Intelektualët e Fierit i lënë afat Kryepeshkopit të Shqipërisë dhe vartësit të tij, mitropoliti i Beratit, Lushnjës, Kaninës, Vlorës dhe Myzeqesë, që të kërkojë ndjesë publike. Kjo në lidhje me deklaratën e shumëpërfolur se:
“Kosova është Izraeli i Serbisë”.
Nën organizimin e Shoqatës Kulturore të Intelektualëve Ortodoksë në Fier, është zhvilluar debati publik për disa pakënaqësi dhe cenime që janë regjistruar pranë kishave të zonës së Myzeqesë, por edhe deklaratave të klerikëve me origjinë greke.
Pjesëmarrës në debatin që përfundoi me një peticion kanë qenë përfaqësues të shumë shoqatave, kryesisht me karakter kombëtar, deri dhe përfaqësues të sindikatave dhe shoqatës “Çamëria”, “Muzaka”, “Skrapari”, “Labëria”, “Kosova”.
Sipas kryetarit të Shoqatës së Intelektualëve Ortodoksë, Harrilla Koliçi, mësohet se afati i lënë është 20 ditë.
“Kërkojmë që brenda 20 ditësh të realizohet ndjesa publike për shprehjen e thënë në Kosovë. Gjithashtu kemi edhe një sërë kërkesash të tjera që lidhen me themelimin e Kishës së Shën Gjergjit, si dhe disa cenimeve që i janë bërë asaj, por edhe kishave të tjera në vend”, është shprehur Koliçi për gazetën “Shqip”.
“Ne i kemi kërkuar gjithashtu që kambanat dhe kori i kishës të veprojë, ashtu siç bëhet edhe me motrën e saj në Korçë. Ka shumë parregullsi të qëllimshme, deri dhe në themelet e kishës që po regjistrohen nga mitropolia si dhe Kryepeshkopata”, është shprehur Koçi.
Pas tubimit do të nënshkruhet një peticion ku do të firmosin studiues e historianë.
“Nuk e shoh me vend ndërhyrjen e fesë e kishës që të acarojë marrëdhëniet ndërshtetërore. Kjo nënkupton se feja dhe besimtarët, Kryepeshkopi Janullatusi dhe të tjerët tërthorazi ndikojnë negativisht në këto marrëdhënie”, tha për “Shqip”, Kostandin Boçova.
Më tej, studiuesi ka sqaruar se: “Thuhet aty te Kisha e Shën Gjergjit në Fier, madje është shkruar se e themeloi Janullatusi. Ky është një gabim plotësisht shkencor, historik dhe praktik. Ai ka ndikuar për ristrukturimin e saj, por themelimi i saj është në vitin 1713. Kjo më indinjon shumë”, ka thënë studiuesi Kostandin Boçova. Sipas tij, feja ka ligjet e saj të zhvillimit, por kurrë nuk duhet të përzihet me politikën. Ajo ka bukurinë e saj, që ndikon shpirtërisht në edukimin e njeriut. Feja ka luajtur rol të madh të pazëvendësueshëm për edukimin e njeriut, por jo me gjak, por me qetësi shpirtërore”.
Ndërkohë që përfaqësuesi i Komitetit për Zgjidhjen dhe Mbrojtjen e Çështjes Kombëtare, Lirim Sinani, është shprehur se duke pasur si qëllim kryesor pikërisht edhe emërtimin e shoqatës që drejton, mbështet çdo lëvizje që i shërben çështjes kombëtare. “Përpjekjet tona për të shqiptarizuar ortodoksinë shqiptare janë në vazhdim të atyre përpjekjeve të mrekullueshme që bënë rilindësit deri tek At Marku, tek Noli dhe deri te kleriku i fundit, Foti Cici, i cili jeton në SHBA. Sa të kemi mundësi dhe frymë do të mbështesim ortodoksinë shqiptare që ajo të flasë shqip”, ka thënë Lirim Sinani për gazetën “Shqip”.
Të gjithë përfaqësuesit e shoqatave pjesëmarrëse në këtë debat publik janë shprehur të gatshëm për ta ndjekur me çdo formë mbrojtjen e kishës shqiptare.
G. Shqip
No comments:
Post a Comment