furnizimin me energji elektrike, pasi në disa zona ajo është stakuar për efekt sigurie, në të tjera uji ka hyrë në kabinat elektrike. Sipas banorëve, ka raste kur telat elektrikë janë këputur nga uji dhe kanë rënë aty duke rrezikuar jetë njerëzish që lëvizin me varka. Për këto raste të raportuara, energjia elektrike është stakuar.
Ndërsa janë përforcuar me mbrojtje nënstacionet elektrike dhe ato të ujit të pijshëm, mungesa e tij ndihet në disa fshatra apo zona të qytetit. Sipas burimeve nga shtabi i emergjencës, ka pasur disa stakime pompash të furnizmit me ujë të pijshëm për efekt sigurie.
Evakuimet
Forcat e ushtrisë dhe ato të RENEA-s e FNSH-së po kryejnë operacione evakuimi në zonën e Nënshkodrës, edhe pse ditën e premte dhe pasditen e së enjtes kërkesat për evakuim janë rritur së tepërmi. Nga banorë të këtyre zonave mësohet se ka dhe mjaft raste kur kanë kërkuar ndihmë, por ajo nuk u është ofruar apo është neglizhuar.
Lidhur me këtë, burimet zyrtare shprehen se ka pasur mjaft refuzime dhe kush ka dashur, është evakuar. "Kemi shkuar nëpër shtëpi dhe u kemi thënë të vijnë që të largohen, por nuk kanë pranuar ose kanë kërkuar të marrin dhe bagëtinë me vete.
Kjo ka qenë e pamundur, pasi varka nuk mund të marrë dhe njerëz dhe disa krerë bagëti njëherësh.
Kjo ka bërë që ata të sprapsen dhe të mos pranojnë të evakuohen",- shprehen efektivë të forcave të angazhura me operacionet e evakuimit. Gjatë natës janë kryer dhe tre operacione për dhënie ndihme, emergjente, edhe pse ka qenë e vështirë për shkak të errësirës dhe kushteve atmosferike.
Një familje nga Oboti, e helmuar nga përdorimi i gazit, ka kërkuar ndihmë dhe është evakuuar duke u dërguar në spital. Në Dajç, një banesë e izoluar nga të tjerat ka rrezikuar të ketë pasoja për njerëzit që jetonin aty, pasi uji ka shkuar në lartësi të madhe. Për ta shpëtuar është bërë operacion natën duke ndërhyrë RENEA, që i ka nxjerrë nga banesa.
Por kërkesat për ndihmë janë të shumta dhe ndryshe nga muaji janar, edhe komunikimi është bërë më i vështirë për shkak të mungesës së energjisë elektrike, që kushtëzon mënyrat e kërkimit ndihmë nga të izoluarit.
Banorët e përmbytur po përpiqen të dalin vetë nga situatat ku ndodhen, pasi dhe efektshmëria e afrimit të ndihmës nga strukturat e ushtrisë e policisë është e kufizuar për shkak të pamundësisë, por dhe kapaciteteve të tyre numerike. Megjithatë nuk kanë munguar dhe rastet e njoftimeve të rreme, mashtrimeve, ku telefonojnë për ndihmë dhe kur ajo u afrohet e mohojnë këtë.
Banorët: Nuk po ndihmohemi
Në qytetin e Shkodrës banorët shprehen se po i zgjidhin vetë problemet e tyre, pasi ndihma është përqendruar kryesisht në Nënshkodër. Të hidhëruar për atë që po ndodh, por dhe të pasigurt për të ardhmen, ata shprehen se një situate të tillë nuk e njohin. Ermir Selmani, banor i lagjes "Liria" tregon se ka kërkuar ndihmën e policisë për të dërguar në spital gruan, e cila po lindte. Nuk m'u përgjigjën.
Dola dhe i thashë një kamioni të ushtrisë, por më tha se kam tjetër punë. Kam marrë një varkë dhe me të kam shkuar deri në Perash ku nuk ka ujë dhe atje me makinë e kam dërguar gruan në spital ku dhe lindi". Meliha Kraja, banore e lagjes Tophanë, shprehet se nuk kanë as ujë të pijshëm dhe as ushqim, ndërsa uji i ka izoluar.
"Dakord se këto janë punët e Zotit, por mendoj se janë dhe të robit. Na ka mbaruar gjithçka". Ndërsa një e moshuar, Zenepe Pirani, mbi 90-vjeçare, shprehet se shi ka rënë dhe shumë madje, edhe vitet e tjera, por kështu nuk ka pasur përmbytje. "Në vitin 1963 ka pasë mjaft ujë, por ai iku për dy ditë, tani po qëndron gjatë dhe ka më shumë", thotë e moshuara.
Informacion i fundit
Sipas zv.kryeministrit Ilir Meta, janë 13000 ha nën ujë, 2100 banesa të përmbytura, 3940 familje të evakuara, 1800 banorë janë strehuar në vendet e akomodimit të vëna në dispozicion nga shteti.
Shkarkohen 2600 metër kub ujë në sekondë, ndërsa mbrëmjen e së enjtes shkarkoheshin 2950 metër kub ujë në sekondë.
Në punë 1000 efektiva policie, 500 ushtrie, 80 mjete të Ministrisë së Brendshme dhe 120 të Ministrisë së Mbrojtjes, i flotiljes me helikopterë dhe shumë mjete lundruese. Këtë vit janë llogaritur të prodhohen 7,3 miliardë kilovatorë energji elektrike, prodhim i vjetër, ku vitet e mëparshme janë prodhuar maksimalisht 5,9 miliardë kilovatorë energji elektrike në vit.
Akset rrugore të bllokuara në gjithë vendin
Shkodër
Në hyrje të qytetit Shkodër, para urës së Bunës dhe te Harku i Bërdicës rruga është e pakalueshme pasi ka përmbytje të rrugës me rreth 1m ujë mbi rruge.
Tek Ura e Bunës uji ka kaluar mbi urë duke krijuar përmbytje të rrugës dhe duke e bërë të pakalueshme rrugën. Rruga për në Muriqan është e bllokuar, po kështu edhe rruga për në Shirokë është e përmbytur.
Në segmentin rrugor "Harku i Bërdicës - Velipojë", kuota e ujërave në urën e Gjolulit është rreth 50-60 cm, qarkullojnë vetëm mjetet e mëdha, mjetet e vogla qarkullojnë nga rrugë dytësore.
Në segmentin rrugor Koplik - Dedaj - Bogë si rezultat i bllokimit te zona e përroit të thatë, qarkullimi i mjeteve kryhet nëpërmjet një rruge dytësore të përkohshme, sasia e ujit është 60 cm. Hyrja për në Shkodër bëhet nga Mjeda.
Gjithashtu, edhe aksi rrugor Shkodër-Velipojë është i pakalueshëm pasi është rritur niveli i ujit mbi rrugë në orët e pasdites.
Shkodër - Hani i Hotit, në vendin e quajtur Vukpalaj, rreth 5 km, deri te dogana rruga është e pakalueshme pasi uji mbi rrugë është rreth 1 metër.
Kukës
Në segmentin rrugor Sopot-Ura e Bujanit, në urën e Bujanit, kalimi bëhet me vështirësi pasi është rritur niveli i lumit të Valbonës. Po e njëjta situatë është edhe në urën e Fierzës. Nuk ka problem për qarkullimin e mjeteve. Në segmentin rrugor Bajram Curri - Fierzë, kilometri i 11-të, lumi ka marrë murin mbajtës të rrugës (shembur), rruga me një kalim.
Në Shishtavec lumi ka marrë një pjesë të rrugës duke bërë njëkalimshe rrugën.
Dibër
Po punohet tek ura e Cerenecit, qarkullohet me një kalim. Në segmentin Peshkopi - Muhurr - Qafë-Draj rreth 5 km larg Muhurit, është shembur ura e Shehut, dhe rruga është e bllokuar duke bllokuar komunat e Reçit, Zalldardhës, Arrëzit dhe Lurës.
Dalja e rrugës Peshkopi-Ura e Skurajt (ku bashkohet rruga e Peshkopisë me autostradën) është e bllokuar pasi ka dalë uji mbi rrugë rreth 1 km dhe sasia e ujit mbi rrugë është rreth 1,5 m i lartë.
Janë bllokuar disa mjete në rrugë Nga Burreli në Milot në 30-40 vende ka shkarje dhe rruga është me 1 kalim. Është bllokuar rruga nga përmbytjet e shkaktuara për shkak të hapjes së portave të hidrocentraleve të Ulzës.
Lezhë
Ka bllokim të rrugës në aksin Ura e Skurajve në drejtim të Burrelit për shkak të përmbytjes së rrugës
Tiranë
Gjendja në autostradë në mbrëmje po shkonte drejt normalizimit, pas bllokimit të saj në Vorë.
Elbasan
Nuk ka probleme për qarkullimin e mjeteve. Ka pasur bllokim të rrugës në vendin e quajtur Dragostunj, në kilometrin e 80-të ka pasur bllokim të rrugës për rreth 40 min nga shembje të shkaktuara nga reshjet e menjëhershme. Aktualisht, rruga është e hapur.
