Thursday, December 9, 2010

Vdekja e një prindi

INTERVISTË
Thonë se fëmijët janë pasqyra e prindërve. Mënyra se si ata e kanë përjetuar kohën që kanë jetuar me ata që i kanë sjellë në jetë, është edhe ajo që "shkruan" të ardhmen e tyre.
Por, ç'ndodh me fëmijët e prindërve të dhunshëm?
Si e shohin jetën ata që pasi janë kthyer nga shkolla, në shtëpi shohin babanë që dhunon nënën?
Si shkruhet historia e tyre?

Askush nuk e dëshiron vdekjen e një prindi. Por ndoshta ai është një "askush". Sot 25 vjeç nuk ngurron të thotë se, nëse babai i tij do të ishte gjallë, "ndoshta do ta vriste ai vetë". Tingëllon mizore, por ai është thjesht një pre e dhunës familjare. Nga i ati e vetmja gjë që mban mend, janë netët kur dehej dhe rrihte të ëmën, por edhe atë vetë.
Tani, më tepër ndihet i humbur. Në trup ka një tatuazh që personifikon vdekjen. Pasi mëson historinë e jetës së tij, mund t'i japësh një kuptim edhe asaj. Sot është i martuar me një të huaj e pret të largohet së shpejti jashtë shtetit, duke shpresuar që atje të mund të rifillojë një jetë të re.

Babai pinte. Kur filloi ta bënte një gjë të tillë?
Me aq sa më kanë treguar më pas, ai filloi të pinte alkool pasi linda unë. Jam fëmija i parë. Ndoshta duket të kem qenë diku tetë muajsh në atë kohë. Pas asaj çdo ditë bëhej edhe me keq. Kishte disa shokë që ishin gjithashtu të alkoolizuar dhe vinte shumë vonë në shtëpi duke krijuar edhe probleme...

Ç'punë bënte yt atë?
Babai kishte një punë shumë të mirë si menaxher në turizmin e qytetit. Gjithashtu drejtonte dhe një dyqan. Madje, mbante edhe një dashnore (ironizon).

Pse filloi të pinte?
Nuk e di tamam. Thjesht filloi. Pastaj, një natë, pasi kishte pirë me shokët, dikush i kishte vjedhur dyqanin dhe llogaritë i dolën shumë keq. Kështu që ai u fut në burg dhe qëndroi brenda për rreth 6 muaj. Atëherë ishte koha e Enverit dhe për gjëra të tilla nuk të toleronin. Por pasi doli nga burgu situata nuk ndryshoi. Ai vazhdoi të pinte çdo ditë. Vetëm se nuk punonte më.

Si mbahej familja juaj?
Mamaja u detyrua të punonte si kameriere. Në familje u shtuam, pasi pas meje lindi një motër dhe një vëlla.
Si e përjetoje pijen e babait?
Isha vetëm 7 vjeç kur kuptova që buzëqeshja për mua do të kthehej në një ëndërr! Fillova klasën e parë dhe më pëlqente, sepse vërtet mësoja shumë. Sidomos matematikën. Pasi shkoja në mëngjes në shkollë, nuk dëshiroja të kthehesha më në shtëpi, sepse e dija ç'do të ndodhte...
Por më duhet të kthehesha pasi, sado i vogël, përsëri kuptoja. Mami blinte ushqime, si: oriz, sheqer dhe çfarë duhej tjetër për në shtëpi, por ai i merrte dhe i shiste që të pinte raki. Mami gatuante dhe ne prisnim të hanim bukë, por ai vinte i pirë, e merrte të gjithë gjellën dhe e derdhte në tualet. Pastaj, ne fillonim të hanim bukë me sheqer.

