Në deklaratën e qeverisë thuhet se "pretendimet e botuara në "The Guardian" janë hetuar disa herë nga drejtësia vendore dhe ndërkombëtare dhe në të gjitha rastet është konstatuar që deklarimet e tilla kanë qenë të pabazuara në fakte dhe të konstruktuara me qëllim të dëmtimit të imazhit të Kosovës dhe të luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës".
Më tej në reagimin zyrtar të qeverisë së Kosovës thuhet se "është e papranueshme që shpifjet e një anëtari të Asamblesë Parlamentare të Këshilit të Evropës të paraqiten si opinione të vetë institucionit, i cili nuk ka të bëjë me raportin e cituar".
Ndërkohë qeveria e Republikës së Kosovës dhe kryeministri Hashim Thaçi, do t'i ndërmarrin të gjithë hapat dhe veprimet e nevojshme për t'i kundërshtuar shpifjet e Dik Martit, duke përfshirë edhe rrugët ligjore dhe politike.
Qeveria e Kosovës u ka bërë gjithashtu thirrje të gjitha shteteve anëtare të Këshillit të Evropës që ta kundërshtojnë fuqishëm këtë raport shpifës dhe tendencioz dhe të mos rreshtohen në anën e atyre që me çdo kusht duan ta pengojnë stabilitetin, progresin dhe qeverisjen e mirë në Republikën e Kosovës
Gazeta londineze: Kryeministri i Kosovës, në krye të një grupi mafioz
Kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi, qëndron në krye të një grupi mafioz shqiptar përgjegjës për kontrabandën e armëve, drogës dhe trafikut të organeve në të gjithë Europën Lindore, sipas një raporti të Këshillit të Europës mbi krimin e organizuar.
Britanikja "The Guardian" raporton se Hashim Thaçi është identifikuar si "bosi" i një rrjeti që ka filluar aktivitetin kriminal në prag të luftës në Kosovë në vitin 1999, ndërsa vetë Thaçi ka qëndruar "i fortë me qeverinë e tij që nga ai vit", - sipas gazetës prestigjioze londineze.
Raporti i hetimit citon burime nga FBI dhe shërbime të tjera inteligjence. Emra si Thaçi kanë pasur ndikim të fortë në dekadën e fundit dhe "kontroll të dhunshëm" të tregut të heroinës, shkruhet në raport.
Të tjerë afër Thaçit janë akuzuar për tregti të organeve njerëzore.
Më tej, në artikull shkruhet se një proces ligjor filloi dje në Prishtinë, ku po shqyrtohen raste të trafikut të organeve, të zbuluara nga policia në vitin 2008.
E përditshmja britanike shkruan se ky raport vjen në një periudhë vendimtare për Kosovën, e cila të dielën zhvilloi zgjedhjet e saj të parë që nga shpallja e pavarësisë nga Serbia në vitin 2008. Thaçi deklaroi fitoren në zgjedhjet dhe ka kërkuar për të formuar një koalicion me partitë e opozitës.
Hartuesi i raportit, Dick Marty, një investigues i të drejtave të njeriut, do të paraqesë këtë raport para diplomatëve europianë nga 47 shtete anëtare, në një takim në Paris këtë të enjte. Raporti i Marty tregon lidhjet e Thaçit me krimin e organizuar për më shumë se një dekadë, ku besnikët e "Grupit të Drenicës", - u bënë fraksioni dominant brenda Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
Raporti thotë se supremacia e grupit të tyre ndaj grupeve të tjera më të vogla guerile, u mundësoi atyre që në 1998 ta kishin të lehtë të merrnin nën kontroll organizatat e mëdha kriminale, në të cilat kosovarët kanë qenë të përfshirë në jug të kufirit, në Shqipëri.
Raporti vazhdon më tej dhe tregon se gjatë konfliktit në Kosovë trupat e Sllobodan Millosheviçit, i përgjigjeshin sulmeve nga ana e UÇK-së, duke orkestruar një fushatë të tmerrshme të spastrimit kundër shqiptarëve etnik në këtë territor. Vlerësohen më shumë se 10.000 të vrarë nga serbët
Ndërsa janë kritikuar krimet serbe, Marty thotë se bashkësia ndërkombëtare ka zgjedhur të injorojë krimet e dyshuara të luftës që kryheshin nga UÇK-ja, duke vendosur një çmim, për të arritur një farë stabiliteti në terma afatshkurtra me armikun.
Ai arrin në përfundimin se gjatë luftës në Kosovë dhe për thuajse një vit më pas, forcat e Thaçit, u hakmorën kundër serbëve, romëve dhe shqiptarëve, të cilët akuzoheshin se kishin bashkëpunuar me armikun.
Thaçi dhe katër anëtarë të tjerë të "Grupit të Drenicës" janë përmendur në raport, si realizues të vrasjeve, arrestimeve, rrahjeve dhe marrjes në pyetje. Kjo vijë e ashpër e UÇK-së ka mbajtur pushtetin në një periudhë të konsiderueshme në Kosovë gjatë gjithë dekadës së fundit, me mbështetjen e fuqive perëndimore të etur për të siguruar stabilitet në shtetin e ri.
Raporti paraqet një pamje të përgjithshme të komandantëve të ish - UÇK-së, dhe rolin vendimtar që ata kanë luajtur në veprimtarinë kriminale të rajonit në dekadën e fundit.
Ai thotë: "Në raportet konfidenciale që përfshijnë më shumë se një dekadë, agjencitë e përkushtuara për luftimin e kontrabandës e drogës në të paktën pesë vende e kanë quajtur Hashim Thaçin dhe anëtarët e tjerë të "Grupit të Drenicës" se kanë ushtruar kontrolle të dhunshme mbi tregtinë e heroinës dhe substancave të tjera narkotike.
Marty shton më tej se Thaçi dhe të tjerët e grupit të Drenicës janë quajtur vazhdimisht si "lojtarët kyç" në raportet e shërbimit të fshehtë për krimit e organizuar.
Hetimi i tij ishte porositur pas deklarimeve të ish prokurores së Hagës për krimet e luftës Carla del Ponte, se ajo ishte penguar për të hetuar zyrtarët e lartë të UÇK-së. Kërkesa më shokuese e saj , nëpërmjet së cilës ajo kërkonte hetim të mëtejshëm të UÇK-së, përfshinte kontrabandën e robërve serbë përtej kufirit në Shqipëri, ku u merreshin organet.
Raporti, thekson se ky nuk është një hetim penal, dhe nuk mund të shprehë gjykime për fajësi apo pafajësi, por i jep disi të drejtë pretendimeve të Carla del Pontes.
Ai thotë se UÇK-ja ka mbajtur shumë robër serbë nëpërmjet një rrjeti të fshehtë në gjashtë vende të paraburgimit në Shqipëri. Grupi i Thaçit i quajtur "Grupi i Drenicës" mban përgjegjësinë më të madhe për burgjet ad-hoc dhe fatin e atyre që janë mbajtur në to. Mendohet se të burgosurit janë transferuar në një burg të Tiranës, nga ku u janë marrë dhe veshkat e tyre, - sipas "The Guardian".
Marti në raport arrin në përfundimin se shenjat e një marrëveshjeje të fshehtë mes një klase kriminale dhe institucioneve dhe figurave të larta politike janë të shumta dhe serioze për t'u injoruar. "Kjo është një e drejtë themelore e qytetarëve të Kosovës për të ditur të vërtetën, dhe gjithashtu një kusht i domosdoshëm për bashkëjetesën mes komuniteteve për një të ardhme të begatë të vendit", - pohon Marty. Në qoftë se ndodh ashtu siç pritet që raporti të miratohet zyrtarisht nga Komisioni këtë javë, rezultatet do të shkojnë në asamblenë parlamentare vitin që vjen.
Linku ku është shkrimi
http://www.guardian.co.uk/world/2010/dec/14/kosovo-prime-minister-llike-mafia-boss
Shekulli
No comments:
Post a Comment