Vlorë
Në aksin rrugor Vlorë - Sarandë qarkullimi kryhet me një kalim në vendet e quajtura Jonufra 1, Dukat Fshat, Dalje Piqeras. Në këto pika është vendosur sinjalistika përkatëse. Në akset e tjera nuk ka problem për qarkullimin e mjeteve.
E vetmja mundësi qarkullimi e tropojanëve, përmes Gjakovës Izolohet Tropoja
Shkarkimet në hidrocentralin e Fierzës kanë filluar ditën e mërkurë duke krijuar probleme në afërsi të tij, pikërisht në urën që lidh Tropojën me Fushë-Arrëzin e Tiranën përmes rrugës tokësore.
Gjithashtu, është bërë i pamundur lundrimi në liqenin e Komanit. Vërshimi gjigant i ujërave qe po shkarkohen nga Fierza ka dëmtuar edhe argjinaturën e rrugës që ndodhet poshtë saj dhe që lidh Tropojën. Ndërkohë, ka shembje në rrugë për shkak të lagështisë së madhe të krijuar nga shkarkimet e digës.
Aktualisht qarkullimi i automjeteve nga Tropoja në drejtim të Tiranës bëhet kryesisht përmes Gjakovës, Prizrenit dhe në vijim përmes autostradës Morin-Rrëshen. Problem mbetet qarkullimi i mjeteve të transportit të ngarkuara me mallra të ndryshëm konsumi, që e kanë të pamundur të qarkullojnë përgjatë këtij segmenti për shkak të detyrimeve doganore.
Situata sipas KESH-it
Korporata Elektroenergjitike Shqiptare ka paraqitur situatën në hidrocentrale pas përmbytjeve të fundit në zonën e Shkodrës deri në orën 16:00 të dites së premte. Nga të dhënat e fundit bëhet me dije, se Fierza është në kuotën e 290.39 metra, ndërsa prurjet janë 1420 metër kub ujë në sekondë, ndërsa shkarkohen 1076 metër kub ujë në sekondë.
Hidrocentrali i Komanit është në kuotën e 169.98 metrave ndërsa prurjet kapin shifrën e 1807 metër kub për sekondë, ndërkohë, shkarkimet vijojnë me 1844 metër kub ujë në sekondë. Po ashtu kuota në Vaun e Dejës është 74.24 metra, prurjet janë janë 2295 metër kub ujë në sekondë, ndërsa shkarkimi kap kuotën e 2576 metrave kub ujë në sekondë.
Kuota në Ulëz është 123.6 metra, prurjet janë 1800 metër kub ujë në sekondë, ndërsa shkarkimi kap kuotën e 2763 metrave kub ujë në sekondë. Ndërkohë që KESH-i ka njoftuar që të gjitha HEC-et janë duke prodhuar me kapacitetin e tyre maksimal, megjithatë nuk është përballuar niveli i lartë i prurjeve që është disa herë më i madh se sa i harxhimit të agregatëve të instaluar në të tre hidrocentralet.
Fuqia e instaluar e hidrocentraleve të ngritura në kaskadën e Drinit është 1300 megavatorë. Fierza ka të instaluar 500 megavat, Komani 600 megavat dhe Vau i Dejës 250 megavat.
********************
Situata në perkeqesim e sipër nga përmbytjet ka bere që qeveria shqiptare të kërkojë ndihmë nga NATO. Kerkesa i eshte bere aleances nga Ministria e Brendshme. Mesohet se janë kërkuar helikoptere dhe mjete të rënda.
Sipas zv/kryeministrit Ilir Meta, janë 13000 ha nën ujë, 2100 banesa të përmbytura , 3940 familje të evakuara, 1800 banorë janë strehuar në vendet e akomodimit të vëna në dispozicion nga shteti. Shqetësuese situata e komunikimit. Shkarkohen 2600metër kub ujë në sekondë, ndërsa mbrëmjen e së enjtes shkarkoheshin 2950 metër kub ujë në sekondë.
'Ruajmë balancën me nivelin e prurjeve në kaskadë. Siguria në kaskadë pa asnjë problem"- tha Meta
Sipas Metës bëjnë operacione 1000 efektiva policie, 500 ushtrie, 80 mjete të ministrisë së brendshme dhe 120 të ministrisë së mbrojtjes, i flotilje me helikopterë dhe shumë mjete lundruese.
Anila Dushi/L.Kokaj G. Shekulli
No comments:
Post a Comment