Si vijoi jeta juaj?
Mami punonte mbasditeve. Ai shkonte tek puna e saj i pirë, kërkonte të pinte përsëri dhe vetëm e ofendonte dhe i gjuante në sy të njerëzve. Dhe ajo nuk kishte faj, pasi e vetmja gjë që bënte ishte të mbante fëmijët me bukë dhe atë me raki. Puna e mamit ishte 15 minuta larg nga shtëpia ku jetonim, por meqë ai pinte dhe ishte gjithmonë i dehur, isha unë ai që shkoja ta merrja mamin nga puna. Sa herë që shkoja, atje më jepnin pilaf...
Një natë, kur u bëra gati të shkoja të merrja mamin, mora edhe motrën e vogël për dore, e cila ishte vetëm 4 vjeçe, mora edhe vëllanë në krahë që ishte vetëm 1 vjeç, që të shkonim te puna e mamit e t'u jepja të hanin pilaf.
Kur ktheheshim në shtëpi, ai priste për të filluar sherrin. Kështu që unë i mbyllja motrën dhe vëllanë në dhomën tjetër dhe rrija me mamin aty, asnjëherë nuk e lija vetëm. Kur ai bëhej gati t'i gjuante, i dilja para, por na gjuante të dyve. Nëse nuk pushonte, mami merrte vëllanë në krahë, unë motrën për dore dhe shkonim tek gjyshja nga babai.
Por atje gjyshja vetëm mua dhe motrën na pranonte brenda, kurse mamin me vëllanë e vogël i linin jashtë. Nuk i fusnin brenda, pasi nuk donin që të vinte babai dhe të bënte sherr edhe atje.
Kërkonit ndihmë ndonjëherë?
Më ka ndodhur shpesh të shkoj zbathur në polici në 2:00 apo 3:00 të natës, pasi ai vinte i pirë dhe rrihte mamin.
Madje, një natë, të cilën s'mund ta harroj kurrë, pasi më gjuajti mua, shkova në polici. Kur u ktheva pas 20 minutash me policinë, mamin e gjeta në ballkon pa ndjenja, sepse e kishte rrahur vërtet shumë.

Sa vijoi një situatë e tillë?
Kur mbusha 10 vjeç ata u ndanë përfundimisht. Isha unë që e kërkoja me ngulm një gjë të tillë. Të tre fëmijët i takuan mamit.

Ku jetuat pas ndarjes?
Në të njëjtën shtëpi. Sipas vendimit të gjykatës, njëra dhomë na takoi ne, ndërsa tjetra atij. Por ishte e njëjta gjë. Ai pinte, i binte derës me shqelma dhe fillonte sherri.

Ç'bëtë më pas, u larguat?
Po, shkuam në një qytet tjetër. Larg nga aty ku ishim. Atje jetonim me 80 mijë lekë të vjetra që merrte mami çdo muaj, me të cilat paguanim dhe qiranë e shtëpisë.

Mendon se pati ndikim tek ti ajo që ndodhte në shtëpi?
Besoj se ndikoi shumë. Në klasë të pestë isha bërë i paduruar. Një ditë në shkollë kisha vajtur pa bërë detyrat e shtëpisë, pasi gjatë pasdites isha kujdesur për motrën e vëllanë (mamaja punonte pasditeve). Mësuesja e anglishtes më dha një shuplakë për këtë dhe unë reagova duke e gjuajtur me çantë. Pasi u rrëzua përtokë, e qëllova me shqelma. Më pas ika... Ime më provoi të më fuste në një shkollë tjetër, por nuk më pranuan më.

Ç'ndodhi pasi u largove nga shkolla?
Zura shokë dhe me ta u nisa jashtë shtetit. Shkova në Greqi, por u ktheva dy javë më pas. U mërzita atje. Isha ende fëmijë.

Babanë e takove më?
Po. Në moshën 13 vjeç kur u ktheva të jetoja me të (kisha frikë se mos shiste shtëpinë. Ajo na përkiste ne). Por ai më bënte të më vinte turp prej shoqërisë sime. Pinte çdo ditë dhe shtrihej në çdo vend të qytetit. Të gjithë e dinin që isha djali i tij dhe kjo më bënte të ndihesha shumë keq. "Djali i pijanecit".

Ç'ndodhi pas kësaj?
Isha diku 15 apo 16 vjeç atëherë kur fillova të mos e mbaja dot më veten kundrejt tij. (Deri në atë moshë kisha shkuar më shumë se 5 apo 6 herë në Greqi në këmbë). Sa herë që ai pinte dhe fillonte të fliste diçka që nuk më pëlqente, i gjuaja. Në fakt, i gjuaja për gjithçka që thoshte. Ai më kishte bërë të mos kisha më një jetë, të mos ndihesha më njeri. Gjithçka që ndieja, ishte urrejtje. Vdiq kur mbusha 18 vjeç.


Ndien keqardhje?

Më vjen keq për të?! Jo! Më mirë kështu. Ndoshta do më detyronte ta vrisja vetë. 

Arlinda Gjypi, G. Shekulli

No comments: