Drama shkodrane, përgjithësisht dramat e Shqipërisë veriore, janë një peshë e rëndë, gati historike, në ndërgjegjen e politikës shqiptare. Shkodra ka qenë dhe mbetet një tempull kulture shqiptardashëse, një kështjellë antikomuniste dhe pro-oksidentale në Vendin tonë, gjysmë feudal, gjysmë oriental, gjysmë bizantin, gjysmë komunist, gjysmë rrënjëdalë dhe hera-herës, krejtësisht i shtirur dhe hipokrit.
Nga ana tjetër, askush nga “Miqtë” - “Armiq” që ka patur Shqipëria nuk e ka dashur Shkodrën, patriotizmin e saj të thellë, shpotinë dhe humorin e saj therës dhe njëkohësisht të etiketuar si një inteligjencë “reaksionare”.
Shkodra e Katedraleve të shkatërruara, Shkodra e Tempujve të hedhur në erë me dinamit, Shkodra e klerikëve të arrestuar dhe të pushkatuar, ka patur gjithmonë mbi krye hijen e një krahine të braktisur, në fatin e vet të mjeruar.
Një diamant i hedhur në kënetë, kjo është Shkodra.
Është folur dhe shkruar shumë këto ditë për Shkodrën e përmbytur, deklarata false, lot krokodili apo premtime boshe, shumë pak apo aspak ndihmë reale, më së shumti fjalë, sepse Vendi ynë nuk është i përgatitur për situata emergjence dhe gërryerja e korrupsionit e ka goditur rëndë në të gjitha krahët.
Dhe mekanizmat e ndryshkur ngecin. Dhe mekanizmat që figurojnë veç ndër letra, janë si letra, letër! Shkodra, e goditur sot nga një hall i madh, duhet pra së pari ta përballojë vetë, ashtu si dhe po bën, këtë gjëmë që vjen nga qielli, toka dhe njerëzit e korruptuar. Shkodra dëshmon përmes mjerimit të saj të sotshëm, mjerimin e të gjithë Shqipërisë së pambrojtur nga hakërrimet e natyrës. Shqipërisë së përçarë, në principata dhe princa të vetëshpallur dhe fodullë, që luftojnë veçse për pushtet dhe para, para dhe pushtet.
Në këtë tragjedi lëvizin vetëm dy protagonistë: Kryeministri, në siklet dhe tension të paparë dhe shefi i opozitës, i ndërsyer, kundër qeverisë dhe Kryeministrit. Një pamje e trishtueshme.
Shohim pastaj ca kukulla ministrish me zëra dhe gjeste inkompetente, që duke kërcyer si karkaleci shfarosës, nga një tender në tjetrin, hidhen të “përlotur”, e bëjnë një qokë përpara kamerave me sfond hallin e shkodranëve. Kjo emergjencë e gjeti qeverinë të dobët, paçka se Kryeministri është i fortë. Sado që Doktori e gdhin në Shkodër, ministrat dhe drejtorët kukulla flenë në pupla, sepse e rehatshme është vërtet, për pushtetin, të ketë shumë kukulla në kabinet, por kur pllakos halli, kur pllakos pra halli i madh, duhen burra dhe burrnesha.
Duhet një gardh profesionistësh dhe patriotësh që t’i vënë shpatullën dhe gjoksin hallit kombëtar që ka shpërthyer dhe po vret Shkodrën dhe gjysmën e Shqipërisë.
Duhen shqiptarë që të marrin gjak në vetull, që kanë dhimbje, që kanë përgjegjësi të thellë për Vendin e tyre dhe jo thjesht karkaleca të bindur si kukulla dhe që të vetmen zotësi kanë “besnikërinë” dhe nënshtrimin, si dhe kallot e duartrokitjeve servile të shefit ndër shuplaka.
Artur Zhei, Mapo
No comments:
Post a Comment