FIER - Gjendja shëndetësore e 58-vjeçarit nga Fieri pas plagosjes me mjete të mprehta nga vajza e tij 14-vjeçare, sipas mjekëve të spitalit rajonal është e rëndë. "Ka qenë një operacion i ndërlikuar dhe i vështirë, - shprehen mjekët kirurgë të këtj spitali. - Ishin katër plagë të shkaktura nga një thikë, ku njëra prej tyre, ajo e pjesës mbi kërthizë, ishte e thellë".
Gjithsesi, tashmë 58-vjeçari, banor i lagjes "8 Shkurti" në Fier, ndodhet në sallën e reanimacionit dhe është nën mbikëqyrjen e personelit mjekësor. Krahas kujdesit që po tregohet nga mjekët, pranë shtratit të të plagosurit, të cilit po i jepet oksigjen për frymërmarrje, qëndron vajza e tij e madhe. Ndërsa vëllai i 58-vjeçarit nuk dëshironte të prononcohej lidhur me këtë ngjarje. Kjo, sipas tij, është një çështje personale familjare midis vajzës dhe babait të saj.
Është drejtësia ajo që do të zbardhë plotësisht këtë ngjarje.
Ndërkaq 14-vjeçarja, edhe pse e tronditur, është marrë në pyetje nga oficerë të policisë gjyqësore në prani të një psikologeje. Vajza ka dëshmuar se babai i saj e keqtrajtonte gjithnjë dhe sidomos kur pinte.
"Babai më ka nxirë jetën", mësohet të jetë shprehur adoleshentja, e cila lidhur me ditën e ngjarjes dhe me mungesën dy ditë rresht në shkollë, ka deklaruar: "Nuk kam shkuar në shkollë dy ditë pasi kisha shenja në fytyrë dhe më vinte turp nga shoqet".
Problemet me të atin duket se kanë qenë shumë të thella, pasi vajza është shprehur se nuk ka dashur ta shikojë më të atin gjatë gjithë jetës së vet. 14-vjeçarja është arrestuar paraditen e djeshme dhe është shoqëruar për në qytetin e Vlorës për t'u gjykuar nga Gjykata e të Miturve.
Ngjarja e ndodhur mesditën e së martës është një tjetër rast dhune që i shtohet statistikave të rënda në qarkun e Fierit për vitin 2010. Ato tregojnë njëkohësisht dhe tendencën në rritje që ka ky lloj krimi brenda familjes.
Shefi i sektorit kundër dhunës në Drejtorinë e Policisë së Qarkut Fier, Flamur Molla, ditë më parë në një takim kushtuar dhunës në familje në Qarkun e Fierit publikoi statistikat e dhunës kryesisht brenda familjes, ku objekt është femra.
"Ky vit ka qenë një vit i një pune intensive për të evidentuar rastet e dhunës kryesisht ndaj grave (brenda familjes), pasi të gjithë e dimë që në familjen shqiptare, gruaja shqiptare mbart rezerva për ta bërë publike dhunën brenda familjes, edhe pse ajo mund të jetë objekt i sulmeve të vazhdueshme dhe me pasoja fatale.
Gjatë vitit 2010 ne kemi të arkivuara dhe kemi trajtuar 85 raste që duke i krahasuar me dy vitet e kaluara, shënojnë qartë një ndryshim shumë të madh.
Në vitin 2009 kemi pasur 9 raste të dhunës brenda familjes dhe në vitin 2008 vetëm 5 të tilla",- u shpreh në takim shefi i sektorit kundër dhunës në Drejtorinë e Policisë së Qarkut Fier, Flamur Molla, teksa vijoi se "nëse do të duam që të luftojmë dhunën, nuk besoj se mjafton vetëm dëshira e mirë.
Duhet që të zbatohet ligji që tashmë ka hyrë në fuqi që në vitin 2008 apo burimet njerëzore, por në radhë të parë kërkohet bashkëpunimi ndërinstitucional, një fond posaçërisht për këto raste dhe një strukturë (staf) e specializuar dhe një qendër enkas për trajtimin e këtyre rasteve".
Rastet e dhunës së trajtuar në qarkun e Fierit
Viti 2010 - 85 raste
Viti 2009 - 9 raste
Viti 2008 - 5 raste
Shekulli
No comments:
Post a Comment